Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 03-05- 1442 H 18-12-2020
Shejh Mahir El Muajkili Tema Zoti është i Mirë me robërit e Tij
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet për Zotin që njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari, me Butësinë e Tij mbushën gjithë botën, dhe ka veçuar me këtë cilësi robërit e Tij besimtarë. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falenderoj, tek Ai pendohem dhe falje kërkoj.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok: “ Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë.” (El-En’am 103)
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, ka lajmëruar për Zotin e tij të Madhërishëm, dhe të Lartësuar, se çfarë mbushën zemrat nga adhurimi dhe madhërimi i Zotit të Lartësuar, dashuria, frika dhe përulësia ndaj Tij. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë me mirësi deri në ditën e fundit.
Në vijim
O besimtarë! Porosis ju dhe veten time që të kemi frikë Zotin, ta falenderojmë Atë në mirësi, dhe të jemi të duruar përballë caktimit të Tij në vështirësi. Vërtetë Allahu i Madhërishëm është i Mirë me robërit e Tij. “Allahu është i Mirë me robërit e Vet dhe i jep begati kujt të dojë; Ai është i Plotfuqishëm dhe i Pushtetshëm.” (Esh-Shura 19)
O popull muslimanë! Nga dituritë më të ndershme dhe më të dobishme është dituria që të njeh me Zotin e Madhërishëm, me Emrat, Cilësitë dhe Veprat e Tij, e kjo është e vërteta e besimit dhe qëllimi i thirrjes nga të dërguarit e Zotit. Njeriu nëse arrin të njohi Zotin e tij me Cilësitë e Tij të larta, dhe Emrat e Tij të bukur, ka përsosur teuhidin, besimin në Një Zot, e do Zotin dhe i bindet Atij, largohet nga mosbindja dhe kundërshtia e urdhërave të Tij. Qëllimi i ekzistencës së krijesave është adhurimi i Krijuesit, njohja e të Lartësuarit, me Madhështinë dhe Aftësinë e Tij, dhe Diturinë gjithëpëfshirëse dhe Forcën e Tij të pafundme. “Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.” (Et-Talak 12)
Kurani Famëlartë ka treguar shumë nga Emra, Cilësit dhe Veprat e Zotit të Madhërishëm. Sikurse suret dhe ajetete më madhështore nga Kurani Famëlartë janë ato që përmbajnë Emrat, Cilësit dhe Veprat e Zotit të Madhërishëm. Fatihaja është nga suret më madhështore në Kuranin Famëlartë. Ajo përmban lavdërim, madhërim, dhe lartësim të Zotit. Sqaron Emrat e bukur dhe cilësit e larta të Zotit të Madhërishëm, dhe se Ai është i Vetëm në Sundim dhe Zoti i Vetëm meriton të Adhurohet. “ I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti, Sunduesi i Ditës së Gjykimit.”
Surja Ihlas, është e barabartë me një të tretën e Kuranit, sepse konkludon në qartësimin e atributeve të Zotit të Gjithëmëshirshmit.
Ka ardhur tek dy Sahihët se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dërgoi njërin prej shokëve të vet si kryesues të një ekspedite vëzhguese, i cili gjatë qëndrimit në terren, shokëve të vet në çdo namaz ua këndonte suren “El-Ihlas”, me të cilën po ashtu edhe përfundonte namazin. Kur u kthyen në Medinë, ata ia përmendën këtë veprim të tij Pejgamberit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Ai ka thënë: “Pyeteni atë përse vepron kështu?” E kanë pyetur, dhe ai ka thënë: “ Sepse kjo sure tregon Cilësit e të Gjithëmëshirshmit, unë e dua këtë sure dhe i lexoj ato.” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Lajmërojeni se Allahu e do atë.”
Sa më shumë ta njohi njeriu Zotin aq më shumë i frikësohet Atij, më kërkues në adhurimin e Tij, qëndron largë mosbindjes dhe kundërshtisë së Tij, dhe është më afër Zotit të Madhërishëm. Zemra e tij dëshiron gjithmonë që të takojë Zotin, e do Atë dhe dëshiron ta shikojë Atë. “ Kush dëshiron takimin me Zotin, dhe Zoti e do takimin me të.”
