Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 02-01-1447H 27-06-2025 D
Shejh Muhamed Hysejn
Tema Mësime nga emigrimi i të dërguarit të Zotit
Lavdërimet janë për Zotin, Ai e përmbushi premtimin, ndihmoi robin e Tij, nderoi ushtrinë e tij dhe i mposhti grupacionet i vetëm. Nuk ka asgjë para Tij dhe asgjë pas Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm pa shok. Ai ka thënë, e fjala e Tij është e vërtetë: “ Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” (Et-Teube 40)
Dëshmoj se zotëria dhe i dashuri ynë, ndërmjetësuesi dhe shembulli, modeli ynë, Muhamedi, poseduesi i këtij kujtimi aromatik. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët e tij të pastër, mbi shokët e tij, të parët e të mirëve, mbi të gjithë që kanë ecur në rrugën e tyre, kanë ndjekur gjurmët e tyre dhe pasuan traditën e tyre deri në ditën e Fundit. Lutje dhe përshëndetje për dëshmorët dhe të rënët, për robërit dhe për të burgosurit, për ata që janë në namaz, në ruku dhe që bien në sexhde për Zotin, dhe të lidhurit fort, vigjilientët, në xhaminë e bekuar të Aksasë dhe në çdo tokë nga vendet muslimane.
Në vijim
O ju muslimanë! O bijtë e Bejtul Makdis, Kudsit, dhe rrethinave të tij! Gjatë këtyre ditëve të bekuara, muslimanët përjetojnë një përkujtim të shtrenjtë, të çmuar për shpirtërat e besimtarëve. Ai është përvjetori i emigrimit të bekuar të dërguarit tonë, përkujtim i një ngjarjeje që ndryshoi rrjedhën e historisë njerëzore dhe historinë Islame në një ndryshim hyjnor drejt Njëshmërisë së Zotit të Plotfuqishëm dhe triumfit të së vërtetës mbi të kotën, gënjeshtrën, pavarësisht se sa shumë forcat e gënjeshtrës bashkëpunojnë dhe shumohen. Ai është kujdesi i Zotit të Plotfuqishëm që rrethon të dërguarit dhe besimtarët në çdo kohë dhe vend. Ai është kujdesi i Zotit që ishte me të dërguarin e Tij më të nderuar dhe të dashurin tonë më të madh, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në ditën që u dëbua nga Meka, duke emigruar për tek Zoti. Atë e shoqëroi kujdesi i Zotit, e ruajti mbrojtja e Tij, dhe triumfoi në të gjitha situatat e vështira, të cilat vëzhguesit i shikojnë realisht si situata rreziku.
Ai, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, triumfoi, ishte fitimtar kur doli nga shtëpia e tij. Ai, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, triumfoi, ishte fitimtar në shpellë me shokun e tij Ebu Bekrin. Ai, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, triumfoi, ishte fitimtar në rrugën e tij për në Medinen e Ndritshme. E në historinë e Suraka Ibn Malikut ka atë që na tregon për këtë kujdes që e rrethonte të dërguarin e Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Mos u trishto, Zoti është me ne.
Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të, e kuptoi se Suraka ndoshta mund t’i dëmtonte ata, ose ndoshta mund të informonte për ata të dy armiqtë e Allahut, armiqtë e Islamit dhe të muslimanëve, armiqtë e të dërguarit të Allahut dhe armiqtë e besimtarëve. Megjithatë, kjo ishte kujdesi dhe mbrojtja e Zotit. Këmbët e kalit të Surakës fundosen në shkretëtirë dhe ai e kuptoi se Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe shoku i tij ishin nën kujdesin e Zotit të Plotfuqishëm. Prandaj ai u kërkoi atyre lutje dhe sigurinë e tyre, duke thënë: Do t’i përgjigjem çdo kërkese që ju keni. Në këtë mënyrë i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, lutet për të. Pastaj këmbët e kalit të tij dalin nga toka e kthehet në qytet duke u thënë të gjithë atyre që ndiqnin emigrantin e ndershëm, të dërguarin e Zotit: Ju kam kursyer këtë rrugë, prandaj kthehuni, ai është kujdesi i Zotit.
