Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 12-12-1447 H 29-05-2026 D
Shejh Bander Ibn Abdul Aziz Balejla
Tema Mësime dhe përfitime nga udhëtimi i Haxhit
Lavdërimet janë për Allahun, i Cili ua lehtësoi Haxhinjëve Haxhin e tyre dhe lehtësoi për ta ritualet e tyre. Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar e lavdërojmë dhe Atë e falënderojmë, i përfshiu ata me mëshirën e Tij dhe u kujdes për çështjet e tyre.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Ai i Cili shumëfishoi shpërblimet dhe u përgjigj lutjeve të tyre.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, i cili i udhëzoi ata drejt asaj që është më e mira për ta dhe shpëtimin e tyre. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, të cilët sakrifikuan pasurinë dhe kohën e tyre në rrugë të Allahut.
Në vijim!
O ju njerëz! ! Këshilloj ju dhe veten time që të kemi frikë Zotin. Zoti ju mëshiroftë, kini frikë Zotin, adhurojeni Atë dhe jini falënderues ndaj Tij, sepse tek Ai do të ktheheni. Dijeni se adhurimi është një udhëtim gjatë gjithë jetës që nuk mbaron kurrë, dhe rrugë e zemrës që nuk ndalet kurrë derisa të vijë koha e caktuar. “ Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (El-Hixhr 99)
O muslimanë! Haxhinjtë në Shtëpinë e Shenjtë të Zotit, në Qabe! Po afrohet përfundimi i ritualeve dhe shumë janë përgatitur të kthehen në shtëpi pasi që kanë derdhur lot dhe kanë ngritur lutje në ato vende dhe toka të shenjta. Prandaj, urime për ata që i shfrytëzuan këto kohë të virtytshme në këto vende të pastra me madhërim, lavdërim, përkujtim dhe lutje për Zotin në këto ditë të bekuara.
Falënderoni Zotin që ju mundësoi të kryeni ritualet në mënyrën më të mirë dhe më të përsosur. Ai ju ka dalluar, favorizuar mbi shumë nga krijesat e Tij dhe ju ka zgjedhur. Sa shpirtra të etur dhe të përmalluar nuk e kanë pasur të shkruar që këmbët e tyre të shkelin në këtë vend të shenjtë! Sa të pakujdesshëm dhe të privuar Zoti i Lartësuar me vullnetin dhe urtësinë e Tij i ka penguar që të arrijnë këto vende të shenjta! “…por Allahu nuk e pëlqeu vajtjen e tyre, prandaj i pengoi dhe atyre iu tha: “Rrini me ata (të paaftë për luftë) që do të ulen (në shtëpi)!”(Et-Teube 46)
O ju muslimanë! Haxhi është plot mësime dhe urtësi, situata dhe dobi. Haxhi është udhëtim besimi dhe shkollë hyjnore, besimtari mëson vlerat sublime dhe moralet e larta, siç janë dashuria, vëllazëria, altruizmi, ndihma ndaj njerëzve, shtypja e zemërimit, falja e njerëzve, dhënia dhe bujaria, përulësia dhe durimi përballë lëndimeve.
Përfitimi më i madh që besimtari nxjerrën nga ky ritual madhështorë është realizimi i monoteizmit në formën dhe manifestimet e tij më të larta, si dhe kuptimet dhe qëllimet e tij më të mëdha. Haxhi është nënshtrim ndaj Zotit nëpërmjet robërisë, adhurimit, nënshtrimi ndaj Tij përmes bindjes dhe mohimit të politeizmit dhe ithtarëve të tij. Slogani i Telbijes është: “ Zoti im, të përgjigjem Ty përgjigje pas përgjigje, Ti nuk ke asnjë ortak në adhurim, të përgjigjem Ty përgjigje pas përgjigje, me të vërtetë, lavdërimi, mirësia dhe sundimi të takon vetëm Ty, Ti nuk ke asnjë ortak në adhurim.” Lutja e Ditës së Arafatit: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, të Vetmit, pa shok. Atij i takon sundimi dhe Atij i takon lavdërimi, Ai është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.”
Adhurues të Zotit! A është e pranueshme që besimtari të kthehet prapa dhe të kërkojë strehim në pragun e faltores së një shenjtori ose varrit të një shejhu, hoxhe, duke i kërkuar atij shërim dhe pasardhës, dhe duke kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e tij?! Kështu ai shkatërron atë që ka ndërtuar dhe minon atë që ka themeluar dhe ngritur! “Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort…” (En-Nahl 92)
Në kohën kur ata nuk sjellin as dobi dhe as dëm për veten e tyre as për të tjerët: “E megjithatë ata adhurojnë në vend të Tij zota, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as që të ringjallin.”(El-Furkan 3) Por se Zoti i Plotëfuqishëm urdhëroi të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që t’u thotë të gjithë njerëzve: “Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë.”(El-A’raf 188) Kush janë të mirët pas të dërguarit të Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të?!
Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin, njihni vlerën dhe meritën e kësaj mirësie dhe përpiquni të qëndroni të palëkundur më pas. Shenjë e Haxhiut të bekuar dhe e Haxhit të pranuar dhe të vlerësuar, është që Haxhiu të kthehet me zemër më të devotshme dhe me sjellje të rafinuar, përmirësuar.
Zotit i kërkoj falje për veten, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Allahun, i Cili na udhëzoi, sepse nuk do ishim të udhëzuar nëse Ai nuk do na udhëzonte. Zotin e Lartësuar e lavdërojmë dhe Atë e falënderojmë, sepse nuk ka Zot tjetër për ne përveç Tij. Prej Tij kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi për çdo gjynah dhe fatkeqësi.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, nuk adhurojmë askënd tjetër përveç Tij.
Dëshmoj se Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, i cili na urdhëroi në adhurimin e Zotit dhe që ti frikësohemi vetëm Atij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, ata që patën nderin të ishin në shoqërinë e tij dhe ta takonin atë.
Në vijim
Haxhinjë të Shtëpisë së Shenjtë të Zotit, Qabes! Nga veprimet e mbetura të Haxhit gjatë këtyre ditëve të bekuara është goditja me gurë tre herë. Kush nxiton dhe kryen gjuajtjen me gurë sot dhe largohet para perëndimit të diellit, nuk ka përgjegjësi, gabim, për të. Kush vonohet dhe e kap perëndimi i diellit është i detyruar të kalojë natën në Mina, natën e trembëdhjetë, dhe të gjuajë me gurë tre herë pas mesditës të ditës tjetër. “Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!”(El-Bekare 203) Po kështu, koha për therjen e kafshëve kurba zgjat deri pak para perëndimit të diellit në ditën e trembëdhjetë. Kushdo që nuk ka ofruar ende dhuratë kurban dhe sakrificë duhet të nxitojë ta bëjë këtë.
Adhurues të Zotit! Pastaj dijeni se nuk është e lejuar për asnjë Haxhi të largohet nga Qyteti i Shenjtë i Mekës, Zoti e ruajt, pa kryer Tavafin e Lamtumirës rreth Shtëpisë, Qabes. Nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se ka thënë: Njerëzit largoheshin në çdo drejtim, kështu që i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Askush nuk duhet të largohet vetëm se veprimi i tij i fundit në këtë qytet të jetë tavafi i Shtëpisë, Qabes.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për më të mirin e krijesave të Zotit, Muhamedin të birin e Abdullahit, Zoti juaj ju ka urdhëruar për këtë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamed. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë shokët e tij, me ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit, dhe me ne së bashku me ta, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë dhe ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty. O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar nga muslimanët, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe vendosmëri udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, jepi atij jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, me mirësi dhe begati të shtuar. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është në dobi të vendit dhe popullit, në krenari dhe lavdi të Islamit dhe muslimanëve, o Zoti i botëve.
O Zot, ruaj ushtarët tanë që vigjilojnë në kufi. O Zot, ruaj ata me syrin Tënd që nuk fle dhe mbroji ata me forcën Tënde që nuk pakësohet, o Zoti i botëve.
O Zot, të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë të shtypur kudo që janë. O Zot, ji mbështetësi, mbrojtësi, ndihmësi dhe mbrojtësi i tyre. O Zot, jepu atyre fitore përballë armikut të tyre dhe armikut Tënd, o i Fortë, o i Pathyeshëm.
O Zot, ruaj për vendin tonë sigurinë, stabilitetin, begatinë dhe ushtarët e tij, largo prej tij komplotet e komplotistëve dhe agresionin e agresorëve, dhe nga të gjitha vendet muslimane, o Zot i botëve.
O Zot, prano nga Haxhinjtë Haxhin e tyre, plotëso të gjitha lutjet e tyre, përmbush shpresat e tyre, o Zot, ktheji ata tek familjet e tyre të sigurt, shëndosh e mirë dhe të pranuar me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj