Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 18-11-1446 H 16-05-2025 D
Shejh Jaser Ed-Dosari
Tema Vlerat e lutjes dhe etika e saj
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili i dëgjon lutjet, Zotëruesi i mirësive të mëdha, Bujari, Dhuruesi i bekimeve dhe mirësive të shumta, larguesi i të keqes dhe fatkeqësive.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Zotëruesi i Lavdisë dhe Madhështisë.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari me fenë e pastër dhe tolerante Hyjnore. Paqja, mëshira dhe bagëtia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, njerëzit e pastër dhe të nderuar, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e ditën e shpërblimit, Gjykimit.
Në vijim
O ju njerëz! Porosis ju dhe veten time që t’i frikësohemi Allahut sepse ajo është përgatitja e shpresuar, çelësi i pranimit dhe rruga drejtë arritjes. Përmes saj përhapen gjërësisht bekimet, largohen fatkeqësitë dhe lutjet marrin përgjigje. Zoti i të gjitha krijesave ka thënë: “ Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe Toka…” (El-A’raf 96)
O muslimanë! Vërtetë nga ligjshmëria e Zotit të Madhërishëm është se Ai e ka bërë këtë botë vend sprove dhe testimi, dhe është e mbushur plot me gjëra të këqija dhe papastërti, nga ku pak njerëz janë të sigurt, shpëtojnë nga rreziqet në të. Probleme, shqetësime, fatkeqësi, mundime dhe afate të caktuara që i çojnë njerëzit drejtë vdekjes.
Por kur zemra e robit është e mbushur me monoteizëm, me Njësimt të Zot dhe besim në Të, ai do ta njohë strehën dhe ilaçin e tij, mbrojtjen dhe shërimin e tij. Ai do t’i drejtohet Zotit me lutje, të cilën Zoti e ka bërë adhurim nga format më të mira të adhurimit dhe afrim nga format më të mëdha të afrimit, përkushtimit tek Ai. Zoti i ka urdhëruar robërit e Tij që ta bëjnë lutjen dhe u ka premtuar atyre me përgjigje. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (Gafir 60) Allahu ka thënë: “ Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam pranë, u përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” (El-Bekare 186) I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Lutja është adhurim.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi. E ka quajtur lutjen adhurim sepse ajo, lutja, përfshin Njësimin e Zotit dhe veçimin e Tij për adhurim. Të dërguarit e Zotit, paqja qoftë mbi ta, kishin pjesën më të lartë dhe më të bollshme të këtij adhurimi. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh.”( El-Enbija’ 90) Të zgjedhurit e Zotit ndoqën gjurmët e tyre dhe ecën në rrugën e tyre. Ata ngritën duart drejt Tij në nevojë dhe varfëri, trokitën në derën e Tij me nënshtrim dhe përulësi, duke i kërkuar Atij fitore dhe sukses në këtë botë dhe në banesën e përjetshme, në Ahiret.
O ju besimtarë! Lutja është ngushëllimi i atyre që kërkojnë qetësi, siguria e atyre që kanë frikë dhe streha e atyre që kanë nevojë. Ajo është litar i shtrirë midis tokës dhe qiellit, fitim pa mundim. Njeriu më i pafuqishëm është ai që nuk është në gjendje të lutet, siç na ka informuar vula e të dërguarve, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të.
Lutja është një nga shkaqet më të mëdha të suksesit dhe arritjeve, begative. Përmes lutjes zbret mëshira, dhurohen të mirat, largohen vështirësitë dhe ndëshkimet, dënimet, mënjanohen fatkeqësitë dhe shqetësimet. Sa shumë bekime janë dhënë nëpërmjet saj, lutjes, sa fatkeqësi janë larguar nëpërmjet saj dhe sa gjynahe janë falur nëpërmjet saj, lutjes!
Asnjë gjë nuk i sjellën bekimet dhe nuk i largon fatkeqësitë sikur lutja. Nuhu, paqja e Zotit qoftë mbi të, u lut kundër, i mallkoi, ata që refuzuan, i kthyen shpinën thirrjes së tij, që këmbëngulën dhe u treguan arrogantë, dhe tha: “ O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues.” (Nuh 26) Kështu që Allahu ju përgjigj lutjes së tij dhe përmbytja i përfshiu ata ndërsa ishin keqbërës.
