Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 22- 12-1445 H 28-06-2024 D
Shejh Fejsal Gazaui
Tema Zoti favorizon robërit e Tij duke u mundësuar rrugët e udhëzimit
Lavdërimet janë Zotit, i Cili është Unik, i Vetëm në Krijim dhe Bujari, Mëshirën e Tij e shtrinë mbi të gjithë robërit e Tij dhe veçoi ata që i binden Atij me udhëzim në rrugën e drejtë.
Allahun e Madhërishëm e lavdërojmë.
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Udhëzoi me të, njerëzit, nga devijimi, humbja, dhe i drejtoi me të nga mashtrimi. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi ata që ndoqën rrugën e udhëzimit dhe të drejtë.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, sepse kush i frikësohet Allahut të Madhërishëm, Ai do t’i japi udhëzim me të cilin do fitojnë njohuri larg verbërisë dhe padijes. “O ju (ithtarë të Librit) që besuat (në Musain dhe Isain), ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (El-Hadid 28)
Adhurues të Zotit! Vërtetë prej sukseseve të Zotit për robërit e Tij është që ta bëjë atë të ndjekë rrugën e udhëzimit, të qëndrueshëm në fjalët dhe veprat e tij, duke thirrur në mirësi dhe duke e udhëzuar të. Kjo është mirësi e madhe dhe pozitë e lartë. Ndërsa e kundërta e kësaj është që të largohet njeriu nga rruga e shpëtimit dhe udhëzimi, dhe të ndjekë rrugën e mashtrimit. Në mes të këtyre dy rasteve ka dallim të madh. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “… sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra!” (El-Bekare 256) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Kur të shohin rrugën e drejtë, ata nuk do ta ndjekin atë dhe, kur të shohin rrugën e gabuar, do ta marrin atë,…” (El-A’raf 146) Shikoni dallimin në mes dikujt që është frymëzuar nga Zoti me të drejtën dhe e udhëzoi atë drejt së vërtetës dhe dikujt që nuk ka fare udhëzim. Miku, i dashuri i Zotit, Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, të cilin Zoti e veçoi, dalloi, për shoqërimin e tij, e bëri të sinqertë për përzgjedhjen e tij dhe e udhëzoi për në rrugë të drejtë, Allahu i Lartësuar ka treguar për të me fjalën e Tij kur thotë; “ Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë…” (El-Enbija’ 51) Ndërsa Faraonin Allahu e mallkoi, i cili në punët dhe gjendjen e tij nuk kishte udhëzim e as rrugë të drejtë, por, përkundrazi kishte injorancë, devijim, mosbesim dhe kokëfortësi, ku Allahu për të thotë: “ …ndonëse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë.” (Hud 97) Mohoi për atë udhëzimin, për të injoruar ata që e pasonin, ku ata e mbështetën në çështjen e tij dhe u larguan nga pasimi i të dërguarit të Allahut, Musait, paqja e Zotit qoftë mbi të, udhërrëfyesi në të vërtetën, për të ndjekur ata që nuk e ndjekin rrugën e drejtë.
Adhurues të Zotit! Zoti udhëzoftë ju dhe mua në bindjen ndaj Tij! Dijeni se për arritjen e udhëzimit në rrugë të drejtë dhe rritjen e tij ka arsye kryesorja e të cilave është përgjigja për thirrjen në besim dhe bindje ndaj Zotit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të Më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (El-Bekare 186) Ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush i bindet Zotit dhe të dërguarit të Tij ai është udhëzuar, në rrugë të drejtë.” Pasimi i Kuranit të udhëzon në të vërtetën dhe rrugën e drejtë, sikurse Allahu i Madhërishëm ka thënë për besimtarët nga Xhindët: “ …Me të vërtetë, kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm, i cili udhëzon në rrugën e drejtë…” (El-Xhinn 1-2) Ibn Tejmije, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Kush mediton Kuranin duke kërkuar udhëzimin në të, atij do t’i bëhet e qartë rruga e së vërtetës.”
