Një mbyllje e mirë e muajit të agjërimit

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar     24-09(Ramazan)-1447 H     13-03-2026 D

Shejh Fejsal Gazaui     

Tema   Një mbyllje e mirë e muajit të agjërimit

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që Zoti e udhëzon s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për ata dërgojmë shumë lutje dhe përshëndetje.

“ O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)

Në vijim

O adhurues të Zotit! Përgjigjuni Zotit tuaj, shfrytëzoni atë që mbetet nga ditët e muajit tuaj, mendoni për rezultatin e punëve tuaja, zëvendësoni me çdo përpjekje atë që është shpenzuar gjatë ditëve të humbura me përpjekje të dyfishta në bindje. Mos u tregoni dembelë në shfrytëzimin e mundësive për tu afruar me Zotin, mos jini të ngadaltë dhe mos jini të pavëmendshëm ndaj këtyre fitimeve në mënyrë që të privoheni. Ibn Rexhepi, Zoti e mëshiroftë,  ka thënë: “Kur arsyet për falje u shtuan në Ramazan, kush e humbi faljen në të është privuar në mënyrën më të keqe.”

Adhurues të Zotit! Dijeni se  nga fitimet më të mëdha dhe përfitimet më të bollshme është kur Zoti hapën për robin një portë nga portat e mëshirës së Tij,  e ai e kapën, shfrytëzon, atë dhe i përmbahet asaj, duke shpresuar shpërblimin e Zotit të tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u dëshmoi disa prej shokëve të tij se ata do të ishin në Xhenet dhe në nivelet më të larta, dhe pse kishin kaluar vetëm disa orë që nga konvertimi i tyre në Islam, gjatë të cilës ata luftuan përkrah të dërguarit të Zotit dhe u vranë, e Zoti u dha atyre shehidllekun, të rënit dëshmorë në rrugën e Tij.

Prej këtyre shembujve, erdhi tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, një burrë me fytyrën e mbuluar me hekur dhe tha: “O i dërguar i Zotit, a duhet të luftoj apo të përqafoj Islamin?” Ai tha: “Përqafo, prano Islamin dhe pastaj lufto.” Kështu ai e përqafoi Islamin dhe pastaj luftoi dhe u vra, ra dëshmorë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “Ai bëri pak dhe u shpërblye shumë.”

Ky hadith tregon se një shpërblim i madh mund të arrihet me pak përpjekje, me begati, dhuratë, favor dhe mirësi prej Zotit. Ky njeri fitoi me Islami i tij, arriti të bjeri dëshmorë dhe të ketë mirësinë e bollshme në Kopshtet e Lumturisë, Xhenetet e Amshuara. Për më tepër, ky hadith tregon se veprat gjykohen nga përfundimet e tyre. Kush bën gjynah në fillim të jetës, por pendohet dhe përmirësohet më vonë, duke braktisur gjynahin dhe duke ndaluar keqbërjen, të bërit keq, do t’i falen gjynahet e kaluara.

Adhurues të Zotit! Le ta rrisim mbështetjen tonë në bekimet e Zotit tonë Bujar, le t’i përmbahemi fesë së Tij të drejtë dhe le të përmbahemi nga kryerja e gjynaheve dhe shkeljeve, sepse jeta kalon shpejt dhe vdekja i këput fijet e shpresës. Prandaj, duhet të përgatitemi, sepse vdekja është e pashmangshme, e ajo që ka kaluar nuk mund të rikthehet.

Ibn Xheuziu,  Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “O adhurues të Zotit, çfarë është kjo pakujdesi ndërsa shikoni?! Çfarë është kjo përgjumje ndërsa jeni zgjuar?! Si mund t’i harroni furnizimet ndërsa largoheni?! Ku janë ata që erdhën para jush? A nuk mendoni?! A nuk e keni parë se si u zbriti vdekja?! Ata nuk mund të lënë testament dhe as të kthehen tek familjet e tyre.”

LEXO  Shfrytëzo mundësitë - Meka 08.02.2019

Zoti e mëshiroftë robin  që e çliroi veten nga skllavëria e dëshirave të tij dhe u kujdes për veten para vdekjes së tij, mori nga pasuria e tij furnizime për varfërinë e tij dhe ruajti nga shëndeti i tij furnizime për varrin e tij, para se koha e përmirësimit të kalonte me ndodhjen e shkatërrimit, vdekjes.

