Të marrësh mësim është parandalim i pengesave

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    21-04-1448 H     02-10-2026 D

Shejh Fejsal Gazaui     

Tema   Të marrësh mësim është parandalim i pengesave

Lavdërimet e shumta janë për Zotin, Ai i Cili e krijoi njeriun, e përsosi dhe e drejtoi atë, e bëri dëgjues dhe shikues, Ai krijoi natën dhe ditën që të vijnë njëra pas tjetrës, si këshillë për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falënderojnë.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i Cili krijoi çdo gjë dhe e përcaktoi me masë të saktë.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, të cilin e dërgoi me të vërtetën, përgëzues dhe paralajmërues, thirrës për tek Zoti me lejen e Tij dhe pishtar ndriçues. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për ata dërgojmë shumë lutje dhe përshëndetje.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin: “… dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!”(El-Hashr 18)

O ju muslimanë! Dijeni se jemi krijuar nga dobësia dhe jemi të prirët për të gabuar. Njeriun e pushton epshi dhe dëshira e tij sa herë që e pushtojnë, veprat e tij të këqija i duken tërheqëse kështu që verbohet shikimi i tij dhe dëshirat e tij e shtyjnë atë të shkurtojë vizionin e tij.

Ne jemi njerëz të krijuar nga balta, nuk jemi të përsosur dhe nuk jemi të pagabueshëm. E metë nuk është që njeriu të gabojë e të rrëzohet, por e metë është që të qëndrojë në baltë, ndërkohë që e shikon gjendjen e tij, dhe të vazhdojë në gabimin e tij pa u ndalur. Përkundrazi, detyra e tij është që sa herë të bjerë në një rrëshqitje të vështirë, të ngrihet me një vendosmëri që nuk dobësohet.

Nga mësimet që përfitojmë prej fjalës së të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Besimtari nuk pickohet nga e njëjti vend dy herë.” Kjo do të thotë se muslimani duhet të jetë i zgjuar dhe vigjilent, të mësojë nga gabimet e tij dhe të ruhet që të mos i përsërisë, duke nxjerrë mësim prej tyre.

Adhurues të Zotit! Allahu na ka ftuar që të marrim mësim nga ajo që u ka ndodhur të tjerëve, prej atyre që kundërshtuan dhe i tejkaluan kufijtë e Zotit tonë. Kur meditojmë dhe shohim se çfarë u ndodhi për shkak të veprave të tyre të këqija, ruhemi që të mos bëjmë të njëjtën gjë si ata e, si rrjedhojë, të ndëshkohemi me një ndëshkim të ngjashëm. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, që zemrat e tyre të mendojnë dhe veshët të dëgjojnë? Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (El-Haxhxh 46) Zoti i Plotëfuqishëm për Benu Nadirët ka thënë: “…duke mbjellë në zemrat e tyre frikën, e cila bëri që ata t’i shkatërronin shtëpitë e veta me duart e tyre, si dhe me duart e besimtarëve. Prandaj, mësoni nga kjo, o ju largpamës!” (El-Hashr 2) Ata që përfitojnë nga këshillat janë njerëzit e devotshëm dhe që i frikësohen Zotit.

Zoti i Madhëruar, pasi përmendi gjendjen e atyre që e shkelën urdhrin lidhur me të shtunën, thotë: “Këtë dënim e bëmë paralajmërim për bashkëkohësit dhe për brezat e tyre pasardhës, si dhe këshillë për ata që (i) frikësohen (Allahut).” (El-Bekare 66) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Kjo është këshillë për ata që i frikësohen Allahut.” (En-Nazi‘at 26)

Adhurues të Zotit! Allahu i Madhëruar na ka treguar në Kuran shumë histori, të cilat Ai nuk na i ka treguar ato pa qëllim, por që prej tyre të nxjerrim mësime, përvojë dhe këshilla. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ne po t’i tregojmë ty disa nga historitë e të dërguarve, për të ta forcuar zemrën. Në këtë sure të ka ardhur ty e vërteta. Ajo është këshillë dhe kujtesë për besimtarët.” (Hud 120) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend.”(Jusuf 111)

LEXO  Mësime dhe modele në përkujtimin e lindjes së Profetit

Nga këto tregimeve madhështore është edhe historia e Nuhut, paqja e Zotit qoftë mbi të. Zoti i Madhëruar ka thënë, duke na kujtuar shpëtimin e besimtarëve dhe mbytjen e jobesimtarëve: “Kur vërshoi uji i madh, Ne ju ngarkuam juve në anije, për ta bërë atë një paralajmërim, që ta dëgjojë çdo vesh i vëmendshëm.” (El-Hakka 11–12)