Ibrahimi, pajq ae Zotit qoftë mbi të, u lut për Meken dhe tha: “O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet…” (Ibrahim 35) Kështu Zoti e bëftë atë vend strehimi dhe sigurie për njerëzit. Kur balena gëlltiti Junusin, paqja e Zotit qoftë mbi të: “…andaj thërriti nga errësira: “S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!”(El-Enbija’ 87) Zoti e shpëtoi atë nga fatkeqësia dhe kështu Zoti i shpëton besimtarët.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ju lut Zotit në ditën e Bedrit, ngriti duart e tij lart dhe filloi t’i lutej Zotit të tij: “O Zot, përmbush për mua atë që më premtove. O Zot, përmbush për mua atë që më premtove.” Zoti e mbështeti atë me Melaiket e Tij dhe i dha fitoren përballë armiqve të tij. Lutja është arma e njerëzve të sigurisë, mburoja e të fuqizuarve, ajo është shoqëruesi i besimtarit në kohë të mira dhe ngushëllimi i tij në vështirësi dhe fatkeqësi. Asgjë nuk mund ta shmangë, ndryshojë caktimin përveç lutjes.
Vëllezër në besim! Lutja është arsye për lehtësim dhe qetësim të shpirtit dhe zemrës, për mendim të mirë për Zotin dhe pritje së lehtësim vetëm prej Tij. Kush e drejton fytyrën nga dikush tjetër përveç Zotit do të poshtërohet dhe zhgënjehet. Kush i ankohet Zotit, ai është i denjë për përgjigje dhe shpërblim. Nga Abdullah Ibn Mes’udi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush është i goditur, prekur nga varfëria dhe ankohet me të tek njerëzit, varfëria e tij nuk do të shuhet, nuk do të marri fund. Kush është i goditur, prekur nga varfëria dhe ankohet për të tek Zoti, Ai do t’i sigurojë atij furnizim të menjëhershëm ose të vonuar.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.
Fryti i lutjes është i garantuar dhe rezultati i saj është i lavdërueshëm. Nga Ebi Said, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka musliman që lutet me një lutje që nuk përmban gjynah dhe as shkëputje të lidhjeve familjare, përveçse Allahu do t’i japë atij një nga tre gjëra: Ose do ta shpejtojë lutjen e tij, ose do të ja rezërvojë, ruajë atij për të në botën Tjetër, Ahiret, ose do t’i largojë atij nga të këqijat në një masë të barabartë me të, me lutjen.” Ata thanë: “Atëherë le të shtojmë, nga lutja?!” Ai tha: “Allahu është Ai që jep më shumë.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi.
Luteni Allahun për të gjitha nevojat tuaja, të vogla dhe të mëdha, të pakta dhe të shumta, të menjëhershme dhe më të vona. Vërtetë çdo çështje është në Dorën e Tij, nuk është dikush që mund ta ndalojë atë që Ai jep, dhe as që të japë atë që Ai ndalon. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Nëse Allahu vendos që të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund të ta largojë atë, përveç Tij e, nëse Ai do të të bëjë ndonjë të mirë, s’ka kush që ta pengojë mirësinë e Tij.” ( Junus 107) Nëna e besimtarëve, Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ Kërkoji, lutjuni Zotit për çdo gjë, madje dhe për një lidhëse këpucësh; nëse Zoti nuk e bën atë të lehtë, ajo nuk do të jetë e tillë, e lehtë.” Hadithin e ka transmetuar Ebu Ja’la.
Adhurues të Zotit!
Zoti na begatoftë me Kuranin Famëlartë, me synet e të dërguarit të Tij të nderuar dhe na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë e tyre.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, Sunduesin dhe Dhuruesin e Madh, i Cili ka përcaktuar për ne ligjet më të përsosura dhe sjelljet më të mira.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Mëshirëploti që pranon pendimin.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ai të cilit i është zbritur libri, Kurani, sqarim dhe përkujtim për ata që mendojnë. Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e tubimit të madh dhe kthimit tek Zoti, ditën e Gjykimit.
