Nga karakteristikat e njerëzve që arsyetojnë

Hutbe e ditës së xhuma nga  Meka e bekuar      06- 05-1446  H   08-11-2024 D

Shejh Usame Khajat   

Tema  Nga karakteristikat e njerëzve që arsyetojnë

Lavdërimet janë për Allahun, lavdërime të atyre që mendojnë.  Allahun e Madhërishëm e lavdëroj për mirësitë e shumta që nuk llogariten, të panumërta.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Atij i përket ç’ka në qiej e ç’ka në Tokë, si dhe gjithçka që gjendet midis tyre e gjithçka që ndodhet nën tokë.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri që ka ftuar për udhëzim dhe që ka punuar me devotshmëri. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, njerëzit e dijes, butësisë dhe devotshmërisë, tabi’inët dhe ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e ringjalljes, gjykimit dhe shpërblimit.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, kujtoni gjithmonë se do të dilni para Tij dhe do të qëndroni para duarve të Tij, në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin), prandaj për këtë ditë bëni përgatitjet dhe merrni ato gjëra që janë të nevojshme për atë ditë, të mos ju gënjejë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun.

O ju muslimanë! Prej cilësive të njerëzve të sinqertë dhe të drejtë nga adhuruesit e Zotit, me njohuri të ndritura dhe mendje të kthjellëta, është që të kërkojnë, të marrin në konsideratë,  gjithmonë mjetet e lumturisë dhe të kenë kujdes të plotë për të ndjekur shtigjet e fitores dhe rrugët e shpëtimit. Kjo nga dëshira e tyre për një përfundim të mirë dhe një arritje të mirë. Kurani shpesh i lavdëron ata dhe i vlerëson  për atributet e tyre fisnike dhe cilësitë e tyre të bukura, sikurse Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Vetëm njerëzit që kuptojnë ia vënë veshin kësaj. Këta janë ata që i përmbahen besëlidhjes me Allahun dhe nuk e prishin premtimin dhe ata që mbajnë lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të mbahen, që kanë frikë Zotin e tyre e i frikësohen llogarisë së rëndë dhe ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre, që falin namazin, që ndajnë fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne dhe, që të keqen, e kthejnë me të mirë. Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit” (Er-Ra’d 19-22)

O adhurues të Zotit! Këto janë disa nga karakteristikat e njerëzve të arsyeshëm, të mendjes, dhe në krye të tyre, të parat prej tyre, janë: Përmbushja e besëlidhjes që ka bërë njeriu me vetveten,  respektimi i urdhrave dhe ndalimeve me të cilat Zoti ka urdhëruar apo ndaluar. Përmbushja e besëlidhjes, fjalës që ka në mes tij dhe njerëzve, nga kontratat, marrëdhëniet në mes tyre dhe përmbushja e emaneteve, pa i shkelur ato dhe pa pakësuar diçka në to dhe mos thyerja e besëlidhjes të cilën e ka dhënë për Zotin, dhe ka dëshmuar se do të jetë i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm në të. Nuk bën që njeriu të mos e përmbush fjalën e dhënë dhe të mos jetë i vazhdueshëm në të nga tundimi dhe magjepsja materiale, ose sugjerimi i një mirazhi mashtrues. Besëlidhja e Zotit të Plotfuqishëm është absolutisht e detyrueshme për t’u përmbushur, dhe thyerja e besëlidhjes është një gjynah i madh që paralajmëron dënim dhe një fund të keq.

Prej cilësive të njerëzve me mendje të lavdërueshme janë: Mbajtja e lidhjeve me të afërmit, të qenit i sjellshëm me ta, të qenit i durueshëm me çdo të keqe që vjen prej tyre dhe me çdo ashpërsi apo gjë që vjen prej tyre. Sikurse ka ardhur në hadithin Kud’si, të cilin i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e transmeton nga Zotit i tij, ku thotë; “ Allahu i Madhërishëm ka thënë:  Unë jam i Gjithëmëshirshmi, kam krijuar Rrahim (mitrën, d.mth lidhjet familjare) dhe kam nxjerr emrin e saj nga emri Im. Kush i mbahet ato, lidhjet familjare, Unë do t’i mbaj lidhjet me të, dhe kush nuk i mbanë ato, Unë do t’i shkëpus lidhjet me të.” Hadithin e ka transmetuar Imam Ahmedi në Musnedin e tij, Ebu Daudi dhe Timidhiu tek Synenet e tyre me zinxhir transmetimi të saktë.