Adhurues të Zotit! Nga gjërat që i bëjmë thirrje vetes të bëjmë është që të mos e humbasim shpresën nga mëshira e Zotit dhe as të mos humbasim shpresën në dhembshurinë e Tij. Kush do qoftë gjendja e mëparshme e pakujdesisë dhe neglizhencës së njeriut, mundësia është ende e disponueshme dhe ‘tregtia’ me Zotin  fitimprurëse. Pra, kushdo që ka neglizhuar në të drejtat e Zotit të tij nuk ka zgjidhje tjetër veçse të kthehet me keqardhje për atë që ka bërë.

Ibn Tejmije, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Kush bën gjynah, pastaj ndjenë keqardhje dhe pendohet, i ngjanë babait të tij. Kush do që i ngjanë babait të tij nuk i ka bërë padrejtësi vetes.” O ju vëllezër! Vërtetë, kush i ngjanë babait të tij Ademit, paqja e Zotit qoftë mbi të, që e pranon gjynahin e tij, pendohet për të dhe largohet prej tij, Zoti i tij e ka zgjedhur atë dhe e ka udhëzuar.  E kush i ngjanë Iblisit, shejtanit, në arrogancë dhe këmbëngulje në mosbindje, vetëm sa do ta rrisë distancën e tij me Zotin dhe pakënaqësinë e Tij me të.

Tani që jemi në fundin e muajit të faljes dhe të mëshirës, ka ardhur koha ta shpejtojmë pendimin tonë dhe jo ta vonojmë atë. Sepse kush nuk pendohet në Ramazan, kur do të pendohet?! Nëse  nuk kthehet tek Zoti i tij në këto netë të bekuara, kur do të kthehet?! Dita më e mirë për të penduarin është dita e pendimit të tij, sa i madh është gëzimi i tij për kthimin dhe sa i bukur ishte gëzimi i tij pas mungesës së tij! Sepse ai është kthyer drejt tek Zoti i tij dhe Zoti i tij, në mëshirën e Tij, ka fshirë atë që kanë bërë duart e tij. Dhe fjala e Zotit, Krijuesit të çdo gjësë janë përmbushur në të. “Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira.”(El-Furkan 70)

Jahja Ibn Muadhi, Zoti e mëshiroftë,  ka thënë: “ Njeriu i penduar ka një krenari që asnjë krenari tjetër nuk mund të barazohet me të nga të gjitha krenaritë e tij, gëzimin e Zotit për pendimin e tij.”

O adhurues të Zotit! Kjo është një thirrje urgjente për të gjithë ata që e kanë lënë pas dore të kaluarën dhe janë dhënë pas gabimeve, për të gjithë ata që mendojnë se kanë dështuar, sepse të gjithë jemi të gabueshëm, që të ndreqin, përmirësojnë, për kohën që mbetet dhe të ndreqin atë që është prishur në punët e tyre. Çdo vepër që kryejmë sot është e regjistruar për ne, dhe do ta gjejmë të paraqitur nesër kur të takojmë Zotin tonë. Ditët janë si thesare për njerëzit, të mbushura me veprat e mira dhe të këqija që ata kanë ruajtur brenda tyre. Në Ditën e Gjykimit, këto thesare do të hapen për pronarët e tyre,  të devotshmit do të gjejnë në thesaret e tyre nder dhe dinjitet, ndërsa gjynahqarët do të gjejnë në thesaret e tyre humbje dhe keqardhje.

Muaji i agjërimit është dëshmi për ne ose kundër nesh.  Ai dëshmon për ata që janë të zellshëm në agjërimin, namazin, drejtësinë dhe veprat e mira të tyre, dhe dëshmon kundër atyre që janë neglizhentë në pakujdesinë dhe largimin e tyre. Prandaj, nxitoni, nxitoni të luftoni kundër vetes dhe shfrytëzoni rastin për të bërë vepra të mira në atë që mbetet nga muaji, në mënyrë që të kompensojmë atë që kemi humbur nga jetët tona.

Dhe pyes veten! Kush prej nesh do të jetojë mjaftueshëm gjatë dhe arrinë Ramazanin vitin e ardhshëm?! Kush prej nesh do të largohet para se ai të vijë?! Kemi parë disa prej nesh të vdesin para se muaji të arrijë në fund, shkatërruesi i kënaqësive, exheli, i habiti dhe ua varrosi shpresat dhe ëndrrat.

