Respektimi i prindërve… bekim në këtë jetë dhe në botën Tjetër

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    23-05-1447 H     14-11-2025 D

Shejh Jaser Ed-Dosari

Tema   Respektimi i prindërve… bekim në këtë jetë dhe në botën Tjetër

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, Zotëruesit të Madhërisë, Nderit, Mirësisë dhe Bekimeve, Ai u ka dhuruar robërve të Tij bekime të mëdha dhe dhurata të pafundme, i ka urdhëruar që të jenë të përkushtuar ndaj prindërve të tyre dhe të mbajnë lidhjet farefisnore, duke e bërë atë një mjet për faljen e gjynaheve dhe shkeljeve, gabimeve.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqedhënësi.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari mëshirë për mbarë njerëzimin. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira sa kohë të zëvendësohen netët dhe ditët.

Në vijim

O ju njerëz! Këshilloj ju dhe  veten time që të kemi frikë Zotin. Kush kërkon mirësi dhe besueshmëri, synon fitore dhe sukses,  dëshiron triumf dhe begatinë, le ta bëjë devotshmërinë furnizim të tij dhe mirësinë,  bamirësinë rrugën dhe metodën  e tij. “Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” (En-Nahl 128)

Adhurues të Zotit! Vërtetë nga virtytet e Islamit, nga meritat e tij më të mëdha dhe nga mënyrat më të mëdha për t’iu afruar Sunduesit të Gjithëdijshëm është duke treguar mirësi ndaj prindërve. Mirësia ndaj prindërve është nga format më të larta të adhurimit dhe nga aktet më sublime të bindjes. Ajo është nga karakteristikat e profetëve, tiparet e të zgjedhurve dhe cilësitë e të devotshmëve. Përmes saj arrihet mëshira dhe kënaqësia,  vjen bekimi dhe falja.

Zoti ka lartësuar statusin e prindit dhe ka ngritur pozitën dhe rëndësinë e tij. Zoti lidhi përmendjen e prindërve me përmendjen e Tij, të drejtat e tyre me të drejtat e Tij dhe mirënjohjen ndaj tyre me mirënjohje ndaj Tij. Nderim për ata të dy, vlerësim të statusit të tyre dhe për të inkurajuar mirësi ndaj tyre. I Gjithëdijshmi dhe më i Larti ka thënë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit.” (El-Isra’ 23) Sikurse ka thënë: “ Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit…” (En-Nisa’ 36)

Nga Abdullah Ibn Amr, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kënaqësia e Zotit qëndron në kënaqësinë e prindërve dhe zemërimi i Zotit qëndron në zemërimin e tyre.”  Hadithin e ka transmetuar Taberaniu.

O ju muslimanë! Nderimi, mirësia ndaj prindërve është urdhër hyjnor dhe udhëzim profetik. Për çdo muslimani racional, me mendje të shëndoshë  është e qartë se të drejtat e mirësisë janë të detyrueshme, dhe se nuk ka mirësi të detyrueshme, pas besimit në Zotit, sikur se mirësa ndaj prindërve. Ata janë njerëzit që meritojnë më shumë mirësi, besnikëri, bamirësi dhe bujari. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me vështirësi dhe me mundime e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj…” ( El-Ahkaf 15) Zoti ka dhënë urdhër që të jemi të sjellshëm me prindërit dhe këtë e ka bërë të përgjithshëm në ajet,  për të  përfshirë të gjithë drejtësinë dhe mirësinë, dhe për të përfshirë të gjithë mirënjohjen dhe vlerësimin, për t’u dhënë prindërve pjesën më të madhe dhe më të plotë të shoqërimit të mirë, trajtimit të mirë, respektit për të drejtat e tyre dhe shmangien e mosbindjes.  Kurani nuk e përshkruan të folurit si “Kerim”, respekt,  përveçse në fjalët e Zotit të Plotfuqishëm, kur thotë: “ …por drejtoju atyre me fjalë respekti.” (El-Isra’ 23)

LEXO  Shfrytëzo mundësitë - Meka 08.02.2019

Nga vlerat, mirësitë dhe përsosmëria e Islamit është se urdhëron mirësi ndaj prindërve  dhe trajtim të tyre me respekt dhe nëse ata janë jobesimtarë. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Nëse ata mundohen të të bëjnë që të më shoqërosh (në adhurim) diçka për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ta në këtë jetë…” (Lukman 15)

Në të vërtetë, një nga privimet më të mëdha dhe manifestimet më të rënda të tradhtisë është që një person të ulet me miqtë dhe të bisedojë me të dashurit e tij, duke zgjedhur për ta bisedën më të mirë dhe sjelljet më të larta, por jo të bëjë të njëjtën gjë me prindërit e tij. Kjo, për Zotin, është një nga tiparet më të shëmtuara dhe veprimet më të përçmuara.

Vëllezër në besim! Nderimi i prindërve është ndër aktet më të dashura të bindjes ndaj Allahut, Zotit të të gjitha krijesave. Abdullah Ibn Mes’udi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se e ka pyetur  të dërguarin e Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “ Cila vepër është më e dashur tek Zoti i Plotfuqishëm?”  Ai ka thënë: “Namazi në kohën e caktuar, kohën e vet.” Pastaj unë i kam thënë: “ Po pastaj çfarë?” Ai ka thënë: “ Nderimi i prindërve.” Muttefikun Alehji.

