Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 25-01-1448 H 10-07-2026 D
Shejh Usame Khajat
Tema Shoqëria e Zotit furnizimi i besimtarëve
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka mbuluar robërit e Tij me shoqërinë e Tij. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj, mirësitë e Tij nuk mund t’i numëroj dot.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, askush nuk mund t’i shlyejë mirësitë dhe bekimet e Tij.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, përcolli mesazhin, përmbushi emanetin, detyrën e tij dhe bëri më të mirën në rrugë të Zotit. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, ata që ngritën lart flamurin e fesë, dhe ata që pasojnë në mirësi, sa kohë që drita e së vërtetës shkëlqen dhe errësira e gënjeshtrës shpërndahet, humbet.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit dhe ndiqni rrugën e çdo personi të mirë dhe të devotshëm, i cili merr nga jeta e tij e kësaj bote për jetën e përtejme, Ahireti, duke kërkuar kënaqësinë e Zotit dhe Sunduesit të tij dhe duke e preferuar atë, Ahiretin, mbi dëshirat dhe tekat e veta.
O ju muslimanë! Në shtigjet e jetës, mes zhurmës, argëtimit dhe fjalëve të kota, dhe përballë sprovave, fatkeqësive dhe vështirësive të saj, njeriu ndien se ka nevojë për dikë që e mbështetën, përkrahën qëndrueshmërinë e tij, e forcon në vendosmërinë e tij, ku ai të mbështetet në ndihmën e tij dhe të ndihet i sigurt nën kujdesin e tij.
Sa herë që ngrihet grada e ndihmësit dhe mbështetësit, ngrihet statusi i tij dhe bëhet e qartë forca dhe besueshmëria e tij, kjo është më efektive në zbritjen e qetësisë, në sjelljen e paqes dhe në arritjen e sigurisë. Prandaj, shoqëria e Zotit për besimtarët është furnizimi më i mirë dhe përgatitja më e mirë që i shoqëron ata në udhëtimin e jetës dhe i ngushëllon në udhëtimin e tyre drejt Zotit dhe Jetës së Përtejme, Ahiretit.
Mirësia e Zotit të Plotfuqishëm mbi robërit e Tij me këtë shoqëri të veçantë shprehet në fjalët e Allahut të Lartësuar kur thotë: “Nëse ju (jobesimtarë mekas) kërkuat fitore dhe gjykim (prej Allahut), ja tek erdhi fitorja (kundër jush). Por, nëse tërhiqeni (nga mohimi dhe lufta kundër të Dërguarit), kjo do të jetë për ju shumë më e dobishme. Nëse ktheheni (në luftë), edhe Ne do të kthehemi (në ndihmë të besimtarëve). Forcat tuaja nuk do t’ju bëjnë asnjë dobi, sado të jenë të shumta në numër, sepse Allahu është me besimtarët.” (El-En’fal 19)
Në këtë kuptim, Kurani Famëlartë, tregon historinë e të zgjedhurit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, me popullin e tij në ngjarjen e emigrimit fisnik, ku në të është një shpjegim i efekteve të shoqërimit të Zotit me dashurit e Tij, në të cilin nuk ka fund dhe nuk ka kufi që mund të vendoset. Më i miri i njerëzimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, doli për të emigruar tek Zoti i tij, i Madhërishëm dhe i Lartësuar është Ai, dhe me të ishte shoku i tij, i sinqerti, Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ndërsa njerëzit po ndiqnin gjurmët e tyre derisa u strehuan në shpellë. I sinqerti, Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të, duke pasur frikë se kjo thirrje do të varrosej e gjallë dhe se kjo dritë do të shuhej, tha: “ Nëse njëri prej tyre do të kishte shikuar poshtë në këmbët e tij, do të na kishte parë.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, deklaratën e tij të madhe, të cilën bota e dëgjoi dhe zemrat e tyre u drodhën: “O Ebu Bekër, çfarë mendon për dy veta kur Zoti është i treti i tyre?” Hadithin e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi në Sahihët e tyre.
