Nga kuptimet e agjërimit dhe shpjegimi i statusit të muajit Shaban

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme      06-08-1445 H     16-02-2024 D 

Shejh Dr. Abdullah El Buajxhan         

Tema Nga kuptimet e agjërimit dhe shpjegimi i statusit të muajit Shaban

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë kërkojmë. Atë që e drejton Allahu ai është i udhëzuar,  e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, solli mesazhin, plotësoi emanetin, këshilloi umetin, dhe u përpoq në rrugë të Zotit me përpjekje të vërtetë deri sa i erdhi momenti i ndarjes nga kjo botë. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë me vepra të mira, lutje dhe përshëndetje të shumta për ata  deri në ditën e Kijametit.

Në vijim

Vërtetë fjala më e mirë është fjala e Zotit, Kurani, dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Çështjet më të këqija janë të sajuarat në fe, risitë, çdo shpikje, risi, është devijim, e çdo devijim, humbje e ka përfundimin në zjarr.

Adhurues të Zotit! Bindja ndaj Allahut është përfitimi dhe fitoja më e mirë, dhe kënaqësia e Tij është fitimi dhe qëllimi më i mirë.  Xheneti është i rrethuar me vështirësi ndërsa Xhehenemi është i rrethuar me dëshira. “ Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet).  Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” (Al ‘Imran 185)

Frikësojuni Zotit në atë që ju ka urdhëruar dhe largohuni nga ajo që ju ka ndaluar dhe qortuar për të. “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” (El-Hashr 18)

O ju njerëz! Agjërimi është nga adhurimet më të mira dhe nga ibadetet më të pastra, bindje nga bindjet më të shpërblyera. E vërteta e tij është abstenimi nga gjërat që e prishin atë, braktisja e dëshirave dhe shmangia nga gjërat e ndaluara. Qëllimi i tij është frika, devotshmëria ndaj Allahut të Madhërishëm, edukimi i shpirtit dhe pastrimi i tij nga të metat dhe papastërtitë, marrja e shpërblimit dhe sevapit nga Ai, Allahu i Madhërishëm.

Adhurues të Zotit! Agjërimi është një prej adhurimeve më të mira, një nga ibadetet më të shpërblyera dhe një nga bindjet më të larta. Ai është adhurimi i durimtarëve, furnizimi dhe përgatitja e njerëzve të devotshëm dhe rezerva e fitimtarëve. Na mjafton të dimë se Allahu i Madhërishëm i ka ndarë veprat e njeriut në dy pjesë. Ai e ka bërë agjërimin pjesë të pavarur që e rezervoi për Veten e Tij, ndërsa bëri pjesën tjetër të veprave të tij në një seksion në vete.  Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit (njeriu)  shumëfishohet shpërblimi i saj, një e mirë e tij shpërblehet me dhjetë deri në shtatëqind fish. Allahu i Madhëruar ka thënë: Përveç agjërimit, sepse ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Ai lë dëshirat e tij dhe ushqimin e tij për hirin Tim. Për agjëruesin ka dy gëzime, me të cilat do gëzohet: Gëzimi kur të bëjë iftar, dhe gëzimi kur të takojë Zotin e tij, do të gëzohet me agjërimin e tij.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. Ndërsa tek Buhariu ka ardhur: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Aroma e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se aroma e miskut, parfumit.”

LEXO  Përkujtim madhështorë në lidhje me udhëheqjen dhe popullin

Nga Sehel Ibn Said, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Me të vërtetë në Xhenet është një portë e cilat quhet ‘Rejan’, ku prej saj hyjnë agjëruesit ditën e Gjykimit. Nuk hyn prej saj askush tjetër përveç tyre. Do të thërritet: Ku janë agjëruesit? Dhe ata do të hyjnë prej saj. Kur të futet i fundit prej tyre, agjëruesve,  ajo mbyllet dhe nuk hyn më askush prej saj.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

Adhurues të Zotit! Agjërimi është mburojë dhe shpëtim nga zjarri, dhe mbrojtje nga kryerja e gjynaheve, pasimi i epsheve dhe shejtani. Për agjëruesin ka dy gëzime dhe për të në Xhenet ka një portë e cila quhet Rejan.