Në vijim
O ju muslimanë! Ekzistojnë disa rregulla etikete për lutjen që është mirë të respektohen, si dhe disa ndalesa ligjore që duhen shmangur. Kjo për shkak të respektit të robit ndaj Zotit të tij dhe për t’iu afruar përgjigjes së lutjeve dhe kërkesave të tij:
Së pari; Sinqeriteti në lutjen drejtuar Zotit të Plotfuqishëm, sepse lutja është adhurim dhe adhurimi nuk i drejtohet dikujt tjetër veç Zotit, Një të Vetëm.
Së dyti: Ndjekja e sunetit të profetit të Zotit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Nga udhëzimet e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në lutje është se ai fillonte lutjen duke lavdëruar Zotin me Emrat e Tij të bukur dhe Cilësitë e Tij Madhështore, në zbatim të fjalës së Zotit të Lartësuar: “Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to…” (El-A’raf 180) Pastaj e pason këtë me lutje dhe përshëndetje për të dërguarin e Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe lutet me fjalë gjithëpërfshirëse.
Nga etiketa e lutjes gjithashtu është: Pastrimi i vetes në një mënyrë të mirë, të marrit abdes, pastaj drejtimi nga Kibla, ngritja e duarve drejt Allahut të Plotfuqishëm, duke patur mendim të mirë për Të, duke qenë nevojtarë për Të, nënshtrohesh para Tij, i vendosur në lutjen tënde dhe këmbëngulës në kërkesën tënde. Sa kohë që lutja shoqërohet me përulësi të zemrës dhe nënshtrim para Zotit, ajo, lutja, ka më shumë gjasa të pranohet.
Robi duhet të kërkojë kohët kur lutjet pranohen dhe t’i shfrytëzojë ato, siç është një e treta e fundit e natës, në mes të ezanit dhe ikametit, dhe në sexhde. Ndër kohët më të mira për t’u pranuar lutjet është Dita e Arafatit. Trasmetohet nga Abdullah Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Lutja më e mirë është lutja në Ditën e Arafatit, gjëja, lutja më e mirë që unë dhe profetët para meje kemi thënë është: S’ka zot tjetër përveç Allahut, Ai i Cili është i Vetmi, pa shok. I Tij është sundimi dhe i Tij është lavdërimi, Ai është i Plotëfuqishëm për të bërë çdo gjë.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.
Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar i përgjigjet lutjes së robit të Tij për sa kohë që ai nuk nxitohet. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i knaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Çdo njëri prej jush do të marrë përgjigje për sa kohë që nuk nxitohet, dhe thotë: Unë u luta, por lutja ime nuk u pranua.” Muttefikun Alejhi.
Vëllezër në besim! Nga gjërat që e pengojnë lutjen të marrë përgjigje janë: Ngrënia e asaj që është e ndaluar, haram, dhe lutja e një përsoni me zemër të pavëmendshme. Një person duhet të ketë kujdes nga tejkalimi i kufijve në lutje, siç është lutja në gjynah ose ndërprerja e lidhjeve familjare. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Lutja e robit do të vazhdojë të pranohet për sa kohë ai nuk lutet për gjynah ose për ndërprerje të lidhjeve familjare.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. O ju që jeni të rrethuar nga shqetësime dhe hidhërime, për të cilët toka, pavarësisht gjerësisë së saj, duket shumë e ngushtë! O ju që jeni të rraskapitur nga sëmundjet dhe jeni të mbytur në borxhe, o ju që jeni të ngarkuar nga gjynahet dhe të këqijat; Përmbajuni lutjes, sepse tek Allahu është lehtësimi, askush nuk humbet me lutje, e ai që shpreson dhe kërkon tek Allahun nuk do të zhgënjehet.
O adhurues të Zotit! Ditët e Haxhit kanë mbërritur. Ato janë ndër sezonet më të mira të bindjes ndaj Zotit, dhe kohët më shpresëdhënëse për t’u përgjigjur lutjeve. Prandaj, shfrytëzoni ato, ditët e Haxhit, duke ngritur duart dhe derdhur lot me shpresën se lutjet tuaja do të pranohen, do të përmbushen nevojat tuaja, se gjynahet tuaja do të falen dhe veprat tuaja të këqija do të fshihen.