Vëllezër në besim! Vërtetë në çdo emër nga emrat e bukur të Zotit, dhe cilësi nga cilësit e Tij të Larta, ka adhurim dhe përulje që janë vetëm për Të. Nga emrat e bukur të Zotit të Madhërishëm dhe nga cilësitë e Tij të Larta është dhe emri i Zotit “Latif”- i Butë dhe Bamirës me robërit e Tij. Ai që dituria për të është e mbuluar me sekretet e Tij, Ai di të fshehtën dhe të dukshmen, nga çfarë mbartin në brendësinë e gjokseve tona dhe shpirtit. Në këtë kuptim është ajo që ka ardhur në Sahihun e Muslimit, se Xhibriili, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka ardhur natën tek i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, i cili sapo ishte bërë gati për gjumë, dhe e ka lajmëruar me urdhërin e Zotit të Madhërishëm që të kërkojë falje për banorët e Baki’as, varrezat në Medine. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, u ngrit i tronditur nga shtrati i Aishes. Pasi që doli nga aty, Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, e ndoqi nga pas duke qenë e frikësuar, dhe për të shikuar se çfarë po bën. Kur e pa se po kthehej, u kthye dhe ajo, kur ai nxitoi, nxitoi dhe ajo, dhe vrapoi për në shtrat që të bënte sikur ajo është në gjumë. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, hyri dhe i tha: “ Çfarë ke o Aishe, pse të gumëzhinë barku?” D.m.th pse merr frymë me vështirsi? I kam thënë: “Asnjë gjë.” Ka thënë: “ Do më tregosh, ose do më tregojë Ai që është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë.” I ka treguar dhe i ka thënë: “ Çfarë do që të fshehin njerëzit, e di Zoti i Gjithëdijshëm.” Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, kishte menduar se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ishte duke shkuar për të kaluar natën tek ndonjëra nga gratë e tij, në natën e saj.
O besimtarë! Nga kuptimet e emrit të Zotit “Latif” është se ai zbret mirësit e Tij tek robërit, besimtarët e Tij, dhe i mbron ata nga zemërimi i Tij me Butësin dhe Mirësin e Tij. I orienton drejt përsosmërisë dhe lumturisë së tyre, me metoda delikate të cilat ndoshta nuk i ndjejnë dhe nuk arrijnë që ti njohin, vetëm nëse u bëhen të qarta gjurmët e tyre. “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (El-Bekare 216)
Nga krijesat më të njohura me Zotin janë të dërguarit dhe profetët e Tij. Kush shikon në atë çfarë kanë kaluar, në dukjet të tyre janë sprova, vështirësi dhe pikëllime, por se në brendësi të tyre janë butësi, dhembshuri, mirësi dhe mëshirë, bindet se çdo çështje e tij është në dorë të Zotit, që është Latif, i Mirë me robërit e Tij. Jusufi, paqja e Zotit qoftë mbi të, është përballur me vështirësi që në moshë të vogël. Vëllezërit e tij i thurën komplot dhe e privuan nga të qëndruarit me prindërit e tij. Ata e hodhën Jusufin në pus, e më pas u shit për një çmim të lirë, si skllav. Më pas kaloi disa vite në burg, duke qenë i vetëm dhe larg familjes. Por se Allahu i Madhërishëm ishte i Mirë me të, pusi ishte mbrojte për të nga vrasja, skllavëria ishte një mbrojtje për të nga endja në shkretëtirë. Burgosja e tij ishte sprovë e krijesës që gabon dhe bën gjynah. Atje, në burg, takon atë që e porositën të ndërmjetësojë për të tek mbreti. Të gjitha këto sprova dhe mësime u bënë shkak që Jusufi, paqja e Zotit qotfë mbi të, të lartësohet në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i Madhërishëm e bashkoi atë me prindërit dhe familjen e tij në kohën kur ai ishte në kulmin e pozitës, pushtetit dhe pasurisë, dhe me atë që Allahu i Madhërishëm i dhuroi atij nga profetësia. “Ai i ngriti prindërit e vet në fron dhe ata të gjithë iu përulën atij. Ai tha: “O babai im, ky është shpjegimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e përmbushi atë. Mua më bëri mirësi, kur më nxori nga burgu, kurse juve ju solli nga shkretëtira, pasi djalli pati futur ngatërresë midis meje dhe vëllezërve të mi. Vërtet, Zoti im është i Butë me kë të dojë; Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti!” (Jusuf 100)
