Hytbe e Qabes 10-02-1443 H 17-09- 2021
Shejh Bander Balejleh Tema Virtyti i Drejtësisë
O Allah Ty të përket falenderimi, sado që falenderimi ynë nuk mjafton për begatitë që na ke dhënë. Ty të përket mirënjohja sado që mirënjohja jonë nuk mjafton për mirësitë që na ke dhënë.
Ty të përket merita, vlerësimi dhe sundimi o Zoti ynë. Asgjë nuk mund të jetë më e lartë e më e lavdishme se Ty Sundimtar mbi Arshin e lartë e Dominues. Prej Krenarisë dhe Madhështisë Tënde ulen fytyrat e bien përdhe.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq. Dëshmi e cila të mbron plotësisht prej hidhërimit e të bën pjesëtar të lumturisë.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij të cilin e dërgoi Allahu si shpirtin më të mirë të njerëzimit; arabë e joarabë, me më të ndriturën e më të diturën mendje, më i afti në të llogjikuar e të kuptuar, salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi të, të vazhdueshme e të shumta, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi ata që ndjekin rrugën e tij me saktësi e që i përmbahen rrugës së vërtetë.
O njerëz u porosis ju dhe veten time me devotshmërinë sepse ajo është kufiri që duhet mbrojtur më shumë dhe krenaria më e lartë.
“O ju (ithtarë të Librit) që besuat (në Musain dhe Isain), ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Hadid; 28)
O besimtarë Feja Islame është feja e moraleve të larta dhe e sjelljeve të hijëshme. Është një fe që sanksionon e obligon sjelljet fisnike dhe i edukon bijtë e saj me to.
Morale me nektarin e të cilave kurohen popujt. Sjellje me vesën e të cilave njomen shpirtrat.
Morali është bazë e fortë e besimit të vërtetë. Dijetari i Islamit Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë duke sqaruar rrugën e selefit (të parëve tanë të mirë) ka thënë: Ata bëjnë thirrje për moral fisnik e për vepra të mira. Ata besojnë fort në fjalën e të Dërguarit të Allahut s.a “Besimtarë me besim më të plotë janë ata besimtarë që kanë moralin më të mirë” …..këtu mbaron fjala e tij.
Për pozitën dhe vendin e moralit tregon fakti që profeti a.s e ka kufizuar profecinë e tij në plotësimin e moraleve të larta. Ai ka thënë: “Unë jam dërguar për të plotësuar moralet e larta” (shënon imam Ahmedi dhe e ka saktësuar Hakimi).
Ai s.a ka qenë në pozitën më të lartë për virtyte të larta e sjellje të mirë. Allahu i lartësuar duke e lavdëruar ka thënë: “se ti je me virtyte madhore.” (Kalem; 4)
Aishe r.a është pyetur për moralin e tij dhe ajo është përgjigjur: “Morali i tij ishte Kurani” (Shënoi Imam Ahmedi)
Robër të Allahut, në krye të moralit fisnik dhe virtyteve madhështore qëndron një virtyt i lëvduar dhe një cilësi e bukur e cila sjell ndriçim e mirësi. Personi që e posedon atë e qëllon të vërtetën.
Ky virtyt është drejtësia. Drejtësia, Allahu qoftë kujdestari juaj, është të vendosësh diçka në vendin që i takon. Ti japi njeriu personit tjetër atë që ai e meriton ashtu sikundër dëshiron të marrë prej tij atë që i takon.
Tekstet fetare nxisin dhe urdhërojnë fort për këtë virtyt. Allahu i madhërishëm thotë:
“O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut! Pa dyshim, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni ju.” (Maideh; 8). Allahu i lartësuar thotë: “Allahu urdhëron drejtësi dhe bamirësi”
Allahu për profetin e Tij thotë: “dhe jam urdhëruar të mbaj drejtësi mes jush” (Shura; 15)
Amar ibn Jasir r.a ka thënë: Tre gjëra kush i arrin të gjitha e ka arritur tërë besimin; të tregohesh i drejtë në vetvete, të përshëndesësh me selam të gjithë njerëzit dhe të shpenzosh për bamirësi edhe kur je i varfër. (Shënon Buhariu mualakan).