Prindërit janë më të merituarit për shoqërim të mirë. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se një burrë e pyetur  të dërguarin e Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Cili nga njerëzit është më i merituari për shoqërinë time të mirë?”  Ai është përgjigjur: “Nëna jote.” Burri e pyeti: “Po pastaj kush?” Ai është përgjigjur: “Pastaj nëna jote.” Burri e pyeti përsëri: “Po pastaj kush?” Ai është përgjigj: “Pastaj nëna jote.” Burri e pyeti, për herë të fundit: “Po pastaj kush?” Ai është përgjigjur: “Pastaj babai yt.” Hadithin e ka tranmsetuar Buhariu. Mirësia ndaj prindërve është gjithashtu shkak për zgjatjen e jetës në këtë botë, dhe shkak për shtimin e furnizimit dhe pasurisë. Nga Enes Ibn Malik, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush dëshiron që t’i zgjatet jeta dhe t’i shtohet furnizimi, le të jetë i mirë me prindërit e tij dhe të mbajë lidhjet farefisnore.”  Hadithin e ka transmetuar Ahmedi.

Mirësia ndaj prindërve është nga arsyet për pranimin e pendimit dhe për faljen e gjynaheve. Nga  Ibn Omerit, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se një burrë erdhi tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe tha: “O i dërguar i Zotit, kam bërë një gjynah të madh, a ka pendim për mua?” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i tha atij: “A i ke prindërit?” Ai tha: “Jo.” I dërguari e pyeti duke i thënë: “A ke teze?” Ai tha: “Po.” I dërguari i Allahut i tha: “Atëherë ji i mirë me të. “ Hadithi është transmetuar nga Ahmedi dhe Tirmidhiu.

Mirësia ndaj prindërve është nga arsyet për pranimin e lutjes. Nga Omer Ibn El Hatabit, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ai ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit  qoftë mbi të, duke thënë: “Uvejs Ibn Amir do të vijë tek ju me përforcime nga populli i Jemenit, nga Muradi e pastaj nga Karani. Ai kishte lebrozë, por u shërua prej saj, përveç një pjese sa madhësia e një dirhemi. Ai ka nënën ndaj së cilës është shumë i përkushtuar. Nëse betohet për diçka Allahu e pranon betimin e tij. Nëse mundesh kërkoji të lutet për falje për ty.” Andaj lutu për falje për mua, e ai u lut për faljen e tij.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

LEXO  Këshilla për qëndrueshmëri dhe urime për të liruarit

O ju njerëz! Vërtetë, nga gjërat që e ndihmon njeriun të jetë i përkushtuar ndaj prindërve të tij është të kujtojë veprat e tyre të mira, dhuratat e tyre të shumta, mirësinë e tyre të madhe, përpjekjet e tyre të sinqerta, durimin e tyre të madh në rritjen dhe kujdesin për të, të kujtojë se ai do të qëndron para Zotit dhe se do të merret në përgjegjësi për këtë të drejtë të madhe. Zoti i ka kombinuar, bashkuar këto dy çështje në thënien e Tij, Allahu i Lartësuar, kur thotë: “ Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbajtur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë.”(Lukman 14)

Zoti ju mëshiroftë! Dije se ka shumë mënyra për të qenë i sjellshëm me prindërit dhe se mënyrat për të qenë i mirë me ta janë të shumta. Pre tyre: T’i duash ata, t’i respektosh ata, të tregosh mëshirë ndaj tyre, të jesh i butë me ta, të jesh i sjellshëm me ta, të kërkosh falje dhe të lutesh për ta, të plotësosh nevojat e tyre, të shpenzosh për ta, t’i bësh të lumtur, t’u sjellësh gëzim dhe të shmangësh atë që i bezdisën ata të dy.

O ju besimtarë! Kjo e drejtë e madhe e prindërve theksohet më tej në pleqërinë e tyre, kur forca e tyre është e dobët dhe burimet e tyre janë të kufizuara. Atëherë detyrimi për t’i trajtuar me mirësi bëhet edhe më i madh dhe nevoja e tyre për mirësi është dhe më e madhe. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (El-Isra’ 23-24)

Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ I rëntë hunda në tokë, i poshtëruar qoftë, tre herë.” E kanë pyetur se kush o i dërguari i Allahut? Ai ka thënë: “ Kush i arrinë, i ka  prindërit e tij në pleqëri, njërin ose të dy, dhe nuk hyn në Xhenet.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

Zoti ju mëshiroftë!  Dije se nderimi i prindërve nuk mbaron me vdekjen e tyre ose të njërit prej tyre. Përkundrazi, porta e nderimit tyre mbetet e hapur dhe fusha e mirësisë ndaj tyre është e hapur. Kjo duke u lutur dhe duke kërkuar falje për ta, duke dhënë lëmoshë në emër të tyre, duke kryer emanetet e tyre, duke paguar borxhet e tyre, duke mbajtur lidhje me të afërmit e tyre dhe duke nderuar miqtë e tyre. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kur vdes një person, veprat e tij ndërpriten përveç tre gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dituria nga e cila përfitojnë njerëzit pas tij dhe një fëmijë i mirë që lutet për të.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

Adhurues të Zotit! Zoti na begatoftë me Kuranin dhe sunet,  na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë që ata përmbajnë.

