Lavdia dhe siguria e umetit në unitet dhe besim

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     18-04-1447H   10-10-2025 D

Shejh  Halid  Ebu  Xhumua 

Tema    Lavdia dhe siguria e umetit në unitet dhe besim

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka siguruar miqtë e Tij me fuqinë dhe mëshirën e Tij, ka marrë nën kujdes njerëzit e mirë, të drejtë me mbrojtjen dhe mirësinë e Tij dhe  ka qenë bujar me ta me ndihmën dhe fitoren e Tij. Ai i Cili ka çuar jobesimtarët në rrugë të gabuar me kurthet e Tij, ka poshtëruar shtypësit, të padrejtët me fuqinë e Tij dhe ka drejtuar të gjitha çështjet me urdhrin e Tij, çdo gjë sipas caktimit dhe vendimit të Zotit. “Ata nuk e vlerësojnë siç duhet Allahun…” (El-En’am 91)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, ne nuk kemi Zot tjetër përveç Tij dhe nuk adhurojmë askënd tjetër përveç Tij, me sinqeritet ia kushtuar fenë tonë Atij, edhe pse jobesimtarët e urrejnë atë.

Dëshmoj se zotëria, i dashuri dhe udhëheqësi ynë,  Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ai ishte i duruar në bindjen ndaj Zotit, ishte i duruar me caktimin e Zotit dhe ishte i duruar përballë dëmit të politeistëve. Ai ishte  model për të duruarit dhe të palëkundurit, model për qëndrueshmëri me bindjen në premtimin e madh të Zotit. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit, lutje dhe përshëndetje të shumëta për të gjithë ata.

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit të Plotfuqishëm dhe binduni Atij, punoni, veproni  në jetën tuaj të kësaj bote atë që do e gjeni pas vdekjes tuaj,  sepse kjo botë është vend pune, sprovash dhe kalimi, ndërsa Bota e Përtejme, Ahireti është vend shpërblimi, rehatie dhe përjetësie. “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

O ju të lidhur me këtë vend! Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar duke ju drejtuar të dërguarit të Tij bujar, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë: “ Mos u dëshpëro nga fjala e tyre. E gjithë fuqia i përket Allahut! Ai dëgjon dhe di çdo gjë.” (Junus 65)

Adhurues të Zotit! Nuk ka umet, popull, që nuk e kërkon dinjitetin dhe krenarinë e tij dhe e urren poshtërimin dhe degradimin e tij. Njerëzit shkojnë në të gjitha drejtimet në kërkim të arsyeve për krenari, dinjitet, lartësi dhe sovranitet. Megjithatë, umeti Islam nuk mund të jetojë një jetë dinjitoze dhe të ndershme nëse nuk beson vërtet në Zot, nuk i nënshtrohet urdhrit të Tij, nuk i bindet ligjit të Tij, nuk mbështetet tek Ai dhe nuk kërkon strehim në mbështetjen e Tij të fortë, Ai është Ndihmësi, Mbështetësi dhe Mbrojtësi.

Kjo është metoda e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kërkonte strehim tek Zoti dhe Sunduesi i tij, duke thënë: “O Zot, Zbritësi i Librit, i Shpejtë në llogaritje, mundi grupacionet! O Zot, mundi ata dhe tronditi ata.” Kështu që Zoti iu përgjigj lutjes së të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në kohën që Zoti deshi, në kohën që Ai, Zoti i Lartësuar, kishte përcaktuar, pasi i sprovoi besimtarët dhe zbuloi hipokritët. Ai i shpërndau turmat e jobesimtarëve dhe i bëri ata të dështonin. Pastaj Zoti dërgoi mbi ta erë që shoi zjarret e tyre, rrëzoi çadrat e tyre dhe hodhi tmerr në zemrat e tyre. Ata u mundën dhe u shpartalluan, dhe ikën të poshtëruar. “Allahu i zmbrapsi jobesimtarët (e ushtrisë së aleatëve) me zemërimin e tyre dhe ata dolën duarbosh. Ai ua kurseu besimtarëve luftën. Vërtet, Allahu është i Fortë  dhe i Plotfuqishëm.” (El-Ahzab 25) Zoti i Madhërushëm ka thënë: “ O besimtarë! Kujtoni ndihmën e Allahut kur ju erdhi një ushtri (idhujtarësh), e Ne dërguam mbi ata erë dhe një ushtri (engjëjsh) që ju nuk e shihnit; ndërsa Allahu i sheh të gjitha ato që bëni ju.” (El-Ahzab 9) Përkujtim për besimtarët që i nxitën ata të mbështeten tek Zoti i Botëve,t ë qëndrojnë të palëkundur në besimin dhe bindjen e tyre, dhe që të nxitojnë të përmirësojnë besëlidhjen, fjalën e tyre të dhënë me Zotin. Ata i kërkojnë Atij fitore dhe fuqizim me zemra të dorëzuara ndaj urtësisë së Tij, duke shpresuar për mëshirën e Tij, të veshur rrobën e durimit në kohë vështirësish dhe shqetësimesh dhe në kohë beteje. “Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.”  (El-Bekare 177)

