Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 13-03-1447H 05-09-2025 D
Shejh Halid Ebu Xhumua
Tema Mësime dhe modele në përkujtimin e lindjes së Profetit
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka përfshirë çdo gjë në mëshirë dhe dije e Tij, u dhuroi bekimet miqve të Tij dhe mbuloi të gjithë me to dhe solli tek ata të dërguar nga mesi i tyre, arabë dhe jo arabë. Zoti e pastroi atë në shpirt dhe trup, i dhuroi atij urtësi dhe gjykim, përmes tij hapi zemra të vulosura, veshët të shurdhër dhe gojët të heshtura. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka ndriçuar botën me lindjen e krijesës më të mirë, hëna e udhëzimit hyjnor, planeti i urtësisë hyjnore, llamba e mëshirës për njerëzimin mbarë.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Ai solli të dërguarin e Tij me udhëzim dhe fenë e vërtetë, për ta bërë atë mbizotëruese mbi të gjitha fetë, dhe pse këtë e urrejnë idhujtarët.
Dëshmoj se zotëria, i dashuri, udhëheqësi dhe modeli ynë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është i dërguari i Zotit, njeriu i këtij përkujtimi të këndshëm, i dërguari mëshirë për mbarë botën. Zoti na ka nderuar me të, u tregua me të i mëshirshëm ndaj nesh, me atë rriti tek ne dinjitetin, lavdinë dhe nderin. “Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon Shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar.” (Al ‘Imran 164) Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë ata në vepra të mira deri në ditën e Kijametit, për ata dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.
Në vijim
O ju njerëz! Porosis veten dhe ju që t’i frikësohemi Zotit: “ O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
Adhurues të Zotit! Allahu i Plotëfuqishëm në ajetet e Tij fisnike thotë: “ Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre…” (Al ‘Imran 164) Lindja e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte lindja e një umeti, lindja e një agimi të ri lindja e vlerave, moralit, idealeve të larta dhe lindja e një qytetërimi madhështorë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është ai me të cilin Zoti nxorri njerëzimin nga errësira e injorancës drejt dritës dhe nëpërmjet të cilit Ai largoi konfuzionin dhe humbjen doktrinare, të besimit, duke e rikthyer atë në monoteizëm të pastër, trashëgim i vëllezërve të tij nga profetët dhe të dërguarit. Ai, me të vërtetë, ishte mëshirë për botët. “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (El-Enbija’ 107)
Po! Lindja e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte lindja e një umeti, misioni i tij ishte mision mëshire dhe mbërritja e tij ishte mbërritja e një mesazhi që erdhi për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Me lindjen e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, Zoti zbardhi faqen e tokës, parfumosi flladin e universit, organizoi punët e jetës dhe ndryshoi realitetin e keq në të cilin jetonte njerëzimi. Nëpërmjet tij, Zoti ngriti vuajtjet nga supet e njerëzimit, eliminoi injorancën dhe padrejtësinë dhe thirrja e tij solli përsëri shpresën.
Lindja e tij ishte lindja e një umeti, sepse nevoja e botës për të ishte si nevoja e të sëmurit për shërim, sikur nevoja e të eturit për ujë, sikur nevoja e të sëmurëve për ilaç dhe sikur nevoja e shikimit që syri i verbër dëshiron. Lindja e tij ishte revolucion kundër shtypjes dhe feja e tij ishte shpëtim për të shtypurit. Zjarri i Persisë u shua, fronet e Cezarit u tronditën, Abraha dhe elefanti u zhdukën dhe u torturuan nga zogjtë Ebabil. Me lindjen e tij, pallatet e tiranisë u shembën dhe ranë ballkonet e shtypjes dhe nënshtrimit.
I përzgjedhuri dhe i dashur i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, lindi në kohën kur njerëzimi po mposhtej nga padrejtësia njerëzore. Të fortët po skllavëronin të dobëtit, ndërsa të pasurit po tiranizonin të varfrit. Njerëzimi po varrosej i gjallë në shpirtrat e fëmijëve të tij dhe sistemi moral po shkatërrohej në themelet e tij. Zoti deshi mëshirë për njerëzimin përmes lindjes së këtij të dërguari të besuar, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe, për Zotin, ky është një kujtim i madh. Lindja e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte një lindje e madhe. Nëpërmjet këtij të porsalinduri të bekuar, Zoti ringjalli njerëzimin pasi ishte poshtëruar dhe nëpërmjet tij, Ai e shpëtoi njerëzimin nga rënia e tij.
O ju muslimanë! Nëse njerëzimi i hutuar donte të dilte nga konfliktet dhe luftërat shkatërruese që kishin shkatërruar të mbjellat dhe njerëzit, kishin shkatërruar gjithçka të gjelbër dhe të thatë, nëse njerëzimi i hutuar, i humbur dhe i dërrmuar donte të dilte nga rënia e tij dhe të korrigjonte gabimet e tij, nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse duke përqafuar Islamin, flamurin e të cilit e mbante zotëria i njerëzimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Me Islamin që ai solli, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, njerëzimi do të jetojë, që nga lindja e tij deri në Ditën e Kijametit, në siguri dhe paqe, i mbushur me begati, duke përhapur shpresë dhe paqe.
O ju të lidhur me këtë vend! Lindja e të dërguarit na jep mësim në shpresë dhe në besimin në Zot. Sa do e thellë të jetë errësira e injorancës, shthurjes dhe devijimit, një agim nga Zoti do të vijë. Sa do të pikëlluar të jemi dhe të jenë shtuar fatkeqësitë që na kanë goditur, fitorja është afër dhe në të ka pjesë, vend, për fuqizim.
Ndërsa përkujtimi i lindjes së nderuar të profetit na kujton dhe na jep një mësim për vendosmërinë në të vërtetën dhe qëndrueshmërinë në parime. Na kujton me të dërguarin e Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se si ai filloi të ftonte i vetëm në thirrjen e vërtetë, ditën që Zoti i Plotfuqishëm e dërgoi atë në një shoqëri plot me kontradikta, armiqësi dhe mosmarrëveshje, shoqëri, në të cilën kryengritjet ishin të ashpra. Kështu ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte i palëkundur në parimet e fesë, duke shpallur të vërtetën e qartë, pavarësisht tundimit të injorantëve, duke qëndruar fort pavarësisht kërcënimeve të kriminelëve. Zoti i Plotfuqishëm, duke e drejtuar të dërguarin e Tij fisnik në vendosmërisë pavarësisht forcës së kundërshtimit dhe intensitetit të vuajtjeve gjatë kohës së tij, thotë: “Andaj, përmbaju fort asaj që të është shpallur, sepse ti je në rrugë të drejtë.”(Ez-Zuhruf 43)
O ju të lidhur me këtë vend! Dijeni se statusi i të dërguarit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në këtë qëndrueshmëri nuk është larg nga ai i të dërguarve të tjerë para tij, pasi të gjithë ata u përballën me sprova dhe fatkeqësi, qëndruan, ishin të palëkundur dhe të durueshëm, e Zoti ishte me ta duke i ndihmuar, i mbrojtur, i mbështetur dhe u kujdesur për ta. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Edhe para teje (o Muhamed!), shumë të dërguar janë mohuar, por ata e kanë duruar mohimin dhe lëndimin (që kanë pësuar), derisa u ka ardhur ndihma Jonë, sepse askush nuk mund t’i ndryshojë vendimet e Allahut. Ti tashmë ke dëgjuar për ata të dërguar.” (El-En’am 34) Besimtarët e sinqertë ndoqën rrugën e të dërguarve, e ata ishin të palëkundur në besimin e tyre të vendosur në parimet e tyre, pa kompromis dhe pa dështim. Malet e besimit të tyre nuk u tronditen nga tundimet dhe tokën e qëndrueshmërisë së tyre nuk e tronditën dot vështirësitë dhe fatkeqësitë. Prandaj, ne shikojmë në umetin, popullin tonë një vendosmëri dhe qëndrueshmëri që nuk shihet në asnjë umet, popull tjetër. Besimtarët kanë kuptuar se sprovat në përmbajtje janë dhuratë dhe se pas vështirësisë