Zotit  i kërkoj falje për vete dhe ju,  tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin. Lutjet dhe përshëndetjet për të dërguarin e Zotit, të dërguarin tonë, Muhamedin, për familjen e tij, shokët e tij dhe ata që e pasojnë atë.

LEXO  Urtësia në sprova dhe këshilla për durim dhe vendosmëri

Në vijim

O ju njerëz! Nga gjynahet më të mëdha dhe veset më të shëmtuara është mosbindja ndaj prindërve. Nga Ebu Bekrete, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ A dëshironi të ju tregoj për gjynahet më të mëdha?” Ne i thamë: “Po, o i dërguar i Zotit.” I dërguari tha: “Ti shoqërosh shok Zotit në adhurim dhe të mos i bindesh prindërve.” Muttefikun Alejhi.

Në të vërtetë, format e mosbindjes ndaj prindërve janë të shumta për t’u numëruar dhe llojet e saj janë shumë të gjera për t’u hetuar; Nga ngritja e zërit, qortimi, rrudhja e vetullave, psherëtima, mungesa e nderimit dhe respektit, të qenit i ashpër me ta në të folur, nënçmimi i lotëve të prindërve, njollosja e reputacionit të prindërve, provokimi i tyre duke kryer gjynahe, neglizhimi i detyrave, tallja me zakonet dhe traditat e tyre, deri te manifestime të tjera të mosmirënjohjes, mohimit, sjelljeve të këqija dhe mosbesimit.

Kush nuk u bindet prindërve të tij do të përfundojë vetëm se në humbje dhe fati i tij do të jetë vetëm privim. Njeriu siç trajton ashtu do të trajtohet. Kush i trajton mirë prindërit Zoti do ta trajtojë mirë dhe do të arrijë kënaqësinë e Tij. I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti ka thënë: “ A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç së mirës?!” (Er-Rahman 60)

Adhurues të Zotit! Lutuni dhe përshëndeteni më të mirin e të gjithë njerëzimit, zotërinë e të gjithë profetëve dhe të dërguarve, i Plotfuqishmi dhe  i Gjithëdijshmi ka thënë ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin Tënd të besuar, familjen e tij të mirë dhe të pastër, bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër kalifët e udhëzuar drejt, me të gjithë  shokët e profetit, me tabi’inët, me ata që i pasojnë në vepra të mira  deri në Ditën e Gjykimit, dhe me ne së bashku me ta me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë.

O Zot, bëje këtë vend të paqtë, të sigurt dhe të begatë, dhe të gjitha vendet e muslimanëve, o Zoti i botëve.

O Zot, të lutemi ti japësh sukses udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të xhamive të shenjta, dhe zëvendësit të fronit të tij në çdo gjë që Ti do dhe je i kënaqur. Jepu sukses atyre të dyve dhe mbështetësve të tyre në atë që është në përmirësim të vendit dhe popullit, lavdia dhe fuqizimi i Islamit dhe muslimanëve.

O Zot, jepu sukses të gjithë sundimtarëve të muslimanëve në çdo gjë që Ti do dhe je i kënaqur.

O Zot, ruaj dhe ndihmo njerëzit e sigurisë tonë dhe ushtarët tanë në kufijtë tanë, ji mbrojtje dhe ndihmë, mbikëqyrje dhe mbështetje për ata.

O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve  atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve. O Zot, mëshiro të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve, në veçanti prej tyre baballarët dhe nënat tona, mëshiroi ata ashtu siç na rritën kur ishim të vegjël.

O Zot, të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë, jepu atyre siguri, mbrojtje, paqe dhe qetësi. O Zot, mbroje xhaminë Aksa,  bëje atë të fortë dhe krenare deri në Ditën e Gjykimit, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Allah, Ti je Zoti, s’ka Zot tjetër përveç Teje, Ti je i pasur, nuk ke nevojë për diçka, ndërsa ne jemi të varfër, kemi nevojë për Ty, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj nga të dëshpëruarit.

O Zot, zbrit mbi ne shi, shi të këndshëm, të shëndetshëm, të bollshëm dhe të përhapur gjithandej,  të dobishëm dhe jo të dëmshëm, të menjëhershëm dhe jo të vonuar, me të cilin ringjall tokën dhe të freskosh robërit e Tu, dhe ta bësh atë argument për të tashmit dhe për të ardhmen.  O Zot, zbrit shi mëshire, jo shi të mundimshëm, fatkeqsije, shkatërrimi dhe as mbytjeje.

O Zot, tek Ti kërkojmë falje, me të vërtetë Ti je Falës i Madh, dërgo nga qielli shi të bollshëm mbi ne.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1408179247975418/25596095823327334

Post Author: endrit