Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 17-02-1448 H 31-07-2026 D
Shejh Salah Ibn Muhamed El Budejri
Tema Nxehtësia e verës përkujtim i zjarrit dhe mirësia e dhurimit të ujit
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na ka dhuruar nga mirësitë e Tij hapur dhe në fshehtësi. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi që do të jetë mburojë nga Zjarri i Xhehenemit dhe mbulesë e fortë.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, Zoti përmes tij fshiu mosbesimin që ishte i dukshëm. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje me të cilat do të marrim shpërblime të mëdha dhe të pafundme.
Në vijim
O ju muslimanë! Kini frikë Allahun, Zotin tuaj sepse Ai i di të sekretet dhe brendësinë tuaj dhe përgatituni për orën e Kijametit dhe ditën e Gjykimit. “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (El-Bekare 281)
O ju muslimanë! Vera është bërë e ashpër, është shtuar i nxehti, dita është bërë përvëluese dhe vapa është ndezur. Ju ka mbuluar kjo verë me diellin e saj përvëlues, nxehtësia e së cilës është përhapur në horizonte dhe era e saj e nxehtë është shtrirë në tokë. Prandaj, përkujtoni këtë zjarr përvëlues, flakërues dhe të tërbuar, intensitetin e flakëve të tij, dhe ruani vetet tuaja nga zjarri i Xhehenemit nxehtësia e të cilit është e fortë. Zjarr, nxehtësia e të cilit është shumë më e madhe, thellësia e tij shumë më e largët. Ai është më përvëlues dhe më flakërues se vapa e verës dhe zhegu i saj i ndezur. “Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!” (Et-Teube 81)
Vërtet, nxehtësia e madhe është nga fryma e Xhehenemit. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Zjarri iu ankua Zotit të tij dhe tha: O Zot! Pjesët e mia po hanë njëra-tjetrën (jam duke u ngrënë në vete)! Zoti lejoi që ta lirojë veten dy herë në vit; njërën në verë dhe tjetrën në dimër Prandaj, nxehtësinë më të madhe që e përjetoni në verë është prej tij, zjarri i Xhehenemit, dhe i ftohti i madh që e përjetoni në dimër është pej tij, i ftohti i Xhehenemit.” Muttefikun Alejhi.
O ti që strehohesh nga vapa e mesditës dhe përpiqesh ta shmangësh atë! Ik prej zjarrit të Xhehenemit duke pasur frikë Allahun dhe duke lënë gjynahet.
O ti që e mbron trupin tënd nga nxehtësia dhe kujdesesh për të! A nuk do të kthehesh tek Zoti yt para se të të vijë papritur vdekja dhe të të thërrasë thirrësi i saj?
O rob i Allahut! Zgjohu ndaj asaj që të pret përpara dhe përgatitu për atë që do të të vijë. Mendo sikur qilimi i jetës sate tashmë është mbështjellë, forca e shëndetit tënd është venitur, krenaria jote është rrëzuar dhe vdekja është afruar.
Nesër njeriu do të shikojë atë që ka bërë dhe bujku do të korrë atë që ka mbjellë. Nëse ka bërë mirë, sa e bukur do të jetë ajo që ka mbledhë, e nëse ka bërë keq, sa e shëmtuar do të jetë ajo që ka përgatitur për veten.
Fitimtar është ai që përfiton nga këshilla dhe përgatitet për jetën e përhershme të botës Tjetër, Ahiret.
Kërkoj falje nga Allahu për çdo gjynah. Kërkoni falje prej Tij, sepse të fituar janë ata që tek Ai kërkojnë falje.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili i ka dhënë mbrojtje çdo njërit që tek Ai ka kërkuar mbrojtje.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai i trajton me mirësitë e Tij ata që kishin humbur shpresën për shërim nga sëmundja.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Kush e pason atë është në rrugë të drejtë, e kush e kundërshton atë ka devijuar dhe në turpin e të kotës ka humbur. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje të përhershme dhe të vazhdueshme.