“ E nëse kujdesi të shikon me syrin e tij, fli, sepse të gjitha frikërat janë siguri.”
O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! Emigrimi i bekuar i profetit ishte ndryshim cilësor në rrugën e thirrjes Islame; Nga dobësia dhe persekutimi në forcë, siguri dhe garanci. Nga një shoqëri e persekutuar nga mosbesimi në të gjitha format e tij në Mekë në një shoqëri besimi dhe një shtet Islam me vëllazërinë e besimit midis Muhaxhirëve dhe Ensarëve, që ngrihet në Medinen e Ndritshme, ngrihet e bazuar në drejtësi dhe në paanësi, ngrihet në respekt për njerëzimin si qenie njerëzore, të cilën e ka nderuar Zoti i Plotfuqishëm.
Kjo është qartësisht e dukshme në Dokumentin e Medines së Ndritshme, që u hartua nga i dërguari fisnik, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, për të rregulluar jetën civile në komunitetin e Medines së Ndritshme. Ky dokument që konsiderohet dokumenti i parë kushtetues në historinë e thirrjes Islame.
Po, ai është dokumenti që mori në konsideratë të drejtat e muslimanëve dhe ruajti të drejtat e jomuslimanëve. Ai i siguroi hebrenjtë e Medines së Ndritshme, i bëri ata pjesë të shoqërisë Islame ekzistuese dhe asaj në zhvillim e sipër. Pse bota sot nuk e shqyrton këtë dokument dhe nuk e kupton të vërtetën dhe mësimet e tij? Në mënyrë që njeriu të mëshirojë vëllin e tij njeri, dhe të njohi njeriu dinjitetin e vëllait të tij njeri? Nuk ka forcë dhe as fuqi tjetër përveç Zotit të Plotëfuqishëm. Neve na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtës i mrekullueshëm!
O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! Nga gjërat që bëri i dërguari juaj, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në shoqërinë e Medines, ishte ngritja e xhamisë, xhaminë e profetit fisnik, që nuk kërkohet dhe nuk duhet të merret udhëtimi përveçse për tek ajo, dhe për tek dy simotrat e saj: në xhaminë e shenjtë, në Qabe, dhe në xhaminë e bekuar të Aksasë.
Ngriti xhaminë për të qenë shtëpi predikimi, shtëpi udhëheqësie, shtëpi dijeje dhe edukimi, shtëpi drejtësie dhe paanësie, shtëpi drite, e cila shkëlqeu mbi të gjitha pjesët e botës në atë kohë, e kjo dritë vazhdon të shkëlqejë mbi botën tonë sot në nivele të shumëfishta.
O ju muslimanë! Roli i xhamisë në jetën dhe në shoqërinë Islame është shumë i madh. Shikoni situatën tuaj sot në xhaminë e bekuar të Aksasë, se si njerëzit vinë dhe mblidhen në të, bindje ndaj Zotit të Lartësuar. Ndërsa jeni të vetëdijshëm për të gjitha rreziqet që rrethojnë xhaminë e bekuar të Aksasë. Por se është besimi, por se është përgëzimi nga zotëria i njerëzimit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, për ju, kur ai shok fisnik e ka pyetur atë: O i dërguar i Zotit, ku na urdhëron të udhëtojmë nëse sprovohemi pasi të largohesh ti? Për të qenë përgjigja e prerë dhe vendimtare: Shko në Bejtul Makdis, Kuds, shko në Bejtul Makdis, Kuds, ndoshta Zoti do të të dhurojë pasardhës që do të shkojnë dhe vinë në atë xhami.
Vërtetë, pasardhësit e muslimanëve janë ata që shkojnë dhe vinë në xhaminë e Aksasë. Pasardhësit e të lidhurve janë ata që ndiejnë përgjegjësinë e ruajtjes së xhamisë Aksa të mbushur me Islam dhe muslimanë. Pasardhësit e të korruptuarve janë ata që përpiqen gjithmonë të përhapin shthurje dhe shkatërrim në xhaminë e bekuar të Aksasë. Oguri i tyre ka dështuar dhe shigjeta e tyre ka humbur rrugën. Sepse xhamia e Aksasë ka Një Zot që e mbron atë. Xhamia e Aksasë ka të lidhur dhe vigjilent që do të sakrifikojnë më të shenjtën dhe më të çmuarën për të. Xhamia e Aksasë ka nga ata që e mirëmbajnë atë, me vullnetin dhe fuqinë e Zotit, në të gjitha rrethanat dhe kushtet.
O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! Ai është emigrimi fisnik i profetit, ai udhëtim i bekuar që u rrethua dhe u mbrojt nga kujdesi i Zotit që nga fillimi deri në fund, derisa emigrantët dhe të shpërngulurit u kthyen në Mekë çlirimtarë, fitimtarë, duke shpallur Njëshmërinë e Zotit të Plotfuqishëm. “Thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket!” (El-Isra’ 81)
Ka ardhur në një hadith fisnik nga zotëria dhe i dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, se ka thënë: “ Musliman është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë, ndërsa muhaxhir, emigrant është ai që i braktis gjërat që i ka ndaluar Allahu.” Apo sikurse ka thënë.
Fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, tek Zoti kërkoni falje.
Luteni Allahun duke qenë të bindur në përgjigje.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë vetëm për Zotin. Lutje dhe përshëndetje për zotërinë tonë Muhamedin, s’ka të dërguar pas tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, ka dashur që robërit e Tij të punojnë për fenë e tyre dhe jetën e tyre të kësaj bote, deri sa të fitojnë nga mirësitë e Zotit dhe të meritojnë kënaqësinë e Tij.
Dëshmoj se zotëria dhe i dashuri ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët e tij, mbi shokët e tij, të parët e të mirëve, mbi ata që ecën në rrugën e tyre dhe u mjaftuan me gjurmët e tyre deri në ditën e Kijametit.
Në vijim
O ju muslimanë! Emigrimi na jep shumë mësime, e ndoshta më i shquari prej tyre është besimi në Zotin e Plotfuqishëm dhe besimi se Zoti i Plotfuqishëm do t’u japë fitoren robërve të Tij besimtarë. Ashtu siç Zoti i dha fitoren profetit tonë gjatë emigrimit, së bashku me mikun e tij të sinqertë, Ebu Bekrin, Ai u dha fitoren muslimanëve pas kësaj në Bedr dhe në kthimin për në shtëpitë e tyre në Mekë si çlirues dhe fitimtarë. Kjo për të demonstruar moralin e emigrantit, si mashkull ashtu edhe femër.
Historia ka dëshmuar qëndrimin madhështorë të mbajtur nga i dërguari ynë i dashur, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ashtu siç historia ka regjistruar shumë qëndrime kriminale të uzurpatorëve, kolonizatorëve, pushtuesve dhe kriminelëve. Historia ka përmendur një qëndrim që i gjithë njerëzimi duhet ta marrë si rregull dhe mësim se si duhet të merremi, komunikojmë me qeniet njerëzore, pavarësisht nga ngjyra, feja apo kombësia e tyre. Çfarë u tha njeriu me karakterin, moralin më fisnik dhe bartësi i thirrjes universale për të gjithë njerëzimin atyre që e dëbuan, e rrethuan, e larguan dhe e nxorën nga shtëpia e tij në Mekë? Ai, duke qenë në shtëpinë e shenjtë, në Qabe, u ka thënë: “Çfarë mendoni se do të bëj me ju? Ata u përgjigjën: “Ju jeni një vëlla madhështor, djali i një vëllai madhështor.” Për të qenë i tillë: “Vëlla madhështor, djali i një vëllai madhështor.” Ai u përgjigj: “Shkoni në shtëpitë tuaja, jeni të gjithë të lirë.”