LEXO  Qëndrueshmëri në kohë të vështira

Prej cilësive të njerëzve me mendje dhe logjikë të madhe janë: Frika ndaj Zotit, frika nga pozita e Tij, frika nga dënimi i Tij dhe nga diskutimi i llogarisë në Ditën e Gjykimit, sepse; “Kush  diskuton llogarinë e asaj Dite do të ndëshkohet.”, sikurse ka ardhur tek dy Sahihët, Buhariu dhe Muslimi, nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, Merfua, direkt nga i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.  Kushdo që është në këtë gjendje duhet t’i përmbahet të vërtetës dhe udhëzimit, e të mos largohet prej tyre duke ndjekur dëshirat e tij, egon, në mënyrë që të jetë nga ata që Zoti i ka lavdëruar me fjalët e Tij: “ I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (El-A’la 14-15)

Prej cilësive të njerëzve me mendje dhe logjikë, dhe për të cilat njeriu duket të kujdeset që të pajiset me to, është dhe durimi në të gjitha rrugët e tij të ndryshme.  Durimi në bindjen ndaj Zotit dhe çfarë kërkon nga sinqeriteti dhe përpjekjet. Durimi në mosbindjen ndaj Tij, Allahut të Madhërishëm, dhe çfarë kërkon në përmbajtjen e vetes,  për të frenuar entuziazmin dhe për ta mbajtur atë larg nga tekat dhe gabimet. Durim në caktimet e dhimbshme të Zotit, dhe çfarë kërkon nga pranimi, llogaridhënia dhe nënshtrimi. E njerëzit në këtë ndryshojnë; Kush është më i durueshëm dhe kërkon shpërblim, do të jetë më i shpërblyer dhe me më shumë sevape. “ Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.”(Ez-Zumer 10)

Prej cilësive ideale dhe të mëdha të njerëzve të mendjes janë: Kryerja e namazit të caktuar me kufijtë dhe kohët e tij, me përkuljet, sexhdet dhe përqendrimin në to, në mënyrë ligjore të pranueshme, në të cilën na ka urdhëruar dhe na i ka bërë të qartë Zoti dhe i dërguari i Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, pa i paragjykuar ato, apo pa u shpërqendruar prej tyre me shpërqendrimet e jetës.

Prej cilësive të njerëzve me mendje fisnike është: Të shpenzojnë nga furnizimi që u ka dhënë Zoti për ata të cilët duhet shpenzuar; nga familja, fëmijët dhe të afërmit, dhe për këdo që rekomandohet të shpenzohet për të nga aspektet e bamirësisë; të tilla si dhënia e bamirësisë për të mjerët dhe të privuarit, ose kontributi në projekte që përfitojnë kombi; Nga ndërtimi i shkollave, ngritja e spitaleve, jetimoreve, shpimi i puseve, shtrimi i rrugëve dhe çdo punë vullnetare, nga të cilat do të përparojë vendi dhe do të përfitojnë njerëzit, me qëllim të sinqertë dhe synim të pastër. “ Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer.” (El-Muzzemmil 20)

Prej cilësive të njerëzve të mendjes me moral të lartë janë: Të larguarit e të keqes me të mirë,  duke ju kundërvënë të shëmtuarës me të bukurën, dhe duke u mbrojtur nga e keqja me të mirë dhe nga dëmi me mirësi. Bazuar në edukatën Kur’anore, me të cilën edukoi  robërit me thënien e Tij, Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar kur thotë: “ Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë. Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” (Fussilet 34-35)

LEXO  Gëzimi me Ramazan... siguri dhe besim

Adhurues të Zotit! Nëse  njeriu merr nën kontroll veten dhe e bën të marrë rrugën e drejtë, vazhdon me të drejt rrugës së shpëtimit dhe  lumturisë, e shmangën atë nga shkaqet e shkatërrimit dhe e largon nga rrugët e dëmtimit dhe humbjes, atëherë ai, në këtë mënyrë, do të jetë nga njerëzit e mençur, statusin e të cilëve Zoti e ka ngritur, ka lartësuar pozitën e tyre, ka bërë të qartë se çfarë ka përgatitur për ata në vendin e nderimit të Tij dhe në vendbanimin e mëshirës së Tij, në Xhenet, nga shpërblimi i bollshëm dhe bujarë. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit: Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit)  (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” (Er-Ra’d 22-24)

Zoti na bëftë dobi me udhëzimin e librit të Tij, Kuranit, dhe me synetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

Zotit të Madhërishëm i kërkoj falje për vete, ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëploti.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, lavdërimet e atij që shpreson nga Allahu shpëtim dhe përfundim të mirë. Allahun e Madhërishëm e lavdëroj.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, të Atij janë emrat e Bukur dhe cilësitë e Larta.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit  dhe i dërguari i Tij, profeti i përzgjedhur i Tij dhe i dashuri i Tij i dalluar.   O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, dhe ata që u mjaftuan me udhëzimin e tij.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Për kundrejt, grupit të drejtë, të pjekur dhe të fituar ndodhen  ata që janë në të kundërt të tyre në cilësitë e tyre të bukura dhe fisnike, janë ata që nuk e përmbushin besëlidhjen e Zotit pasi ta kenë konfirmuar, vërtetuar  dhe dokumentuar atë, por përkundrazi, i përgjigjen duke e thyer dhe e refuzuar, kundërshtuar, atë, shkëpusin atë që Allahu i Lartësuar  ka urdhëruar të mbahen nga besimi, veprat e mira dhe lidhjet familjare, dhe përhapin shkatërrim në tokë me mosbesim, gjunahe dhe largim nga rruga e Zotit. Këta janë ata që Zoti i ka paralajmëruar se do t’i dëbojë dhe do t’i largojë nga mëshira e Tij, së bashku me fatin e keq të përgatitur për ta në zjarrin e Xhehenemit në Ditën e Gjykimit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Sa për ata që shkelin besëlidhjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë e, që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë – mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq!” (Er-Ra’d 25) Zotit i kërkojmë mbrojtje prej tij.

