Priteni Ramazanin me pendim dhe vepra të mira

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     25-08-1447 H   13-02-2026 D

Shejh Dr. Jusuf  Ebu Sunejneh

Tema   Priteni Ramazanin me pendim dhe vepra të mira

Lavdërimet janë për Zotin, me dritën e Tij shuhet errësira e zemërimit, me fuqinë e Tij shembën shtyllat e shtypjes, me drejtësinë e Tij ka fshirë padrejtësinë e shtypësve dhe me forcën e Tij ka thyer shpina e tiranëve, kështu që çështja u kthye në vendin e saj të ligjshëm dhe e vërteta tek pronarët e saj të ligjshëm.

Zotin e lavdërojmë ashtu siç duhet ta lavdërojnë robërit e Tij mirënjohës dhe ndihmën e Tij kërkojmë për të bërë atë që Ai do dhe dëshiron. Dëshmoj për Të ashtu siç kanë dëshmuar të zgjedhurit e Tij dhe dëshmitarët e Tij: “Allahu dëshmon, e po ashtu engjëjt dhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër (që meriton të adhurohet), përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër (që meriton të adhurohet), përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit.” (Al ‘Imran 18)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi e panjollosur nga njollat ​​e politeizmit, as nga iluzioni i dyshimit, e pastër nga mendjet, e bazuar në bindje dhe besim.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Zoti e dalloi dhe e përzgjodhi atë për të udhëzuar njerëzimin dhe për të vendosur të vërtetën. Ai përcolli mesazhin, përmbushi emanetin dhe udhëzoi njerëzit nga devijimi. Në atë kohë, njerëzit ishin të pavëmendshëm ndaj udhëzimit dhe të humbur nga rruga e së vërtetës. Ai i shpëtoi ata nga adhurimi i idhujve dhe i urdhëroi ata t’i bindeshin të Gjithëmëshirshmit, derisa provat dhe shenjat e Zotit të vërtetoheshin dhe fjalët e Tij të përmbusheshin përmes mesazhit. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe mbi ata që iu përgjigjën atij. O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me pjesëtarët e familjes së tij fisnike, njerëzit e njohjes, vlerave, mëshirës, dijes dhe urtësisë.  O Zot, të lutemi, të jesh i kënaqur me të gjithë sahabet të cilët përhapën drejtësinë dhe këtë fe. O Zot, të lutemi, të jesh i kënaqur me ne së bashku me ta, me mirësinë dhe kënaqësinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Sot kemi nevojë të madhe për unitet, kohezion dhe solidaritet, siç ishin edhe shokët e të dërguarit të Allahut,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. “…i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndiejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë.” (El-Hashr 9)

Ja ku jemi sot duke iu afruar muajit të agjërimit, muajit të dashurisë, harmonisë dhe lidhjeve familjare, muajit të Kuranit, namazit të teravisë dhe bamirësisë, muajit të begative dhe të mirave. O ti musliman! Përgatitu për këtë muaj të shenjtë dhe fillo bekimin me mirënjohje, aftësinë me falje, bindjen me harmoni dhe mëshirën për të gjithë njerëzit. Ji mirënjohës ndaj atyre që të kanë dhuruar begati dhe jepu begati atyre që të janë mirënjohës. Vërtetë begatitë nuk mbeten nëse përballen me mosmirënjohje, por dhe nuk zhduken nëse priten  me mirënjohje. Mirënjohja i shton bekimet dhe mbron nga varfëria. Askush nuk ka përjetuar ndonjëherë një begati më të madh sesa të kujtosh Zotin e Lartësuar. Zotëria ynë Daudi, paqja e Zotit qoftë mbi të, sikurse ka ardhur në ether,  ka thënë: “ Nuk ka dhikër, përkujtim të Zotit, më të ëmbël për mua se gojët e adhuruesve.” E kujtimi i Zotit është më i madhi, Zoti i njeh mirë mirënjohës.

Zoti na bëftë të gjithëve mirënjohës për begatitë e Tij, të kapur fort pas sunetit,  përkujtues të Zotit, na faltë ne, ju dhe të gjithë muslimanët.

