Si duhet të sillen besimtarët me zgjatjen e sprovave dhe fatkeqësive – Meka 26.02.2021

Hytbe e Qabes               14-07-1442 H   26-02-2021 D

Shejh Salih El Humejd    Tema: Si duhet të sillen besimtarët me zgjatjen e sprovave dhe fatkeqësive

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut të fuqishmit i cili mposht gjithshka, madhështorit titanik. Përpara krenarisë së Tij përulet çdo krenar. Përpara madhështisë së Tij nënshtrohet çdo kryelartë. “Fytyrat do t’i përulen të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të çdo gjëje dhe, sigurisht, do të humbë ai që do të mbartë padrejtësi.” (Taha; 111). Ai bën çka të dëshirojë dhe gjykon si të dojë. Atij i takon e tërë lavdia dhe i tërë falenderimi. Ndryshim dhe forcë nuk ka veçse prej Allahut të lartit, madhështorit.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq.

Dëshmoj se i nderuari ynë profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij i cili është dërguar me fakte tronditëse dhe me mrekulli të qarta. Paqja, shpëtimi dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij që qenë si yje të shëndritshëm dhe mbi shokët e tij që qenë si dete të paanë dhe mbi tabiinët dhe ata që ndjekin rrugën e tyre me mirësi. Paqe e shpëtim pastë për ta në këtë botë e në botën tjetër.

U porosis ju dhe veten time me devotshmërinë ndaj Allahut. Kijeni frikë Allahun, Allahu ju mëshiroftë!

O rob i Allahut! Ji me Allahun e mos e vrit mendjen

Zgjati duar drejt Tij në errësirën e netëve

Tolero, fal dhe kije frikë Allahun kudo që të jesh.

Vepro të mirën dhe mos nënçmo asgjë të mirë

Kush pastron zemrën ngre lart moralet e tij.

Kush flet bukur hamedëson saktë.

Kush është i sinqertë me Allahun do veprojë mirë.

Dije, Allahu të ruajtë se ajo që është shkruar për ty do të vijë me gjithë dobësinë tënde dhe ajo që nuk është për ty nuk do të arrish ta marrësh me forcën tënde.

Prej padrejtësisë në të drejtat e vëllazërisë është përmendja e më të këqijave që di për të e të fshehësh më të mirat që di për të.

Disa njerëz të mirë kanë thënë: Unë urrej që Allahu të shohë në zemrën time mllef ndaj një muslimani.

“Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (El Hashr; 10).

O Muslimanë! Lartësuar qoftë Zoti ynë, sa madhështor është Ai! I tërë sundimi është i Tij. E tërë mirësia është në dorën e Tij. Tek Ai kthehet çdo çështje.

“Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” (El Enam; 59).

Mirësia e Tij vazhdimisht zbret tek njerëzit dhe të këqijat e tyre për tek Ai ngrihen. Ai u dërgon mirësi njerëzve që ata ta duan edhe pse Ai nuk ka nevojë për ta mirëpo ata me gjynahet e tyre tërheqin zemërimin e Tij edhe pse ata janë nevojtarë për Të.

Çdo mirësi që njerëzit fitojnë e kanë prej mëshirës dhe mirësisë së Allahut. Çdo e keqe i godet prej urtësisë dhe drejtësisë së Allahut.

“O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd. Nëse do, Ai ju zhduk dhe sjell krijesa të reja. Kjo gjë nuk është e vështirë për Allahun.” (Fatir; 15-17).

Të dashur, Zoti unë i kujton robërit e Tij me faktet universale dhe me faktet e sheriatit të Tij. Allahu i lartësuar e zgjat periudhën e fatkeqësisë aq sa dëshiron me urtësinë e Tij. Ai sprovon me muaj e me vite. Madje disa prej profetëve të Tij edhe pse ataj janë robërit e Tij të zgjedhur i ka sprovuar për vite me radhë aq sa ata jepeshin si shembuj. Për këtë është thënë; “Durimi i Ejubit” dhe “durimi i Jakubit”. Paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të gjithë.

Jakubit iu zbardhën sytë prej pikëllimit por ai e mbajti veten.

“Ai (Jakubi) tha: Unë hidhërimin dhe pikëllimin tim ia parashtroj Allahut, e unë di për Allahun atë që ju nuk e dini.” (Jusuf; 86).

Ejubi i thirri Zotit të tij: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” (El Enbija; 83). Allahu për të thotë: “Ne e gjetëm atë të durueshëm, rob të mrekullueshëm. Ai kthehej vazhdimisht me pendesë tek Zoti!” (Sad; 44).

