Pastrimi i shpirtrave… rruga drejt suksesit

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    11-04-1447 H     03-10-2025 D

Shejh Usame Khajat   

Tema     Pastrimi i shpirtrave… rruga drejt suksesit

Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili drejton çdo çështje me menaxhimin e Butë të Tij. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj sepse Ai meriton të lavdërohet për mirësitë e tij të pakta dhe të shumëta që na dhuron.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai krijoi njeriun dhe përsosi shëmbëlltyrën e tij, e nxiti atë që të pastrojë zemrën e tij përmes frikës ndaj Tij, inkurajimit dhe të paralajmëruarit e tij.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i përzgjedhuri dhe miku i Tij i ngushtë, përçuesi i lajmeve të mira dhe paralajmëruesi i Tij. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, të cilët ndoqën udhëzimin e tij, pasuan shembullin e tij dhe ndoqën rrugën, sunetin e tij pas tij.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit ashtu siç i takon, përpiquni që t’i bindeni Atij dhe të kërkoni kënaqësinë e Tij. Dijeni se Ai ju ka krijuar për ta adhuruar Atë, prandaj përkushtohuni, jini të sinqertë në fenë tuaj ndaj Atij  dhe bëni vepra të mira. I lumtur është ai që është i sinqertë në fenë e tij për Zotin dhe ndjek të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, derisa t’i vijë urdhri i Allahut.

O ju muslimanë! Pastrimi dhe forcimi i shpirtrave, përmirësimi dhe pastrimi i zemrave, është shpresë që njerëzit e mençur në të gjitha kulturat dhe qytetërimet e kanë kërkuar që nga kohërat më të lashta. Ata kanë ndjekur rrugë të ndryshme për ta arritur këtë dhe kanë legjitimuar për veten e tyre metoda dhe qasje të ndryshme.  Ata besonin se duke ndjekur këto rrugë do të arrinin dëshirat dhe shpresat e tyre për të gëzuar një jetë të mirë dhe një jetë të lumtur e të kënaqur. Lumturia e vërtetë me të cilën bëhet e mirë jeta e kësaj bote, qetësohen zemrat dhe pastrohen shpirtrat, është çfarë Libri i Urtë, Kurani, dhe suneti fisnik shpjegojnë dhe zbulojnë të vërtetën e saj në shprehjet më të qarta, më të sakta dhe më gjithëpërfshirëse që tregojnë kuptimin e synuar.

Zoti ka sjellë të dërguarit e Tij dhe  ka zbritur Librat e Tij që të udhëzojë njerëzit drejt rrugëve të pastrimit të shpirtrave dhe përmirësimit të zemrave të tyre, dhe për t’ua bërë atyre të qartë se kjo çështje nuk do të arrihet përveçse kur ata ta përmbushin të drejtën e Zotit mbi ta në një nënshtrim, bindjet të sinqertë ndaj Tij, pasi ky është qëllimi i krijimit të tyre nga ana e Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar. “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” (Edh-Dharijat 56-58)

Libri i Zotit dhe suneti i të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, shpjegojnë rrugën drejt këtij pastrimi, nga i cili Zoti e ka bërë të varur suksesin, shpëtimin, e njeriut, ndërsa zhgënjimin dhe humbjen të varura nga e kundërta e tij, pastrimit, përmes prishjes dhe ndotjes së shpirtit me gabime dhe gjynahe. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e poshtëron atë (me punë të këqija), do të dështojë.”(Esh-Shems 7-10) Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (El-A’la 14-15) Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar duke ju drejtuar të dërguarit të Tij, Musait, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin tonë dhe mbi të, kur e dërgoi tek Faraoni, i ka thënë: “Shko te Faraoni, se ai, me të vërtetë, ka kaluar çdo kufi, dhe thuaji: “A do ta pastrosh veten, dhe të të udhëzoj te Zoti yt, që t’i frikësohesh?”(En-Nazi’at 17-19)

Ky libër i bekuar, të cilin Zoti e bëri  shpirt që ringjall zemrat dhe dritë që largon errësirën në shtigje. “Dhe ashtu (siç u kemi dërguar  Shpallje profetëve të mëparshëm), të kemi dërguar edhe ty (Muhamed) Shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kuranin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë.” (Esh-Shura 52),  deklaron, thekson se themeli i pastrimit në Islam, fryma e tij, shtylla dhe boshti i tij është Njëshmëria e Zotit të Plotfuqishëm dhe e vërteta e Tij. Sikure dhe Imam Ibn El Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Robi dëshmon për Njësinë e Zotit, i Madhëruar dhe i Lartësuar është Ai, në krijim dhe gjykim, në çfarëdo që Ai dëshiron të ndodhë, në çfarëdo që Ai nuk dëshiron që të mos ndodhi, dhe se asnjë atom i vetëm nuk lëviz përveçse me lejen e Tij.  Krijimi, universi, është i nënshtruar nën Sundimin e Tij, nuk ka zemër përveçse është në mes të “dy gishtërinjve” të Tij. Nëse Ai dëshiron ta drejtojë, e drejton atë, e nëse Ai dëshiron ta devijojë, e devijon atë. Zemrat janë në dorën e Tij, Ai është që i kthen dhe i drejton ato si të dojë dhe të dëshirojë. Ai është që u ka dhënë shpirtrave të besimtarëve devotshmërinë e tyre, është Ai që i udhëzoi dhe i pastroi ata.  Ai i frymëzoi shpirtrat e të këqijve me ligësinë e tyre dhe i bëri të mjerë. Atë që Allahu e udhëzon ai është i udhëzuar, dhe atë që Ai e çon në humbje nuk ka udhëzues për të. Ai udhëzon kë dëshiron me mirësinë dhe mëshirën e Tij,  e humb kë dëshiron me drejtësinë dhe urtësinë e Tij. Kjo është mirësia dhe bujaria e Tij, e mirësia e Bujarit nuk vlerësohet, por kjo është drejtësia dhe gjykimi i Tij. “Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten.” (El-Enbija’ 23)

LEXO  Vlera e Pasurisë - Meka 11.10.2019

Adhurues të Zotit! Ndikimi i monoteizmit në pastrim të shpirtit,  në fakt në jetën e muslimanit, është qartësisht i dukshëm në unifikimin e qëllimit dhe synimit, si dhe në përputhjen e dijes me veprat. Kjo ndodh në mënyrë që të kuptuarit, besimi, dija, veprimi, qëllimi, prirjet e zemrës dhe aktiviteti i muslimanit të organizohen në një vije të vetme, në harmoni dhe kohezion, pa konflikte ose kontradikta. Kjo ia largon njeriut shqetësimin e dhimbshëm mbi supe që ai ndjen kur qëllimet e tij bien ndesh me veten dhe veprimet e tij.

O adhurues të Zotit! Nga gjërat që pastrojnë shpirtrat, është ripërtëritja e vazhdueshme e besimit të tyre, nga se besimi konsumohet ashtu siç konsumohen rrobat. Kjo është arsyeja pse shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e kapnin njëri-tjetrin për dore dhe thoshin: “ Ejani, le të besojmë për një orë, moment.”  Ata uleshin dhe e kujtonin Zotin e Plotfuqishëm.

Përkujtimi i Allahut të Lartësuar, recitimi i Librit të Tij, Kuranit, bindja ndaj Tij dhe afrimi me Atë janë gjërat më të mëdha që ripërtërijnë besimin në shpirtin e besimtarit, i cili e di se besimi rritet me bindje dhe zvogëlohet me mosbindje. Besimtari punon për të rritur besimin e tij duke iu drejtuar sinqerisht Zotit të Plotëfuqishëm. Kjo është streha ku fruti i bekuar më i dukshëm i së cilës është pastrimi i shpirtrave, siç thuhet në lutjen e profetit fisnik: “O Zot, jepu shpirtrave tanë devotshmëri dhe pastroji ato, sepse Ti je më i miri për t’i pastruar ata.”

