Bullizmi – Meka 15.10.2021 

Hytbe e Qabes                          09-03-1443 H   15-10-2021 

Shejh Saud Shurejm                                 Tema: Bullizmi

Falenderimi i takon Allahut, Shikësit të krijesave dhe Ringjallësit të tyre, Falësi të Dashur, poseduesit të fronit madhështor i cili vepron çka të dojë.

Ai di çka në qiej e në tokë dhe asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Ai është dërguar si mëshirë për tërë botët, prijës i të dërguarve dhe më i nderuari i tërë bijve të Ademit. Allahu me të dhuroi mirësinë dhe plotësoi fenë. Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen, bashkëshortet, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e tyre e që pasojnë udhëzimin e tyre deri në ditën e tubimit e të gjykimit.

O njerëz jini të devotshëm ndaj Allahut me një devotshmëri të vërtetë. Kapuni fort pas nyjeve të islamit. Kërkojini Allahut qëndrueshmëri në fenë e Tij dhe qëndrueshmëri në traditën e profetit të Tij që tu jepet mundësia të shikoni të Gjithëmëshirëshmin në Xhenetin e Me`uasë.

“O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat).” (El Bekare 21)

Rob të Allahut! Allahu i ka dhënë mundësi njerëzimit të arrrijë nivel të lartë në ngritjen materiale e në të bërit art për të sjellë sa më pranë atë që është e largët prej saj, duke reduktuar kohën dhe duke lehtësuar çdo vështirësitë në të me një standart të pashembullt në histori. Vetëm se preokupimi pas saj nuk duhet të ngjeshet me prezantimin e nevojës dhe me sensibilizimin ndërgjegjësues ku në të njëjtën kohë të jenë në harmoni nevojat materiale bashkohore me spastrimin mirëmbajtës. Kështu arrihet harmonia mes shërbimit ndaj trupit të njeriut dhe shërbimit në pastrimin e shpirtit të tij sepse shpirti ngrihet në nivele më të larta se ngritja e trupit. Për këtë Allahu i madhërishëm thotë:

“Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë.” (Kasas; 77)

Nëse humbet kjo harmoni atëherë do të dali në pah person tek i cili mbizotron nxitimi ndaj maturisë dhe dhuna ndaj butësisë. Atij i paraqiten sëmundje; ashpërsi, armiqësi, dhunë dhe kanosje ndaj tjetrit me idenë e plotësimit të nevojave trupore duke lënë mënjanë plotësimin e nevojave të shpirtit.

Ata që janë angazhuar me shkrime në këtë temë gati në mënyrë unanime e kanë cilësuar këtë fenomen si sëmundja e Bullizmit.

Një sëmundje e cila ka ngulur shtylla në zemrat e lehta të cilat nuk janë ushtruar të jenë të afta të respektojnë të drejtat e veta, të drejtat e të tjerëve dhe shenjtëritë e tyre në fizik, në pasuri e në nder apo të përmbahen ndaj rrezikut të çakërdisjes, armiqësisë dhe ngacmimit të të tjerëve. Të tillët nuk pyesin për fjalën e të dërguarit të Allahut s.a “Çdo musliman nuk lejohet të cënojë një musliman tjetër në gjakun e tij, në pasurinë e tij dhe në nderin e tij.” Buhariu dhe Muslimi.

Ky është bullizmi o rob të Allahut në kohën e shkëputjes së qartë mes bashkëpunimit dhe mirësjelljes. Një shpirt bosh nuk kënaqet derisa ta bësh të kënaqet e të lidhet me frerët e butësisë, tolerancës e të ledhatimit.

Ata që e cilësuan këtë sëmundje si bullizëm e cilësuan si të tillë për shkak të shëmtisë armiqësore të saj dhe daljes së personit të sëmurë me të nga sjellja e natyrëshme njerëzore në një sjellje me egërsi kafshërore e cila bën kërdinë mbi ata që gjenden rreth e rrotull. Një egërsirë e tillë nuk ndahet. Ajo vërtitet dhe godet mbi prenë e saj.