Kështu, anija dhe historia e saj u bënë mësim dhe këshillë prej së cilës duhet të merret shembull. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë, pasi përmendi shkatërrimin e popullit të Lutit: “Dhe tashmë Ne e kemi lënë atë një shenjë të dukshme për njerëzit që kuptojnë.” (El ‘Ankebut 35) Domethënë: Një shembull të qartë dhe një këshillë të prerë, për njerëzit që kuptojnë argumentet e Zotit dhe meditojnë mbi këshillat e Tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “E njëjta gjë u ndodhi edhe fiseve Ad dhe Themud, gjë që ju është bërë e qartë prej (gjurmëve të) banimeve të tyre.” (El ‘Ankebut 38) Domethënë, ju është bërë e dukshme rrënimi i banesave të tyre dhe zbrazëtia e tyre prej banorëve, si dhe mënyra se si i goditi ndëshkimi Ynë. E gjithë kjo është që ju të merrni mësim dhe këshillë.

O ju muslimanë! Nga mësimet e fuqishme dhe shenjat e qarta është edhe historia e njerëzve të elefantit, të cilët u goditën nga një dënim shkatërrues kur deshën të cenonin shenjtëritë e Zotit dhe të dhunonin shenjtërinë e Shtëpisë së Tij, Qabes. Përfundimi i çështjes së tyre ishte i keq,  Zoti i shkatërroi, ua dështoi përpjekjen dhe e bëri përpjekjen e tyre për ta dëmtuar dhe shkatërruar Qaben, si dhe dëshirën e tyre për t’i bërë keq Shtëpisë së Shenjtë, të dështojë dhe të asgjësohet. Megjithëse paralajmërimet dhe mësimet janë të shumta, dhe shenjat e këshillat pasojnë njëra-tjetrën, njerëzit e pakujdesshëm nuk marrin mësim nga ajo që u ndodh atyre, as nga ajo që u ndodh të tjerëve dhe as nga shembujt që Zoti u sjell.

Gjendja e tyre është si gjendja e atyre që Zoti përshkruan: “Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë e prapëseprapë as nuk pendohen, as nuk e mbledhin mendjen?!” (Et-Teube 126) Dhe sikur gjendja e atyre për të cilët Zoti ka thënë: “…dhe e kishit të qartë se si kishim vepruar me ta. Dhe Ne ju kishim treguar shumë shembuj.” (Ibrahim 45) Por ata nuk morën mësim prej tyre dhe nuk u ndalën nga ajo që Zoti u kishte sjellë atyre si dënim.

Adhurues të Zotit! Njeriu i mençur duhet të marrë mësim nga çdo gjë që i ndodh, nga gjithçka që dëgjon dhe shikon. Ai duhet të ndjekë të mirat e njerëzve të devotshëm dhe të mirë dhe të ruhet nga veprat e keqbërësve dhe të padrejtëve.

Gjithashtu, ai duhet ta llogarisë veten dhe të shikojë se çfarë fjalësh dhe veprash kanë dalë prej tij. Nëse ajo që ka bërë është e lavdërueshme, le ta vazhdojë dhe ta pasojë me vepra të ngjashme. Nëse ajo që ka bërë është e qortueshme, le ta korrigjojë, nëse e ka të mundur, dhe të mos e përsërisë në të ardhmen.

Nëse nuk di, le të pyesë. Nëse rrëshqet, le të kthehet. Nëse bën keq, le të pendohet, e nëse pendohet, le të heqë dorë nga gjynahi.

Ai duhet të jetë i etur për t’i kapërcyer pengesat, për t’i tejkaluar gabimet dhe për të kapërcyer çdo vështirësi që i del përpara.

Gjendja e tij është ashtu siç ka ardhur në hadithin e të dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Nuk ka rob besimtar veçse ka një gjynah që e bën herë pas here, ose një gjynah në të cilin vazhdon dhe nuk ndahet prej tij derisa të ndahet nga kjo botë. Vërtet, besimtari është krijuar i sprovuar, që pendohet shumë dhe harron shumë, e kur i përkujtohet, ai kujtohet.”

Kjo tregon se marrja e mësimit është mbrojtje nga rrëzimi. Prandaj, nga urtësitë e bukura është thënia: “Kush merr shumë mësime rrëzohet më pak.”

LEXO  Këshilla për përmirësimin e individit dhe shoqërisë

Ai që nxjerr më shpesh mësime nga ajo që ndodh rreth tij dhe përfiton nga përvojat e të tjerëve, është më i kujdesshëm në kërkimin e së vërtetës së qartë.