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, përpiquni të përvetësoni tiparet e njerëzve të mençur, ruhuni nga veçoritë e të këqijve dhe të ligjve,  në mënyrë që jeta juaj të jetë e mirë, të përmirësohen rrethanat, kushtet tuaja dhe të shijoni kënaqësinë e Zotit tuaj.

Përkujtoni në vazhdimësi se Allahu i Madhërishëm ju ka urdhëruar që të luteni dhe të dërgoni përshëndetje për krijesën më të mirë, ka thënë në fjalën më të vërtetë dhe  më të mirë, në Librin e Tij, në Kuran:  “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

LEXO  Këshilla për muslimanët për të arritur devotshmëri dhe siguri

O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, në të dy botët me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, në të dy botët me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe Madhërishëm.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur  me katër halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun,  me të gjithë familjarët dhe shokët e tij, me bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve, me tabiinët  dhe me ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit,  dhe me ne së bashku me ata me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Miri që toleron dhe falën.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, ndihmo robërit e Tu besimtarë, bashko zemrat e muslimanëve, njëso rrallët e tyre, përmirëso udhëheqësit e tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zoti i Botëve.

O Zot, bëje të paqtë dhe të sigurt  këtë vend dhe të gjitha vendet  muslimane, o Zoti i botëve.

O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso  drejtuesit dhe kujdestarët  e çështjeve tona.

O Zot, mbështet në të vërtetën udhëheqësin dhe  kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi mbështetës të ndershëm dhe jepi atij sukses në atë që do dhe je kënaqur,  o Ti që i dëgjon lutjet.

O Zot, jepu sukses atij dhe  zëvendësit të tij, në atë që është në dobi të Islamit dhe muslimanëve, dhe në atë që është në dobi të njerëzve dhe vendit, o Ti tek i Cili është kthimi ditën e Gjykimit.  O Zot, ruaj këtë vend të bekuar me të gjitha të mirat, të sigurt nga çdo e keqe dhe të gjitha vendet muslimane, o Zoti i Botëve.

O Zot, çliro xhaminë e Aksasë!

O Zot, ruaj muslimanët në Palestinë. O Zot, ruaj ata në mes duarve të tyre, nga pas tyre, ruaj ata nga e djathta dhe e majta e tyre, nga lartë tyre dhe nga poshtë këmbëve të tyre. O Zot, kërkojmë mbrojtje në Madhështinë Tënde që të mos goditet nga poshtë këmbëve të tyre. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtës dhe mbështetës, përkrahës dhe ndihmues. O Zot, të lutemi të jesh kundër armikut Tënd dhe  armikut të tyre, o më i Madhi më Bujari.

O Zot, na  përmirëso në  fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që  është vendqëndrimi i përkohshëm për ne,  dhe përmirëso  jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën  është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje.        

O Zot, jepu shpirtrave tanë devotshmëri, pastroi ata sepse Ti je më i miri që i pastron ata, Ti je Mbrojtësi dhe Kujdestari i tyre.

O Zot,  na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën, na mbro prej poshtërimit në këtë botë dhe ndëshkimit në botën Tjetër.

O Zot, na shto të mirat e Tua e mos na i pakëso, na ndero e mos na nënçmo, na dhuro të mira e mos na privo, na bëj ngadhënjimtar dhe mos na bëj të mposhtur, na bëj të jemi të kënaqur me Ty dhe Ti të jesh i kënaqur me ne.

O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga humbja e Mirësive Tua, përkeqësimi i shëndetit që na ke dhënë, nga ndëshkimi Yt i papritur dhe nga i gjithë zemërimi Yt.

O Zot, të lutemi na mundëso të bëjmë punë të mira, të heqim dorë nga veprat e shëmtuara, ti duam të varfërit, të na falësh dhe të na mëshirosh.

Nëse do të sprovosh robërit e Tu, na merr jetën para se të përballemi me sprovën.    O Zot, na mbro prej armiqve Tu dhe armiqve tanë me çfarë të dëshirosh, o Zot i botëve!

O Zot, ti lëmë Ty të merresh me armiqtë Tu dhe armiqtë tanë, dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga të këqijat e tyre!

O Zot, shëro të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë, na i plotëso nga ato që Ti je i kënaqur dëshirat tona dhe na mundëso në mbyllje kryerjen e veprave të mira të vazhdueshme.

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf  23)

 “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin tonë, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/486623351078217

Post Author: endrit