Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 27- 05-1446 H 29-11-2024 D
Shejh Bander Ibn Abdul Aziz Balejla
Tema Shfrytëzimi i moshës
Lavdërimet janë për Allahun. Lavdërimet janë për Zotin që ka caktuar fatet dhe ka përcaktuar jetët, moshën e njeriut. Allahun e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj hapur, në publik dhe në fshehtësi, pendohem dhe kërkoj falje tek Ai në lindje dhe në perëndim të ditës.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, në daljen dhe largimin e yjeve, natën dhe ditën. Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dalluari dhe i përzgjedhuri nga Zoti. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij të pastër, për sa kohë të zëvendësohet nata me ditën.
Në vijim
O ju njerëz, porosis veten dhe ju që ti frikësohemi Allahut. Zoti ju mëshiroftë, frikësojuni Allahut, binduni Atij në mbrëmje dhe në mëngjes, dhe përgatituni për ditën e Gjykimit sepse ditët kalojë dhe mosha është në rënie, në përfundim.
Adhurues të Zotit! Dijeni se ju nga kjo botë do të largoheni, pallatet dhe shtëpitë e saj do ti braktisni, se për kënaqësitë dhe dëshirat e saj jeni përgjegjës dhe do të merreni në llogari, dhe se për çdo gjë të vogël dhe të madhe do të pyeteni. “ …dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (El-Kehf 49)
Urime për ata që i mbushin kohët e tyre me binde, adhurime dhe vepra të mira, dhe i kalojnë ditët e tyre me vepra që i afrojnë për tek Zoti, të cilat do të gjejnë më shumë dhe shpërblime madhështore tek Zoti i tokës dhe i qiejve.
Nga Ebi Bekrete, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se një burrë ka thënë: “ O i dërguari i Allahut, kush nga njerëzit është më i miri?” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Ai që jeton gjate dhe bën vepra të mira.” Burri ka thënë: “ Kush nga njerëzit është më i keqi?” I dërguari i është përgjigjur duke thënë: “ Ai që jeton gjatë dhe bën vepra të këqija.” Hadithin e ka transmetuar Imam Ahmedi në Musnedin e tij, Tirmidhiu në Xhamin e tij dhe e ka konsideruar hadith të saktë.
Njeriu, me çdo ditë që kalon i afrohet afatit tij të fundit në këtë botë dhe afrohet me botën e tij të Ahiretit, botën Tjetër. Nga Ebi Darfai, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ai ka thënë: “ O i biri i Ademit, njeri, vërtetë ti je vetëm ditë, sa herë që kalon një ditë një pjesë e jotja zhduket. O biri i Ademit, ti ke vazhduar të humbasësh nga jeta jote që nga dita që nga dita që të ka lindur nëna.” Hadithin e ka transmetuar Ibn Ebi Ed Dunija në librin e ‘Asketizmit’.
Adhurues të Zotit! I lumtur është ai që e monitoron veten e tij dhe e merr atë në kontroll, e detyroi veten që të shfrytëzojë kohën dhe shkurtësinë e saj. Nga Shedad Ibn Euvsi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ I mençur është ai që e kontrollon veten dhe punon për atë që vjen pas vdekjes. I pafuqishëm, dobët është ai që ndjek dëshirat e epshit të tij dhe shpreson tek Zoti më kot pa bërë asnjë gjë.” Hadithin e ka transmetuar Imam Ahmedi në Musnedin e tij, dhe Tirmidhiu në Xhami’in e tij dhe e ka konsideruar hadith të mirë.
Adhurues të Zotit! Jeta është një nga mirësitë dhe bekimet e mëdha të Zotit, vlerën e së cilës e dinë vetëm njerëzit e suksesshëm dhe të mirë, dhe e vlerësojnë atë vetëm se të frymëzuarit dhe të drejtët. Nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Me dy mirësi janë të humbur shumë nga njerëzit; me shëndetin dhe kohën e lirë (Duke mos i shfrytëzuar si duhet).” Hadithin e ka transmetuar Buhariu. Njerëzit në këtë botë janë dy kategori: Ajo kategori që e ka ditur të vërtetën e ekzistencës së tij në këtë jetë dhe qëllimin për të cilin ai është krijuar, për adhurimin e Zotit Një të Vetëm, pa i bërë shok në adhurim, përpiqet me veten e tij, përcakton qëllimin e tij, drejtohet për nga destinacioni i tij, i cili e shpie atë drejt kënaqësisë së Zotit. Ndërsa kategoria tjetër njeriu i mashtruar dhe i zhgënjyer, i privuar dhe i gënjyer, që vrapon pas dëshirave të tij dhe ndjek kënaqësitë e tij, e harroi Zotin kështu që Ai e bëri që të harrojë veten e tij. Nga Ebi Malik El Esh’arij, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Çdo njeri e fillon ditën e tij duke qenë tregtar i vetes së vet, mund ta çlirojë ose mund ta shkatërrojë atë.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Ajo është gjëja më e madhe për të cilën do të pyetet njeriu në Ditën e Gjykimit. Nga Ebi Berzete El Eslemi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Në ditën e Gjykimit nuk do të lëvizi këmbë njeriu pa u pyetur për jetën e tij se ku e ka kaluar, për diturin e tij se çfarë ka bërë me të, për pasurinë e tij nga e ka fituar dhe në çfarë e ka shpenzuar dhe për trupin e tij se në çfarë e ka përdorur.” Hadithin e ka transmetuar Darimiju në Musnedin e tij, dhe Tirmidhiu në Xhami’in e tij dhe e ka konsideruar hadith të saktë.