Është thënë: “Kush shikon rrëzimin e tjetrit, shpëton nga rrëzimi në rrugën e vet.” Dhe: “Kush i vështron pasojat, shpëton nga fatkeqësitë.”

Adhurues të Zotit! Nga të vërtetat që duhet t’i kuptojmë është edhe kjo: Kush nuk merr mësim nga të tjerët, të tjerët do të marrin mësim prej tij.

Hasan El Basriu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “O bir i Ademit! Ti nuk je veçse disa ditë. Sa herë që kalon një ditë kalon një pjesë e jotja. Prandaj, merr mësim nga ata që ishin para teje dhe mos u bëj ti shembull për ata që do të vijnë pas teje.”

Nga urtësitë e njerëzve të ditur është thënë: “Kush merr mësim nga të tjerët, e pengon veten që të bëhet mësim për të tjerët.” Dhe: “Kush e bën veten të tijën këshillë për të tjerët, nuk do të gjejë për veten e tij dikë që ta këshillojë.”

Në fjalët e urta të njohura thuhet: “I lumtur është ai që merr këshillë nga të tjerët.”  Marrja e mësimit dhe nxjerrja e shembujve është rruga e njerëzve të mençur.

Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Kjo, me të vërtetë, është mësim për largpamësit.” (Al ‘Imran 13) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” (Kaf 37)

O Zot, na bëj prej atyre që, kur u përkujtohet diçka kujtohen, kur u tregohet e vërteta e shikojnë, dhe kur këshillohen marrin mësim.

Zotit  i kërkoj falje për vete dhe për ju.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili në kalimin e ditëve ka vendosur mësime për të marrë, dhe në ndryshimin e kohës ka dhuruar këshilla dhe përsiatje.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok,

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Sikur të meditonim në  çështjet nga të cilat mund të nxjerrim mësim, nuk do të mund t’i numëronim dot. Por le të shëtisim me mendimet tona, duke marrë mësim, dhe t’ia kujtojmë veteve tona duke pyetur: A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që nuk e madhëroi Zotin ashtu siç duhet, që ia kushtoi adhurimin dikujt tjetër veç Tij  dhe kreu gjynahe të mëdha shkatërruese për veprat e tij? Si ai që u lutet të vdekurve, kërkon ndihmë prej evlijave, që therën kurbane për ta, u kushton atyre zotime, që përkulet para varreve dhe atyre që janë varrosur në to, dhe që beson se ata kanë cilësi që i përkasin vetëm Zotit, nga ato që sjellën dëm dhe dobi, jep dhe ndalon?

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që ndoqi rrugën e ekstremistëve të devijuar dhe eci në rrugën e rebelëve të dalë nga feja, duke i shpallur muslimanët jobesimtarë pa argument, duke i akuzuar gjerësisht për prishje dhe bidat pa dëshmi e sqarim, dhe e konsideroi të lejuar derdhjen e gjakut dhe marrjen e pasurisë së tyre me padrejtësi dhe agresion?

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që u tregua arrogant dhe tiran, përhapi prishje në tokë dhe u ngrit me arrogancë, ai që e ka zakon tradhtinë dhe pabesinë, dhe sjellja e tij është padrejtësia dhe mashtrimi; ai që sulmon vendet e myslimanëve, u shkakton dëm të tjerëve, terrorizon njerëzit e sigurt dhe derdh gjakun e të pafajshmëve?

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që u josh nga njerëzit e devijimit dhe pasioneve, që ndjekin çështjet e paqarta, dyshimta, dhe nga ai që mashtrohet prej atyre që vënë në dyshim bazat e fesë dhe sulmojnë parimet e qarta? Ai që e bën fenë e tij objekt dyshimesh dhe zhytet në detin e dyshimeve dhe errësirave.

LEXO  Namazi lidhja më e fortë me Zotin e botëve

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që ndoqi dëshirën e vet, u shkëput nga feja dhe e kundërshtoi atë, duke pretenduar se është çliruar nga prangat dhe kufizimet, dhe duke e cilësuar Islamin dhe ithtarët e tij si të prapambetur dhe të ngrirë?

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që shkon te magjistarët, fallxhorët dhe mashtruesit, u beson atyre dhe kërkon ndihmën e tyre për t’u bërë keq muslimanëve?