Vrazhdësinë kur njeriu e pëlqen dhe e përvetëson

Ajo me të keqen e saj sulmon e imponon

Nuk është çudi që e keqja ushqen një pjesë të saj

Kush pëlqen dhunën e shëmtuar bëhet agressor

Bullizmi – rob të Allahut – është sjellje agresive që përsëritet. Atë e bën një person, mashkull apo femër, i ri apo i vjetër, një individ ose një grup ndaj të tjerëve duke u mbështetur në forcën e tij, rininë dhe shoqërinë e tij, mbi dobësinë e viktimës ose në vetminë e tij. Njeriu bullist, me ngacmimin e tij, duket sikur vjell përzierje të moralit të shthurur të cilën e ka gëlltitur pasi që i kish arritur deri tek qiellza.

Bullizmi edhe pse nuk ka ndonjë moshë të caktuar ai gjen terren pjellore në rradhët e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjëve.

Sa i përket mjeteve të bullizmit, ka shumë; Në shtëpi, treg, shkollë, në tubime publike dhe private.

Në fakt, bullizmi është dy llojësh; njëri prej tyre është bullizmi shqisor e ai është i larmishëm. Mund të jetë verbal; Duke sharë, tallur, ofenduar dhe duke shfaqur gëzim ndaj një fatkeqësie, ose me të gjitha këto. Mund të jetë instiktiv me atë të ngacmimit e shantazhimit e të ngjashme. Mund të jetë fizik përmes rrahjes dhe dëmtimit trupor ose vandalizmit dhe grabitjes së pronës të tjerëve.

Lloji i dytë është bullizmi moral përmes përbuzjes, fanatizmit, racizmit, rrefuzimit të së vërtetës dhe nënçmimit të njerëzve.

Bullizmi – O rob të Allahut – është sëmundje e urryer. Akumulimi i tij në shoqëri përshpejtohet sa herë që edukatorët dhe specialistët e neglizhojnë këtë dukuri shkatërrimtare. Disa specialistë e kanë konsideruar atë një fenomen të përhapur në shumë shoqëri, pavarësisht nga mënyra e jetesës dhe grupet shoqërore. Për të flitet shumë në mediat e tyre vizuale, të dëgjuara dhe të shkruara. Shumë të shpeshta janë incidentet e formave të bullizmit që njerëzit i shohin djathtas dhe majtas, të tilla si ngacmimi, shantazhi, ashpërsia, bezdisja, mizoria, abuzimi dhe sulmi ndaj të tjerëve, në rrugët apo gjatë tubimeve të njerëzve. Madje mund të vërehet nëpër shtëpi herë mes bashkëshortëve e herë mes prindërve e fëmijëve. Sa raste merren nga policia, sa raste merren nga spitalet dhe gjykatat si rezultat i pasojave të bullizmit. Sa histori dhe fakte që qarkullojnë gazetat, apo që qarkullojnë mes njerëzve duke bërë bujë përmes mjeteve moderne të komunikimit, lajmeve ose pamjeve vizive.

Bullizmi publik – Rob të Allahut – konsiderohet si një nga mjetet më forta të dhunës, urrejtjes dhe distancimit që shkatërron blloqet ndërtuese të mëshirës, dhembshurisë, drejtësisë dhe bamirësisë në familje e në shoqëri.

Ai bëhet më i rrezikshëm kur shfaqet në mesin e studentëve e në mjedisin e tyre arsimor për shkak të diferencimeve të dukshme mes rezultateve kryesore të tij në aspektin e të kuptuarit, mbartjes së përgjegjësisë, përmirësimit të sjelljes dhe harmonisë mes të rinjve dhe mes arsimit për interesin e përbashkët dhe moralit të lartë midis studentëve e po kështu mes studenteve.