Në vijim
O ju musliman! Frikësojuni Allahut, ndiqeni Atë, binduni dhe mos e kundërshtoni Atë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Et-Teube 119)
O ju muslimanë! Në vapën përvëluese të verës, në ditët e nxehta dhe të zjarrta, është e pëlqyer të jepet ujë për të pirë. Nuk ka vepër më shpresëdhënëse në këtë vapë të madhe sesa shuarja e etjes së të eturve, freskimi i të eturve dhe afrimi i ujit për ata që janë djegur nga dielli dhe janë goditur nga nxehtësia e tij.
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka nxitur fuqishëm dhënien e ujit dhe ka paralajmëruar kundër neglizhimit të atij që është i etur dhe ka nevojë për ujë. Ai na ka kujtuar se në dhënien e ujit ka shpërblim të ruajtur dhe sevap të madh, të cilin ai që jep ujë do ta gjejë tek Allahu, Bujari i Madh.
Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Allahu i Madhëruar do të thotë në Ditën e Gjykimit: O biri i Ademit! Të kërkova të më shuash etjen, të më jepje ujë, por nuk më dhe. Ai do të thotë: O Zoti im! Si të të jap ujë Ty, kur Ti je Zoti i botëve? Allahu do të thotë: Robi Im filani të kërkoi ujë, por ti nuk i dhe. A nuk e dije se po t’i kishe shuar etjen atij, do ta kishe gjetur atë shpërblim tek Unë?” Hadithin e transmeton Muslimi.
O ju muslimanë! Tregoni mëshirë ndaj njëri-tjetrit në këtë vapë përvëluese. Kujdesuni për të varfrit dhe ndihmoni të dobëtit të cilët përballen me etjen, vapën dhe vështirësitë, dhe nuk kanë mjete për të ftohur ujin apo për të freskuar shtëpitë e tyre. Lehtësoni atyre vështirësinë e verës, freskoni zemrat, shtëpitë dhe fëmijët e tyre me lëmosha, ndihma dhe bamirësi. Shpërndani ujë në rrugë, në tregje dhe në xhami, hapni puse dhe vendosni çezma e pajisje publike për ujë të pijshëm.
Nga Xhabir Ibn Abdullahu, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush hap një burim uji (ose gërmon një pus), dhe prej tij pi një krijesë me mëlçi të etur, qoftë xhind, njeri, shpend apo kafshë, Allahu do ta shpërblejë atë në Ditën e Gjykimit.” Hadithin e transmeton Ibn Huzejme.
Lutuni dhe dërgoni selame për të lavdëruarin, udhëzuesin dhe ndërmjetësuesin e vetëm për nevojtarët. Kush bie salavat një herë për të, Allahu do bie dhjetë herë salavat për të. O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin dhe zotërinë tonë Muhamedin.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë familjarët dhe shokët e tij, dhe me ne së bashku me ta, o Bujar, o Dhurues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë, politeistët dhe shkatërro armiqtë e fesë.
O Zot, ruaj vendin tonë dhe vendet muslimane nga planet e keqbërësve dhe kurthet e atyre që thurin kurthe, o Zoti i Botëve.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Do dhe je i Kënaqur, udhëzoje atë drejtë të mirës dhe devotshmërisë.
O Zot, jepi sukses atij, zëvendësit të tij dhe të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve.
O Zot, shëro të sëmurët tanë, shpëto të sprovuarit tanë dhe mëshiro të vdekurit tanë.
O Zot, ndihmo vëllezërit tanë në Palestinë, shëro plagët e tyre dhe përshpejto fitoren e tyre, o Zot i botëve.
O Zot, bëj lutjet tona të dëgjuara dhe thirrjet tona të ngritura lart tek Ti, o Bujar, o i Madhërishëm, o Mëshirues.
Afrim Smakaj