Nga ata që janë të udhëzuar në rrugën e vërtetë dhe kanë gjetur rrugën e drejtë, janë ata që Zoti i përshkroi duke thënë: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” ( El ‘Ankebut 69)
Nga mënyrat për të arritur udhëzimin është kërkimi i diturisë së dobishme, sikurse Zoti i Madhëruar përmes Musait i ka thënë Hidrit, paqja e Zotit qoftë mbi ata të dy; “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?” (El-Kehf 66)
Nga mënyrat për të fituar rrugën e drejtë është t’i kërkosh Zotit të Madhërishëm atë status, pozitë. Të rinjtë besimtarë ja kërkuan Allahut këtë kur u strehuan në shpellën e tyre: “dhe thanë: “O Zoti ynë, na jep mëshirë nga ana Jote dhe përgatitna për sjellje të drejtë!” (El-Kehf 10)
Allahu i Madhërishëm e ka urdhëruar të dërguarin e Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, për këtë kërkesë, kur thotë: “e thuaj: “Shpresoj se Zoti im do të më udhëzojë në atë që është më e mirë dhe më e dobishme nga kjo.” (El-Kehf 24) I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e zbatoi urdhrin e Zotit të tij, dhe i lutej Zotit të tij për udhëzim duke thënë; “ O Zot, më frymëzo me udhëzim dhe më ruaj nga e keqja e vetvetes.”
Rob i Zotit! Pyet veten tënde me sinqeritet; A je në rrugën e duhur, të drejtë dhe i lidhur me të vërtetën? Nëse je që i përgjigjesh Zotit tënd, që e do imanin, besimin, nxiton drejtë veprave të mira, që largohesh dhe e urren mosbindjen, të keqen, atëherë lavdëro Zotin për mirësinë e Tij ndaj teje dhe begatinë e Tij mbi ty. Përmbaju udhëzimit dhe lutju Zotit tënd që të forcojë në rrugë të drejtë. Dua për njerëzit atë që ti do për veten tënde, përpiqu që t’u sjellësh dobi njerëzve dhe t’i udhëzosh ata, duke i orientuar në rrugën e drejtë dhe në drejtësinë e pranuar. Sa nga këshilltarët e ndershëm u kanë dhënë të tjerëve këshilla dhe udhëzime, duke u bërë të dobishëm dhe ndihmues. Nga këto raste është dhe tregimi i atij personit që ka vrarë nëntëdhjetë e nëntë njerëz, të cilit ai dijetar i tha:: “E kush do të pengojë që të pendohesh?” Pastaj e udhëzoi që të largohet nga vendi i tij për në një vend tjetër që të adhurojë Zotin në të. Kur burri e bëri këtë gjë, i erdhi vdekja gjatë rrugës dhe e morën atë Melaiket e mëshirës. Sa e mrekullueshme është të përfitosh nga udhëzimi i këtij njeriu të ditur.
Prej këtyre shembujve është çfarë ka ardhur nga udhëzimi dhe orientimi për Vekia Ibn Xherahi, Zoti e mëshiroftë, në paraqitjen e ankesës së personit që u ankua për situatën duke thënë:
“Jam ankuar tek Vekia për dobësinë e mësimit tim përmendësh, e më udhëzoi që të braktisi gjynahet, të këqijat,
Më tregoi se dituria është dritë, e drita e Allahut nuk i dhurohet gjynahqarit.”
Adhurues të Zotit! Në hadith ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtetë Allahu, Melaiket e Tij, banorët e qiejve dhe tokës, deri dhe milingona në folenë e saj deri dhe peshku në dete luten për njeriun që u mëson njerëzve të mirën.” Me njeriun që u mëson njerëzve të mirën ka për qëllim dijetarët, thirrësit dhe të gjithë ata që udhëzojnë njerëzit drejtë asaj që i afron ata tek Allahu i Lartësuar, dhe në atë që është shpëtimi i tyre në botën Tjetër, Ahiret. Po kështu, mësimet e dobishme, predikimet, urdhërimet, fjalët e urta, letrat, librat, këshillat dhe predikimet të gjitha hyjnë në kategorinë e udhëzimit.
O muslimanë! Nga karakteristikat me të cilat veçohet shoqëria muslimane është se lidhjet e forta dhe morali i lartë janë të zakonshme mes anëtarëve të saj, të tilla si vëllazëria, dashuria, këshilla dhe udhëzimi. Detyra e muslimanit është të përpiqet t’i udhëzojë njerëzit dhe të mos kursejë përpjekjet për t’i udhëhequr ata drejt së mirës dhe drejtimi, orientimi i tyre në rrugën e drejtë, duke ndjerë se udhëzimi është një mjet për përmirësim dhe udhëzim. Kjo është pjesë e këshillave që janë nga të drejtat e vëllazërisë së besimit. Motivimi i tij për kryerjen e kësaj pune duhet të jetë hatri i Zotit dhe kërkimi i kënaqësisë së Tij, të mos ndihet i shqetësuar nëse nuk i përgjigjet udhëzimit të tij dhe nuk vepron sipas udhëzimeve të tij. Kjo nuk do ta dëmtojë atë dhe shpërblimi i tij nuk do të humbasë.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin i Cili na ka udhëzuar drejtë rrugës së vërtetë dhe të drejtë, dhe na ka shpëtuar me Mirësinë e Tij nga rrugët e mashtrimit dhe gënjeshtrave.
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Sa e madhe është bujaria e më Bujarit, Dhuruesit, kur Ai e bën besimin të dashur për robin e Tij, ia zbukuron atë në zemrën e tij dhe e bën të urryer tek ai mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen. Allahu i Madhërishëm thotë: “ Dhe ta dini se midis jush gjendet i Dërguari i Allahut! Sikur ai t’ju bindej juve në shumë gjëra, ju do ta kishit pësuar. Por Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen. Pikërisht ata janë të udhëzuarit drejt me mirësinë dhe hirin e Allahut. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (El-Huxhurat 7-8) Ata të cilët e kanë humbur cilësinë e këtyre besimtarëve dhe kanë devijuar nga rruga e të udhëzuarve, kanë humbur rrugën dhe nuk janë të udhëzuar. Kush nuk beson vërtetë në Zotin nuk është i udhëzuar. Kush nuk i përgjigjet të vërtetës dhe nënshtrimit ndaj Zotit të tij duke ndjekur dëshirat e tij nuk është i udhëzuar. Kush mohon ajetet e Zotit dhe largohet prej tyre, n nuk është i udhëzuar. Kush është armiqësor ndaj të dërguarit të Zotit dhe kundërshton rrugën e tij pasi i është bërë e qartë e vërteta, nuk është i udhëzuar. Kush është mendjemadh në tokë pa të drejtë, nuk është i udhëzuar. Kush e preferon jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj dhe përpiqet për të, neglizhon botën Tjetër, Ahiretin, dhe e braktis punën për të, nuk është i udhëzuar.
O ju muslimanë! Le të ndiejmë, marrim në konsideratë intensitetin e nevojës tonë të madhe dhe sa shumë ne kemi nevojë për Zotin tonë, se Ai, Allahu i Madhërishëm, është Ai që na ka udhëzuar në rrugën e vërtetë dhe na ka zgjedhur, se ne kemi nevojë që Allahu të përmirësojë të gjitha çështjet tona dhe të na forcojë në fe, se ne jemi të pamundur pa këtë qoftë dhe sa hapim e mbyllim sytë. Prandaj ne i lutemi Atij gjithmonë në namaz dhe jashtë tij: “ Udhëzona në rrugën e drejtë!” (El-Fatiha 6)
Adhurues të Zotit! Lutuni dhe përshëndeteni udhëzuesin e njerëzimit dhe pishtarin ndriçuar sikurse ju ka urdhëruar për këtë i Gjithëdijshmi, Njohësi i çdo gjësë, kur ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove familjen e Ibrahimit.
O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët.
O Zot, ndihmo ata që janë të dobët, ata që luftojnë në rrugën Tënde, ata që janë të lidhur fort me vendet e shenjta, dhe mbrojtësit e kufirit.
O Zot, bëje vendin tonë të paqtë, siguritë dhe të begatë, dhe të gjitha vendet muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendin dhe shtëpinë tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.
O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona në atë që Do dhe je i Kënaqur, nga fjalët dhe veprat, o i Gjallë, o i Përhershëm.
O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në udhëzimin Tënd dhe në devotshmërinë ndaj Teje. O Zot, shpëto të dobëtit nga besimtarët në Palestinë dhe në çdo vend. O Zot, shëro të sëmurët e tyre, shpëto të sprovuarit prej tyre, ndalo gjakderdhjen e tyre, mëshiro të vdekurit e tyre dhe prano dëshmorë të vrarët e tyre. O Zot, mundësoju ushqim pas urisë dhe siguroi nga frika! O Zot, largo shqetësimet e tyre, lehtëso të vështirat e tyre, mëshiro dobësinë e tyre dhe bashko fuqitë e tyre, zbrit qetësinë mbi ata dhe bashko zemrat e tyre. O Zot, ndihmoi ata dhe planifiko për ta, jep përfundim të keq për të gjithë që i kanë shkelur dhe sulmuar ata, zbrit dënimin, ndëshkimin dhe zemërimin Tënd mbi ata që kanë sunduar dhe sulmuar ata, o Dëgjues i lutjeve.
“O Zoti ynë, na jep mëshirë nga ana Jote dhe përgatitna për sjellje të drejtë!” (El-Kehf 10)
O Zot, na jep udhëzim dhe na ruaj nga e keqja e vetave tona.
Lavdërimet janë për Zotin e Botëve.
Lutje dhe përshëndetje për vulën e të dërguarve.
Afrim Smakaj