Mashtrimi është tradhti dhe shkatërron bereqetin

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    29-03-1448 H     11-09-2026 D

Shejh Dr. Husejn Bin Abdulaziz Ali Shejh 

Tema    Mashtrimi është tradhti dhe shkatërron bereqetin

Lavdërimet janë Zotin, i Cili ka urdhëruar përmbushjen e amaneteve, ka ndaluar nga tradhtia dhe të gjitha format e pabesisë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Zoti i tokës dhe i qiejve. Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, me të cilin Zoti përfundoi të gjitha shpalljet dhe e bëri atë mëshirë për të gjitha krijesat. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe të gjithë shokët e tij, njerëzit e vlerave dhe fisnikërisë.

Në vijim

Frikësojuni Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuarit. Kush i frikësohet Allahut, Ai do t’i japë  rrugëdalje nga çdo shqetësim dhe pas çdo vështirësie do t’i sjellë lehtësim.  Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Et-Talak 2-3) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” (Et-Talak 4)

Adhurues të Zotit! Nga parimet e qarta dhe të pakundërshtueshme të Islamit është detyrimi për t’u këshilluar mirë me muslimanët në të gjitha fushat, të jesh i sinqertë në çdo veprim dhe të përmbushësh amanetin në të gjitha marrëdhëniet. Nisur nga këto parime, Sheriati Islam e ka ndaluar mashtrimin në të gjitha format dhe llojet e tij.

Nga këto forma është edhe mashtrimi i shëmtuar që është përhapur tek shumë njerëz, i cili u shkakton njerëzve dëme të mëdha në ushqimet, pijet, veshjet dhe mjetet e tyre të transportit. Format e tij janë të panumërta, ndërsa dëmet dhe pasojat e tij janë të pallogaritshme. Kjo konsiderohet tradhti e madhe, krim i rëndë dhe nga format më të mëdha të shkatërrimit në tokë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije.” (El-Enfal 27) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli…” (El-A’raf 56)

LEXO  Katër arsye për të marrë mirësi dhe përfitime

Mashtrimi në të gjitha llojet dhe format e tij, në çdo fushë të jetës, është prej gjynaheve më të mëdha dhe veprave më të këqija. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke paralajmëruar me ashpërsi kundër tij, ka thënë: “Kush na mashtron nuk është prej nesh.” Hadithin e transmeton Muslimi.

Marrja e parave për çdo mall që përmban mashtrim, fshehje të së vërtetës apo dredhi, është ngrënie e pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “…prandaj matni dhe peshoni saktë, mos u hani hakun njerëzve…”(El-A’raf 85) Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “O besimtarë, mos e përdorni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme…” (En-Nisa’ 29)

Çdo mashtrim në një transaksion tregtar apo në ndonjë marrëdhënie tjetër është cenim i të drejtave të njerëzve dhe padrejtësi që Zoti i Lartësuar nuk e pranon. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje)!” (El-Mutaffifin 1) Ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka rob të cilit Zoti i ka besuar përgjegjësinë për njerëzit, e ai nuk kujdeset për ta me sinqeritet, veçse nuk do ta ndiejë erën e Xhenetit.” Dijetarët kanë rënë dakord për saktësinë e tij.

Çdo njeri që ka nën përgjegjësi një çështje që u përket muslimanëve është prej atyre të cilëve Zoti ua ka besuar kujdesin ndaj muslimanëve.

Transmetohet nga Xherir Ibn Abdullahu, Zoti qoftë i kënaqur me të, se kur shiste një mall, ai i tregonte blerësit të metat e tij dhe pastaj e linte të lirë të zgjidhte. I thoshte: “Nëse dëshiron, merre, e nëse dëshiron, lëre.” Dikush i tha: “Zoti të mëshiroftë! Nëse vepron kështu, nuk do të shesësh dot!” Ai ka thënë: “I kemi dhënë besën të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  që të jemi të sinqertë ndaj muslimanëve.”