O ti musliman! Zoti ta ka dhënë këtë botë, prandaj bli veten tënde prej saj me diçka prej saj: “Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.”(El-Kasas 77)

LEXO  Garimi në vepra të mira është rruga drejt shpëtimit

Sot, në mesin tonë ka nga ata që: “ … dhuntinë e Allahut e kanë ndërruar me mohim…”(Ibrahim 28), kanë kryer gjynahe dhe shkelje të ligjit, kanë këmbyen udhëzimin me humbjen. Ata kanë kryen vrasje dhe imoralitet, janë marë me kamatë, janë kënaqur me plotësimit e espsheve dhe dëshirave, nuk kanë marrë parasyshë të ndaluarat, kështu që merituan ndëshkimet. Ata ishin mosmirënjohës për bekimet e Zotit dhe nuk e falënderuan Atë për to,  shpërfillën pasojat dhe nuk i kujtuan ato.

O besimtarë! Ky është një përkujtim para pendimit dhe keqardhjes. Largohuni nga të gjitha veprimet e turpshme, si të hapura ashtu edhe të fshehta, mbroni gjërat e shenjta, sepse Zoti i Lartësuar dhe i Madhërishëm është xheloz për të shenjtat e Tij. Ruajuni nga zinaja, imoraliteti, sepse ajo ia heq shkëlqimin fytyrës, ia ndërpret furnizimin robit dhe e zemëron të Gjithëmëshirshmin. “Dhe mos iu qasni kurvërisë, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!”(El-Isra’ 32)

Mjerë për ne! Si nuk i jemi bindur Zotit tonë?! Mjerë për ne! Si i jemi kundërvënë Atij ndaj bekimeve që na ka dhuruar! Si mund ta harrojmë vdekjen kur ajo nuk na harron?! Mjerë për ne nëse distancohemi, largohemi nga Zoti ynë! Mjerë për ne! Si mund të jemi neglizhent kur nuk neglizhohemi?! Sa e rëndë është besëlidhja, fjala e dhënë, që nuk e kemi përmbushur! Sa e pabesë është vetmia që nuk e kemi shoqëruar me modestinë! Sa e rëndë është pyetja: Cila do të jetë përgjigjja nesër?! Dhe sa të rënda janë ditët që kalojnë, por ajo që ishte në to mbetet!

Koha është prishur, imoraliteti është shtuar dhe  janë shpërfillur kufijtë. Njerëzit janë të angazhuar me gjynahe dhe kanë lënë pas dore adhurimet. “A janë të sigurt ata që bëjnë plane djallëzore se Allahu nuk do t’i fusë në tokë ose që dënimi nuk do t’u vijë andej nga nuk e presin? A janë të sigurt ata se Allahu nuk do t’i dënojë gjatë ecejakeve të tyre, pa qenë në gjendje ta pengojnë Atë? Ose, se nuk do t’i godasë dënimi pak nga pak? E megjithatë, Zoti juaj është i Butë dhe Mëshirëplotë.” (En-Nahl 45-47)

Ka ardhur koha për pendim, keqardhje dhe kthim, sepse Zoti pranon pendimin nga robërit e Tij.

O adhurues të Zotit! Shikoni popujt e të kaluarës: “E në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre të zbrazëta…” (El-Ahkaf 25) Ky ajet u shpall në lidhje me popullin e Hudit, paqja e Zotit qoftë mbi të, u zhdukën dhe në tokën e tyre nuk mbeti asgjë përveç banesave të tyre. Për mohuesit nuk mbeti  shtëpi për të banuar dhe as vend për të ndezur zjarr. “ Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura. A sheh ndonjë gjurmë të tyre?” (El-Hakka 7-8)

Njerëzit e drejtë gjithmonë i kanë menduar gjëra të tilla. Profeti i Zotit, Sulejmani, paqja e Zotit qoftë mbi të, kur kalonte pranë një rrënoje, thoshte: “Ku janë njerëzit tuaj të mëparshëm?” Më i madhi i të sinqertëve, Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Ku janë ndërtuesit e qyteteve? Ku janë ata që i fortifikuan ato me mure? Ku janë ata që ndërtuan pallatet dhe i populluan ato?”

Ato janë shtëpitë e tyre, të shkreta për shkak të padrejtësisë që kanë bërë. “ Vallë, a po sheh ndonjërin prej tyre dhe a po dëgjon pëshpëritjen më të vogël të tyre?!”(Merjem 98)

” Ato janë shtëpitë e tyre të shkatërruara që janë banuar nga ujqërit endacakë.”