Kjo deklaratë profetike ishte provë e shkëlqyer, shenjë e qartë dhe argument i fortë se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kishte arritur qetësinë përfundimtare me shoqërinë e Zotit, mbështetjen e plotë tek Ai, sigurinë, bindjen e përsosur në vazhdimësinë e mbështetjes së Tij, vazhdimësinë e përkrahjes së Tij dhe vazhdimësinë e ndihmës së Tij. Derisa Zoti i Lartësuar i shpalli ajet Kuranor për këtë për t’u lexuar, për të qenë mësim për të gjitha kohërat dhe epokat. Allahu i Lartësuar, duke e përshkruar këtë situatë të përjetshme në kontekstin e mirënjohjes ndaj umetit, ka thënë: “Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!”(Et-Teube 40) Efektet e kësaj shoqërie u bënë të dukshme dhe ky ishte rezultati. “Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh) dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”(Et-Teube 40)
O adhurues të Zotit! Ky është mësim dhe përkujtim për ata që kuptojnë, të cilëve u është dhënë pjesë e mprehtësisë së të medituarit dhe e të kuptuarit të thellë, gjë që i çon ata drejt pasimit të përsosur, shembullit të plotë dhe ndjekjes së mirë. Sepse është vendosur në zemrat dhe vendosur në shpirtrat e tyre se Zoti i Plotfuqishëm nuk i braktis besimtarët e sinqertë dhe të përulur, as nuk ua mohon fitoren e Tij, as nuk ua mohon mirësinë e Tij, pavarësisht njëpasnjëshmërisë së sprovave, vështirësive dhe fatkeqësive të shumëfishta. Nga se shoqëria e Zotit me njerëzit e besimit dhe pasuesit e Tij është shoqëri e përhershme që nuk ndërpritet në çdo kohë dhe vend. Pjesa e tyre e shoqërisë së të Gjithëmëshirshmit është në varësi të pjesës së tyre të besimit. Sa herë që shtohet besimi i robit shtohet dhe shoqëria e Zotit.
Ndërsa Zoti i Plotëfuqishëm në fjalën për të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë: “… e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit…”(Et-Teube 40) Sikurse ka thënë Imam Ibn El Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, është tregues nga treguesit më të saktë se kushdo që e shoqëron të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe atë që ai solli me vete, Kuranin, me zemër dhe veprat e tij, edhe nëse nuk e shoqëron atë me trupin e tij, Zoti është me të.
Kur Zoti është me
robin, vështirësitë bëhen të lehta për të dhe frika shndërrohet në siguri për
të. Me Zotin, çdo vështirësi bëhet e lehtë, çdo vështirësi bëhet e thjeshtë dhe
çdo gjë e largët bëhet e afërt. Me Zotin zhduken shqetësimet, hidhërimet dhe
pikëllimi. Nuk ka shqetësim, as pikëllim dhe as hidhërim me Zotin.
O adhurues të Zotit! Besoni në shoqërinë e Zotit që Ai ua ka dhënë atyre që i
frikësohen Atij, që ndjekin rrugën e Tij dhe që preferojnë kënaqësinë e Tij, kështu
që ai ia kushtoi fenë e tij Atij dhe bëri vepra të mira. Zoti i Plotëfuqishëm
thotë të vërtetën kur ka thënë: “Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë
dhe që janë punëmirë.”(En-Nahl 128)
Zoti na bëftë dobi me udhëzimin e librit të Tij, Kuranit, dhe me sunetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.
Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, Ndihmësin e besimtarëve. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai që i mbështet robërit e Tij që punojnë.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, udhëheqësi i të devotshmëve dhe udhëzuesi i atyre që shkëlqejnë. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Disa dijetarë kanë komentuar fjalët e Zotit të Lartësuar, që thotë: “…sepse Allahu është me besimtarët.” (El-En’fal 19) Vërtetë, shoqëria e Zotit me robërit e Tij nuk është thjesht një shoqëri njohurie dhe vetëdije për veprimet dhe qëllimet e tyre, por ajo është gjithashtu shoqëri ndihme, mbrojtjeje dhe mbështetjeje. Kur besimtari ndjen se Zoti është me të, ai beson se është i lidhur me fuqinë e pamposhtur të Zotit dhe i ndihmuar nga mbështetja e pashtershme e Zotit. Kështu, ai bëhet i fortë mbi veten dhe i fortë mbi problemet e tij, ai është i fortë kundër dëshirave dhe armiqve të tij.” Këtu është fundi i citimit.