LEXO  Madhështia e parimeve Islame në luftë dhe paqe

Fjala e tyre ka ardhur në formën shumës, si tregues sublim dhe gjest bujar për domosdoshmërinë e unitetit të tyre dhe të njësimit të fjalës së tyre mbi të vërtetën, mirësinë dhe drejtësinë.

O ju besimtarë! Zoti i Madhërishëm është i Plotfuqishmi, Zoti i Fuqisë, Ai është i Vetmi që nderon dhe poshtëron. Atij i takon i gjithë nderi. Ai ul dhe ngre, në pushtet dhe jo vetëm. Zoti i Plotfuqishëm  na ka informuar për rrugën drejt nderit dhe dinjitetit dhe rrugën drejt poshtërimit dhe turpit. Zoti  i Plotfuqishëm ka thënë: “Në të vërtetë, fuqia është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve…” (El-Munafikun 8) Besimtarë janë ata që besuan në Zot dhe iu nënshtruan sheriatit, ligjit të Tij. Ata janë miqtë e Zotit, e ata janë njerëzit e nderit, fuqisë. Jobesimtarë janë ata që nuk iu bindën urdhrit të Zotit, braktisën fenë dhe ligjin e Tij dhe e luftuan atë. Ata janë njerëzit e poshtërimit dhe të turpit. “Ata që kundërshtojnë Allahun dhe të Dëguarin e Tij, do të jenë në shkallën e më të poshtëruarve. Allahu ka vendosur: “Unë dhe të dërguarit e Mi do të triumfojmë me siguri!” Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (El-Muxhadile 20-21)

Nëse nderi dhe fuqia u përket besimtarëve, atëherë lindin pyetjet: Si na rrethoi poshtërimi dhe turpi deri në këtë shkallë? Si na sulmuan popujt e tjerë, duke na bërë si jetimë në tryezat e të pavlerëve? Dhe si u ndanë muslimanët në fraksione dhe parti, grupacione?

Përgjigja është e qartë: Distancimi, largimi nga sheriati, ligji i Zotit,  ky distancim që na ka shpërndarë, ka përçarë bashkimin tonë dhe ka copëtuar unitetin tonë. Sepse, përndryshe, ku jemi ne në raport me thënien e Tij, Zotit të Lartësuar: “ Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al ‘Imran 103) Të kapurit fort pas litarit të fortë të Zotit është nga shkaqet më të mëdha të harmonisë, unitetit dhe kohezionit. Sa herë që umeti bashkohet në rrugën hyjnore dhe mbahet fort pas Zotit në besim, mirëkuptim dhe veprim, Zoti do t’i bashkojë zemrat e tyre, do t’i unifikojë ata, do t’i bashkojë radhët e tyre dhe do t’i shpëtojë nga përçarja dhe copëtimi.