O besimtarë! Pendohuni tek Zoti, dhe kini kujdes, o njerëz të mendjes, që të keni sukses. Jini fenerë drite, udhëzimi dhe mençurie dhe pyeteni veten: Çfarë keni përgatitur për Ditën e Gjykimit? “…kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”(Esh-Shu’ara’ 88-89)

LEXO  Durim o populli i Palestinës, durim

Vdekja është kujtesë e mjaftueshme, siguria është pasuri e mjaftueshme dhe adhurimi është  angazhim i mjaftueshëm. Jam i habitur si mund të flejë një sy i mbushur me frikë, ose një zemër e pavëmendshme ndërsa është e sigurt për llogaridhënien?!

Zoti na bëftë të gjithëve prej atyre që ndjekin vullnetin e Tij, që bëjnë besimin furnizim të tyre dhe na frymëzoftë me devotshmëri dhe udhëzim. “(Kini frikë) ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij, të ketë largësi të madhe.” (Al ‘Imran 30)

Adhurues të Zotit! Imam Buhariu, Muslimi dhe të tjerë kanë transmetue nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, agjërimi është veç për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë (nga zjarri Xhehenemit dhe gjynahet). Nëse ndonjëri nga ju është agjërueshëm të mos flasi keq dhe mos të bërtas(mos ta ngrisë zërin lartë). Nëse e ofendon dikush (gjatë agjërimit) apo e lufton, le t’i thotë: Unë jam agjërueshëm. Pasha Atë, në duartë e të Cilit është shpirti i Muhamedit, era e keqe e cila del nga goja e agjëruesit, është më e mirë tek Allahu se era (aroma) e miskut (parfumit). Për agjëruesin janë dy gëzime në të cilat ai gëzohet: Kur bën iftar gëzohet dhe kur ta takojë Zotin e tij do gëzohet me agjërimin e tij.”

Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush  nuk heq dorë nga fjalët e rreme dhe të vepruarit me to,  Zoti nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga ushqimi dhe pija e tij.”

Drejtohuni Zotit Bujar me lutje dhe nënshtrim,  me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirbërës. Atij drejtohuni dhe luteni Zotin duke qenë të bindur në përgjigje! Fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandja tek Ai kërkoni falje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahut, Zotëruesin e Madhërisë dhe Bujarisë, Krijuesi i të gjitha qenieve, Vendosësi i të gjitha caktimeve, Atij që i Vetëm zotëron përhershmërinë dhe përjetësinë e vërtetë. Atë e lavdërojmë në fillim dhe në fund, Atij ja drejtojmë dëshminë tonë në fshehtësi dhe hapur, kërkojmë ndihmën e Tij,  Zoti i Gjithëpushtetshëm.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, dhe se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij,  dëshmi e atij që pohon Njëshmërinë e Tij me besim, pranon Zotërimin e Tij me siguri, e di provën e asaj për të cilën thërret dhe e kupton kuptimin e vërtetë të provave për Të.

O Zot, dhuro bekimet e Tua të bollshme dhe mirësitë e Tua të pastra mbi zotërinë dhe udhëheqësin tonë Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, udhëheqësin e epokës dhe fortesën e sigurisë.

O Zot, na jep sukses në bindjen ndaj tij, na bashko në fjalën e tij, na bashko në shoqërinë dhe grupin e tij, na mbro në kopenë e tij dhe na beko në atë që i ke dhënë.

Në vijim

O ju njerëz! Kini frikë Allahun ashtu siç i takon Atij, shpresoni në shpërblimin e Tij dhe kini frikë nga dënimi i Tij. Ju e dëgjoni atë që ju lexohet nga Libri i Tij: “Ditën, kur Ne do t’i thërrasim të gjithë popujt me prijësin (të dërguarin) e vet…”(El-Isra’ 71)

Bëni kujdes dhe vetëm kujdes! Sepse është sikur kjo botë ju ka çuar në Ahiret. Shenjat e saj janë bërë të qarta, agonia e saj është shfaqur,  llogaridhënia dhe paraqitja para regjistrit të saj janë të afërta. “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele 7-8) Hipni në anijen tuaj të shpëtimit përpara se të mbyteni: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al ‘Imran 103) Kthehuni tek Ai në mënyrën më të mirë të mundshme dhe përgjigjuni thirrësit të Zotit në derën e pranimit, përpara se një shpirt të thotë: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut…”( Ez-Zumer 56)  Ata dëshpërohen për shkak të pakujdesisë dhe neglizhencës së tyre, përpara pendimit dhe pikëllimit, duke dëshiruar kthimin dhe duke kërkuar shpëtim, por nuk ka shpëtim në atë kohë.