E nuk është më pak i rrezikshëm se ky, bullizmi elektronik dhe i teknikave moderne, përmes mediave sociale në qarkullim sepse dëmi i tij është më tejkalues se çdo gjë tjetër, për shkak të natyrës së përhapjes së tij në çdo shtëpi, dhe ndikimit të tij në konfuzion, çakërdim dhe në çoroditje për publikun e thjeshtë dhe njerëzit e ngritur në të njëjtën shoqëri e cila ka nevojë për afrimitet, dhembshuri, përkujdesje ndaj interesave publike dhe ndjesi ndaj përgjegjësisë personale dhe jopersonale.

Përmes një vështrimi të shpejtë mbi bullizmin, ne do të zbulojmë se është një rast brutaliteti rastësor, i ushqyer nga një krizë psikologjike që bullisti e gëlltit; për shkak të një defekti në edukimin e tij familjar, ose që familja po përjeton një gjendje dhune midis të afërmve të saj, ose për shkak të energjisë së izoluar që mbart individi brenda familjes e që familja nuk arrin ti orientojë ato në gjëra që i sjellin dobi e nuk e dëmtojnë atë. E kështu kupa derdhet kur mbushet.

Ose kjo sjellje ndodh për shkak të një defekti ndërgjegjësues, një dështimi arsimor, ose një natyrë hakmarrëse… e kështu me radhë. Pra ai këtë gjendje e shpreh duke ngacmuar të tjerët; si hakmarrjeje, shfryrje të dufit ose për të shpëtuar nga ai realitet në të cilin po jeton.

Mund të ndodhë prej dëshirës për të shfaqur rininë, forcën dhe triumfin, veçanërisht nëse gjen mes njerëzve, në mesin e shokëve dhe miqve dikë që e inkurajon ose e ndihmon për ta bërë këtë, ose i përgatit arsyet për këtë, ose ia paraqet si të lehtë ndëshkimin dhe pasojat e tij.

Bullisti, ai që mahnitet me bullistin dhe ai që minimizon të keqen e bullizmit janë në fakt bashkëpunëtorë në promovimin dhe përkeqësimin e kësaj dukurie.

Në realitet, kjo nuk është gjë tjetër veçse një devijim nga rrjedha e duhur dhe një neglizhencë e papranueshme në asnjë mënyrë.

Bullizmi sjell çrregullim tek vetë personi, dëm në shoqëri, varësi ndaj sjelljes agresive, ankth dhe depresion të pandërprerë.

E Profeti s.a ka thënë: “Burri i fortë nuk është ai që lufton, por i fortë është ai që kontrollon veten kur zemërohet.” Buhariu.

Bullizmi ndaj të tjerëve është e keqe e madhe. Bullisti është i dobët edhe nëse demostron rininë e tij sepse kushdo që thirret nga tekat e tij, ai i nënshtrohet vetëm pasionit dhe nuk arrin ta komandojë atë. Ai priret prej sjelljeve të egra kafshërore e të ulta duke lënë mënjanë moralin e lartë islam. Ai preferon shkatërrimin e rrugës së tij e jo rregullimin e saj. I jep përparësi tekave personale përpara interesit të shoqërisë së tij.

Një person që vërtet e don veten e tij arrin të kuptojë se nuk duhet ti bëjë keq tjetrit sepse tjetrit mund ti bëjë dëm vetëm një njeri që urren vetveten pavarësisht nëse e ndjen apo jo.

Defekti është në të dhe jo tek të tjerët. Nëse dikush nuk e kupton dehjen e bullizmit, sëpata e tij do të bjerë mbi kokën e dikujt tjetër.

Dhe kur të gjendet parandalimi, ilaçi nuk është i nevojshëm dhe kur ilaçi vonohet për sëmundjen, atëherë efekti i tij nuk do të vërehet.

Nëse një mur nuk pluhuros kur bie, ai nuk ngre pluhur pasi të ketë rënë.

Kjo konfirmon se specialistët e sigurisë, ata ligjor, arsimor dhe psikologjik duhet të bëjnë të pamundurën për të frenuar këtë plagë të neveritshme.

Ky kontroll mund të arrihet vetëm duke përcaktuar diagnozën dhe shkakun, duke sqaruar simptomat, duke përgatitur zgjidhjet e duhura për t’i eleminuar ato dhe duke vënë përpara përgjegjësisë autorët e duke i ndërshkuar ata.