Adhurues të Zotit! Agjërimi më i mirë është kryerja e shtyllës që e kemi obligim me agjërimin e muajit të Ramazanit. Ndërsa agjërimi më i mirë vullnetarë është agjërimi në muajin e Shabanit. Nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, nuk agjëronte më shumë në asnjë muaj të vitit se sa në muajin e Shabanit.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. Nga ajo tregohet se ka thënë: “ I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, agjëronte aq shumë sa mendonim se ai nuk e prishte kurrë agjërimin dhe e prishte agjërimin sa që mendonim se nuk agjëronte. Nuk e kam parë të dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, të agjëronte një muaji të plotë përveç Ramazanit, dhe nuk e kam parë të ketë agjëruar më shumë se në Shaban.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.

Nga Usame Ibn Zejdi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ I kam thënë: O i dërguari i Allahut,  nuk të kam parë që të agjërosh një muaj nga muajt e vitit sikur agjëron në Shaban?” Ai ka thënë: “ Ky është muaj ndaj të cilit njerëzit janë të pakujdesshëm, në mes Rexhepit dhe Ramazanit. Ai është muaj në të cilin ngrihen veprat për tek Zoti i botëve, e unë dua që veprat e mia të ngrihen tek Zoti duke qenë me agjërim.” Hadithin e ka transmetuar Nesaiu. Nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ajo ka thënë: “ Muaji më i dashur për të agjëruar tek i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ishte muaji i Shabanit.” Hadithin e ka transmetuar Hakimi. Agjërimi i të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në muajin e Shabanit ishte vullnetarë më shumë se agjërimi i tij në muaj të tjerë. Ai agjëronte shumicën e muajit të Shabanit.

LEXO  Vetëm Zoti meriton të lavdërohet - Medina 29.05.2020

Prandaj, adhurues të Zotit, agjëroni sa të keni mundësi nga muaji i Shabanit. “…dhe jepini Allahut një hua të mirë (që Ai t’jua kthejë shumëfish). Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (El-Muzzemmil 20)

Zoti na begatoftë me Kuranin Famëlartë, dhe na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë e tij.

Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili me bindjen dhe përkujtimin e Tij ka zbutur ashpërsinë e zemrave dhe ka thënë: “ Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Er-Ra’d 28)

Ai ka favorizuar disa kohë nga disa të tjera dhe i ka veçuar ato me disa adhurime dhe bindje,  na ka udhëzuar në besim, Atij i lutemi që të na e bëj të mundur të arrijmë muajin e Ramazanit. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Nderim dhe Lavdërim për Të.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, i mjaftueshëm për ne udhëheqës dhe udhërrëfyes. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për ata dërgojmë shumë lutje dhe përshëndetje.

O muslimanë! Vërtetë Allahu nuk ju ka krijuar më kot dhe as nuk ju ka braktisur duke ju lënë pa sprovuar, Ai ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë. Përshpejtoni në vepra të mira para se të ju afrohet exheli, afati i fundit në këtë botë, përgatituni për provën e madhe dhe marrjen në pyetje. Përmirësoni fjalën me vepra, merrni vete tuaja në llogari para se të merreni në llogari, dhe përgatituni për takimin me Zotin e Madh dhe të Plotëfuqishëm.