LEXO  Gëzimi i Bajramit dhe disa nga kuptimet e tij

Adhurues të Zotit! Le ta dimë se njerëzit që do marrin shpërblimin më të madh dhe pasurinë më të bollshme janë ata që e arrijnë Ramazanin, pajisen me dispozitat e devotshmërisë dhe besimit, u bëjnë dobi të tjerëve me forma të ndryshme veprash të mira dhe mirësie, këshillojnë njerëzit, i thërrasin ata në rrugën e së vërtetës dhe udhëzimit,  dhe që të kthehen tek Zoti i robërve.

Tani shikojmë që muaji ynë ka përveshur mëngët, duke sinjalizuar largimin e tij. Çadrat e tij janë çmontuar, ditët e tij kanë kaluar, është bërë gati të largohet dhe me vetëm pak prej tij ka të mbetur. Personi vërtet me fat dhe i fituar në këtë muaj të bekuar është ai që është i suksesshëm ta përfundojë punën me sinqeritet, ta marri veten në përgjegjësi, llogari, dhe të kërkojë falje në përfundim të tij, sepse mësimi qëndron në përsosmërinë e përfundimeve, jo në mangësinë e fillimeve.

Nga shenjat e pranimit të adhurimit është se robi të jetë nga ata që ia kushtojnë punën e tyre Zotit, bëjnë vepra të mira dhe që i frikësohen Zotit të tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (El-Mu’minun 60)

E tillë ishte situata me paraardhësit tanë të drejtë, selefët, ku secili prej tyre përpiqej ta përsoste dhe ta përfundonte veprën, pastaj shqetësohej për pranimin e saj dhe kishte frikë nga refuzimi dhe pavlefshmëria e saj. Nga Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: “ Jini më të shqetësuar për pranimin e veprave tuaja sesa për vetë kryerjen e tyre, veprave.”

Prandaj, o adhurues të Zotit, le t’i kujtojmë gjithmonë fjalët e Zotit të Botëve: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.” (El-Ma’ide 27)

Zotit i kërkoj falje për veten dhe ju.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Bujarin e Madh, i Pasuri i në mirësi, bujari dhe mirënjohje.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Ashtu siç do të largohet Ramazani nga ne dhe do të kalojë, ashtu do të largohet çdo njëri prej nesh dhe jeta e tij do përfundojë.  Sepse jeta është e kufizuar dhe frymëmarrja është e numëruar. Disa nga njerëzit e mençur kanë thënë: “Si mund të gëzohet dikush me këtë botë kur dita e tij ia shkatërron muajin, muaji i tij ia shkatërron vitin dhe viti ia shkatërron jetën?! Si mund të gëzohet dikush me këtë botë kur jeta e tij e çon në afatin e tij të caktuar, exhel, dhe jeta e tij e çon drejtë vdekjes së tij?!” Prandaj, adhurues të Zotit, le ti kushtojmë vëmendje kësaj, sepse kjo është këshillë e madhe, e thellë dhe një zgjim i fuqishëm!

O ju muslimanë! Le t’i qëndrojmë gjithmonë besnikë besëlidhjes sonë me Zotin tonë, të mos pushojmë kurrë së adhuruari Atë dhe të mos jemi neglizhentë në bindjen ndaj Tij, në përputhje me fjalët e Tij, Zotit të Lartësuar,  në Librin e Tij, Kuranin Famëlartë, kur thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (El-Hixhr 19)

Gjithashtu, duhet t’i lutemi shpesh Zotit tonë që të na mbajë të palëkundur në besim, të na dhurojë një fund të mirë, që të bëjë ditët tona më të mira të fundit e tyre dhe veprat tona më të mira përfundimin e tyre.

O adhurues të Zotit! Ndër gjërat që ju kujtojmë, ndërsa i afrohemi muajit Shaval, është që ne gjithmonë duhet t’i përmbahemi ligjit të Zotit tonë të Lartësuar, në mënyrë që të kryejmë veprimet e përcaktuara të adhurimeve në kohën e tyre, përfshirë këtu dhe përfundimin e këtij muaji  dhënë Zekatin e Fitrit nga ushqimi bazë i vendit për ata që e meritojnë atë.