Duhet të ketë unanimitet për pjesmarrje të gjerë të gjithë specialistëve të ndryshëm me qëllim që të mos mbetet shteg pa u zënë. Çdo specialist me ato njohuri që i ka dhënë Allahu në mënyrë që të ndalet vrrulli i kësaj sëmundjeje. Të gjithë grupet e interesit nuk duhet të delegojnë apo të mënjanojnë rolin e tyre në luftën kundër bullizmit sepse gjithkush ka rolin dhe përgjegjësinë e tij. Edukatorët nuk duhet t`ia hedhin fajin familjes, familja nuk duhet të fajësojë edukatorët apo aq më keq ku të gjithë fajësojnë të tjerët.

Për më tepër, bullisti i rritur duhet t’i frikësohet Zotit dhe të sjellë ndërmend se dëmtimi i të tjerëve dhe sulmi ndaj tyre është gjë e ndaluar prej Allahut, dhe se ai është i pari që dëmtohet nga bullizmi i tij në këtë botë dhe në botën tjetër.

Ai gjithashtu duhet të pajtohet me veten dhe me njerëzit, duke u mbështetur – pas ndihmës së Zotit – në eleminimin e shqetësimeve të tij, frenimin e energjive të tij negative dhe zëvendësimi i tyre me pëlqyeshmëri, durim dhe pastërti.

Bullizmi nëse bëhet pjesë e diçkaje sjell shëmti në të e kur largohet ajo zbukurohet.

I mjafton njeriut prej së keqes së bullizmit të mundojë vëllain e tij musliman, ta nënçmojë atë apo të sillet ndaj tij me akuza, mallkime, me armiqësi e me zullum si t`ia kish lënë komandën e vetvetes shejtanit të mallkuar.

Allahu i madhërishëm thotë: “Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut.” (Isra; 53)

“Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” (Ahzab; 58)

Allahu na mundësoftë të përfitojmë prej dobive të Kuranit madhështor e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të.

Pas këtyre fjalëve i lutem Allahut të më falë mua, ju dhe tërë muslimanët dhe muslimanet çdo gjynah e çdo gabim. Kërkojini falje dhe pendohuni tek Ai. Zoti im është Falësi dhe Mëshiruesi.

 

LEXO  Fuqia: Kuptimi, shfaqjet dhe përbërësit e saj

//////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////

 

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, salavatet dhe selamet qofshin mbi më të nderuarin e profetëve dhe të dërguarve.

Pra, kini frikë Allahun dhe dijeni se niveli i dobët fetar dhe dështimi për të ngritur moralin e duhur janë dy nga shkaqet më të mëdha të bullizmit. Kësaj i shtohet mjedisi dhe shoqëria, dhe ndikimi i tyre në individ e në grup. Shoku ndjek shokun e tij. Bullizëm nuk bën një person që shoqërohet me shokë të mençur e me maturi. Nga ana tjetër nuk mund të përmbahet një person që shoqërohet me shokë arrogantë e të ashpër.

Trajtimi i bullizmit duhet të fillojë nga futja e vetëbesimit tek fëmija dhe vëzhgimi i sjelljes së tij që në moshë të re me qëllim që të tejkalojë këtë kurth shkatërrimtar e të vazhdojë rrugëtimin e jetës së tij i dlirë nga bullizmi.

Nga ana tjetër, rob të Allahut, specialistët nuk duhet të neglizhojnë zbatimin e parimit të ndëshkimit, i cili korrespondon me parimin e shpërblimit i cili është një element kyç në reduktimin e bullizmit që kërcënon stabilitetin e shoqërive. Gjithashtu është e detyrueshme të zbatohet ajo që vendosin sunduesit muslimanë, e cila do të siguronte mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe dënimin për dëmtimin ose ngacmimin e shkaktuar sepse disa persona të këqij nuk frenohen me këshilla e përkujtime por përkundrazi ata frenohen vetëm nga fuqia e autoritetit. Siç ka thënë Othmani – Allahu qoftë i kënaqur me të –: “Allahu siguron me sulltanin (autoritet të pushtetarëve) atë që nuk arrihet me Kur’anin”