Adhurues të Zotit! Shabani është muaji në të cilin ngrihen veprat tek Allahu, prandaj bëni kujdes për përfundimet, mbylljet, me të vërtetë bazohen, vlerësohen me përfundimin, mbylljen e tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, është modeli dhe shembulli më i mirë, i cili për muajin Shaban ka thënë: Ai është muaj në të cilin ngrihen veprat për tek Zoti i botëve, e unë dua që veprat e mia të ngrihen tek Zoti duke qenë me agjërim.” Hadithin e ka transmetuar Nesaiu.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Adhurimi në kohë të pakujdesisë, neglizhencës është një nga metodat më të mëdha të afrimit dhe bindjes ndaj Zotit të botëve, paralajmërim për të shkujdesurit dhe përkujtim që u bën dobi besimtarëve. Muaji i Shabanit është sezon bindjeje ndaj të cilit neglizhojnë shumë nga njerëzit, prandaj bëni kujdes dhe vlerësojeni kohën e tij, përfitoni nga ditët dhe momentet e tij, ekspozohuni para mirësive të Zotit dhe prekni, shijoni, kënaqësitë e Tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, agjëronte shumë nga ditët e tij dhe thoshte: “ Ky është muaj ndaj të cilit njerëzit janë të pakujdesshëm, në mes Rexhepit dhe Ramazanit. Ai është muaj në të cilin ngrihen veprat për tek Zoti i botëve, e unë dua që veprat e mia të ngrihen tek Zoti duke qenë me agjërim.”  Bëni kujdes nga pakujdesia, neglizhenca, sepse ajo shkëputën lidhjen në mes robit, njeriut dhe Zotit të tij. Allahu i Madhërishëm thotë: “ Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje!” (El-A’raf 205)

LEXO  Mesazhe mbështetëse për durimtarët dhe paralajmërime për agresorët

Kush ka borxh pa plotësuar nga agjërimi i muajit të Ramazanit të kaluar le të përshpejtojë në plotësimin e agjërimit të tij para se të përfundojë muaji i Shabanit. Sepse nuk është e lejuar të vonuarit e këtij borxhi pa arsye derisa të hyjë muaji i Ramazanit.

Zoti ju dhëntë sukses në atë që Ai do dhe  është i kënaqur, pranoftë nga ju veprat e mira, ju bëftë nga ata që i dëgjojnë fjalët dhe ndjekin atë që është më e mira prej tyre. “Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë njerëzit e mençur.” (Ez-Zumer 18)

O Zot, na përdor në bindjen ndaj Teje, na jep sukses në shfrytëzimin e kohës në adhurimet ndaj Teje, na beko në jetën tonë,  na dhuro shëndet dhe mirëqenie, o Zoti o botëve.

O Zot, na e mundëso të arrijmë muajin e Ramazanit, na jep sukses në çdo të mirë në të, dhe pranoje nga ne, Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!

O Zot, na fal gjynahet dhe rrëshqitjet tona, na mbulo gabimet dhe të metat tona, lehtëso shqetësimet tona, largo vështirësitë tona, na mbulo me ruajtjen dhe mbrojtjen Tënde, o Zoti i botëve.  

O Zot, na e bëj të dashur besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëj të urryer për ne mohimin, shthurjen dhe mosbindjen dhe na bëj nga të udhëzuarit në rrugë të drejtë.

O Zot, o Kontrolluesi i zemrave, bëj zemrat tona të qëndrueshme në fenë Tënde!

O Zot, o Rrotulluesi  i zemrave, drejto zemrat tona në bindjen ndaj Teje!

“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!” (Al ‘Imran 8)

O Zot, na fal ne, prindërit tanë, besimtarët  dhe besimtaret.

O Zot, shëro të sëmurët tanë, shpëto të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, ndihmo robërit e Tu besimtarë.

O Zot, bëje të paqtë dhe të sigurt këtë vend dhe të gjitha vendet  muslimane.

O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.

O Zot, jepi sukses nga suksesi Yt kujdestarit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, mbështete atë me mbështetjen Tënde dhe lartëso me të fenë Tënde.

O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, o Ti që i dëgjon lutjet.

O Zot, ruaj ushtarët tanë, mbro kufirin tonë, bashko forcat tona dhe turpëro armiqtë tanë.

O Zot, të lutemi të jesh me njerëzit tanë në Palestinë. O Zot, të lutemi të jesh për njerëzit tanë në Palestinë Mbrojtës dhe Ndihmues, Mbështetës dhe Shpërblyes. O Zot, lehtësua atyre vështirësitë,  largo nga ata fatkeqësinë, ruaj tek ata nderin dhe gjakun. O Zot, jepu atyre pas çdo shqetësimi lehtësim dhe në çdo vështirësi rrugëzgjidhje, o më i Madhi Mëshirues.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)

O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin tonë,  Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Afrim Smakaj

Post Author: endrit