Shpëtim nga sprovat duke qëndruar me të vërtetën dhe ruajtur unitetin

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     17-02-1448 H    31-07-2026 D

Shejh Muhamed Sarandah

Tema   Shpëtim nga sprovat duke qëndruar me të vërtetën dhe ruajtur unitetin

Lavdërimet janë për Zotin. “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë! Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk godasin vetëm ata që bëjnë keq; dhe ta dini se Allahu dënon ashpër!”(El-Enfal 24-25)

Lavdërimet janë për Zotin. “O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije. Ta dini se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë dhe se vetëm tek Allahu është shpërblimi i madh.” (El-Enfal 27-28)

Lavdërimet janë për Zotin. “E sikur të vepronin ata siç këshilloheshin, kjo për ata do të ishte më mirë dhe do të ishin më të fortë në besim.”(En-Nisa’ 66)

Nëse umeti Islam do bëjë atë që është këshilluar të bëjë në lidhje me unitetin dhe kohezionin, do kishte qenë më mirë për pozicionin e tij dhe do të ishte shumë më i qëndrueshëm. “Atëherë, Ne, pa dyshim, do t’u jepnim shpërblim të madh nga ana Jonë dhe me siguri do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë.” (En-Nisa’ 67-68)

Lavdërimet janë për Zotin. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Me të vërtetë me fat është ai që shmanget nga sprovat dhe fatkeqësitë, dhe ai që kur sprovohet është i duruar.”

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Gjykatësi i Drejtë, Madhështia e të Cilit është sublime dhe Mëshira e të Cilit është e gjerë. Ai mbron ata që i frikësohen Atij nga gabimi, shpëton ata që i frikësohen Atij nga tundimi, i siguron të devotshmit nga frika dhe i shpëton ata nga shkatërrimi dhe devijimi. “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.”(El-Enfal 29)

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  ilaçi i zemrave dhe shërimi i tyre, shëndeti i trupave tanë dhe qetësia e tyre, drita e syve dhe ndriçimi i tyre, udhëheqja e shpirtrave tanë dhe ushqimi i tyre,  ai i cili ka thënë: “ Koha do të kalojë shpejt, dituria do të hiqet, koprracia do të mbizotërojë, do të shfaqen vështirësi dhe kaosi do të shtohet.”

Kërkoni mbrojtje tek Zoti nga sprovat, si ato që janë shfaqur dhe ato të fshehtat.

O Zot, kërkojmë mbrojtje tek Ti nga sprova e varrit dhe mundimi i Xhehenemit, kërkojmë mbrojtje tek Ti nga sprova e dexhalit gënjeshtarë. O Zot, kërkojmë mbrojtje tek Ti nga sprovat e pushtetit dhe pasurisë, kërkojmë mbrojtje tek Ti nga sprovat mashtruese, nga ato që janë shfaqur dhe të fshehurat, për aq kohë sa Ti na jep jetë, o Zot i Botëve.

“Zoti shkruan për ty të mirë që ti nuk e di, dhe nëse në pamje të parë duket si privim nga begatitë.

Sikur ta dije urtësinë e Zotit në atë që Ai ta zëvendëson, do të thoshe: Falënderimi i takon Zotit tim, Bujar i pakufishëm.

Prandaj dorëzoja çështjen tënde Mëshiruesit dhe ji i kënaqur me caktimin e Tij, Ai e di më së miri gjendjen e robit dhe dhimbjen e tij.”

LEXO  Besimi në vendimin dhe kaderin, caktimin e Zotit

Po, koha po afrohet shumë dhe janë shfaqur sprovat dhe trazirat e shtuara. Çfarë duhet të bëjmë, o i dërguari i Allahut, kur të shfaqen sprovat? I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka pasur asnjë profet para meje, përveçse e kishte detyrë t’ia tregonte umetit të tij atë që dinte se ishte e mirë për ta dhe t’i paralajmëronte për atë që dinte se ishte e keqe për ta. Umeti juaj e pati mirëqenien në fillimin e tij, ndërsa fundi i tij do të goditet nga fatkeqësi dhe gjëra që do t’i konsideroni të papranueshme. Pastaj do të vijnë sprova, ku njëra do ta bëjë tjetrën të duket më e lehtë. Besimtari do të thotë: ‘Kjo është shkatërrimi im!’, pastaj ajo do të largohet. Më pas do të vijë një tjetër dhe besimtari do të thotë: ‘Kjo është shkatërrimi im!’, pastaj edhe ajo do të largohet. Prandaj, kush dëshiron të largohet nga Zjarri dhe të hyjë në Xhenet, le ta gjejë vdekja duke besuar në Allahun dhe Ditën e Fundit dhe le të sillet me njerëzit ashtu si dëshiron që ata të sillen ndaj tij.”

Po, ke thënë të vërtetën zotëria ynë, o i dërguari i Allahut. Kur sprovat shtohen, ato pasojnë njëra-tjetrën dhe bëhen të mbushura me mashtrim e zbukurim të së pavërtetës, atëherë, o rob i Allahut, kapu fort pas litarit të Zotit. O ti i lidhur dhe i vendosur, sillu me njerëzit ashtu si dëshiron që ata të sillen me ty, e  me lejen e Zotit, do të shpëtosh.

O umeti prej më shumë se dy miliard muslimanësh! Shpëtimi nga sprovat është t’i trajtosh njerëzit ashtu siç dëshiron të të trajtojnë ty. Gjaku, pasuria dhe nderi i muslimanëve janë të shenjtë. Kur sprovat përhapen dhe mbështetësit e tyre shtohen, e bëjnë njeriun të zgjohet besimtar dhe të ngryset mohues.

Kur sprovat dhe pasuesit e tyre shtohen, ji i bindur se asgjë në këtë univers nuk ndodh pa caktimin e Allahut. Sprovat janë fushata, korrja e hipokritëve dhe zbulimi i njerëzve  me dy fytyra. Abdullah Ibn Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Kini frikë Allahun dhe bëni durim derisa i miri të gjejë prehje, ose njerëzit të çlirohen nga i ligu.”

Besimtarët e sinqertë ia kanë dorëzuar çështjet e tyre Allahut, ndërsa shfaqen para tyre njerëzit e fesë së rreme. “Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë.” (Et-Tegabun 11)

Shpejtoni në kryerjen e veprave të mira, drejtojuni Allahut në orët e fundit të natës dhe përkushtojuni Atij që  Ai të ju shpëtojë nga fatkeqësitë dhe sprovat. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Adhurimi në kohën e trazirave është si emigrimi (hixhreti) tek unë.”

Lidhja e fortë me Allahun në kohë sprovash dhe vështirësish është rruga drejt lumturisë dhe shpëtimit.

Dijeni se ai që mendon për pasojat e veprimeve të tij është më i sigurt nga sprovat. Jo çdo fjalë duhet thënë. Heshtja në kohë sprovash është shpëtim. Ruaje gjuhën tënde, sepse jo çdo lajm është i vërtetë. Ka njerëz që mbjellin përçarje dhe manipulojnë të vërtetën si dexhali.

Butësia, maturia dhe durimi janë mjeti i shpëtimit nga sprovat. Kush shoqërohet me njerëzit e udhëzimit, shpëton prej sprovave.

Mes njerëzve ka të tillë që janë çelësa të së mirës dhe mbyllës të së keqes. Po ashtu ka të tjerë që janë çelësa të së keqes dhe mbyllës të së mirës. I fituar është ai që Allahu bën çelësat e të mirës në duart e tij, i mjerë dhe i humbur është ai që Allahu bën çelësat e të keqes në duart e tij.

LEXO  Ruajtja e Zotit rruga drejt shpëtimit

Dijetarët e devotshëm, njerëzit e përkushtuar ndaj Allahut janë shembulli dhe udhërrëfyesit. Ata e ndihmojnë besimtarin të mos bjerë në humbje, sepse ujku ha vetëm delen që është shkëputur nga kopeja.

Adhurues të Zotit! Bëni durim, sepse i dërguari i madh i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtetë pas jush do të vijnë ditë durimi. Në ato ditë, të bësh durim do të jetë si të mbash një gacë të ndezur në dorë.  Ai që vepron në ato ditë do të ketë shpërblimin e pesëdhjetë vetëve.” Ata thanë: “O i dërguari i Allahut, shpërblimin e pesëdhjetë prej tyre apo të pesëdhjetë prej nesh?” Ai tha: “Të pesëdhjetë prej jush.”

Besimtari i mençur, kur i jepet një mirësi si një post, pozitë ose status në këtë botë, duhet të ruhet nga sprova e pushtetit dhe e prestigjit. Sa e sa njerëz të begatuar janë duke u tërhequr gradualisht drejt humbjes pa e kuptuar, të mashtruar nga lavdërimet e njerëzve, të mburrur se nevojat e tyre plotësohen përmes favorizimeve dhe ndërmjetësimeve, ndërsa mbulimi që Allahu ua bën gabimeve të tyre është vetëm një sprovë për ta. Të dyshosh tek vetja është dritë dhe dobi fetare për njeriun, që të dallojë në mes mirësisë dhe sprovës. Mos e shit fenë tënde për një përfitim të përkohshëm material, sepse dënimi do të të arrijë, pasuria do të zhduket, trashëgimia do të përfundojë, ndërsa e drejta e femrës në trashëgimi mbetet e varur para Arshit të Allahut derisa të jepet.

Dijeni se sprova e pasurisë nuk kufizohet vetëm tek vjedhja apo grabitja. Dashuria e tepruar për pasurinë mund ta shtyjë shoqërinë drejt zakoneve dhe traditave të lidhura me epshin dhe dëshirën për famë, të cilat kanë rënduar mbi të rinjtë që duan të martohen dhe mbi shumë familje. Shpenzimet financiare në raste festash dhe ceremonish kanë kaluar çdo kufi. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo umet ka sprovën e vet, ndërsa sprova e umetit tim është pasuria.”

Një prej mënyrave për t’u mbrojtur nga sprovat është shmangia e grindjeve dhe përçarjeve. Nuk ka lavdi dhe triumf për këtë fe vetëm se me  unitet. “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja…” (Al ‘Imran 103)

Dora e Allahut është me xhematin, bashkësinë. Adhurues të Zotit! Dijeni se rruga e Allahut dhe e të dërguarit të Tij është udhëzimi i drejtë për jetën.

Sa i përket gjendjes së umetit sot, në të shihen shenja të injorancës, xhahilijetit: vrasje, grabitje dhe plaçkitje, përveç përçarjeve, konflikteve dhe mosmarrëveshjeve mes muslimanëve. Ata nuk vuajnë nga mungesa e numrit, por nga dobësia shpirtërore. Islami thërret për bashkim, solidaritet dhe ndihmë të ndërsjellë. Kush ndahet nga bashkësia dhe largohet prej saj, devijon,  ka devijuar për në zjarr. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke përshkruar disa hipokritë, ka thënë: “Ata janë thirrës në dyert e Xhehenemit. Kush u përgjigjet atyre, ata do ta hedhin në të.” I kam thënë: “O i dërguari i Allahut, na i përshkruaj ata.” Ai ka thënë: “Janë njerëz nga mesi ynë, që flasin me gjuhën tonë.”

LEXO  Shpresë dhe optimizëm pavarësisht fatkeqësive dhe vështirësive

Prandaj, kërkoni mbrojtje tek Allahu nga të gjitha sprovat, ato që janë shfaqur dhe ato që janë të fshehta.

O Zot, na fal, na mëshiro, prano pendimin tonë dhe na ruaj nga sprovat, ato që janë shfaqur dhe ato që janë të fshehta.

Luteni Allahut duke qenë të bindur se Ai do t’ju përgjigjet.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e Vetëm, Ngadhënjimtarit, Ai i Cili mbulon natën mbi ditën, krijon çfarë do dhe zgjedh kë do. Ai ka bërë që disa prej krijesave të jenë sprovë për të tjerët, dhe në çdo caktim të Tij ka urtësi dhe qëllim.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai që është Fitimtar dhe i Fuqishëm. Dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për atë dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta. Ai është udhëzuesi që shpëton nga humbja dhe devijimi.

Qëndrueshmëria në të vërtetën është rruga drejt sigurisë nga sprovat. Vërtet, për Zotin që ka njerëz të cilëve nuk u bën dëm as ai që i kundërshton e as ai që i braktis. Ata janë  të palëkundur: “Dhe sikur mos të  kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata.” (El-Isra’ 74)

Ai që i përket Islamit vetëm në pamje të jashtme, dhe nuk furnizohen me mëshirë dhe butësi ndaj robërve të Allahut,  zemrat e tyre janë të ashpra. Të tillët e kanë rënduar umetin dhe besimtarët. Prandaj i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është lutur duke thënë: “O Zot! Kush merr përsipër ndonjë punë të umetit tim dhe ua vështirëson atyre, vështirësoja edhe Ti atij. Kush merr përsipër ndonjë punë të umetit tim dhe sillet me butësi ndaj tyre, sillu me butësi ndaj tij.”

Fitnet nuk i përhap askush tjetër veç atyre që e shtrembërojnë fenë e tyre dhe e kanë bërë paditurinë shoqëruese të përhershme. Ata ua vështirësojnë jetën vëllezërve të tyre besimtarë. Allahu është Gjykatësi i tyre.

Kini parasysh se ndjekja e gabimeve të të tjerëve dhe përhapja e tyre është ndër fitnet më të shëmtuara. “Çdo musliman e ka të ndaluar gjakut, pasurin dhe nderin e muslimanit tjetër.”

Islami ka paralajmëruar nga sprovat, fitnet, e femrave, ndërsa nxitësit e fitneve e kanë përdorur atë si mjet joshjeje. Megjithëse femra në Islam është e nderuar dhe e respektuar. Për këtë arsye, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka paralajmëruar nga kjo fitne, sprovë, dhe ka thënë:  “Pas meje nuk kam lënë ndonjë sprovë më të dëmshme për burrat sesa femrat.” Prandaj, frikësojuni Allahut dhe ruajeni nderin tuaj.

O Zot, Ti që je Bujar, dëgjon, jep dhe ndalon, fal dhe fshinë gabimet, të lutemi në Madhështinë dhe Fuqinë Tënde, mos na e vështirëso asnjë nevojë, mos na e bëj të rëndë asnjë çështje, mos na përul, mos na e zbulo atë që ke mbuluar dhe mos na e thyej shpinën.

O Zot, kush është i sëmurë, shëroje, kush është i brengosur, largoja brengën dhe kush është i pikëlluar, gëzoje dhe lumturoje.

O Zot, përmirëso marrëdhëniet mes nesh, bashko zemrat tona, na udhëzo në rrugët e paqes dhe na ruaj nga sprovat, nga ato që janë shfaqur prej tyre dhe ato të fshehtat.

Jemi të kënaqur me Allahun, Zotin tonë, me Islamin fenë tonë dhe me zotërinë tonë Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  profetin dhe të dërguarin tonë.

O Zot, vendos xhaminë Aksa nën kujdesin dhe mbrojtjen Tënde, mbushe atë me Islam dhe muslimanë.

O Zot, largo nga ne vështirësitë, pikëllimi dhe çmimet e larta. O Zot, liro robërit, të burgosurit dhe të ndaluarit.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me sahabët dhe halifet e parë të drejtë. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me Ensarët dhe Muhaxhirinët, si dhe me ata që thërrasin në rrugën Tënde dhe janë të udhëzuar.

O Zot, jepu për ne shpërblimet më të mira dijetarëve, mësuesve dhe prindërve tanë.

O Zot, Ti  që ke bërë salavatet ndaj të dërguarit tonë nga adhurimet,  të lutemi të afrohemi pranë Teje me të gjitha salavatet që janë dërguar për të nga dita që është krijuar deri në pafundësinë e përsosmërisë.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Safat 180-182)

Dhe fto për namaz.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1635771185216222/28036215122685339

Post Author: endrit