është urtësia e Zotit. Nuk ka vështirësi pa lehtësi. Këto janë ligje hyjnore. Sprovat mund të jenë të ashpra dhe sprovat mund të jenë të rënda, kështu Zoti i sprovon robërit e Tij për të testuar durimin e tyre dhe për të dyfishuar shpërblimin e tyre. Ata dalin me një dhuratë të madhe, më të fortë në besim, më të palëkundur në siguri, më elastikë në shpirt dhe më të lartë në ambicie. Kjo u mundëson atyre të qëndrojnë të vendosur përballë fatkeqësive, vështirësive dhe sprovave, i armatosën ata kundër mundimeve dhe luhatjeve të jetës. Sprovat zbulojnë natyrën e vërtetë të njerëzve, zbulojnë bindjen e tyre të vërtetë, ekspozojnë cilësitë e tyre të fshehura, zbulojnë planet e tyre dhe nxjerrin në pah mendimet e tyre. Kjo dallon radhët dhe rrëzon velin, mbulesën e hipokritëve. Sprovat ua heqin maskën dhe zbulojnë fytyrën e tyre të shëmtuar, pas së cilës fshehin shëmtinë e planeve dhe skemave të tyre. Thonë: Ne jemi nga lëkura juaj. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “ Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju, por do ta ndajë të keqin prej të mirit.” (Al ‘Imran 179)
O ju të duruar në tokën e Palestinës, në tokën e Kudsit! Nga historia e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe nga kujtimi i tij, kemi mësuar se sprovat e forcojnë shpirtin, e drejtojnë dhe e bëjnë shpinën të qëndrueshme dhe elastike, e bëjnë njeriun të duruar, duke u mbështetur tek Allahu, Zoti i tij. Ai i drejtohet me sinqeritet Zotit, i ndërpret të gjitha lidhjet me krijesat dhe është i sinqertë me Krijuesin në lutjen e tij, në nënshtrimin e tij, në përkushtimin e tij dhe në shpresën e tij. Atëherë besimtari e kupton se sprovat janë re begatie, fatkeqësitë janë dhurata dhe çështjet e dhimbshme, në realitet, janë qëndrueshmëri.
Nga përkujtimi i lindjes së profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, marrim një mësim të madh thelbi i të cilit është: Kuptoni se besimi është arsyeja më e rëndësishme për fitore, fuqizim, ngritje, lavdi, ndërtim dhe fuqizim. I dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Unë jam robi i Zotit dhe vula e profetëve, e kjo që kur Ademi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ishte ende duke u brumosur në baltën e tij. Doni t’ju tregoj për fillimin e kësaj: Lutjen e babait tim, Ibrahimit, përgëzimi i Isait në lidhje me mua dhe ëndrra që pa nëna ime, ëndrra të tilla shikojnë nënat e profetëve.”
Apo siç ka thënë: “ Ai që pendohet nga gjynahet është si ai që nuk ka gjynahe.” Luteni Zotin duke qenë të bindur në përgjigje, fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandaj tek Zoti kërkoni falje.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin e botëve. Ai ua bëri të qartë njerëzve parimet e fesë dhe i bëri të dërguarit përgëzues, sjellës të lajmeve të mira dhe paralajmërues.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.
Dëshmoj se i dashuri dhe i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Me lindjen e tij lindi drita dhe njerëzimi u shpëtua nga humbja me misionin e tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, mbi ata që ndoqën metodën dhe rrugën e tij, dhe mbi ata ata që thirrën me mesazhin e tij deri në Ditën e Kijametit.