Adhurues të Zotit! Kush i ka arritur të dyzetë vitet Zoti i ka dhuruar mirësinë e arsyes, besimit, vetëdijes dhe ekuilibrit, ai ka marrë nga kjo botë një pjesë të bollshme, ndaj meriton të pendohet dhe të përkujtojë shumë. “…kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!” (El-Ahkaf 15) Allahu i Madhërishëm ka bërë thinjat, pleqërinë mesazh dhe paralajmërues të vdekjes, dhe ka thënë: “ (Atyre do t’u thuhet): “Vallë, a nuk jua zgjatëm jetën aq sa të mund të mendohej ai që donte të kujtonte (Allahun)?! Madje juve ju erdhi edhe paralajmëruesi?” (El-Fatir 37) Njerëzit e dijet në tefsirin e këtij ajeti kanë thënë; “ paralajmëruesi; flokët e thinjur, pleqëria.” Po si mund të jetë për ata që i kanë kaluar të dyzetat e viteve deri sa të arrijë të gjashtëdhjetat? Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zoti e ka zhveshur nga justifikimet atë njeri të cilit ja ka vonuar exhelin deri sa ka arritur të gjashtëdhjetat nga jeta.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu. E kuptimi i fjalës së tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, “ Zoti e ka zhveshur nga justifikimet atë njeri…” do të thotë, Zoti ja ka hequr këtij njeriu justifikimin dhe nuk ngelet më tek ai justifikim me të cilin të justifikohet nëse ai arrin të gjashtëdhjetat.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, i ka thënë një burri duke e këshilluar: “ Shfrytëzoi pesë gjëra para pesë të tjerave: Rininë tënde para se të arrijë pleqëria, shëndetin para se të arrijë sëmundja, pasurinë para se të vijë varfëria, kohën tënde të lirë para se të zihesh me punë dhe jetën tënde para se të vijë vdekja.” Hadithin e ka transmetuar Hakimi në ‘Mustedrek’.
Nga arsyet më të mëdha për humbjen e jetës për diçka tjetër përveç asaj që i sjell dobi robit në fenë dhe botën e tij është mosnjohja e vlerës së kohës, të shoqëruarit me të papunët, shpresat e mëdha pa punë, pakujdesia, të qenit i pavendosur, zvarritja dhe tërheqja nga rrjetet sociale pa shpresuar asnjë përfitim. E kur të vij exheli, momenti i ndarjes nga kjo botë, dhe arrin fundin, atëherë ai do ta njohë vlerën e jetës, sa ka humbur prej kohës së tij, do pendohet për atë që ka kaluar do të shpresonte kthimin por sa larg dhe sa larg është tashmë. “ Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen.” (El-Mu’minun 99-100)
Frikësojuni Allahut, o robër të Tij, në kompensimin e asaj që ju ka kaluar përmes pendesës dhe përkujtim, me keqardhje për atë që ka kaluar dhe me kërkim falje. Vërtetë Allahu i Madhërishëm u ka premtuar robërve të Tij besimtar, të penduar dhe të përulur me zëvendësimin e të këqijave të tyre me të mira dhe gabimet e tyre në adhurime, afrim tek Zoti, për ata që janë penduar dhe ndiejnë keqardhje, për të kaluarën e tyre, dhe e vërteton pendesën e tij me vepra të mira dhe ashtu vazhdon. “Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (El-Furkan 70)
Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gabim, Zotit kërkoni falje sepse me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, zotëruesi i Lavdisë dhe i Fuqisë, i Forcës dhe i Pushtetit. Allahun e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj, i Përjetshmi që nuk flenë kurrë, i Gjalli që nuk vdes kurrë.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja, mëshira dhe begatia e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, njerëzit e bindjes dhe nënshtrimit, mbi tabiinët dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën në të cilën nuk bën dobi keqardhja dhe as heshta, në ditën e Gjykimit.
Zoti na mëshiroftë të gjithëve! Dijeni se Allahu i Madhërishëm për shkak të njohurive të Tij për natyrën e robërve të Tij dhe dëshirës së tyre për jetën, u ka dhënë atyre arsye, shkaqe për zgjatjen e jetëve dhe shtyrjen e afateve, exhelit. Prej tyre janë: Lutja, veprat e mira, bamirësia, dhe mbajtej e lidhjeve farefisnore. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Caktimin nuk e ndryshon gjë përveç lutjes, dhe se jeta nuk shtohet vetëm se përmes bamirësisë.” Hadithin e ka transmetuar Imam Ahmedi.