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që shpif dhe gënjen për Zotin e tij, mashtrohet nga fjalët e tij të rreme, ai që, nuk e njeh të vërtetën dhe megjithatë pretendon se e di atë, dhe i devijon të tjerët me shpifjet e tij? Ai që e ka bërë qëllim të jetës ndjekjen e të metave dhe gabimeve të njerëzve të devotshëm, kërkimin e gabimeve dhe rrëshqitjeve të tyre, dhe që nuk pushon së përgojuari e shpifuri për nderin e muslimanëve dhe muslimaneve, të gjallë e të vdekur?

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që adhuron gjëra për të cilat Zoti i botëve nuk ka dhënë leje dhe të cilat i dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nuk i ka ligjëruar, duke rënë kështu në bidate dhe risi në fe?

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që braktisi shtyllën e Islamit, namazin, e la pas dore dhe nuk ia dha të drejtën që meriton, duke këputur lidhjen ndërmjet tij dhe Zotit të botëve dhe duke mos e çmuar faktin se namazi është gjëja e parë për të cilën do të japë llogari në Ditën e Gjykimit?

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që nuk i respektoi prindërit dhe nuk u bëri mirë atyre, ua shkeli të drejtat, nga ai që i ndërpreu lidhjet farefisnore dhe nuk i ruajti të drejtat dhe shenjtërinë e tyre?

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që nxitoi dhe veproi me ngut në çështjet e tij, si në divorc, në gjykimin e njerëzve mbi bazën e dyshimeve dhe hamendsimeve, dhe në përhapjen e çdo gjëje që thuhet e dëgjohet?

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai që tregohet koprrac me atë që Zoti i ka dhënë nga mirësia e Tij, nuk jep të drejtën e Zotit në pasurinë e tij dhe atë që është urdhëruar të japë, dhe nga ai që e merr pasurinë në mënyrë të padrejtë, e fiton atë përmes mashtrimit dhe dredhive?

A ka ndonjë që të marrë mësim nga ai të cilit i është dhënë këshillë, por nuk e pranoi, përkundrazi, u largua dhe u tregua arrogant, u mahnit nga vetja dhe këmbënguli në mendimin e tij?

Prandaj shikoni se çfarë u bëri Zoti këtyre dhe të ngjashmëve me ta, atyre që bënë keq dhe u larguan nga udhëzimi, atyre që u shkaktuan dëm të tjerëve, këmbëngulën në devijimin e tyre dhe u ndëshkuan në përputhje me veprat dhe mëkatet e tyre, për shkak të asaj që kishin bërë me duart e tyre. Ata morën ‘shpërblimin’ e keqbërësve dhe u bënë mësim për ata që duan të marrin mësim.

O adhurues të Zotit, kujtoni vazhdimisht urdhrin e Mbretit të Gjithëdijshëm për të dërguar lutje dhe përshëndetje për më të mirin e njerëzimit: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, familjarët dhe të gjithë shokët e tij.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, bëje këtë vend të sigurt, të qetë, të mbrojtur dhe me  begati të bollshme, dhe të gjitha vendet muslimane.

O Zot, kush dëshiron sigurinë dhe stabilitetin e këtij vendi me të keq, ligësi dhe përçarje bëj që komploti i tij të kthehet kundër tij, dredhia e tij të dështojë dhe përpjekjet e tij të shkojnë kot dhe bëj planet e tyre shkatërrim për ta, o Dëgjues i lutjeve.

O Zot, na ruaj nga çdo armik gjynahqarë, smirëzi, keqdashës, që përgjon dhe i poshtër.

O Zot, ruaj umetin Islam, tokat dhe të shenjtat e tij, largo prej tij sulmet e agresorëve, padrejtësinë e shtypësve dhe tiraninë e të padrejtëve, largo prej tij të këqijat e luftërave, konflikteve, vështirësive dhe sprovave.

O Zot, ndihmoi të shtypurit, ata që përpiqen, luftojnë,  në rrugën Tënde, ata që janë të vendosur në front dhe mbrojtësit e kufijve.

O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, bëj që udhëheqja jonë të jetë në duart e atyre që të kanë frikë Ty, që janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.

O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që do dhe je i kënaqur, nga fjalët dhe veprat, o i Gjallë, o i Përhershëm. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të fronit të tij në udhëzimin Tënd dhe në devotshmërinë ndaj Teje.

O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë dhe në çdo vend, o Zoti i botëve.  O Zot, lehtëso vuajtjet e tyre, largo shqetësimet e tyre, përmirëso marrëdhëniet në mes tyre, planifiko për ta dhe mos planifiko kundër tyre.

O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin tonë, Muhamedin, familjarët dhe të gjithë shokët e tij.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1696415835818423/1883143636399149

Post Author: endrit