O ju të lidhur me këtë vend! Nuk ka asgjë që i bashkon njerëzit si Islami. Ai bashkon zemrat e papajtueshme, shuan shkëndijat flakëruese dhe largon armiqësinë nga shpirtrat, pavarësisht se sa larg janë njerëzit me racat, ngjyrat, vendet dhe gjuhët e tyre. A nuk i keni dëgjuar fjalët e Zotit të Plotfuqishëm: “Duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme).” (El-Enfal 63) Në Suren Enfal, Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar thotë: “Duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato.” (El-Enfal 63) Në fjalën e Zotit të Lartësuar: ““Duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme).” (El-Enfal 63)  ka shenja treguese të hapave më të rëndësishëm drejt fuqizimit, suksesit, udhëzimit, arritjes dhe përparimit në shkallët e qytetërimit dhe lavdisë, që është harmonia, lidhja dhe uniteti midis besimtarëve. Kjo arrihet nëpërmjet unitetit të tyre dhe bashkimit të fjalës së tyre. Historia ka dëshmuar se përçarja dhe mosmarrëveshja janë ndër arsyet më të rëndësishme për rënien e shteteve, popujve, për humbjen e pushtetit dhe prestigjit. Armiqtë tanë kanë bërë punë të shkëltyer në zbatimin e parimit: “përça dhe sundo”.

LEXO  Me falënderim ndaj Zotit mirësitë bëhen të qëndrueshme dhe shtohen

O ju durimtarë! Njerëzit e mençur të çdo feje dhe besimi, në kohët e lashta dhe moderne, kanë rënë dakord se uniteti është rruga drejt lavdisë dhe fitores, dhe se përçarja dhe mosmarrëveshja sjellin dobësi, dështim dhe humbje të fuqisë për umetin, popullin. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.”(El-Enfal 46)

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Qëndro në grup, të bashkuar, sepse ujku e ha vetëm atë që është i veçuar, largura nga bashkësia.”

Nga mirësitë e bashkimi, unitetit të fjalës dhe unitetit të radhëve është se ato sjellin mëshirë, nder dhe fuqizim. I dërguari besnik, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Grupi, bashkësia, është mëshirë ndërsa përçarja është mundim, dënim.” Nga mirësa e unitetit është shoqëria e besimin,  shoqëria e Zotit të Plotfuqishëm dhe të Madhërishëm, sikurse tregon i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur thotë: “Dora e Zotit është me bashkësinë.”

Nëse popujt bashkohen bazuar në vëllazërinë e prejardhjes, fisit, atdheut ose jetës së kësaj bote, besimtarët bashkohen bazuar në një besëlidhje më të madhe dhe një themel më të fortë: Në një besim dhe në një ligj të vetëm, në një profet të ndershëm, fisnik dhe të nderuar të vetëm, dhe në një Kible të bekuar, të nderuar dhe të lavdëruar të vetme. Besimtarët e duan dhe e lavdërojnë Zotin, i binden Atij dhe shpresojnë ta takojnë Atë. Ata nuk i japin përparësi ngjyrës, racës, kombësisë ose përkatësisë partiake me Zotin. Vlen për ta fjala e  të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  në lidhje me unitetin e tyre ku thotë: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa ku njëra pjesë e saj forcon tjetrën.”

O ju të lidhur me këtë vend! Islami i ngre ndjekësit e tij mbi krenari, dinjitet dhe nder. Nuk do shikoni njeri të rritur me besim dhe nënshtrim ndaj Sunduesit të Gjithëpushtetshëm të poshtëruar dhe të degraduar. Jo, besimtari i devotshëm dhe i pastër është mik i Zotit të Plotfuqishëm, i nderuar nga Zoti, që do të ketë nder dhe lavdi në varësi të afërsisë së tij me Zotin. Nëse dëshironi lavdi të vërtetë, kërkojeni atë nga Ai, lavdia e të Cilit nuk ndryshon kurrë. Kërkojeni atë nga Zoti, i Plotfuqishmi i Urti. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Kush dëshiron lavdi e pushtet, ta dijë se e gjithë lavdia e pushteti i takojnë Allahut.” (El-Fatir 10) Njerëzit e Islamit janë njerëz të lavdisë dhe dinjitetit. Ata janë të sigurt se vetëm Zoti i Plotfuqishëm ka fuqi, forcë dhe fitore absolute. Pavarësisht se si ndryshojnë rrethanat e muslimanëve, ata do të jenë më të lartët për sa kohë që janë besimtarë dhe mbështeten tek Krijuesi i tyre. Zoti i Plotfuqishëm nuk i krijoi besimtarët që të poshtërohen, dhe nuk ua ka zbritur Kuranin që të jenë më të ulët se njerëzit e tjerë. Jo, për Zotin. Allahu i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ne të kemi shpallur Librin, i cili është përkujtesë për ju.” (El-Enbija’ 10) Do të thotë: Në të është lavdia, nderi dhe ngritja juaj. “Vallë, a nuk po kuptoni?”(El-Enbija’10)

LEXO  Bëni atë që thoni - Aksa 06.11.2020

O ju muslimanë! Mbahuni fort pas Allahut, Zotit tuaj, do të keni sukses dhe do të jeni të lumtur. Mbajtja fort pas Tij është mbrojtje nga shkatërrimi dhe poshtërimi, mbrojtje dhe siguri nga humbja dhe dështimi. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Al ‘Imran 139)

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandja tek Ai kërkoni falje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për  Zotin, Ruajtësin dhe Mbështetësin. Ai kujdeset për robërit e Tij të devotshëm dhe durimtarë, dhe u ka premtuar atyre fitore dhe fuqizim. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi zotërinë e të dërguarve dhe udhëheqësin e të devotshmëve, zotërinë tonë Muhamedin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij, në çdo kohë dhe moment.

Në vijim

O ju të lidhur me këtë vend! Xhamia Aksa është vend i shenjtë që Zoti e ka shenjtëruar dhe nderuar. Ajo është  xhami e madhe dhe e bekuar, e cila ka vend të nderuar në shpirtrat tanë dhe pozitë të lartë në zemrat tona. Ajo është besimi dhe sheriati, ligji ynë. Prandaj, largësia prej saj është afërsi, dhe afërsia me të është dashuri.

O ju durimtarë! Kudsi dhe Aksa, historia, toka, vendet e shenjta dhe monumentet e tyre janë trashëgimi e popullit të Islamit, muslimanëve. Trashëgimi fisnike që nuk duhen neglizhuar. Ato janë trashëgimi dhe emanet, akide, besim, dhe sheriat, ligj. Ato janë fakte dhe të vërteta historike dhe rrëfime të qarta, autentike dhe të mbështetura. Kauza e tyre, Kudsit dhe Aksasë, është kauza e të gjithë muslimanëve.

Xhamia Aksa është masa, peshorja e besimit, unitetit dhe vetëdijes së umetit. Ajo është tregues i përmbushjes së besimit të Zotit të saj, masë e sinqeritetit të saj me Zotin dhe masë e besnikërisë së saj ndaj të dërguarit të saj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Prejardhja e xhamisë Aksa është e lidhur ngushtë me ne, umetin Islam, dhe nuk na lejohet të heqim dorë as edhe për një centimetër prej saj. Xhamia Aksa është e përshtatshme vetëm për muslimanët, sepse ajo nuk pranon ndarje ose copëtim, as pjesëmarrje ose partneritet,  me të gjithë sipërfaqen e saj, njëqind e dyzet e katër dynym, nën tokë dhe mbi tokë, deri në lartësinë e qiellit.

Kudsi është i yni, xhamia Aksa është e jona dhe Zoti është me ne me fuqinë e Tij.

O Zot, plotëso nevojat tona, lehtëso vuajtjet tona, largo shqetësimet tona dhe largo hidhërimin tonë me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, të lutemi që të jesh ndihmësi dhe mbështetja jonë, mbrojtësi dhe përkrahësi ynë. O Zot, na mëshiro me mëshirën Tënde të madhe dhe largoje fatkeqësinë nga ne. O Zot, shëro zemrat tona të thyera, ushqe të uriturit tanë, largo etjen nga të eturit tanë, mbulo të  zbathur nga ne, vish të zhveshurit tanë, shëro të plagosurit tanë dhe mëshiro të vdekurit tanë. O Zot, ji i Butë me të moshuarit e përgjunjur, me foshnjat e vogla, që ushqehen me gji, me gratë që kanë mbetur të veja dhe me fëmijët që ngelen jetimë.

O Zot, ruaj xhaminë Aksa dhe ata që janë të lidhur me të, vendin e udhëtimit në Isra dhe Miraxh të profetit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, fortifikoje atë me fortifikimin Tënd të fortë dhe mbaje atë nën kujdesit, ruajtjen, mbrojtjen, sigurinë dhe garancinë Tënde, o më i Madhërishmi dhe më Bujari.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, na i fal gjynahet tona dhe mbulo të metat tona.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për mirësitë e Tij të ju jap më shumë.

“… vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Dhe fto në namaz!

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1377559927704017/1841672503090299

Post Author: endrit