LEXO  Nga kuptimet e agjërimit dhe shpjegimi i statusit të muajit Shaban

Dita e Fitër Bajramit është një ditë gëzimi dhe adhurimi, e të mos e bëjmë atë një ditë shpenzimi të tepërt, mosbindjeje dhe shpërdorimi. Rekomandohet të respektojmë etiketën e legjitimuar për ne në të, siç është thënia e tekbireve, marrja gusël, larja e plotë e trupit, veshja e rrobave më të mira dhe çelja e agjërimit para namazit të Bajramit me hurma. Kjo ditë dhe ditët që pasojnë atë janë të zbukuruara me atë që njerëzit janë mësuar të bëjnë në këtë ditë, siç janë forcimi i lidhjeve shoqërore, forcimi i lidhjeve, shkëmbimi i urimeve dhe vizitave. Rekomandohet të agjërohen gjashtë ditë të Shevalit pas ditës së Bajramit, në përputhje me thënien e profetit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Kush e agjëron Ramazanin dhe pastaj e pason atë me gjashtë ditë të Shevalit, është sikur të ketë agjëruar tërë vitin.” Domethënë, do shkruhet për të shpërblimi i agjërimit të një viti të tërë. Prandaj, le të gëzohen me këtë ata që kanë shpirtra të pastër. Adhurues të Zotit! Bëni kujdes se jeni në njërën nga ditët më të mëdha, ditën e xhuma, prandaj shtoni lutjet tuaja dhe përshëndetjet mbi zotërinë e njerëzimit, më të mirin e atyre që është falur, ka agjëruar dhe është ngritur në namaz nate, Muhammedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe përgjigjuni urdhrit të Zotit tuaj në shpalljen e Tij të qartë, në Kuranin Famëlartë, kur Ai ka thënë, e Ai është i Vërteti në fjalën e Tij: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd,  Muhamedin, familjarët dhe të gjithë shokët e tij.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, ndihmo robërit besimtarë që të Njësojnë Ty, shkatërro armiqtë e Tu dhe armiqtë e fesë, kthe komplotet e tyre kundër tyre dhe bëj planet e tyre shkatërrim për ata.

O Zot, ruaj këtë vend dhe sigurinë e tij, stabilitetin dhe ushtarët e tij. O Zot, bëje të mbushur me të gjitha të mirat, të sigurt nga çdo e keqe, të mbrojtur, të qetë, të begatë me mirësi  të bollshme dhe të gjitha vendet muslimane.

O Zot, ruaj popullin musliman nga çdo e keqe dhe konflikt, largo prej tij të keqen e të ligjve, komplotet e  kokomplotistëve, të keqen e atyre që këpusin rrugët natën dhe ditën, shmang prej tij luftërat, vështirësitë dhe sprovat, mbroji ata nga sprovat mashtruese, si ato të dukshme ashtu edhe ato të fshehura.

O Zot, jepu fitoren të shtypurve, atyre që luftojnë në rrugën Tënde, atyre që janë të vendosur në kufij dhe mbrojtësve të kufijve.

O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, bëj që udhëheqja jonë të jetë në duart e atyre që të kanë frikë Ty, që janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.

O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që do dhe je i kënaqur, nga fjalët dhe veprat, o i Gjallë, o i Përhershëm. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të fronit të tij në udhëzimin Tënd dhe në devotshmërinë ndaj Teje.

O Zot, kërkojmë tek Ty fitore, lavdi dhe fuqizim për robërit e Tu besimtarë.

O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë dhe në çdo vend, o Zoti i botëve.  O Zot, lehtëso vuajtjet e tyre, largo shqetësimet e tyre, shpëto të sprovuarit  e tyre, mbroji ata, ji i mirë me ta, ndalo gjakderdhjen e tyre, përmirëso marrëdhënijet e tyre, merr në dorën Tënde çështjet e tyre, shuaj urinë e tyre, mbroji ata nga frikat e tyre.

O Zot, të lutemi të na japësh besim të palëkundur, lumturi të pafundme dhe shoqërinë e Muhammedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në Xhenetet më të lartë të Përjetësisë.

“O Zoti ynë, na jep mëshirë nga ana Jote dhe përgatitna për sjellje të drejtë!”(El-Kehf 10)

O Zot, na bëj prej atyre që agjëruan dhe u falën gjatë Ramazanit me besim dhe bindje në shpërblim tek Zoti, prej atyre që u falën në Natën e Kadrit me besim dhe bindje në shpërblim tek Zoti, prej atyre që i udhëzove dhe i pranove, gjynahet e të cilëve i fale dhe zemrat e të cilëve i përmirësove.

O Zot, na i fal të metat tona, na jep qëndrueshmëri në legjislacionin Tënd, vendosmëri në fenë Tënde dhe një fund të mirë. O Zot, të lutemi të na japësh udhëzim, devotshmëri, dëlirësi dhe kënaqësi.

O Zot, na fal ne, prindërit tanë dhe të gjithë besimtarët në Ditën e Gjykimit.

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje Muhamedin, familjarët dhe të gjithë shokët e tij.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1507830418010300/1652830849045000

Post Author: endrit