Dituria themeli i adhurimit dhe ndërtimi i brezave

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    15-03-1448 H     28-08-2026 D

Shejh Abdullah El Xhuhenij   

Tema    Dituria themeli i adhurimit dhe ndërtimi i brezave

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin e botëve, i Cili e ka ngritur lart pozitën e dijes dhe të dijetarëve, ka nxitur për kërkimin e dijes dhe shëtitjen në kopshtet e saj të begata.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi e besimtarit të bindur se Zoti i tij është Krijuesi i tokës dhe i qiejve.

Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, zotëria i të dërguarve dhe profetëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij fisnikë,  mbi këdo që pason gjurmët e tyre dhe ecën në rrugën e tyre deri në Ditën e Takimit.

Në vijim

Këshilla më e mirë që muslimani mund t’ia japë vëllait të tij musliman dhe virtyti më i mirë me të cilin ai mund të stolisë veten, në fshehtësi dhe haptazi, është devotshmëria ndaj Zotit, e cila është themeli i çdo çështjeje, përmbledhja e çdo të mire dhe burimi i suksesit. Ajo është rruga e lumturisë në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. Nuk ka hyrë devotshmëria ndaj Zotit në zemrën e robit veçse ai ka arritur atë që dëshiron. Andaj, këshilloj ju dhe veten time që të kemi frikë Zotin e Lartësuar.

Adhurues të Zotit! Vërtetë Allahu i Lartësuar krijoi krijesat që ta adhurojnë Atë dhe solli të dërguarit e shpalli Librat për këtë urtësi madhështore, për t’i ftuar njerëzit në adhurimin e Tij, për t’ua shpjeguar dhe për t’ua bërë të qartë atë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” (Edh-Dharijat 56–58)

Nuk ka rrugë drejt këtij adhurimi dhe kryerjes së tij në mënyrën e kërkuar, përveçse me ndihmën e Zotit dhe pastaj përmes dijes dhe kuptimit të thellë të fesë.

Kurani Famëlartë na ka udhëzuar se dija është themeli i veprës, se ajo duhet t’i paraprijë në mënyrë që vepra të ndërtohet mbi bazë të qartë nga legjislacioni Islam dhe mbi udhëzim të drejtë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Dije se nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd…”(Muhammed 19) Zoti i Lartësuar urdhëroi fillimisht dijen, duke thënë: “Dije”, dhe më pas përmendi veprën, duke thënë: “Kërko falje për gjynahin tënd”, istigfari, kërkimi falje tek Zoti, është një lloj vepre, të cilën dija e përshkruan dhe për të cilën urdhëron.

Ky ajet gjithashtu tregon për vlerën dhe rëndësinë e dijes. Përmes dijes njihet Zoti i Madhëruar, forcohet besimi në Librin dhe Urtësinë që Ai ka zbritur, dhe arrihet përmes saj frika dhe madhërimi i Zotit të Lartësuar. Dija është gjëja më e madhe për të cilën garojnë ata që garojnë dhe pasuria më e çmuar për të cilën besimtarët mund të kenë zili.

LEXO  Xhamia Aksa… Doktrina e Israsë dhe përgjegjësia për ta mbrojtur atë

Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo musliman dhe muslimane, siç ka thënë i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Muslimani duhet të mësojë atë që është e domosdoshme prej dispozitave të fesë, si besimi, pastërtia, namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi, në mënyrë që ta adhurojë Zotin në mënyrën e saktë.

Po ashtu, muslimani duhet të mësojë dispozitat që lidhen me çdo fushë në të cilën ai është i angazhuar. Tregtari duhet të mësojë rregullat e tregtisë, mjeku dhe inxhinieri gjithashtu, dhe kështu çdo profesionist duhet të mësojë dispozitat që lidhen me profesionin e tij, në mënyrë që të mos bjerë në haram pa e ditur dhe që të ecë në rrugën e drejtë, duke udhëzuar umetin dhe bashkëqytetarët e tij drejt kësaj feje të pastër.

Umet Islam! Islami u ka dhënë dijetarëve të fesë pozitë të lartë dhe vlerë të madhe, që vështirë se mund të përmblidhet. Ata janë njerëz të besueshëm, të cilëve Zoti ua ka madhëruar pozitën, ua ka ngritur gradën, i ka lavdëruar dhe u ka dhënë nga begatitë e Tij. Zoti i Plotëfuqishëm i ka bërë ata dëshmitarë nga lartësia e shtatë qiejve për gjënë më të madhe të dëshmuar, e që është Njësimi i Tij, Zotit të Lartësuar dhe të Madhërishëm, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Allahu dëshmon, e po ashtu engjëjt dhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër (që meriton të adhurohet), përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër (që meriton të adhurohet), përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit.” (Al ‘Imran 18)

Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve dhe drita e syve të njerëzve të devotshëm. Njerëzit përulen para tyre për shkak të dijes dhe vlerës së tyre. Ata janë pishtarë në errësirë, prijës të udhëzimit dhe argumenti i Zotit mbi tokën e Tij. Përmes tyre zhduken gënjeshtrat nga mendimet  dhe retë e dyshimit largohen nga zemrat dhe shpirtrat.

Ata janë shqetësimi i shejtanit, shtylla e besimit dhe ngritja e umetit. Ata e mbrojnë dijen dhe fenë nga shtrembërimet e ekstremistëve, nga trillimet e atyre që përhapin gënjeshtra dhe nga keqinterpretimet e të paditurve.

Kushdo që e tepron në kuptimin e një ajeti ose hadithi dhe sjell në të diçka që e largon nga kuptimi i saktë, dijetarët e refuzojnë atë, në mënyrë që feja të mbetet e pastër nga çdo shtrembërim.

Për këtë arsye, dijetarët janë prej mirësive të Zotit të Lartësuar ndaj banorëve të tokës. Prandaj është detyrë e jona t’i respektojmë dhe të shprehim vlerësimin tonë për përpjekjet e tyre në përhapjen e dijes dhe të diturisë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “… se Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija. Allahu di çdo gjë që veproni.” (El-Muxhadile 11)

Ubadetu Ibn Es-Samiti, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk është prej nesh, nga umeti im, ai që nuk e nderon të madhin tonë, nuk mëshiron të voglin tonë dhe nuk ia njeh dijetarit tonë të drejtën e tij.” Hadithin e transmeton Ahmedi.

LEXO  Punët e mira që të afrojnë te Zoti - Meka 31.12.2021

Mjafton për të treguar vlerën e dijes dhe të dijetarëve fjala e të dërguarit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Kush merr rrugën në kërkim të dijes, Allahu do t’ia lehtësojë përmes saj rrugën për në Xhenet. Me të vërtetë, Melaiket vendosin krahët e tyre nga kënaqësia për kërkuesin e dijes. Për dijetarin kërkon falje gjithçka që është në qiej dhe në tokë, madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është si vlera e hënës ndaj të gjithë yjeve. Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve. Profetët nuk kanë lënë trashëgimi dinar e as dirhem, por kanë lënë dije, kush e merr atë, ka marrë një pjesë të madhe të mirësisë.” Hadithin e transmeton Ebu Daudi.

E gjithë kjo vlerë i takon dijetarëve që veprojnë sipas dijes së tyre, që janë këshillues të sinqertë për Allahun, për të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për prijësit e muslimanëve dhe për të gjithë muslimanët.

O Zot, ruaj dijetarët tanë dhe bëj ata të dobishëm për vendin dhe njerëzit!

Mbështetja e mbretërisë së Arabisë Saudite, Zoti e ruajt, për dijen dhe dijetarët është një pjesë themelore e strategjisë së saj zhvillimore.  Gjë që kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në dije dhe në realizimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Ky interes pasqyron vizionin e mbretërisë për ndërtimin e një të ardhmeje të ndritur, mbështetur mbi dijen dhe njohuritë, dhe forcon rolin e dijetarëve në arritjen e zhvillimit dhe përparimit.

Zoti na bëftë të gjithëve të dobi përmes Kuranit dhe udhëzimit të zotërisë së të dërguarve.

Zotit i kërkoj falje për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, të Urtin, të Gjithëditurin, i Cili e ka begatuar robin e Tij me një rreze nga dituria e Tij e pafundme.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i Cili na udhëzoi që ta kuptojmë këtë rreze përmes edukimit dhe mësimit.

Dëshmoj se profeti dhe i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij bujar. Paqja dhe bekimet më të mira qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

Në vijim

Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit të Lartësuar në fshehtësi dhe në publik. Adhurues të Zotit! Në fillimin e një viti të ri shkollor ripërtërihen shpresat, rifillon rrugëtimi i dijes dhe i mësimit, bëhet i dukshëm roli i dijes në ngritjen e popujve dhe përparimin e shoqërive. Me dije ndriçohen mendjet, ndërtohen qytetërimet, përhapet ndërgjegjësimi dhe fitohen shkenca e njohuri të dobishme, të cilat sjellin mirësi dhe përmirësim për individin dhe shoqërinë.

Nga përgjegjësitë më të mëdha në këtë rrugëtim është misioni i mësuesve dhe mësueseve, të cilët mbajnë amanetin e mësimit dhe edukimit dhe kontribuojnë në ndërtimin e personalitetit të brezit të ri në aspektin shkencor, intelektual dhe moral.

Prandaj, ata duhet ta kryejnë misionin e tyre me sinqeritet dhe besnikëri, të jenë të vetëdijshëm për madhështinë e ndikimit të tyre në shpirtrat e nxënësve dhe nxënëseve, si dhe të ndërthurin, bashkojnë,  në mes të mësimit dhe edukimit, dhe në mes të transmetimit të dijes dhe mbjelljes së vlerave.

LEXO  Urtësia e Zotit të Gjithëdijshëm në mos përgjigje ndaj arrogantëve

Familja gjithashtu ka rol themelor në suksesin e rrugëtimit arsimor. Ajo është mjedisi i parë ku fëmijët marrin udhëzimin dhe edukimin. Prandaj, familja duhet t’i përgatisë ata për fillimin e vitit shkollor, t’u mbjellë seriozitetin dhe përpjekjen, si dhe respektin për dijen dhe mësuesin.

Le të jetë mësimi i shoqëruar me edukim dhe dija e zbukuruar me moral. Sepse dija, kur është e zhveshur nga morali, bëhet argument kundër pronarit të saj, ndërsa kur bashkohet me sjelljen e mirë, bëhet dritë dhe fryt i dobishëm.

Të parët tanë të mirë, selefët, kujdeseshin që dija të shoqërohej me moralin. Nga shembujt e kësaj është ajo që nëna e Sufjan Eth-Theuriut i tha djalit të saj:  “Merr këto dirhem, para, dhe mëso dhjetë hadithe. Nëse shikon se dija ta përmirëson moralin, sjelljen dhe mënyrën e të folurit me njerëzit, vazhdo në kërkimin e saj dhe unë do të të ndihmoj në këtë rrugë. Por nëse ajo nuk ndikon në sjelljen tënde, atëherë lëre, sepse kam frikë se mos bëhet argument kundër teje në Ditën e Gjykimi.”

O ju baballarë dhe nëna! Fëmijët tuaj janë amanet. Mbillni tek ata sinqeritetin në fjalë, moralin e mirë dhe dashurinë për namazin, sepse namazi e ndalon njeriun nga imoraliteti dhe veprat e këqija.

O ju mësues dhe mësuese! Bëhuni shembull i mirë para se të bëheni mësues, sepse fjala e sinqertë, drejtësia dhe butësia lënë në zemra gjurmë që nuk zhduken.

O ju nxënës të dijes! Fillojeni vitin tuaj me vendosmëri, edukatë dhe përkushtim. Edukimi nuk është thjesht urdhra që thuhen, por është shembull që shihet çdo ditë, sinqeritet në shtëpi, mëshirë në marrëdhëniet me të tjerët, kujdes për namazin dhe kërkim falje kur bëhet gabim. Morali është një mënyrë jetese që praktikohet para se të jetë një mësim që thuhet.

Adhurues të Allahut! Kini frikë Zotin, ripërtërini besën me dijen dhe veprat e mira,  bëni moralin kurorën e edukimit ndërsa mbikëqyrjen e Allahut peshoren e sjelljes suaj.

O Zot! Përmirëso bijtë dhe bijat tona, bëji ata gëzim për sytë e prindërve të tyre dhe pasuri të çmuar për umetin e tyre.

O Zot! Ndihmo baballarët dhe nënat që ta përmbushin këtë amanet, beko durimin dhe edukimin e tyre.

O Zot! Beko mësuesit dhe mësueset tona, drejto fjalët e tyre, beko përpjekjet e tyre dhe shpërbleji me shpërblimin më të mirë.

O Zoti ynë, të lutemi Ty, o i Gjallë, o Vetëmbështetës, o Ti që nuk të kaplon kotja as gjumi, që t’i japësh atij që kërkon prej nesh dhe atij që është i privuar, dhe të na furnizosh me një furnizim hallall dhe të mirë.

O Zot, të lutemi forco Islamin, o Ti që u ke dhënë mëshirën Tënde robërve të Tu, lartëso statusin e muslimanëve, kurorëzoi ata me kurorën e fitores dhe triumfit, dhe realizimin e shpresave më të mira.   Të lutemi, të përfshish nën kujdesin dhe suksesin Tënd ata që kanë bërë punë të mirë  dhe ka reformuar me duart e tij vendin dhe popullin, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, mbretin Selman Ibn Abdulaziz, dhe zëvendësin e tij, princin e besuar të kurorës, Mohamed Ibn Selman, Zoti u dhëntë atyre fitore nga fitoret e Tij, i mbështestë ata me suksesin dhe ndihmën e Tij.

O Zot, jepu sukses sundimtarëve të muslimanëve që të punojnë me Librit Tënd dhe me sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij.

O Zot, ruaj ushtarët tanë të stacionuar në kufij. O Zot, forco vendosmërinë e tyre, drejto goditjet  e tyre, mposht armiqtë e tyre dhe jepu atyre fitoren mbi njerëzit e padrejtë, o Zot i botëve.

Dërgoni lutje dhe përshëndetje mbi profetin tuaj, Muhamedin, Zoti ju mëshiroftë.

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1670006691792671/1893979168653898

Post Author: endrit