Kush ka për qëllim që të kryejë Haxhin dhe synon të vizitojë Shtëpinë e Shenjtë, Qaben, le të hyjë në shtëpi, në Qabe, nga portat e saj, të kryejë siç duhet detyrimin, obligimin, t’i përmbahet rregullave të Sheriatit dhe të zbatojë rregulloren e këtij shteti të drejtë. Kjo përfshin atë që autoritetet përkatëse kanë theksuar nga kërkesa për të marrë një leje zyrtare për Haxhin, duke marrë parasysh interesat legjitime, legjislacionin fetar, sheriatin.
Haxhi është adhurim fisnik, i ngritur në lehtësim dhe largim të vështirësive. Sheriati, legjislacioni Islam, ka ardhur për të shtuar dobi dhe për të rritur përfitimet, si dhe për të larguar dhe zvogëluar dëmin. E kjo gjë nuk mund të arrihet përmes kaosit dhe as duke mos iu bindur sundimtarëve, udhëheqësve të vendit. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i knaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush më bindet mua i është bindur Allahut, e kush më kundësrshtin mua ka kundërshtuar Allahun. Kush i bindet udhëheqësit më është bindur mua, e kush nuk i bindet udhëheqësit nuk më është bindur mua.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.
O Zot, begatoje këtë vend të bekuar që nuk ka kursyer asnjë përpjekje në planifikim, ndërtim, organizim dhe dhurim, ku ka siguruar një sistem të integruar shërbimesh dhe lehtësirash. Ku ka ofruar çdo mjet për të lehtësuar mbërritjen e mysafirëve të të Gjithëmëshirshmit për t’i mirëpritur ata me gjithë mikpritje dhe nder, në mënyrë që të mund të kënaqen duke kryer ritualet e tyre me lehtësi, qetësi dhe rehati. O Zot, jepu udhëheqësve tanë shpërblime të bollshme dhe të mëdha, dhe të gjithë atyre që Allahu i ka nderuar të punojnë në këtë fushë fisnike.
Adhurues të Zotit! Lutuni dhe përshëndeteni udhërrëfyesin, lajmëtarin dhe pishtarin ndriçues, ashtu siç ju ka urdhëruar të bëni Ai që dëgjon dhe shikon gjithçka, ku Ai ka thënë: “…kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!” (El-Mulk 14) “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush dërgon një herë salavat mbi mua, Allahu dërgon dhjetë salavate mbi të.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin besnik, Muhamedin, familjen e tij të mirë dhe të pastër, dhe bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e parë të drejtë, me të gjithë shokët e tij, me tabiinët dhe me ata që i pasojnë në mirësi deri në ditën e Fundit, dhe me ne së bashku me ata, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, ndihmo robërit e Tu besimtarë dhe mbro ndjekësit e fesë. O Zot, bëje këtë vend të paqtë, të sigurt dhe të begatë dhe të gjitha vendet e muslimanëve, o Zoti i botëve.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, mbështet me të vërtetën udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, mbretit Selman dhe zëvendësit të tij, princit të kurorës, Muhamed Ibn Selmanit, dhe jepu sukses atyre në çdo gjë që Ti do dhe je i kënaqur. Jepu atyre shpërblimin më të mirë në emrin tonë, në emër të vendit dhe të popullit, në emër të Islamit dhe të muslimanëve.
O Zot, ruaj dhe ndihmo njerëzit e sigurisë tonë dhe ushtarët tanë në kufijtë tanë, të lutemi të jesh për ta ndihmë dhe mbështetje, mbrojtës dhe përkrahës.
O Zot, jepu sukses kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve në udhëzimin Tënd dhe bëj që punën e tyre të meritojnë kënaqësinë Tënde.
O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve. O Zot, mëshiro të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve.
O Zot, ndihmo të dobëtit në çdo vend dhe në Palestinë. O Zot, ndihmoi ata në Palestinë, jepu atyre lehtësim nga çdo shqetësim, rrugëdalje nga çdo vështirësi dhe shpëtim nga çdo fatkeqësi. O Zot, shëro të plagosurit e tyre, ndalo gjakderdhjen e tyre dhe forco zemrat e tyre.
O Zot, ruaj xhaminë e Aksasë dhe bëje atë të qëndrueshme dhe krenare deri në ditën e Kijametit. “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
Na fal ne sepse Ti me të vërtetë je Falës i Madh, Mëshirues.
“Dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180)
Afrim Smakaj