Ebu Zinad Allahu e mëshiroftë ka thënë: Njeriu i drejtë nuk lë borxh pa ia larë Zotit të tij dhe distancohet prej çdo gjëje që ia ka ndaluar Zoti i tij. E kjo i përmbledh shtyllat e besimit.
Imam Ahmedi ka thënë: Sa e bukur është drejtësia ndaj çdo gjëje. Ajo është tregues i shpirtit të lartë dhe i zhveshjes prej egoizmit dhe prej interesit personal.
Fundi i saj sjell ambicje të lartë dhe pafajsi. Drejtësia përhap dashuri mes njerëzve. Ajo është një faktor i rëndësishëm në rehatinë dhe lumturinë e tyre.
Vish mantelin e drejtësisë
që është veshja më e shtrenjtë
po deshe të stolisesh gjerë e gjatë
Të nderuar drejtësia ka disa nivele;
I pari dhe më parësori është drejtësia me Allahun e lartësuar duke e adhuruar Atë të vetëm pa idhujtari (pa i shoqëruar askënd në adhurim) sepse idhujtaria ndaj Tij bie ndesh me drejtësinë. Idhujtaria është padrejtësia më e shëmtuar dhe më e rëndë.
Allahu thotë: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” (Lukman; 13)
Ibn Mes`udi r.a pyeti të dërguarin e Allahu: Cili është gjynahu më i madh? Ai tha: Ti bësh Allahut të ngjashëm e Ai të ka krijuar! (Buhariu Muslimi)
I dyti është drejtësia ndaj Profetit Muhamed s.a duke kryer të gjitha detyrimet ndaj tij; në besimin ndaj tij, në dashurinë për të, në madhërim, bindje dhe respekt duke i dhënë përparësi urdhërit dhe fjalës së tij përpara urdhrit dhe fjalës së çdo njeriu tjetër.
I treti nivel është drejtësia e personit në vetveten e tij. Ky është një nivel i lartë. Kush nuk mundet të jetë i drejtë në veten e tij nuk mund të jetë i drejtë ndaj të tjerëve. Siç i thonë: “kush nuk posedon gjë ska çfarë të japë”.
Personi është i drejtë në vetvete kur nuk pretendon për të atë që nuk i përket atij. Gjithashtu nuk e njollos veten me vese të ndyra e me gjynahe por e ngre lart atë me bindjen ndaj Allahut të madhërishëm, me dashurinë, frikën, shpresën tek Ai, me mbështetjen në Të, me kthimin tek Ai duke i dhënë gjithmonë përparësi kënaqësisë së Allahut ndaj kënaqësisë së të tjerëve.
I katri nivel i drejtësisë është drejtësia me njerëzit. Muslimani duhet të mbajë drejtësi mes vetes së tij dhe të tjerëve e të jetë i paanshëm në gjykim ndaj fjalëve që dëgjon prej tjetrit apo në fjalët që i mbërrinë prej tij. Kështu duhet të qartësohet e të sigurohet përpara se të japë gjykim.
“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.” (Huxhurat; 6)
“O besimtarë! Kur të shkoni në luftë, në rrugë të Allahut, shqyrtoni gjithçka me kujdes! Mos i thoni atij që ju përshëndet me selam: “Nuk je besimtar”,” (Nisa; 94)
Muslimani e shfaq drejtësinë ndaj tjetrit kur mendon mirë ndaj tij dhe kur i mbart fjalët e tij në anën më të mirë kuptimore.
Said ibnul Musejib Allahu e mëshiroftë ka thënë: Disa vëllezër të mi prej shokëve të Dërguarit të Allahut më kanë shkruar: Vendose çështjen e vëllait tënd në anën më të mirë për aq sa nuk të vjen diçka e pakthyeshme. Nga fjala që del prej një muslimani mos mendo të keqen e saj nëse mundesh ti shohësh anën e mirë.
Drejtësia e pakët largon të afërmit e vëllezërit prej njëri-tjetrit. Sa mosmarrëveshje kanë lindur mes vëllezërish e mes shokësh për shka se ndonjëri prej tyre ka mohuar vlerat që posedon tjetri, apo për shkak se i ka refuzuar mendimin ose transmetimin e një ngjarjeje ndërkohë që e di se ai është i saktë në mendim dhe i sinqertë në transmetim. Drejtësia e pakët vazhdon të jetë ndarëse mes njerëze edhe pse ata janë farefis me njërit-jetrin.