Po o rob të Allahut. Allahu i sprovon njerëzit me qëllim që zemrat e tyre të çlirohen prej animit tek mundësitë dhe forcat e tyre e të drejtohen tek mundësia dhe forca e Allahut.

Ai sprovon që të pastrojë tiraninë e njeriut. “Por vërtet që njeriu shkel çdo cak, kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.” (Alak; 6,7).

Meditoni, Allahu u mëshiroftë rreth fjalëve të Allahut: “O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli). Ata nuk e çmojnë Allahun me vlerën e Tij të vërtetë. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (Haxh; 72,73).

Allahu është më i madhi o rob të Allahut. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli). Ata nuk e çmojnë Allahun me vlerën e Tij të vërtetë. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.

Njerëzit sot kanë njohur krijesa shumë më të dobëta se miza, shumë më të vogla e të papërfillshme. Këto krijesa të dobëta nuk rrëmbejne vetëm gjëra rreth e rrotull njeriut por i rrëmbejnë atij forcat, mundësitë, shëndetin dhe mirëqënien. Jo vetëm kaq por ato e vdesin dhe e shkatërrojnë me forcën e Allahut dhe mundësinë e Tij.

Po. Po i sprovon ata që të njohin dobësinë, pamundësinë e tyre dhe e zgjat afatin e sprovës me qëllim që ata të kthehen të penduar.

Vëllezër nëse është kështu në raste ngjarjesh të papritura dhe në fatkeqësi ka adhurime dhe sjellje të cilat shfaqen vetëm me zgjatjen e sprovave e fakeqësive. Njerëzit besimtarë të mirë duhet të angazhohen me to e të tregojnë interesim.

Prej tyre; Kthimi tek Allahu duke shfaqur adhurimet të ndryshme si nënshtrimi paraTij, mbështetja tek Ai, durimi, përgjërimi, përulësia, dorëzimi, bindja, pendimi i sinqertë, lutja, zemërgjerësia, hetimi i gjërave të bukura që jep Allahu në përcaktimet e tij, kryerja vazhdimisht e dhikrit të mëngjesit e të mbrëmjes, paraqitja e nevojës, pamundësisë, dobësisë para Allahut. Distancimi prej çdo force dhe mundësie tjetër dhe besimi i sigurtë vetëm tek Allahu dhe të mos lidhësh shpresë tek njerëzit.

Prej këtyre sjelljeve dhe adhurimeve: Shtimi i mirësisë, që me të të dëbohet fatkeqësia e të hiqet vështirësia. Adhurimi i bukur, sadekatë, forcimi i lidhjeve farefisnore, bamirësia ndaj komshiut, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi i së keqes,

plotësimi i nevojave të njerëzve, përkrahja e atij që i bëhet padrejtësi, heqja e brengave, ndihma e të vobektit dhe fukarait sidomos ata të cilët i ka penguar pandemia prej punës dhe nuk kanë kursime të plotësojnë nevojat e tyre. Këta i përfshin fjala e Allahut:

“(Lëmosha) u takon të varfërve, të cilët kanë hyrë në rrugën e Zotit e nuk janë në gjendje të udhëtojnë (për të fituar). Kush nuk i njeh ata, kujton se janë të kamur, për shkak se ata nuk lypin. Do t’i njohësh nga pamja e tyre. Ata nuk i mërzisin njerëzit duke lypur. E çdo gjë që shpenzoni prej të mirave, Allahu i di ato.” (El Bekare; 273).

Prej këtyre o rob të Allahut është edhe zbatimi i shkaqeve fizike për të ruajtur veten dhe njerëzit si higjena, distancimi social, mbajtja e maskave, bërja e vaksinave, zbatimi i udhëzimeve të sektorëve të specializuar sipas orientimeve të përfaqësuesve të pushtetit.

Gjithashtu o rob të Allahut është mirësi e Allahut që robi ta ketë zemrën e tij të gjallë e kështu dëgjon këshillën e këshilluesve dhe merr në konsideratë udhëzimet e specialistëve. Allahu i sprovon robërit e tij që tu japë atyre, që t`ua shtojë shpërblimin kështu që priteni caktimin e Allahut me falenderim e me pëlqim. Po ta dinte besimtari durimtar shpërblimin e madh që e pret nuk do të kërkonte të largohej shpejt sprova.

