Pritja e Ramazanit: Norma dhe rregulla

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    25-08-1447 H     13-02-2026 D

Shejh Mahir El Muajkili  

Tema  Pritja e Ramazanit: Norma dhe rregulla

Lavdërimet janë për Allahun, i Cili e bëri agjërimin mburojë dhe shkak për të arritur në Xhenet. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe Atë e falënderoj,  tek Ai pendohem dhe prej Tij falje kërkoj. Ai i udhëzoi robërit e Tij në rrugën më të mirë dhe sunetin më të drejtë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi përmes së cilës shpresoj për kënaqësinë e Tij  dhe Xhenetin.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari  ynë, Muhamedi është rob i  Zotit dhe i dërguari i Tij, Zoti na e dërgoi atë nder dhe bekim prej Tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi dhe iu përmbajtën Librit dhe sunetit, atyre u dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

O besimtarë! Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit, sepse devotshmëria është rruga drejt shpëtimit dhe sigurisë, dhe rruga drejt fitores dhe dinjitetit. “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.”(El-Enfal 29)

O populli musliman! Urtësia e Zotit  ka dashur që Ai të bëjë dallimin midis krijesave të Tij në vlerë dhe pozitë.  Ai krijoi netët dhe ditët, muajt dhe vitet, i veçoi disa prej tyre me më shumë në vlera,  dhe i bëri ato kohë për shumëfishimin e veprave. Para nesh kemi një muaj të bekuar, në të cilin Zoti shpalli librin e Tij, caktoi për ne agjërimin në të dhe  bëri qëllimin përfundimtar të agjërimit arritjen e devotshmërisë. “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, me qëllim që të ruheni (nga gjynahet).”(El-Bekare 183) Me qëllim që të jeni të devotshëm në adhurimin, marrëdhëniet dhe moralin tuaj, dhe në veten tuaj, familjet tuaja dhe fëmijët tuaj. Në mënyrë që të mund të vendosni midis jush dhe ndëshkimit të Zotit një mburojë duke ndjekur urdhrat e Tij dhe duke shmangur ndalesat e Tij. Devotshmëria është të punosh me bindje ndaj Zotit me dritë nga Ai, duke shpresuar për mëshirën e Tij, dhe të largohesh nga mosbindja ndaj Tij me dritë nga Ai, duke pasur frikë nga ndëshkimi i Tij. Devotshmëria është furnizimi më i madh. “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria.” (El-Bekare 197) Devotshmëria është porosia e Zotit për të parët  dhe për të tjerët, fundit. “Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: “Frikësojuni Allahut!” (En-Nisa’131) Pranimi i veprave varet prej devotshmërisë: ““Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.” (El-Ma’ide 27) Njerëzit e devotshmërisë  janë të fituarit në Ditën e  Gjykimit: “Ky është Xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanë të përkushtuar.” (Merjem 63)

Vëllezër në besim! Nga kuptimet dhe vlerat e agjërimit është se ai përmbushën sinqeritet ndaj Zotit. Agjërimi përmbush gjithashtu durimin dhe se durimtarët do të shpërblehet pa masë. Agjëruesi për sa kohë braktis ushqimin, pijen dhe dëshirat e tij për hir të Zotit, Ai e kompenson atë me diçka më të mirë. Vetëm Bujari i Lartësuar dhe i Lavdëruar e di shpërblimin e agjërimit të tij. Në Musnedin e Imam Ahmedit ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Çdo vepër e mirë që kryen i biri i Ademit shumëfishohet, në shpërblim,  një vepër  e mirë  në dhjetëfish deri në shtatëqind fish, deri sa të dëshirojë Zoti. Allahu i Lartësuar thotë: Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të. Agjëruesi ka braktisur ushqimin dhe pijen e tij  vetëm për hatrin Tim.” Zoti i Plotëfuqishëm dhe i Lartësuar ka bërë një portë në Xhenet për ata që agjërojnë, nëpër të cilën nuk do të hyjë askush tjetër përveç tyre. “Agjëruesi ka dy gëzime: Gëzimi i parë kur e çel agjërimin dhe gëzimi i dytë kur të takohet me Zotin.”  “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”(Junus 58)

LEXO  Mirësitë e Zotit dhe mëshira e Tij - Meka 22.04.2022

O besimtarë! Muaji i Ramazanit është stinë e lavdishme për vetëreflektim dhe  arenë e gjerë për garë, në të cilën të gjithë myslimanët janë të barabartë. Të gjithë agjërojnë për Zotin e tyre, duke kërkuar falje për gjynahet e tyre. Fillojnë agjërimin në të njëjtën kohë dhe e ndërpresin agjërimin, bëjnë yftarë, në të njëjtën kohë,  në mënyrë që fjalët e Zotit të Vetëm të përmbushen tek ata. “Vërtet, kjo feja juaj është një fe e vetme, ndërsa Unë jam Zoti juaj, andaj frikësohuni prej Meje!”(El-Mu’minun 52)

Kurani i Madhërishëm është shpallur në këtë muaj të shenjtë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e përsëriste Kuranin me  Xhebrailin, paqja e Zotit qoftë mbi të, çdo natë të Ramazanit.  Në dy Sahihet, Buhariu dhe Muslimi, transmetohet nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me të,  se ka thënë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte më bujari nga njerëzve, ndërsa ishte më bujari se asnjë herë gjatë Ramazanit, kur takonte Xhebrailin. Xhebraili e takonte çdo natë të Ramazanit dhe i përsëriste atij Kuranin. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte më bujar në të mirat sesa era që frynë.”

Muslimanët e kanë për detyrë të shtojnë leximin  dhe meditimin e tyre mbi Kuranin. Ramazani është muaji i agjërimit, lutjes, Kuranit, drejtësisë, bujarisë dhe bamirësisë. Ky muaj është kujtesë për gjendjen e të dobëtve dhe të varfërve. Në këtë muaj  një thirrës i Zotit thërret: “O kërkues i së mirës shpejto!  O kërkues i së keqes, ndalohu!”

Nga vlerat e agjërimit të Ramazanit është falja e gjynaheve dhe shlyerja e gabimeve: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar në shpërblim nga Zoti, do t’i falen gjynahet e kaluara.”  “Kush falet gjatë Ramazanit me besim dhe duke shpresuar në shpërblim nga Zoti, do t’i falen gjynahet e kaluara.” “ Kush falet Natën e Kadrit me besim duke shpresuar në shpërblim nga Zoti, do t’i falen gjynahet e kaluara.”  “Kush falet me imamin e tij derisa imami të largohet, të mbarojë i gjithë namazi,  do t’i shënohet shpërblimi i faljes për gjithë natën, sikur namaz i natës.”

Ramazani është muaji i dhuratave dhe bekimeve, i favoreve dhe begative. Për çdo musliman në Ramazan, çdo ditë e natë, ka një lutje që do të përgjigjet. O rob i Zotit, kërko nga bujaria e Bujarit, kërko nga mëshira e të Mëshirshmit  sepse thesaret e Dhuruesit nuk shterojnë kurrë.  Njeriu më i pafuqishëm konsiderohet  ai që është i paaftë t’i lutet Zotit të njerëzimit. Prandaj, kur vinte Ramazani, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u jepte shokëve të tij lajmin e gëzuar, përgëzimin  për ardhjen e tij. Nga Ebu Hurejre. Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, përgëzonte shokët e tij duke thënë: “ Ju ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar, në të cilin Zoti ua ka bërë obligim agjërimin. Në këtë muaj hapen portat e Xhenetit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe lidhen shejtanët  me zinxhirë. Në të është një natë që është më e mirë se një mijë muaj, kush privohet nga të mirat e saj, është vërtet i privuar.” Hadithin e ka transmetuar Imam Ahmedi.

LEXO  Mirësitë e qetësisë dhe sigurisë

O adhurues të Zotit! Pra, bëni vepra të mira,  sepse ditët janë faqet e jetës sonë, dhe fatlum është ai që i mbush ato me veprat më të mira. Përpiquni të bëni mirë, jini të matur dhe gëzohuni, dhe dijeni se veprat më të dashura për Zotin janë ato që janë më të qëndrueshme, edhe nëse janë të pakta.

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i malkuar: “ Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El-Bekare 185)

Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë dhe në sunet, e na bëftë dobi të gjithëve nga argumentat dhe urtësitë e tyre të qarta.  Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju nga çdo gjynah dhe gabim, tek Ai  kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i madh.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili u ka premtuar njerëzve të devotshëm sevape dhe shpërblim.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, ka shkruar falje për ata që agjërojnë dhe luten në Ramazan me besim dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari  ynë, Muhamedi është rob i  Zotit dhe i dërguari i Tij, Zoti i Plotfuqishëm e dërgoi atë dëshmitar, përgëzues, paralajmërues,  thirrës tek Allahu me lejen e Tij dhe pishtar ndriçues. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi atë, familjen e tij, shokët e tij, bashkëshortet e tij, tabi’inët dhe ata që i ndjekin në mirësi  deri në Ditën e Gjykimit, atyre ju dërgojm lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

O besimtarë!  Agjërimi është urdhëruar për të pastruar dhe edukuar shpirtin, për të arritur devotshmërinë dhe frytet e saj. Ai motivon njeriun për të fituar cilësi të lavdërueshme dhe për të shmangur veset e këqija. Agjërimi e parandalon plotësuesin e tij, agjëruesin, nga gjuha e turpshme dhe gjynahet. Tek dy Sahihet, Buhariu dhe Muslimi, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Agjërimi është mburojë, prandaj (agjëruesi) mos të flasë fjalë të ulëta, as mos të shfaqë shenja të selljeve të injorancës, e nëse dikush e ngacmon, ose e shan, le të thojë: Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm.”

Le ta ruajmë kokën dhe atë që përmban ajo, stomakun dhe atë që mban, në mënyrë që të arrihet qëllimi i agjërimit. Kush nuk heq dorë nga fjalët e rreme dhe nga veprimi sipas tyre, përfitimi i tij nga agjërimi i tij është uria dhe etja. Në Sahihun e Buhariut ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qftë mbi të, ka thënë: “Kush nuk heq dorë nga fjalët e rreme, praktikimin e tyre dhe të vepruarit me padije, Allahu nuk ka nevojë që ky njeri të heqë dorë nga ushqimi dhe pija.”

Vëllezër në besim! Muaji i agjërimit është muaji i çlirimit nga Zjarri i Xhehenemit. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar  ka njerëz që i çliron nga Zjarri i Xhehenemit çdo ditë dhe natë të Ramazanit. Le t’i tregojmë Bujarit mirësinë tonë duke iu afruar Atij me akte të ndryshme të adhurimeve, nga ato të obliguarat ashtu dhe vullnetaret, të pëlqyerat. I privuari është ai që është i privuar nga falja në Ramazan. Në Sunenin e Tirmidhiut ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “I rëntë hunda në tokë, i poshtëruar qoftë ai njeri, i cili e arrin Ramazanin e më pas ai përfundon para se atij t’i falen gjynahet.” Domethënë, hunda e tij e ngjitur në pluhur, tokë si metaforë për humbje dhe poshtërim. Zoti na ruajt nga kjo.

LEXO  Vetëm Zoti e di të fshehtën

Le ta mirëpresim muajin e agjërimit duke i pastruar shpirtrat tanë nga ligësia, urrejtja dhe pakënaqësia, sepse Ramazani është kohë faljeje dhe mirëkuptimi. Zoti ynë i Madhërishëm dhe i Lartësuar  është Falës dhe e do faljen, Ai i do ata që falin. Kush dëshiron që Zoti ta falë atë, le të falë dhe t’i falë robërit e Tij. Kush e trajton krijesën me lehtësi dhe tolerancë, Krijuesi do ta trajtojë atë me falje dhe mëshirë.

O besimtarë! Dijeni se Zoti ju ka urdhëruar në një çështje fisnike, të cilën e filloi me Veten e Tij dhe ka thënë:  “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab 56) 

O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e mëshirove familjen e Ibrahimit.

O Zot, bekoje Muhamedin,  bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.

O Zot,  të lutemi të jesh i kënaqur me  Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij dhe tabi’inët, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Kijametit,  dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, bëj këtë vend të begatë, të siguri, të qetë dhe të stabilizuar dhe të gjitha vendeve  muslimane.

O Zot, na jep siguri në vendit tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë,  kujdestarit të dy xhamive të shenjta, dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i musimanëve, dhe në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit, si dhe të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve.

O Zot, ruaj tek ne fenë tonë, udhëheqësit tanë dhe sigurinë tonë. O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që vigjilojnë në kufijtë tanë.

O Zot, jepu vëllezërve tanë në Palestinë siguri, mbrojtje, stabilitet dhe qetësi shpirtërore. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtje dhe ndihmues, mbështetës dhe përkrahës. O Zot, të lutemi të jesh kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, o i Fortë, o i Gjithëpushtetshëm, o më i Madhi dhe më Bujari. O Zot, mbro xhaminë Aksa dhe bëje atë krenare dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit, me Mëshirën dhe Mirësinë Tënde, me Bujarinë dhe Faljen Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, largo shqetësimet e muslimanëve të shqetësuar, lehtëso vuajtjet e të pikëlluarve, mundëso shlyerjen e borxheve atyre që kanë borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve. O Zot, na  përmirëso në  fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që  është vendqëndrimi i përkohshëm për ne,  dhe përmirëso  jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën  është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen lehtësim për ne nga çdo e keqe, na shpëto nga poshtërimi në këtë botë dhe nga dënimi në botën Tjetër, Ahiret.

O Zot, na mundëso të arrijmë Ramazanin. O Zot, na mundëso të arrijmë Ramazanin duke qenë  të sigurt, me besim, në qetësi dhe në paqe shpirtërore, na dhuro drejtësi dhe mirësi në të, o Bujar, o Mëshirues, o Zotërues i Madhështisë dhe  Nderit. O  Zot, na bëj nga robërit e Tu të drejtë që nuk kanë frikë dhe nuk pikëllohen.

O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.

O Allah, Ti je Zoti, nuk ka Zot tjetër përveç Teje, Ti je i Pasur, nuk ke nevojë për diçka, e ne jemi të varfër, që kemi nevojë për Ty, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve. O Zot, na furnizo me shi, me mëshirën, mirësinë, bujarinë, madhështinë dhe begatinë Tënd, o më i Madhi Mëshirues.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1483947983731877/1431312578389953

Post Author: endrit