Për më tepër, ajo që nuk është më pak e rëndësishme se këto që thamë është vetëdijësimi dhe udhëzimi i njerëzve. Udhëzimi i shëndoshë për moral fisnik dhe përhapja e frymës së afrimitetit, dashurisë dhe vëllazërisë përmes mënyrave të ndryshme. Të sqarohet mirë se bullizmi është një bishë e tmerrshme që nëse dikush e imiton bëhet i pakontrrollueshëm. Çdo fitore e sjellë nga bullizmi është, në fakt, më e keqe se çdo humbje sepse është një fitore false për të gjithë njerëzit me shpirt të pastër.

Nëse udhëzimi dhe edukimi janë të dobëta, injoranca mbizotëron pastaj me injorancën vjen frika, nga frika vjen fanatizmi dhe nga fanatizmi vjen bullizmi.

Udhëzimi i drejtë është drita për të hequr qafe injorancën e errët. Nëse merremi mirë me fenomenin e bullizmit midis fëmijëve dhe të rinjve, ne do të sigurojmë një aspekt të rëndësishëm të së ardhmes së kombit. Fëmijët e sotëm janë rinia e së nesërmes, dhe të rinjtë e sotëm janë të rriturit e së nesërmes, dhe një shoqëri kohezive përbëhet vetëm nga fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit e saj. Njerëzit nuk do të arrijnë harmoninë nëse dikush prej tyre nuk është i sigurtë nga gjuhët dhe duart e tjetrit. I Dërguari i Zotit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – të vërtetën ka thënë: “Musliman është ai nga gjuha dhe dora e të cilit muslimanët janë të sigurtë” (mutefekun alejhi).

Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi më të mirin e krijesave, më të pastërtin e njerëzimit Muhamedin të birin e Abdullahit poseduesin e Burimit e të Ndërmjetësimit. Allahu u ka urdhëruar me diçka që e nis me Veten e Tij, e më pas me Melaiket e Tij që e madhërojnë lart Shenjtërinë e Tij e pastaj edhe me ju o besimtarë. Allahu i madhërishëm thotë: “O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam!” (surja Ahzab; 56).

O Allah bekoje dhe shpëtoje robin dhe profetin Tënd Muhamedin, fytyrëndrituri plot hijeshi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde! O më i mëshirshm i mëshiruesve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah ndihmoje fenë tënde, librin tënd dhe rrugën e profetit tënd Muhamedit salallahu alejhi ueselem dhe robërit e tu besimtarë.

O Allah largoi brengat prej muslimanëve të përvuajtur, mundësoi borxhlinjve të shlyejnë borxhet e tyre, shëroi të sëmurët tanë e të sëmurët e muslimanëve, Me mëshirën tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që Ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari përjetshëm.

O Allah përmirësoja nënpunësit e tij të afërm o i Lartmadhërishëm o Fisnik!

Jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është e mirë për njerëzit dhe vendin

O Allahu rregulloje gjendjen e muslimanëve në çdo vend, afroji zemrat atyre, pajto mes tyre, udhëzoi në rrugët e shpëtimit, largoji prej imorales dhe gjynaheve, O Madhërishëm e Fisnik!

O Allah na mbro me islam kur jemi në këmbë, na mbro me islam kur jemi ulur, na mbro me islam kur jemi të shtrirë e mos lejo që të gëzohen me ne armiqtë dhe ziliqarët me mëshirën tënde o Mëshirues i mëshiruesve!

O Allah kush të na bëjë keq ne, islamit dhe muslimanëve angazhoje me veten e tij dhe kurthin ktheja mbi krye o dëgjues i lutjes!

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër e na mbro prej dënimit të zjarrit!

O rob të Allahut, përmendeni Allahun e madhërishëm që t`iu përmendë Ai, falenderojeni për mirësitë që t`ua shtojë, Pëmendja e Allahut është më e madhja dhe Allahu e di çka veproni.

 

Post Author: endrit