Në vijim
Përkujtimi i lindjes së tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është thirrje për unitet midis muslimanëve dhe për t’i lidhur ata me historinë e të dërguarit të tyre të besuar. I dërguari ynë është një, dhe nëse mendimet dhe prirjet tona ndryshojnë. Thirrja e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, erdhi për ta nxjerrë njerëzimin nga errësira e injorancës, fanatizmit, përçarjes dhe mosmarrëveshjes, drejt unitetit, dhembshurisë dhe harmonisë. Nga dekadenca intelektuale dhe morale drejt dritës së monoteizmit, të besuarit në Një Zot, të Muhamedit, i cili përmbushën siguri, mbrojtje, paqe dhe siguri. Prandaj, ne e shfrytëzojmë këtë kujtim të këndshëm dhe të mirë për të përcjellë fjalët e zotërisë tonë, të dërguarit të Zotit, të dërguara nga një person i gjallë tek një tjetër. Zotëria im, i dashuri im dhe drita e syve të mi, o i dërguar i Zotit, ti je ai që ke thënë: “Nuk ka asnjë që më përshëndet mua me selam përveçse Allahu do të ma rikthejë shpirtin tim që t’ia kthejë selamin.” Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ty, o zotëria im, o i dërguar i Zotit. Përshëndetjet janë për ty nga njerëzit e Bejtul Makdis, Kudsit. Përshëndetjet janë për ty nga një popull që të deshi pa të takuar kurrë. Përshëndetjet janë për ty nga ata që përkulen, bëjnë sexhde dhe janë të lidhur në xhaminë e tyre, xhaminë e bekuar të Aksasë. Përshëndetjet janë për ty nga një popull që qëndroi i palëkundur në tokën e tij, ruajti besimin e tij, ishte i durueshëm dhe përballoi atë që po i ndodhën në tokën, në vendin dhe në qytetin e tij të shenjtë. Të gjitha këto pa gjetur ndihmës për të vërtetën. Përshëndetjet janë për ty nga ata të cilëve u premtove se shpërblimi për durimin dhe qëndrueshmërinë e tyre do të jenë Kopshtet e lumturisë, Xheneti.
Nga këtu, nga toka jonë e bekuar, ne e ripërtërijmë besëlidhjen tonë me ty, o i dërguar i Zotit, dhe premtimin, fjalën tonë ndaj teje se do të mbetemi të palëkundur dhe qëndrestarë në tokën tonë, duke mbrojtur xhaminë tonë Aksa.
Zoti na bëftë ne dhe ju të palëkundur në të vërtetën e qartë dhe na bëftë ndër ndjekësit e profetit fisnik, nga ata të cilët e duan atë dhe i përmbahen qasjes, rrugës dhe sunetit të tij. Vërtetë Zoti është Dhurues dhe Bujar.
O Zot, të lutemi që të jesh ndihmësi dhe mbështetja jonë, mbrojtësi dhe përkrahësi ynë. O Zot, na mëshiro me mëshirën Tënde të madhe dhe largoje fatkeqësinë nga ne. O Zot, mposht armikun tonë dhe këdo që na sulmon.
O Zot, shëro zemrat tona të thyera, ushqe të uriturit tanë, largo etjen nga të eturit tanë, mbulo të zbathur nga ne, vish të zhveshurit tanë, shëro të plagosurit tanë dhe mëshiro të vdekurit tanë. O Zot, ji i Butë me të moshuarit e përgjunjur, me foshnjat e vogla, që ushqehen me gji, me gratë që kanë mbetur të veja dhe me fëmijët që ngelen jetimë.
O Zot, largo nga ne shqetësimet dhe largo pikëllimin tonë. O Zot, ruaj njerëzit tanë me mbrojtjen Tënde, kërkojmë strehim për ta në Madhështinë Tënde që të mos goditen nga lart dhe nga poshtë këmbëve të tyre. O Zot, zbrit qetësi mbi ta, o i Fortë, o i Plotfuqishëm, o Ndihmësi më i Mirë, o Shërues i zemërthyerve, o Ti që i përgjigjesh thirrjes së nevojtarëve, shëro zemrat tona të thyera dhe përgjigju lutjes tonë.
O Zot, ruaj xhaminë Aksa dhe ata që e ruajnë atë, janë të lidhur me të, vendin e udhëtimit në Isra dhe Miraxh të profetit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, fortifikoje atë me fortifikimin Tënd të fortë dhe mbaje atë nën kujdesit, ruajtjen, mbrojtjen, sigurinë dhe garancinë Tënde, o Më i Madhërishmi dhe më Bujari.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë dhe Ai do t’ju jap dhe më shumë.
“… vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Dhe fto në namaz!
Afrim Smakaj