Besimtari kur sprovohet me diçka nuk akuzon Zotin e tij në përcaktimin dhe vendimin e Tij por duron, shpreson shpërblimin dhe kalon nga gjendje të cilën e urren Allahu në gjendje të cilën e don Allahu. Ai e di me bindje se diçka që nuk e lejon Allahu të hiqet ajo nuk hiqet me gjithë përdorimin e shkaqeve dhe përpjekjeve.

Kush ka mbështetje dhe bindje të dobët, durim dhe shpresë të pakët fatkeqësitë i shtojnë pasiguri, dyshime, mendim të keq ndaj Zotit të tij, akuza ndaj Kujdestarit të tij. I tilli do të mbetet në anën e humbjes e do të dalë duarbosh.

“Begatitë, që Allahu ua jep njerëzve nga mëshira e Tij, nuk mund t’i pengojë askush, ndërsa atë, që Ai e pengon, askush nuk mund ta japë veç Tij; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Fatir; 2).

Allahu na mundësoftë të përfitojmë nga udhëzimet e librit të Tij dhe prej traditës së profetit të Tij Muhamed (salallahu alejhi ue selem). Pas këtyre fjalëve që thashë i

kërkoj falje Allahut për veten time e për ju dhe për të gjithë muslimanët ndaj çdo gjynahi e gabimi. Kërkojini falje Allahut se ai është Falësi e Mëshiruesi.

Hutbeja e Dyte

Falënderimi i takon Allahut. Falënderimi i takon Allahut në lehtësi e në vështirësi, në mirëqënie e në sprovë. Falenderim në shenjë pajtimi me vendimet e Allahut, në shenjë qëndrese në fenë e Tij, dhe në shenjë stabiliteti në rrugën e Tij.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq zemërimit të të Cilit i ka paraprirë mëshira e Tij, robërit e Tij i ka mbuluar me mirëqënie e me mirësi.

Dëshmoj se i nderuari ynë profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij i zgjedhuri i krijesave të Tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, mbi shokët, familjen e tij, mbi tabiinët dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin me saktësi rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.

O muslimanë! Gjë e cila imponon frikë dhe kujdes siç po shihet me zgjatjen e kësaj belaje dhe shtimin e të infektuarve dhe rastet e vdekjeve që gjynahqarët akoma nuk po pendohen, që abuzuesi nuk po kthehen në rrugën e duhur, që personat që hajnë hakun e të tjerëve nuk po e kthejnë tek të zotët, që ndërprerësi i lidhjeve farefisnore nuk po mundohet ti rregullojë ato, që njerëzit në hasmëri nuk po pajtohen.

Nu`man ibn Beshiri r.a ka thënë: Shkatërrimi dhe i tërë shkatërrimi është kur njeriu bën punë të këqija në kohë fatkeqësie.

E frikëshme, Allahu ju ruajtë, është neglizhenca krah fatkeqësisë së madhe dhe kalimi i situatës si gjë normale. Allahut i kërojmë mbrojtje prej poshtërimit dhe gjendjes së njerëve të humbur. Nëse dëshiron ta njohësh e ta zbulosh diçka të tillë shih disa gafila të cilët mbështeten në fjalët e disa njerëzve në lidhje me periudhën kohore të pandemisë, mjekimit dhe mbarimit të saj. Duket sikur në zemrën e njerëzve të tillë nuk ka vend për Allahun e lartësuar, as siguri tek Ai, as mbështetje në Të dhe as ngritje të problemeve për zgjidhje drejt Tij.

O muslimanë duhet përmendur për mirënjohje se gjatë kësaj pandemie që ua ka prishur rehatinë tërë njerëzimit, që ka tronditur themele shtetesh, që ka stresuar popuj, që ka tmerruar njerëz, që ka ndryshuar rrugët e jetës metodikat dhe programet e saj. Shtete, shoqata dhe organizata po ndjekin masa që përshtaten me

rrethanat dhe mundësitë për kontrollimin e sëmundjes qëndrojnë në gadishmëri, mbrohen dhe mjekojnë.

Këtu në këto përpjekje e në këtë garë vlen të falënderojmë për vlerat e dukshme të këtij vendi të begatë me krerët e tij, qeveritarët, nëpunësit, vendosmërinë dhe këmbënguljen që po tregohet për këdo që jeton mbi tokën e tij me bashkëatdhetarë, me rezidentë e me vizitorë. Ata janë ushtarë të gatshëm në çdo mejdan; në zona kufitare, në shëndetësi, në Dy vendet e Shenjta, në tregëti e në çdo pozicion. Allahut i përket falenderimi dhe e Tij është mirësia.