O Allah na udhëzo drejt sjelljeve më të mira se vetëm Ti na udhëzon drejt tyre e na largo prej sjelljeve të këqija se vetëm Ti na largon prej tyre! O Allah na jep begati në traditën profetike e në Kuran e na mundëso të kemi dobi në udhëzimet dhe sqarimet që gjenden në to.
Me këto që thashë i kërkoj falje Allahut për vete dhe për ju e për të gjithë muslimanët ndaj çdo gjynahu e çdo gabimi. Kërkojini falje Atij sepse Ai është falës ndaj atyre që kthehen me pendim për tek Ai.
Hutbeja e Dyte
E falenderoj Allahun me falenderim të vërtetë e të plotë, salavatet dhe selamet qofshin për robin e Tij të zgjedhur, për familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.
O rob të Allahut, popujt që synojnë ngritje dhe progres shpirtrat e bijve të tyre kanë nevojë të pajisen me zahire të mirë e të këndëshme prej moraleve të larta e prej virtyteve të lëvdueshme po ashtu sikundër kanë nevojë trupat e tyre për ushqim të mirë që të kenë energji në kërkim të mjeteve të jetesës e për këtë drejtësia është një ushqim i domosdoshëm.
Kush synon të pajiset me virtytin e drejtësisë le të hetojë në veten e tij për dy sëmundje; smira dhe egzagjërimi në egoizëm. Nëse vëren gjurmë të tyre atëherë të përpiqet ta nënshtrojë vetveten e ta rikthejë në natyrshmërinë e saj të pastër.
Mënyra më e mirë për të larguar smirën është fakti që Allahu është Ai që me urtësinë e Tij ka vendosur një mirësi të gjendet tek ky apo ai njeri. Kështu që nuk bën të kundërshtohet apo të urrehet ajo që rrjedh prej urtësisë Hyjnore se përndryshe njeriu bien në mëkat.
Ndërsa mjekimi i egzagjërimit në egoizëm është pastrimi i vetes që ajo të jetë e ndjeshme ndaj të tjerëve dhe e ekulibruar. Ti sjellë të mira vetvetes e të urrejë dëmin ndaj të tjerëve.
Ibn Hazmi, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Kush dëshiron drejtësi le të imagjinojë sikur është në vendin e kundërshtarit të tij se kështu do ti ndryshojë drejtimin e furtunës së tij.
Dërgoni salavate dhe selame mbi mëshirën e dhuruar dhe mirësinë e ofruar mbi Profetin tuaj Muhamedin të dërguarin e Allahut.
O Allah nderoje dhe bekoje Muhamedin, familjen e tij të mirë e të pastër, bashkëshortet e tij që janë nënat e besimtarëve, shokët e tij të dalluar e të mbarë, pasuesit e mirë të tyre deri në ditën e gjykimit dhe ne bashkë me ta me mirësinë dhe bujarinë Tënde o Fisnik i fisnikëve!
O Allah forcoje islamin dhe muslimanët!
Mbroje fenë dhe ndihmoji robërit e Tu besimtarë!
O Allah zgjidhi hallet e muslimanëve, lehtësoja vështirësitë, shlyeji borxhet e borxhlinjve, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve me mëshirën Tënde o mëshirues i mëshiruesve!
O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i përmirëso prijësat dhe qeveritarët tanë, përkrahe me të vërtetën, me sukses e me saktësi prijësin dhe udhëheqësin tonë. O Allah jepi sukses atij dhe mëkëmbësit të tij në atë që është në dobi të vendit dhe të njerëzëve o Zot i botëve!
O Allah saktësoja shënjestrën ushtarëve tanë që vigjëlojnë në kufi. O Allah ndihmoi dhe përkrahi ata!
Zoti ynë na jep mëshirë prej Teje e na i drejto çështjet tona!
Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër e na mbro prej dënimit të zjarrit!
I lartësuar qoftë Zoti ynë, Zoti i Krenarisë mbi çfarë i mveshin ata, paqja qoftë mbi të dërguarit dhe lutja jonë e fundit; Falenderimi i takon Zotit të botëve!