Nga Enes Ibn Malik, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “ Kush kërkon që ti shtohet rrisku, furnizimi i tij, ose t’i zgjatet jeta, le të mbajë lidhjet farefisnore.” Muttefikun Alejhi.
O adhurues të Zotit! E kjo nuk bie ndesh, në kundërshtim me fjalën e Zotit të Madhëruar: “ Kur t’i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” (El-A’raf 34), dhe as me fjalën e tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në hadithin rreth shtatzënisë në barkun e nënës së tij, Muttefik Alehji, kur thotë: “ Pastaj dërgohet tek ai një Melek që fryn (në fetus) shpirtin dhe urdhërohet me katër gjëra: me shkrimin e riskut (furnizimit) të tij, kohëzgjatjen e jetës së tij, veprat e tij dhe a do të jetë i lumtur apo i dëshpëruar.” Kjo sepse Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka shkruar caktimin e krijesave pesëdhjetë mijë vjet para se të krijonte qiejt dhe tokën. Hadithin e ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij.
Ajo çfarë Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar e ka shkruar tek Vetja e Tij, është vetëm në përputhje me atë që Ai ka ditur më parë, në lidhje me lutjet dhe veprat e mira, bamirësitë, dhe lidhjet farefisnore të kryera nga robërit e Tij, të cilat Zoti i bëri në përjetësi, në Tabelën e ruajtur, Leuhil Mahfudh, tek Ai, arsye për zgjatjen e jetës së tyre dhe shtyrje të exheleve, afateve të tyre. Çdo gjë lehtësim për atë që ai është krijuar. Nga Imran Ibn Husejni, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ I kanë thënë: O i dërguar i Allahut, a janë njohur, dalluar njerëzit e Xhenetit me njerëzit e Xhehenemit?” Ai ka thënë: “Po.” Kanë thënë: “ Për çfarë punojnë punë mirët?” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Çdo njëri punon dhe i lehtësohet për atë që është krijuar.” Muttefikun Alejhi.
Adhurues të Zotit! Nga veprat më të mëdha të bamirësisë është që njeri të tarashëgojë, të lërë pas trashëgimtarë të mirë dhe të bekuar, që është sikur të ketë një jetë të dytë për të, pasi që ai të ndahet nga kjo botë. Kjo është nga thelbi i punës së tij, që lutet për të pasi që ai të vdesë, dhe shpërblimi regjistrohet për të në peshoren e veprave të tij të mira, pa asnjë zbritje nga shpërblimet e tyre, trashëgimtarëve. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kur vdes njeriu, ndërpriten veprat e tij, përveç në tre raste: Sadaka e vazhdueshme, dituria të cilën e lë pas, që të tjerët të përfitojnë prej saj, dhe fëmija i edukuar mirë, i cili do të lutet për të.” Hadithin e ka transmetuar Imam Ahmedi në Musnedin e tij dhe Buhariu tek ‘Edebul Mufred’.
Adhurues të Zotit! Bëni kujdes në edukatën dhe rritjen e mirë të djemve dhe vajzave, me të cilët kënaqet syrin gjatë jetës dhe e gëzohet shpirtin pas vdekjes.
Pastaj lutuni dhe përshëndeteni më të mirin e krijesave të Zotit, Muhamedin të birin e Abdullahut, Zoti juaj ju ka urdhëruar për këtë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë, Muhamedin.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet, udhëheqësit e drejtë, Ebu Bekrin, Othmanin dhe Aliun, me pjesën tjetër të dhjetë të përgëzuarve me Xhenet dhe pjesëmarrësin në takimin poshtë pemës, në Hudejbije, me të gjithë shokët e tij, me tabiinët dhe pasuesit e tyre në vepra të mira deri në ditën e Kijametit.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë dhe ndihmo robërit e Tu besimtarë, o i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.
O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar nga muslimanët, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe vendosmëri udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, zgjat jetën e tij me shëndet të mirë, në mirësi dhe begati të shtuar.
O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij, në atë që është përmirësimi, e mira dhe dobia e vendit dhe popullit, dhe në lavdinë e në lartësimin e Islamit dhe muslimanëve, o Zoti i Botëve.
O Zot, të lutemi të jesh për vëllezërit tanë të dobët në mbështetje dhe në ndihmë të tyre, në përkrahje dhe mbrojtje të tyre. O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë dhe në çdo vend, o Zoti i botëve. O Zot, ruaj ushtarët tanë që vigjilojnë në kufi. O Zot, ruaj ata me syrin Tënd që nuk fle dhe mbroji ata me forcën Tënde që nuk dëmtohet, o Zot i botëve.
O Zot, na bëj ne nga ata që e kanë jetën e gjatë dhe bëjnë vepra të mira, me shëndet dhe me besim, në të mira dhe bamirësi.
O Zot, bëj veprat tona më të mira përfundimin e tyre, jetën më të mirë tonën përmbylljen e saj, dhe bëj ditën tonë më të mirë ditën kur të takojmë Ty, na ndaj nga kjo botë duke qenë i kënaqur me ne dhe jo i zemëruar me ne, o Zoti i botëve.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj