Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 05- 09-1445 H 15-03-2024 D
Shejh Bander Ibn Abdul Aziz Balejla
Tema Mësime nga shkolla e agjërimit
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili është i denjë për lavdërime dhe meriton adhurime, Shoqëruesi i njerëzve të Tij të bindur me mbështetjen dhe ndihmën e Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, dëshmi e sinqertë ndaj Tij me monoteizëm, Njësim të Tij, dëshmi e vërtetë.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, e ka dërguar Zoti pas një periudhe kohe nga të dërguarit dhe udhëzoi me të robërit e Tij. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, mbi ata që ndjekin gjurmët e tij dhe pasojnë udhëzimin e tij.
Në vijim
O ju njerëz, porosis veten dhe ju që ti frikësohemi Allahut. Devotshmëria është rruga e lumturisë dhe dëshmi e sovranitetit. “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Et-Teube 119)
O ju muslimanë! Ky është muaji i Ramazanit që na ka mbuluar me rrezatimet e tij dhe na ka mbushur me aromën e tij të mirë. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kur hynë Ramazani hapen portat e Xhenetit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.
Ramazani vjen tek njerëzit e ata e kanë të domosdoshëm atë dhe në shpirtrat e tyre ai është i pazëvendësueshëm. Kjo për të derdhur valët e mirësisë në zemrat e tyre, për të zgjuar ndjenjat e fjetura të drejtësisë në shpirtrat e tyre, për të stimuluar arsyet e lidhjes me Zotin në mendjet e tyre dhe për ti kthyer në natyrshmërinë për atë që janë krijuar nga pastërtia dhe çiltërsia.
Ramazani është ushtrim për shpirtin duke e shkëputur nga dëshirat e tij, ngritje me shpirt për në qiell, si dhe afrim distance midis të pasurve dhe të varfërve me dhembshuri dhe me keqardhje.
Adhurues të Zotit! E para e veprave në Ramazan është agjërimi. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, me qëllim që të ruheni (nga gjynahet).” (El-Bekare 183) Ndërsa fruti i parë i tij është arritja e devotshmërisë për agjëruesin, e kjo mjafton si frut. Por agjëruesi e ka fituar atë për shkak të ndikimit që ka agjërimi tek ai me frenimin e dëshirave, me nënshtrimin e shpirtit, me dobësimin e egos së tij dhe me mbajtjen e tij larg të keqes dhe mendjemadhësisë. Zoti e ka ngritur lartë rëndësinë e agjërimit dhe e ka bërë shpërblimin e tij të bollshëm dhe të madh. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Çdo vepër e mirë e njeriut shumëfishohet, një e mirë shpërblehet me dhjetë deri në shtatëqind fish. Allahu i Madhërishëm ka thënë: Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë e jap shpërblimin për të. Ai, agjëruesi, e ka lënë mënjanë dëshirat dhe ushqimin e tij për Hatrin Tim.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.
Për agjëruesit ka një portë të veçantë përmes të cilës ata hynë për në Xhenet, nga e cila nuk hynë dikush tjetër përveç tyre. Nga Sehl Ibn Sa’di, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtetë në Xhenet ndodhet një portë që quhet Rejan, përmes së cilës do të hyjnë agjëruesit në Xhenet ditën e Gjykimit, nga ajo portë nuk hynë dikush tjetër përveç tyre. E kur të hyjnë në Xhenet të gjithë agjëruesit porta mbyllet dhe nuk hynë përmes saj asnjë njeri tjetër.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.
Një nga përfitimet më të mëdha të agjëruesit nga shkolla e agjërimit është arritja e përkushtimit ndaj Zotit të Madhëruar dhe thellimi në bindjen e vëzhgimit të Tij, Allahut të Madhërishëm. Agjërimi është një adhurim i fshehtë që vetëm Zoti i Madhëruar mund ta shikojë, kështu që efektet e agjërimit shtrihen në shpirtin e agjëruesit, në gjendjen dhe në jetën e tij.
Në Ramazan lexohet Kurani, buzët lëvizim duke e lexuar atë gjatë gjithë ditës dhe natës. E si të mos jetë kështu kur Ramazani është muaji i Kuranit, muaji në të cilin Kurani ka zbritur tek i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (El-Bekare 185) I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të; “ Në Ramazan, Xhibriili, paqja e Zotit qoftë mbi të, e takonte çdo natë dhe i mësonte Kuranin.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.
Ramazani është muaji i qëndrimit në namaz për hatrin e Allahut të Madhërishëm. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka garantuar ata që ngrihen për namaz në këtë muaj për hatrin e Zotit, me besim dhe shpresë për shpërblim nga Ai, se do tu falen gjynahet. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush falën namaz në Ramazan, teravitë, me besim dhe shpresë për shpërblim tek Zoti do ti falen atij gjynahet e të kaluarës.” Muttefikun Alejhi.
O Zot, na begato në Kuranin Famëlartë, dhe na bëftë dobi të gjithëve me argumentat dhe urtësitë e tij të larta.
Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, Poseduesi i mirësive dhe begative.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Unik, i Vetëm me Lavdinë dhe me Madhështinë e Tij, me Krenarinë dhe me Ekzistencën e Tij.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, vula e të dërguarve dhe zotëria i të devotshmëve. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen, shokët dhe pasuesit e tij në vepra të mira, deri në ditën e Ringjalljes dhe shpërblimit.
Në vijim
O ju besimtarë! Zoti juaj ju ka mëshiruar në këtë muaj me dhuratat e Tij të mëdha dhe bujare. Nëse dikush nuk përfiton në këtë sezon fitues, atëherë në cilin sezon do të fitojë?! Kush neglizhon të fitojë mirësi prej këtij sezoni, kur do të ketë sukses?! E kush nuk pendohet tek Zoti i tij, deri ku do të shkojë dhe kur do të korrigjohet, përmirësohet?! Ndërsa në hadith ka ardhur: “ I rëntë hunda në tokë, i turpëruar qoftë, ai njeri tek i cili ka ardhur Ramazani dhe pastaj ai, Ramazani, kalon para se ti falen gjynahet e tij.” Hadithin e ka transmetuar Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu.
Lutuni dhe përshëndeteni krijesën më të mirë të Zotit, për të besuarin e Tij në shpalljen dhe legjislacionin e Tij, Muhamedin djalin e Abdullahut, të dërguarin e Zotit.
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen e tij të pastër dhe të mirë, dhe bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e parë, udhëheqësit e drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me familjarët dhe të gjithë shokët e tij, me tabiinët, ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit, dhe me ne së bashku me ata, me Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujarë.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë dhe ndihmo robërit e Tu besimtarë.
O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar nga muslimanët, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, me Mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe vendosmëri udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona.
O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që është në përmirësim të vendit dhe popullit, o Zoti i Botëve.
O Zot, forco ushtarët tanë që janë vendosur në kufijtë e vendit tonë! O Zot, të lutemi të jesh në mbështetje dhe në ndihmë të tyre, në përkrahje dhe mbrojtje të tyre.
O Zot, prano nga ne agjërimin dhe namazin në këtë muaj, na jep, mundëso kënaqësinë dhe afërsinë Tënd, o i Gjallë i Përhershëm, o më i Madhi dhe më Bujari.
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180)
Afrim Smakaj