O rob të Allahut përse këto vepra të ndritura!? Përse kjo vendosmëri e kjo këmbëngulje!? Kjo vjen për shkak të perceptimit të peshës së përgjegjësisë, sepse jeta e njeriut është në prioritet: “Ai i cili shpëton një jetës është sikur të ketë shpëtuar tërë njerëzit”

Shteti, Allahu e ruajtë, kryen tërë këto proçedura, masa kufizuese dhe masa të sigurisë përse disa njerëz tregohen shpërfillës që hapin shtëpitë e tyre për të grumbulluar njerëzit për raste apo dhe pa shkak. Si tregohet shpërfillës dikush që heton shenjat e sëmundjes e pastaj përzihet me njerëzit pa vrarë mendjen e pa ja ndjerë. Çështja është e rëndë e nuk është e lehtë. Të gjithë ne jemi përgjegjës kështu që duhet të sillemi me vetëdije, bashkëpunim e këshillime të ndërsjellta.

Duhet të ndalojmë injorantin dhe mendjelehtin të tregohen bashkëpunues e jo shpërfillës.

A i duket lehtë personit të shohë Xhaminë e Shenjtë pa vizitorë dhe Qaben e nderuar pa njerëz që bëjnë tavaf, Safanë dhe Mervenë pa njerëz që nxitojnë mes tyre, Reudan e nderuar pa njerëz që falen në të, varrin e nderuar pa vizitorë që përshëndesin me selam.

Ai i duket e lehtë të pezullohet falja e xhumave dhe faljet me xhemat!? Të mbyllen shkollat dhe universitetet, të shuhen haretë dhe gëzimet me moslejimin e rasteve, të pengohen njerëzit në interesat e tyre ekonomike që shkaktojnë humbje në pasuritë e tyre?! Kështu keni parë se si shtetet mbyllin kufijtë e nuk ka udhëtarë që hyjnë e dalin.

Kijeni frikë Allahun, Allahu u mëshiroftë! Pendohuni tek Ai dhe kërkojini falje, kthehuni drejt Tij sepse mëshira e Tij është pranë vepërmirëve. Zoti juaj është fisnik dhe bujar i fshin gjurmët negative dhe i fal shkarjet në gjynahe. Ai i ndihmon ata që kërkojnë ndihmë dhe i përgjigjet atyre që janë në ngushti dhe largon brengat e fatkeqëve.

O Allah na e largo këtë që ka ngushtuar kraharorët tanë, e që nuk po i gjejmë mënyrat e shpëtimit prej saj e që jemi të pafuqishëm përballë saj!

O Allah na vendos në ruajtjen Tënde, në strehën Tënde, në sigurinë Tënde, në dashurinë Tënde dhe në mirësinë Tënde!

O Allah na ruaj prej mundimit të fatkeqësive, prej rënies në hidhërim, prej fatit të keq dhe prej gëzimit të armiqve!

O Allah na mbro nga e keqja e sëmundjes, largoje prej nesh këtë pandemi, na shpëto prej kësaj belaje me mëshirën dhe butësinë Tënde se Ti je ndaj nesh mëshirëplotë!

O Allah na shpëto ne, vendet tona, vendet e muslimanëve dhe tërë botën tonë!

O Allah fali gjynahet tona, n ai mbulo të metat tona, na i largo fatkeqësitë tona, shpëtoi të sprovuarit prej nesh, na i shëro të sëmurët tanë e na i mëshiro të vdekurit tanë!

O Allah na dhuro qëndrim të mirë dhe mbyllje të mirë!

O Allah kërkojmë butësinë Tënde në vendimet që Ti merr, dhe ndihmën Tënde në atë vendim që nuk e kthen më, tek Ty ka besim kushdo që mbështete tek Ty, dhe Ti je mbrojtësi për këdo që e ka ngritur çështjen e tij për tek Ti!

O Allah largoje prej nesh çdo ankesë, largoje prej nesh çdo fatkeqësi, pranoje prej nesh çdo lutje, na mbulo me petkun e devotshmërisë dhe bëje xhenetin vendbanimin tonë!

Salavatet, selamet dhe begatitë e Allahut qofshin mbi profetin tonë Muhamed, mbi familjen, bashkëshortet, shokët dhe pasuesit e tij të mirë!

I lartësuar qoftë Zoti Ynë, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!

 

Post Author: endrit