Sinqeriteti… adhurimi i zemrës dhe çelësi i shpëtimit

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    23-05-1447 H   14-11-2025 D

Shejh Dr. Abdullah El Buajxhan         

Tema   Sinqeriteti… adhurimi i zemrës dhe çelësi i shpëtimit

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.           Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu s’ka gjë që e humbet,  e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok. 

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij besnik. Përcolli mesazhi, përmbushi emanetin, këshilloi umetin dhe u përpoq në rrugë të Zotit me përpjekje të vërtetë deri sa i erdhi momenti i ndarjes nga kjo botë. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, mbi ata që u drejtuan me udhëzimin e tij dhe ndoqën sunetin e tij deri në ditën e Kijamet.

Në vijim

Vërtetë Allahu e ka krijuar njeriun që t’i bindet Atij me qëllim që ta kënaqë Atë, dhe e ndaloi atë nga mosbindja ndaj Tij gjë që do të sillte  zemërimin e Tij. “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele 7-8)

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!”(Al ‘Imran 102)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71) 

Adhurues të Zotit! Vërtetë Zoti i Plotëfuqishëm ka përcaktuar një kusht për veprat e mira pa të cilin ato nuk pranohen, qëllimet e tyre nuk arrihen  dhe ato nuk shpërblehen përveçse nëpërmjet tij.  Ai është një kusht i veprave më të mëdha të zemrës dhe askush nuk e di këtë përveç Njohësit të të fshehtës, padukshmes. Ai është kusht për adhurimet më sublime, më të mira të përkushtimit, devotshmërisë, dhe për veprat më të pastra! Ai është sinqeriteti. Dhe çfarë dini ju për sinqeritetin? Ai është burimi i shpëtimit dhe arritjes, rruga drejt fitores dhe strehimit, themeli i të gjitha veprave të mira, kusht për pranimin e çdo adhurimit dhe qëllimi i çdo kërkuesi. Puna, vepra pa sinqeritet është humbje kohe dhe energjie pa asnjë shpërblim. Lutja, namazi dhe agjërimi pa sinqeritet nuk kanë shpërblim, sikurse  bamirësia pa sinqeritet nuk ka vlerë.

Adhurues të Zotit! Sinqeriteti është pastërtia e zemrës nga papastërtitë e hipokrizisë, pastrimi i shpirtit nga dëshirat e tij, pastrimi i vetes së brendshme nga ambiciet e tij egoiste. Sinqeriteti në punë për Zotin, sinqeriteti në niet, qëllim ndaj Zotit pa i kushtuar vëmendje kënaqësisë së njerëzve ose marrjes së përfitimeve të kësaj bote apo përfitimeve të përkohshme prej tyre, por se robi e bën shqetësimin e tij kryesorë  Zotin dhe qëllimin e tij kënaqësinë e Tij.

Sinqeriteti është t’ia kushtosh qëllimin dhe veprimet e tua vetëm Zotit të Plotfuqishëm, duke kërkuar afërsi me Të, të Vetmin, duke kërkuar, shpresuar kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij dhe duke pasur frikë nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij, pa hipokrizi apo reputacion, pa pretendime për hir të njerëzve apo dëshirë për fitime apo dobi prej tyre. I sinqertë është ai që i fsheh veprat e tij të mira ashtu siç i fsheh veprat e tij të këqija, që punon në vetminë e tij ashtu siç punon në jetën e tij publike, dhe lavdërimi dhe qortimi janë të njëjta për të. Adhurimi i tij në mes të ditës është i njëjtë me adhurimin e tij në errësirën e natës. Sekreti dhe publiku janë të njëjta për të, sepse ai nuk adhuron askënd tjetër përveç Zotit dhe se ai përmes veprave të tij nuk dëshiron asgjë tjetër përveç Zotit.

LEXO  Gjendja e besimtarit kur sprovohet

O ju njerëz! Sinqeriteti është ndershmëri në besim dhe veprim, dhe pastrim i vetvetes nga papastërtitë e politeizmit, hipokrizisë dhe shtirjes. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar…” (El-En’am 162-163) Sikurse Ai ka thënë: “ Andaj adhuro vetëm Allahun me përkushtim të çiltër për Të! Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë.” (Ez-Zumer 2-3) Vlera e punës tek Zoti është vetëm sipas sinqeritetit në të. Kush e bën punën e tij për sy e faqe dhe që njerëzit të dëgjojnë për të në mënyrë që ta nderojnë dhe ta lavdërojnë atë dhe të besojnë në vlerën, mirësinë e tij, Zoti do ta bëj të njohur me të në Ditën e Gjykimit dhe do ta turpërojë atë para të gjithë dëshmitarëve. Nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush i zbulon punët e tij që ta shikojnë njerëzit, Zoti do ta ekspozojë me të metat e tij ditën e Gjykimit, kush punon për t’u bërë përshtypje njerëzve  Zoti do t’ua tregojë njerëzve veprat e tij të këqija në botën Tjetër, Ahiret.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

Adhurues të Zotit! Sinqeriteti është kusht për pranimin e veprave dhe çfarë lidhet, shoqërohet  me të nga pranimi dhe shpërblimi. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit)…” (El-Bejine 5)  Kur në punë mungon sinqeriteti humbet shpërblimi dhe puna bëhet e pavlerë. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë; Unë jam më i Vetëmjaftueshmi i Cili nuk ka nevojë për ortak, shok. Ai që bën një vepër në të cilën ai e shoqëron dikë tjetër me Mua, Unë do ta braktis atë dhe idhujtarinë e tij.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. Zoti pranon vetëm veprat që bëhen vetëm për hir të Tij, në përputhje me sheriatin, ligjin e Tij dhe me sunetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

Adhurues të Zotit! Sinqeriteti është fortesë e fortë kundër komploteve të shejtanit, mbrojtje kundër fatkeqësive dhe dështimeve, dhe mjet, shkak nga shkaqet e shpëtimit dhe sigurisë. Shejtani është betuar në Madhështinë e Zotit dhe ka thënë: “(Iblisi) tha: “Betohem në madhërinë Tënde se unë do t’i mashtroj (njerëzit) të gjithë, përveç robërve të Tu të sinqertë!”(Sad 82-83) Sikurse Zoti i Plotëfuqishëm në lidhje me Jusufin, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf 24)

Adhurues të Zotit! Sinqeriteti është themeli i besimit, shtyllë themelore dhe kërkesë e domosdoshme në të gjitha veprat, qofshin nga aktet e adhurimit, profesionet e ndryshme apo dhe marëdhëni ndërnjerëzore. Nëpërmjet tij arrihet aktiviteti zhduken përtacia dhe dobësia, përmirësohet performanca, Zoti bekon përpjekjen, arrihen rezultate, mbetet ndikimi dhe puna kurorëzohet me sukses dhe begati.

LEXO  Këshilla për drejtësi dhe përmirësim

Adhurues të Zotit! Me sinqeritet veprat shndërrohen nga zakone, tradita dhe akte të lejuara për të cilat nuk ka shpërblim, në akte adhurimi që ngrenë statusin e njeriut, shumëfishojnë veprat e mira dhe fshijnë gjynahet. Nga Sa’d Ibn Ebi Vekasi, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk do të shpenzosh asnjë gjë duke kërkuar kënaqësinë e Zotit, përveçse do të shpërblehesh për të, deri dhe për furnizimin që i sjellën  gruas tënde.” Muttefikun Alejhi.

Adhurues të Zotit! Puna pa qëllim është mundim, qëllimi pa sinqeritet është hipokrizi dhe sinqeriteti pa ndjekur sunetin është i kotë.

Zoti na bëftë të gjithëve prej robërve të Tij të sinqertë, ata të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre. Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë njerëzit e mençur.

Hutbeja e dytë

Zotin e lavdërojmë për mirësitë e Tij që na ka dhuruar, Ai meriton të falënderohet për sukset dhe të  mira që na ka dhënë.

Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të dërguarin tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, mbi pasuesit e tij dhe mbi mbështetësit e tij. 

Adhurues të Zotit! Zoti i Plotfuqishëm nuk shikon pamjen dhe pasurinë tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.

Zemra bëhet e drejtë vetëm nëpërmjet vërtetësisë dhe sinqeritetit, dhe veprat e mira bëhen të drejta vetëm duke ndjekur Sheriatin, legjislacionin e Zotit. Zemra është mbreti i organeve dhe sundimtari i gjymtyrëve. Nëse ajo është e mirë, e drejtë, i gjithë trupi bëhet, është i mirë, i drejtë, dhe nëse ajo është e prishur, të gjitha organet e tjera janë të prishura. “ Vërtetë, në trup ka një copë mishi e cila, nëse është e shëndoshë, i gjithë trupi është i shëndoshë, e nëse është e prishur, i gjithë trupi është i prishur. Vërtet, ajo është zemra.” Nga veprat më sublime dhe më të nderuara të zemrës është sinqeriteti, sekreti i fshehur në mes të robit dhe Zotit të tij. Sinqeriteti është thelbi dhe fryma e adhurimit, dhe masa e pranimit tek Zoti. Askush përveç Tij nuk mund ta shohë atë, prandaj, ai duhet të arrihet në të gjitha aktet e adhurimit dhe bindjes. Sinqeritet është i vështirë për t’u arritur, ai, kalon dhe zhduket shpejt, i rëndë për njeriun, i dashur për shpirtin dhe i vështirë për zemrën. Mund të vendoset vetëm se një zemër që i frikësohet Zotit në fshehtësi dhe në publik, që përpiqet me veten në çdo kohë, duke pasur nevojë për përpjekje, vigjilencë dhe shkëputje të vetes nga dëshirat.

O ju njerëz! Sinqeriteti është sekret i madh nga sekretet e Zotit në krijimin e Tij. Ai e bëri atë një shenjë të robërve të Tij të zgjedhur dhe e vendosi në zemrat e atyre që Ai i do, duke ndriçuar zemrat, rrugët dhe mendjet e tyre. Kush është i sinqertë ndaj Zotit, Ai do ta bëj të sinqertë atë për Vete, do ta veçojë me mëshirën e Tij, do t’i dhurojë mirësinë e Tij dhe do vendosë dritë, qetësi dhe kënaqësi në zemrën e tij. Zoti i Plotfuqishëm na ka informuar për paaftësinë e shejtanit për të mposhtur ata që janë të sinqertë kur Zoti i Madhërishëm ka thënë: “Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ua zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë.”(El-Hixhr 39-40) Domethënë; Përveç atyre që Ti i ke mbrojtur me sinqeritet dhe i ke forcuar me monoteizëm, sepse unë nuk jam në gjendje t’i mashtroj ata. Kjo është ligjshmëri dhe natyrshmëri e pandryshueshme e Zotit që ta veshë robin e Tij të sinqertë me rrobën e admirimit, dashurisë, dhe dritës, dhe t’i japë atij pranim në tokë, dashuri në zemrat e krijesave dhe prirjen e zemrave të tyre drejt tij, sipas sinqeritetit, qëllimit dhe marrëdhënieve të tij me Zotin e tij. Sikurse Zoti e vesh hipokritin me rrobën e gënjeshtrës, përbuzjes, poshtërimit dhe urrejtjes, sipas asaj që është e përshtatshme për të, si një shpërblim i përshtatshëm. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.

LEXO  Kuptimi i ajetit më të madh në Kuranin Famëlartë

Në vijim

Adhurues të Zotit! Veprat gjykohen sipas qëllimeve dhe çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka pasur për qëllim. Zoti pranon vetëm nga të drejtët, të sinqertët. Prandaj, kini frikë Zotin e Plotfuqishëm dhe merreni veten tuaj në përgjegjësi para se të merreni në llogari. Përmirësoni zemrat dhe qëllimet tuaja dhe jini të sinqertë në veprimet tuaja. I mençur është ai që gjykon veten dhe punon për atë që vjen pas vdekjes, dhe i paaftë është ai që ndjek dëshirat e tij dhe më kot, pa punuar, shpreson mëshirë tek Zoti. I lumtur është ai që e pastron zemrën e tij për Zotin dhe e bën punën e tij thjesht për Madhështinë e Tij, duke arritur kështu fitoren me të në Kopshtet e Lumturisë, në Xhenet.

Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për atë që Zoti ju ka urdhëruar të dërgoni për të salavate ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.

O Zot, na jep sukses që të kemi qëllime të sinqerta, në vendosmëri në të vërtetën,  na ndihmo që të përmirësojmë zemrat tona dhe të pastrojmë shpirtrat tanë. O Zot, pastro zemrat tona nga hipokrizia, mburrja dhe kërkimi i famës, pastro gjuhët tona nga gënjeshtra dhe sytë tanë nga tradhtia, sepse Ti e di tradhtinë e syve dhe atë që fshehin zemrat.

O Zot, na e bëj të dashur besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëj të urryer për ne mohimin, shthurjen dhe mosbindjen, dhe na bëj nga të udhëzuarit në rrugë të drejtë.

O Zot, o Kontrolluesi  i zemrave mbaji zemrat tona të palëkundura në fenë Tënde. O Zot, Ti që i drejton zemrat, drejto zemrat tona drejt bindjes Tënde.  

 “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!” (Al ‘Imran 8)

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty.

O Zot, bëje të paqtë, qetë dhe të sigurt këtë vend dhe të gjitha vendet  muslimane.

O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.

O Zot, jepi sukses nga suksesi Yt kujdestarit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, mbështete atë me mbështetjen Tënde dhe lartëso me të fenë Tënde, o Zoti i botëve.

O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, o Ti që i dëgjon lutjet.

O Allah, Ti je Zoti, s’ka Zot tjetër përveç Teje, Ti je i pasur, nuk ke nevojë për diçka, ndërsa ne jemi të varfër, kemi nevojë për Ty, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj nga të dëshpëruarit.

O Zot, na fresko dhe zbrit tek ne shi! O Zot, zbrit mbi ne shi të bollshëm, të shëndetshëm dhe të dobishëm, jo ​​të dëmshëm, të menjëhershëm dhe jo të vonuar, me të cilin ringjall tokën dhe e bën atë argument për të tashmit dhe për të ardhmen. O Zot, zbrit shi mëshire, ​​jo shkatërrimi, mbytjeje ose fatkeqësie, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues. O Zot, bëj që të rriten me të për ne të mbjellat, të rrjedhi mbi ne bereqeti Yt dhe na fresko me bekimet e Tua, o më Bujari i Bujarëve, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, tek Ti kërkojmë falje, me të vërtetë Ti je Falës i Madh, dërgo shi të bollshëm mbi ne, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1406762828117060/3294873350720129

Post Author: endrit