O adhurues të Zotit! Nga gjërat që e pastrojnë shpirtin dhe përmirësojnë zemrën, është të kujtuarit në vazhdimësi mirësitë e Zotit që Ai u ka dhuruar robërve të Tij, numërimi i të cilave është përtej aftësisë njerëzore, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” (En-Nahl 18) Vërtetë, kujtimi i këtyre mirësive sjell tek njeriu që i kujton ato një lidhje të plotë me Zotin, përkushtim të plotë ndaj Tij, nënshtrim dhe përulësi ndaj Tij, Zotit të Madhërishëm. Sepse çdo gjë që Ai ka dhuruar nga jeta, shëndeti, pasuria, fëmijët, prestigji dhe gjëra të tjera, nuk është gjë tjetër veçse një favor prej Tij, një mirësi dhe një bekim që Ai e ka dhuruar, sikur Ai ka dashur dhe kur ka dashur ta dhurojë. Nëse Ai do të donte, mund t’ia kishte marrë atë kur do që të donte. Sepse Ai është Krijuesi dhe Sunduesi i çdo gjësë, në dorën e Tij është mirësia, Ai ia jep atë kujt të dojë dhe ia ndalon atë kujt të dojë.

Njohja dhe kujtimi i vazhdueshëm i kësaj mirsie e motivon robin të njohë pafuqinë, dobësinë dhe nevojën e tij për Zotin e tij në të gjitha çështjet e tij. Megjithatë, kujtimi i bekimeve duhet të shoqërohet me vepra që e kënaqin Zoti, të cila Ai i do dhe për të cilat do ta shpërblejë në Ditën e Gjykimit. Kuptimi i vërtetë i saj është: kryerja e veprave të mira dhe shmangia nga veprat e këqija, udhëhequr nga Zoti dhe ndjekja e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, së bashku me kushtimin e vëmendjes së veçantë ndaj detyrimeve që Zoti u ka ngarkuar robërve të Tij, pasi ato janë mjetet më të dashura me të cilat robi i afrohet Zotit të tij, siç thuhet në hadith: “ Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: Unë i shpall luftë atij që shfaq armiqësi ndaj mikut Tim! Veprat më të dashura me të cilat më afrohet robi Im, janë ato të cilat Unë ia kam bërë detyrim atij. Robi im më afrohet vazhdimisht, duke kryer vepra nafile (vullnetare), derisa Unë ta dua atë. Kur Unë ta dua atë, atëherë do të bëhem veshi i tij me të cilin dëgjon, syri i tij me të cilin shikon, dora e tij me të cilën mbahet, këmba e tij me të cilën ecën dhe nëse ai më kërkon diçka, do t’ia jap atë e nëse më kërkon ta mbroj, do ta mbroj atë.” Transmeton Imam Buhariu në Sahihun e tij nga hadithet e Ebu Hurejres, Zoti qoftë i kënaqur me të.

LEXO  Adhurim dhe vepra të mira dhe pas Ramazanit

O adhurues të Zotit! Nga gjërat që e pastrojnë shpirtin, janë veprat e zemrës, sepse zemra është mbreti i gjymtyrëve, bëhen të mira nga mirësia e saj dhe prishen nga prishja e saj, siç thuhet në hadith: “Vërtetë në trup ka një copë mishi e cila, nëse ajo është e shëndoshë i gjithë trupi është i shëndoshë, nëse ajo prishet i gjithë trupi prishet, padyshim se ajo (copë mishi) është zemra.” Hadithi është transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, në Sahihët e tyre, nga hadithet e Nu’man Ibn Beshir, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy.

O adhurues të Zotit! Në mesin e veprave të zemrës, ku më e madhja prej tyre, është nijeti dhe qëllimi i njeriut  në çdo vepër që ai bën. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Me të vërtetë që veprat janë sipas qëllimit, e secili merr atë që ka si synim nga vepra e tij. Ai i cili emigron (bën hixhret) për hir të Allahut dhe për hir të të dërguarit të Tij, atëherë emigrimi (hixhreti) i tij është për Allahun dhe të dërguarin e Tij. Kush emigron (bën hixhret) për dynjanë apo për t’u martuar, atëherë emigrimi (hixhreti) i tij është për atë që ka për qëllim.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi në Sahihët e tyre.

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit, merrni Librin e Zotit tuaj dhe sunetin e të dërguarit tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, si metodën më të mirë për pastrimin e shpirtrave dhe përmirësimin e zemrave, duke kërkuar kënaqësinë e Zotit dhe duke ndjekur gjurmët e njerëzve më të mirë nga robërit e Zotit. “Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë njerëzit e mençur.”(Ez-Zumer 18)

Zoti na bëftë dobi me udhëzimin e librit të Tij, Kuranit, dhe me synetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëploti.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Mbrojtësi i vërtetë dhe i  Denji për falënderim, Vepruesi i gjithçkaje që dëshiron. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë,  Ai krijon çfarë dëshiron dhe bën çfarë do. Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se zotëri dhe i dërguari ynë, Muhamedi,  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Njeriu me moralln më të mirë dhe në rrugën e drejtë. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në ditën e Gjykimit.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Teubeja, pendimi është një nga shkaqet më të mëdha të pastrimit të shpirtit dhe përmirësimit të zemrës. Ibadeti, akti i pendimit, siç tha Ibn Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, është nga format më të dashura dhe më të nderuara të adhurumit ndaj Allahut. Zoti i Lartësuar i do ata që pendohen. Nëse pendimi nuk do të ishte gjëja më e dashur për Të, Ai nuk do ta kishte sprovuar me gjynahe krijesën e Tij më të nderuar. Për shkak të dashurisë së Tij për pendimin e robit të Tij, Ai i sprovon njerëzit me gjynahe, gjë që do ta bënte të dashurin e Tij të pendohet dhe në këtë mënyrë ta rriste dashurinë e Tij për robin e Tij.

Pendimi ka një status tek Allahu i Lartësuar që asnjë akt tjetër adhurimi nuk e ka. Kjo është arsyeja pse Zoti i Plotëfuqishëm gëzohet me pendimin e robit të Tij kur ai pendohet tek Ai me gëzimin më të madh që mund të vlerësohet. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e ilustroi këtë me gëzimin e një njeriu që gjenë kalin, kafshën e tij të udhëtimit, mbi të cilin mban ushqimin dhe pijen e tij, në një shkretëtirë vdekjeprurëse, pasi e ka humbur atë dhe është dëshpëruar për mjetet e jetesës. Ky gëzim nuk vjen nga asnjë akt adhurimi përveç pendimit.

Realiteti i pendimit është:  Kthim tek Zoti duke u zotuar të bësh atë që Ai do dhe duke braktisur atë që Ai urren, që është kthim nga diçka e papëlqyer në diçka të dashur. Kthimi tek diçka e dashur është njëra pjesë e kuptimit të tij, ndërsa kthimi nga diçka e papëlqyer është pjesa tjetër. Për këtë arsye, Zoti i Plotfuqishëm, e ka bërë suksesin absolut të kushtëzuar nga kryerja e asaj që është urdhëruar dhe braktisja e asaj që është e ndalur, dhe ka thënë: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!”(En-Nur 31) Çdo person i penduar do të jetë i shpëtuar, por askush nuk do të shpëtojë përveç atij që bën atë që i është urdhëruar dhe lë atë që i është ndaluar.

LEXO  Shkaqet e suksesit - Meka 13.11.2020

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit dhe pendohuni tek Ai, duke kërkuar kënaqësinë e Tij dhe duke ndjekur shembullin e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili ka thënë: “O njerëz, pendohuni tek Zoti, sepse unë pendohem tek Ai njëqind herë në ditë.” Hadithin e ka transmetuar Imam Muslimi në Sahihun e tij.

Përkujtoni në vazhdimësi se  Zoti i Plotfuqishëm ju ka urdhëruar të luteni dhe të dërgoni përshëndetje për më të mirin e njerëzimit, Ai ka thënë në fjalën më të sinqertë dhe më të mirë, në Kuran: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur  me katër halifet e tij, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun,  me të gjithë familjarët, shokët e tij, me tabi’inë,  me ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit,  dhe me ne së bashku me ata me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Miri që toleron dhe falën.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët dhe mbro ndjekësit e fesë, shkatërro armiqtë e fesë, të gjithë tiranët dhe të korruptuarit, bashko zemrat e muslimanëve, njëso rrallët e tyre, përmirëso udhëheqësit e tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zoti i Botëve.

O Zot, ndihmo fenë Tënde dhe librin Tënd, sunnetin e të dërguarit Tënd,  Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe robërit e Tu besnik, që përpiqen në rrugën Tënde dhe janë të sinqertë.

O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso  drejtuesit dhe kujdestarët  e çështjeve tona. Mbështet në të vërtetën udhëheqësin dhe  kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi mbështetës të ndershëm, jepi atij sukses në atë që do dhe je kënaqur,  o Ti që i dëgjon lutjet.

O Zot, jepu sukses atij dhe  zëvendësit të tij, në atë që është e mira e Islamit dhe e muslimanëve, dhe në atë që është e mira e tashme dhe e shpejtë në dobi të vendit dhe njerëzve, o Zoti i botëve. 

O Zot, ruaj këtë vend të bekuar me të gjitha të mirat, të sigurt nga çdo e keqe dhe të gjitha vendet muslimane, o Zoti i botëve.

O Zot, çliro xhaminë e Aksasë nga zgjedha e uzurpatorëve pushtues! O Zot, ruaj muslimanët në Gaza dhe në Palestinë. O Zot, ruaj ata nga përpara dhe nga pas, nga e djathta dhe e majta e tyre dhe nga sipër tyre. O Zot, kërkojmë mbrojtje në Madhështinë Tënde që të mos goditen nga poshtë këmbëve të tyre.

O Zot, mundëso ushqim për të uriturit e tyre, mundëso veshje të zhveshurve të  tyre, shëro të plagosurit e tyre dhe të sëmurët e tyre, shkruaj shpërblimin e dëshmorëve për të vrarët e tyre. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtës dhe mbështetës, përkrahës dhe ndihmues, o Zoti i botëve. O Zot, mëshiro dobësinë e tyre, përmirëso gjendjen e tyre dhe merr përsipër çështjet  e tyre, o Zot i Botëve. O Zot, të lutemi të jesh kundër armikut Tënd dhe  armikut të tyre, o më i Madhi më Bujari.

O Zot, na  përmirëso në  fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që  është vendqëndrimi i përkohshëm për ne,  dhe përmirëso  jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën  është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje.        

O Zot, jepu shpirtrave tanë devotshmëri, pastroi ata sepse Ti je më i miri që i pastron ata, Ti je Mbrojtësi dhe Kujdestari i tyre.

O Zot,  na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën, na mbro nga poshtërimi në këtë botë dhe ndëshkimi në botën Tjetër.

O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga humbja e Mirësive Tua, nga përkeqësimi i shëndetit që na ke dhënë, nga ndëshkimi Yt i papritur dhe nga i gjithë zemërimi Yt.

O Zot, të lutemi na mundëso të bëjmë punë të mira, të heqim dorë nga veprat e shëmtuara, ti duam të varfërit, të na falësh dhe të na mëshirosh. Nëse do të sprovosh robërit e Tu, na merr jetën para se të përballemi me sprovën.   

O Zot, na mbro prej armiqve Tu dhe armiqve tanë me çfarë të dëshirosh, o Zot i botëve! O Zot, ti lëmë Ty të merresh me armiqtë Tu dhe armiqtë tanë, dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga të këqijat e tyre! O Zot, ti lëmë Ty të merresh me ata  dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga të këqijat e tyre!

O Zot, na shto të mirat e Tua e mos na i pakëso, na dhuro të mira e mos na privo, na ndero e mos na nënçmo, na bëj ngadhënjimtar dhe mos na bëj të mposhtur, na bëj të jemi të kënaqur me Ty dhe Ti të jesh i kënaqur me ne.

O Zot, shëro të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë, na  plotëso nga ato që Ti je i kënaqur dëshirat tona dhe na mundëso në mbyllje kryerjen e veprave të mira.

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf  23)

 “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin tonë, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/reel/1867983267472736

Post Author: endrit