O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin dhe bëni kujdes që të jeni të vetëdijshëm për këtë shoqëri hyjnore, pa të cilën nuk mund të bëni dhe pa të cilën jeta juaj nuk mund të ekzistojë. Veproni në përputhje me kërkesat e saj, merrni në konsideratë mjetet që të rregullohen, përmirësohen kushtet tuaja, jetët tuaja të jenë më të mira dhe të jeni nga të suksesshmit dhe fitimtarët.
Lutuni dhe dërgoni përshëndetje të dashurit, të dërguarit të Zotit, sepse ju është urdhëruar ta bëni këtë në Librin e Zotit, ku Allahu i Lartësuar në deklaratë fisnike ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e tij, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë antarët e familjes së tij, me shokët e tij, me tabi’inë, me ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit, dhe me ne së bashku me ata me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, ndihmo robërit e Tu që të Njësojnë Vetëm Ty, bashko zemrat e muslimanëve, njëso rrallët e tyre, përmirëso udhëheqësit e tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zoti i Botëve.
O Zot, bëje këtë vend të sigurt dhe të qetë dhe të gjitha vendet muslimane.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso drejtuesit dhe kujdestarët e çështjeve tona. Mbështet në të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi atij këshilltarë të mirë dhe udhëzoje drejt asaj që Ti do dhe je kënaqur, o Ti që i dëgjon lutjet. O Zot, jepu sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që është e mira për Islamin dhe muslimanët, dhe në atë që është e mirë për në të tashmen dhe të ardhmen e afërt për vendin dhe njerëzit, o Ti tek i Cili është kthimi dhe takimi ynë.
O Zot, ruaj këtë vend, duke i dhënë të gjitha të mirat dhe duke e mbrojtur nga çdo e keqe dhe të gjitha vendet muslimane, o Zoti i botëve.
O Zot, çliro xhaminë e Aksasë! O Zot, ruaj muslimanët në Palestinë. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtës dhe mbështetës, përkrahës dhe ndihmues, o më i Madhi dhe më Bujari.
O Zot, na përmirëso në fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që është vendqëndrimi i përkohshëm për ne, dhe përmirëso jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje.
O Zot, të lutemi na mundëso të bëjmë punë të mira, të heqim dorë nga veprat e shëmtuara, ti duam të varfrit, të na falësh dhe të na mëshirosh. Nëse do të sprovosh robërit e Tu, na merr jetën para se të përballemi me sprovën.
O Zot, jepu shpirtrave tanë devotshmëri, pastroi ata sepse Ti je më i miri që i pastron ata, Ti je Mbrojtësi dhe Kujdestari i tyre.
O Zot, na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën, na mbro nga poshtërimi në këtë botë dhe ndëshkimi në botën Tjetër.
O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga humbja e Mirësive Tua, nga përkeqësimi i shëndetit që na ke dhënë, nga ndëshkimi Yt i papritur dhe nga i gjithë zemërimi Yt.
O Zot, na mbro prej armiqve Tu dhe armiqve tanë me çfarë të dëshirosh, o Zot i botëve! O Zot, ti lëmë Ty të merresh me armiqtë Tu dhe armiqtë tanë, dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga të këqijat e tyre!
O Zot, na shto të mirat dhe mos na i pakëso ato, na ndero e mos na poshtëro, na jep e mos na privo, na favorizo e mos favorizo të tjerët mbi ne.
O Zot, shëro të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë, na plotëso nga ato që Ti je i kënaqur dëshirat tona dhe na mundëso në mbyllje kryerjen e veprave të mira.
“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf 23)
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin tonë, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Afrim Smakaj