LEXO  Këshilla për të bërë mirë pas kryerjes së shtyllës së pestë, Haxhit

O adhurues të Zotit! Shikoni imamin e ditur, atë që qan, agjëron dhe është i etur, Jezid Ibn Aban Er-Rakashi,  Zoti e mëshiroftë,  të cilin një ditë e pyetën: Çfarë të bën të qash, o imam? Ai tha: “ Pasha Zotin, qaj për atë që më mungon nga lutja natën dhe agjërimi ditën.”  Ai thoshte: “Kush do të lutet për ty, Jezid? Kush do të agjërojë për ty dhe të afron për tek Zoti me veprave të mira pas teje? Kush do të pendohet tek Ai për gjynahet e tua? Mjerë për ju, vëllezërit e mi! Mos u mashtroni nga rinia juaj dhe gjatësia e jetës suaj! O vëllezërit e mi! Shpejtoni në pendim, Zoti ju mëshiroftë!”

Nga fjalët e këtij imami është dhe thënia: “Ata që janë të uritur për Zotin në Ditën e Ringjalljes janë nga brezi i parë.”

O musliman! Insisto në ëmbëlsinë e asketizmit duke shkurtuar shpresat e tua dhe shkatërro shkaqet e lakmisë përmes sinqeritetit të dëshpërimit. Zbut zemrën tënde duke u shoqëruar me ata që e kujtojnë Zotin dhe ndriço zemrën tënde përmes vigjilencës së vazhdueshme. Hap derën e pikëllimit përmes meditimit të zgjatur dhe zbukuro veten për Zotin me sinqeritet në të gjitha rrethanat. Afrohu tek Ai duke nxituar t’i bindesh urdhrave të Tij. Ki kujdes nga zvarritja, sepse në të është rënia e të dënuarve. Ki kujdes nga pakujdesia, sepse ajo errëson zemrën. Ki kujdes nga ngadalësimi në çështjet për të cilat nuk ka justifikim, sepse është streha e të penduarve. Shlyej gjynahet e tua të kaluara përmes pendimit të thellë dhe kërkimit të shpeshtë të faljes. Tërhiq, kërko rritje të bekimeve përmes mirënjohjes së thellë.

Mos heto rreth të metave dhe moralit të keq të njerëzve, por kërko dhe heto moralin e Islamit, cila është situata jote me të në mënyrë që të jesh i sigurt prej tij dhe vlera e tij të rritet në shpirtin tënd dhe tek ti.

O adhurues të Zotit! Shqetësimet janë të shumta, prandaj trajtojini të sëmurët tuaj me bamirësi dhe mbroni pasurinë tuaj me zekat, sepse ajo largon nga ju fatkeqësitë dhe sëmundjet. Ruani gjërat tuaja të shenjta, aktet tuaja të adhurimit dhe veten tuaj. Pastroni vetet tuaja nga urrejtja, ligësia, zilia dhe gënjeshtra.

Një nga dijetarët ka thënë: “Më pëlqen më shumë të lë jashtë një argument sesa të them një gënjeshtër të vetme.”

O adhurues të Zotit! Kini mëshirë për veten tuaj, e nëse ju godet ndonjë fatkeqësi, vështirësi ose mjerim, atëherë gjithmonë thoni: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Ai nuk ka shok.” Thoni: “O Zot, na jep siguri në atdheun tonë!  O Zot, na jep siguri nga frikërat tona dhe na mbulo të metat tona.”

Nga Muavi Ibn Ebi Sufjan, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se  ka thënë: E kam dëgjuar  të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “ Nuk ka mbetur asgjë nga kjo botë përveç fatkeqësisë dhe mundimit.”  Zoti na ruajt neve dhe juve nga fatkeqësitë, si ato të dukshme ashtu dhe ato të fshehura.

O Zot, të lutemi të na japësh të kuptimin e profetëve, kujtimin e të dërguarve dhe frymëzimin e Melaikeve më të afërt me Ty. O Zot, na pasuro me dituri, na zbukuro me durim, na ndero me devotshmëri dhe na hijesho me mirëqenie.

O Zot, të lutemi të na japësh dije të dobishme, furnizim të bollshëm, vepra të pranuara, pendim të sinqertë, gjuhë të vërtetë, zemër të shëndoshë, lumturi në të dy botët, pas së cilës nuk do të ankohemi kurrë,  dhe që të na dhurosh një fund të mirë me shëndet të mirë, pa vështirësi apo dëm, ndërsa Ti je i kënaqur me ne, o Bujar.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1485195076940501/943459674916639

Post Author: endrit