LEXO  Të afrohesh tek Zoti i Plotfuqishëm

Vërtet, shumë prej formave të mashtrimit sot nuk kufizohen vetëm në marrjen e padrejtë të pasurisë, por ky mashtrim mund të shkaktojë edhe dëme në shëndetin e njerëzve, duke sjellë sëmundje të rënda dhe ilaçe e pasoja shkatërruese. Si rezultat shkaktohen dëme të mëdha dhe rreziqe serioze. Ata që merren me këtë lloj mashtrimi mbajnë mbi vete disa krime dhe një sërë gjynahesh e veprash të shëmtuara,  barrën e të cilave do ta mbajnë si në këtë botë, ashtu edhe në botën Tjetër, Ahiret.  “Ka ndonjë njeri (hipokrit), fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që, në të vërtetë, është kundërshtari (yt) më i betuar. E, kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në Tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin.” (El-Bekare 204-205) Kuptimi i këtij ajeti përputhet me gjendjen e njerëzve që merren me mashtrime të tilla. Zotit i lutemi që të na  mbrojë dhe shpëtojë prej tyre.

O ti musliman! Ki frikë Zotin, ruaju nga çdo mashtrim dhe çdo formë e mashtrimit e dredhisë, sepse përfundimi i tij është i rëndë për ty, si në këtë botë, ashtu dhe në botën Tjetër, Ahiret.

Ka ardhur me transmetim të saktë nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se ai ka thënë: “Muslimani është vëllai i muslimanit. Nuk i lejohet muslimanit që t’i shesë vëllait të tij një mall që ka të metë, pa ia bërë të qartë atë të metë.”

O Zot, na ruaj nga mashtrimi në të gjitha format e tij dhe na largo nga tradhtia me të gjitha llojet e saj, o Zot i botëve.

O Zot, na mjafto me hallallin Tënd kundrejt haramit Tënd dhe me mirësinë Tënde na bëj të pavarur nga çdokush tjetër.

O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin tonë Muhamedin.

LEXO  Haxhi, shkollë diturie dhe vepre

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, lavdërim që nuk shuhet. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai i ka krijuar robërit.

Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij, njerëzit që e realizuan, përmbushën më së miri teuhidin, Njësimin e Zotit.

Në vijim

O ju muslimanë! Muslimani duhet të jetë prej njerëzve me moral të mirë, nga ata që e përmbushin emanetin dhe që largohen prej tradhtive, pabesive dhe çdo lloj mashtrimi. Ai duhet të lidhet fort me atë që ka thënë Zoti i Madhëruari dhe i Lartësuari, dhe me atë që ka thënë i dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në mënyrë që të ketë sukses dhe fitore në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Dy palë në shitblerje kanë të drejtën e zgjedhjes për sa kohë që nuk janë ndarë. Nëse të dy janë të sinqertë dhe e sqarojnë të vërtetën, atyre u jepet bereqet në shitblerjen e tyre. Por nëse fshehin dhe gënjejnë, u ikën bereqeti i shitblerjes së tyre.”

Andaj, o ti musliman! Ji i sinqertë me Zotin e Madhëruar dhe të Lartësuar dhe ji i sinqertë me njerëzit. Zoti do të japë rrugëdalje nga çdo vështirësi dhe do të të furnizojë prej nga nuk e pret.

Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuari na ka urdhëruar të dërgojmë salavate dhe përshëndetje mbi profetin fisnik.

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje  të dërguarin  tonë Muhamedin, në vazhdimësi dhe përherë, familjen dhe shokët e tij.

O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet.

O Zot, na bëj prej atyre që janë të sinqertë në fjalët dhe veprat e tyre, prej atyre që e përmbushin amanetin dhe që i shmangen tradhtisë dhe pabesisë.

O Zot, na ruaj nga çdo e keqe.

O Zot, na bëj të kënaqur me Ty dhe ji i kënaqur me ne, o Zoti plot Madhëri dhe Nderim.

O Zot, jepi sukses kujdestarit të dy xhamive të shenjta dhe zëvendësit të tij në atë që Ti  do dhe je i kënaqur.

O Zot, bashkoje fjalën e muslimanëve në mirësi dhe devotshmëri.

O Zot, ruaji ata nga të këqijat e veteve të tyre dhe nga të këqijat e veprave të  tyre,  ndihmoji kundër armiqve të tyre, o i Fuqishëm, o i Plotfuqishëm.

O Zot, Ty të takon falënderimi, prej Teje kërkojmë ndihmë, tek Ti mbështetemi dhe nuk ka fuqi e as forcë tjetër përveç Zotit të Lartësuar dhe të Plotëfuqishëm.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1674323201361020/1515739280594271

Post Author: endrit