Shpirti im u bëftë sakrificë për ty, o zotëria ynë, o i dërguari i Allahut. Ndërsa ti u mëson të gjithë muslimanëve dhe njerëzimit mbarë se si duhet të jetë morali i çliruesit të madh dhe se si duhet të jetë morali i atij që thërret në monoteizmin, Njësimin, e Zotit të Botëve. Si i edukon dhe i rritën shokët e tu në moral të mirë? Ti që fal çdo njerin që të ka bërë padrejtësi dhe hap zemrën tënde për ata që pendohen, besojnë në Njëshmërinë e Zotit dhe kthehen te Zoti i Plotfuqishëm, me qëllim që të shpallësh ditën e madhe, ditën e fitores më të madhe, ditën kur Zoti i nderoi të zhvendosurit dhe emigrantët duke i lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre.
Prandaj, mos u dëshpëroni dhe mos e humbni shpresën, ju që jeni të zhvendosur dhe emigrantë, dhe ata kundër të cilëve bota komploton për t’ju zhvendosur. Mos e humbni shpresën nga mëshira e Zotit, askush nuk e humb shpresën nga mëshira e Zotit përveç popullit jobesimtar.
Po, o ju muslimanë! Po, o ju të lidhur me këtë vend! Po, o përgëzimi i të dashurit tonë, të përzgjedhurit të Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të! Do të qëndrojmë këtu, do të jetojmë këtu, do ta vizitojmë dhe popullojmë xhaminë e Aksasë për sa kohë që të jemi gjallë me fuqinë e Zotit dhe forcën e Tij. Duke ndjekur shembullin e emigruesit të parë, thirrësit të madh dhe të dërguarin fisnik, thirrja e të cilit u shtri për të gjithë njerëzimin mbarë.
O ju muslimanë! O bijtë të tokës së Israsë dhe Miraxhit! Sikurse në këtë përvjetor të madh, ne përkujtojmë gjithashtu detyrën tonë ndaj Kudsit dhe vendeve të shenjta të tij. Ne të gjithë duhet të nisemi për udhëtimin tonë, dhe nëse jemi të prekur nga ndonjë vështirësi dhe lodhje, dhe nëse jemi të prekur nga ndonjë pritje në pikat e kontrollit. Ne duhet të vizitojmë dhe të popullojmë xhaminë e bekuar të Aksasë.
Duhet të marrim shembull jetën e të dërguarit tonë të dashur, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, të cilin Zoti e ndihmoi, i dha fitore, e nxori dhe e ktheu fitimtar në atdheun dhe vendin e tij. Pastaj ai u kthye me mbështetësit, Ensarët, të cilët pranuan thirrjen, për të qenë vendbanimi i tij i fundit në Medinen e Ndritshme, lutjet dhe përshëndetjet më të mira për banorët e saj.
O ju muslimanë! O bijtë të tokës së Israsë dhe Miraxhit! Në këto ditë shikojmë vështirësitë që rrethojnë bijtë e popullit tonë në të gjitha vendet e tyre: në Bregun Perëndimor, në Gaza dhe në shumë vende të tjerat të kësaj toke të bekuar. Por ne duhet të jemi të duruar, duhet të jemi të mendojmë shpërblimin e madh dhe duhet të kemi besim tek Zoti i Plotfuqishëm, i Cili mbështeti të dashurit e Tij fisnik, mbështeti ushtarët e Tij në të gjitha aspektet e besimit, sepse Zoti i Plotfuqishëm nuk e thyen premtimin e Tij, e Ai është që thotë: “…nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” (Muhammed 7)
O Zot, të lutemi që ta na japësh kthim të mirë tek Ti. Mundëso për ne dhe muslimanët rrugëzgjidhje të shpejtë dhe të afërt, na jep, udhëheqës besimtarë dhe të mëshirshëm, që të njësojë rrallët tona, të bashkojë forcat tona dhe të na japi fitore.
O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët prej tyre dhe të vdekurit, dhe na mundëso të mbyllim vepra tona me punë të mira.
Dhe ti që fton për namaz, fto për namaz!
Afrim Smakaj.