O ju besimtarë! Treguesit e mirësive të Zotit ndaj robërve të Tij janë të shumëta dhe nuk numërohen apo të hamendësohen dot. Nga mirësitë dhe kujdesi i Zotit për robërit e Tij është se Ai u cakton furnizim nga ajo që e presin dhe ajo që nuk e presin, dhe nga ajo që e mendojnë dhe që nuk e mendojnë. E gjithë kjo ndodhën në Diturinë e Tij dhe për dobi të krijesave, njerëzve, dhe jo sipas dëshirave, por nga Mirësia e Tij për ata, nga Drejtësia dhe Bujaria e Tij për ata. “Sikur Allahu t’i shtonte mjetet e jetesës për robërit e Vet, ata do ta mbushnin Tokën me mbrapshti. Por Ai u jep me masë, sa dëshiron, sepse Ai i njeh dhe i sheh mirë robërit e Vet.” (Esh-Shura 27)
Imam Ahmedi ka sjellë në Musnedin e tij se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtetë Allahu e mbron robin e Tij besimtarë nga kjo botë, dynjaja, dhe Ai e do atë, sikurse e mbroni të sëmurin tuaj nga ushqimi dhe pija, sepse keni frikë për të nga ai, ushqimi.”
Nga Mirësia e Zotit të Madhërishëm me robërit e Tij besimtarë është se i largon ata nga errësira e padijes, mohimit dhe gjynaheve për në dritën e dijes, besimit dhe bindjes ndaj Zotit. Allahu i Madhërishëm ua mundëson që të shijojnë ëmbëlsinë e disa adhurimeve që të dëshirojnë diçka që është më e mirë dhe e madhe se ato. Sikurse me Mirësinë dhe Butësin e Tij ju jep sukses besimitarëve që të ndalojnë vetet e tyre nga egoja dhe e kota, dhe për këto do ti shpërblejë me Xhenetet e larta. “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” ( En-Nazi’at 40-41)
Sikurse nga Mirësia e Zotit të Madhërishëm me robin e Tij është se kur e sprovon me disa fatkeqësi, i jep sukses që të jetë i duruar në të. Me këtë durim besimtarit i mudësohet që të arrijë disa gradë të larta, të cilat nuk i arrin dot me veprat, apo punët e tij. Nëse ai është i fortë në besim, fatkeqësia është më e rëndë, duke ju rritur në këtë mënyrë besimi i tij dhe ti shtohet shpërblimi gjithashtu. Ndërsa besimtarit të dobët, fatkeqësia për të është më e lehtë, nga Mirësia dhe Butësia e Zotit të Madhërishëm, që të mos i dobësohet, pakësohet besimi i tij. Allahu i Madhërishëm është i Butë në të mirë dhe në vështirësi të njeriut, në shëndetin dhe sprovën e tij.
Tek dy Sahihët ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka gjë që e godet muslimanin, prej sëmundjes dhe lodhjes, prej hidhërimit dhe telasheve, prej fatkeqësive dhe halleve, madje edhe ferra që e shpon, përveç se Allahu e pastron prej gabimeve që ka bërë.”
Mund të ndodhë që të urreni diçka por Allahu jep nga ajo të mira të shumëta.
Tek “Zuhdi” i Ibn Mubarakut, tregohet se Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Nuk shqetësohem për asnjë gjendje, situatë që mund të jem, për atë që dua apo atë që urrej, sepse unë nuk e di e mira është tek ajo që unë dua apo tek ajo që urrej.”
Nga Mirësia dhe Butësia e Zotit ndaj robit të Tij, është se gjynahin që kryen njeriu e bën shkak për mëshirën dhe faljen e Tij. Allahu i Madhërishëm njeriut pasi që kryen një gjynah i hapën portën e kërkimit falje dhe pendesës, derisa të shikojë njeriu se po shpërdoron me mosbindjen dhe gjynahet e tij. E kur njeriu të shikojë se mes tij dhe varrit ka mbetur një pëllëmbë, shumë pak kohë, i Buti dhe Bamirësi me robërit e Tij, hapën për të portat e kërkimit falje dhe pendesës, dhe ndjen keqardhje për atë që ka kaluar nga jeta e tij, kthehet e punon nga punët e banorëve të Xhenetit.
Tek dy Sahihët ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtetë dikush nga ju mund të bëjë vepra (të liga), derisa ndërmjet tij dhe Zjarrit të ketë mbetur vetëm një kut, por atij i paraprin paracaktimi i shkruar për të dhe ai fillon të bëjë vepra të mira, të cilat janë veti e banorëve të Xhenetit, dhe hynë në Xhenet.”
Ibn Kajmi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Allahu i Madhërueshëm është kontrolluesi i çdo gjëje tek krijesat e Tij, të bindurit e Tij dhe ata që nuk i binden. E si mund të jetë të kontrolluarit e Tij ndaj atij që e ka dashur Atë dhe i është nënshtruar, ka madhëruar vetëm Atë, dhe është kënaqur me të prej njerëzit, e ka konsideruar të dashur dhe Zot, Kujdestar dhe Ndihmues, Mbështetës dhe Udhëzues? Sikurë të hiqej mbulesa prej Mirësisë së Tij, Drejtësisë dhe Bujarisë së Tij për njeriun, nga ajo që e di dhe nga ajo që nuk e di, zemra e tij, njeriut, do të shkrihej nga dashuria për Zotin, nga përmallimi për Të dhe do të copëtohej duke e falenderuar Atë.” Këtu mbaron fjala e Ibn Kajmit, Zoti e mëshiroftë.
Madhërimet për Atë që me robërit e Tij është i Mirë dhe i Gjithëditur, i Dashur dhe Bujarë, Falës, dhe Mëshirues. Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Sido që të flisni ju, fshehtas apo haptas, Ai e di mirë ç’ka në zemrat tuaja. E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!” ( El-Mulk 13-14)
Zoti na begatoftë me Kuran dhe synet, dhe na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë e tyre. Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Atë që Mirësitë e Tij ndaj nesh janë të vazhdueshme.
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Atij nuk mund ti fshihet asnjë gjë.
Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i është nënshtruar Zotit të tij dhe i është frikësuar vetëm Atij, atë e pastroi Zoti i Gjithësisë dhe e shëroi nga çdo aspekt. Paqja, mëshira dhe begatia e Zoti qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e fundit.
Në vijim
O besimtarë! Nga ndikimet në besim i emrit të Zotit, “Latif”, i Mirë me robërit e Tij, është përpjekja e vetes për përmirsimin e zemrës. Zemra është “vendi,” ajo çfarë shikon Zoti. Me përmirsimin e zemrave përmirsohet trupi dhe veprat. Në diturin e njeriut është se Zoti qëndron mbi çdo gjë, i informuar për çdo gjë të madhe dhe të vogël, dituri që e shtynë të marri veten në llogari, në fjalët dhe veprat e tij, lëvizjet dhe qëndrimet e tij. Lukmani duke këshilluar djalin e tij ka thënë: “ O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në Tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë.” ( Lukman 16)
Vërtetë kush beson në emrin e Zotit “Latif”, e di se çdo vështirsi që i vjen janë shkallë me të cilat ngjitet në gradë. Sa nga fatkeqësitë sjellin dhurata. E sikur të mos ishin fatkeqësit dhe sprovat nuk do të ishin penduar disa gabimtarë nga gjynahet e tyre. “Latif” Zoti i Madhërishëm, sprovon robin e Tij besimtarë që ta edukojë atë dhe jo për ta dënuar. Në “Synenin” e Tirmidhiut, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Sprova në trupin, fëmijën dhe pasurinë e besimtarit apo besimtares do të vazhdojë derisa ta takojë Allahun dhe nuk i ka mbetur asnjë gjynah.”
O populli muslimanë! Nga përfitimet e besimtarëve nga emri i Zotit të Madhërishëm, “El-Latif” është që të vishet njeriu me cilësinë e butësisë dhe mirësisë. Allahu i Madhërishëm është i Butë, “Latif”, e do butësinë nga robërit e Tij, dhe e urren ashpërsinë, vrazhdësinë dhe mizorin.
Tek dy Sahihët ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ A doni tu tregon se kush janë banorët e zjarrit?!” Kanë thënë: “ Po, o i dërguari i Allahut.” Ai tha: “ (I tillë është) Çdo njeri kokëfortë, individualist dhe mendjemadh.” Kokëfortë ka për qëllim ai që i ashpër, i pasjellshëm dhe mizor, ai që është këmbëngulës në të kotë.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, është nga njerëzit më të butë dhe të mirë, Allahu i Madhërishëm e ka vlerësuar atë me fjalën e Tij kur thotë: “Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.” (Al ‘Imran 159)
Butësia dhe mirësia është nga mëshira, prandaj u mblidhën njerëzit rreth tij, e sikur të ishte i vrazhdë nuk do të mblidheshin njerëzit rreth tij. Kush i trajton njerëzit me metodën që e do Allahu dhe i dërguari i Tij, Allahu i Madhërishëm do ta trajtojë atë në këtë mënyrë në këtë botë dhe në botën tjetër. Shpërblimi është sipas punës që njeriu bën.
O Zot të lutemi të jesh i Butë me ne, na fal dhe na mëshiro, na shëro dhe na ruaj nga sëmundjet.
O Zot të lutemi të na japësh besim që gëzon zemrat tona, dhe bindje të sinqertë që të dimë se nuk do të na godasi tjetër veç asaj që ke caktuar për ne.
O Zot mëshiroje Muhamedin, gratë dhe pasardhësit e tij, siç e mëshirove Ibrahimin.
O Zot bekoje Muhamedin, gratë dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm.
Kënaqësia e Zotit qoftë mbi katër Halifet e parë të drejtë Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabiinët dhe me ata që i pasojnë në mirësi deri në ditën e fundit.
O Zot të lutemi të jesh i kënaqur me ne së bashku me ta, me Faljen Bujarinë, dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot lartëso Islamin dhe muslimanët.
O Zot jepi paqe dhe siguri këtij vendi, dhe të gjitha vendeve muslimanëve.
O Zot përmirso gjendjen e muslimanëve në çdo vend, o më i Madhi më Bujari.
O Zot të lutemi me Faljen, Bujarinë, Mirësinë dhe Faljen Tënde që të na ruash nga çdo e keqe dhe e urryer, me Mëshirën Tënde o Zoti i Botrave.
O Zot largo nga ne çmimet e larta, epidemitë, kamatën, zinanë, tërmetet, sprovat, fitnet e dëmshme të dukshme e të padukshem.
O Zot na ruaj prej mundimit të fatkeqësive, prej rënies së hidhërim, prej fatit të keq dhe prej gëzimit të armiqve tanë.
O Zot të lutemi për çdo të mirë të shpejtë apo të më vonëshme, nga ajo që dimë dhe që nuk dimë.
O Zot të lutemi të na mbrosh nga çdo e keqe, të shpejtë apo të më vonëshme, nga ajo që dimë dhe që nuk dimë.
O Zot të lutemi të na japësh Xhenetin, dhe atë që na afron me të prej fjalëve dhe veprave.
O Zot të lutemi të na mbrosh prej zjarrit, dhe çfarë na afron me të prej fjalëve dhe veprave.
O Zot përmirso situatën tonë në çdo çështje, na shpëto nga poshtërimi në këtë botë dhe dënimi në botën tjetër.
O Zot shëro të sëmurët tanë, ruaj të sprovuarit nga ne, mëshiro të vdekurit tanë, dhe të lutemi që të jesh me ata që janë të dobët nga ne.
O më i Madhi më Bujari, o i Gjallë i Përhershëm, jepi sukses kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që do dhe je i kënaqur me të.
O Zot, jepi shpërblimin më të mirë për shërbimin e tij ndaj Islamit dhe muslimanët.
O Zot jepi sukses atij dhe zëvëndësit të tij në dobi të Islamit dhe muslimanëve.
O Zot jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve në atë që do dhe je i kënaqur .
Nuk ka të adhuruar tjetër me të të drejtë përveç Teje, Ti je madhështor e pa të meta ndërsa ne jemi të padrejtë.
Zoti ynë prano pendimin tonë, fshi gjynahet tona, përgjigju lutjeve tona, na bëj të qëndrueshëm në argumentimin tonë, udhëzo zemrat tona, drejto gjuhët tona dhe pastro zemrat tona!
“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” (El-A’raf 23)
“O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (El-Hashr 10)
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Safat 180-182)