Durim o populli Palestinez të lidhur me këtë tokë

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa    06-01-1446 H    12-07-2024 D

Shejh  Halid  Ebu  Xhumua 

Tema  Durim o populli  Palestinez të lidhur me këtë tokë

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Lavdërimet janë për Zotin, Krijuesit e Plotëfuqishëm, Krijon çfarë dëshiron dhe përzgjedhën prej tyre, për Atë janë të gjitha lavdërimet, tek Ai kthehet çdo çështje, nuk ka forcë dhe nuk ka fuqi tjetër përveç Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Krijoi robërit e Tij me besim dhe monoteizëm, besimin në Një Zot, por shejtanët i shtynë ata drejt mosbesimit dhe ndëshkimit. Për ne nuk ka Zot tjetër përveç Tij, nuk adhurojmë diçka tjetër përveç Tij, me adhurim të sinqertë për Të, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët.

Dëshmoj se zotëria, i dashuri, udhëheqësi dhe modeli ynë, Muhamedi, është rob i Zotit, mëshira udhëzuese dhe mirësia e dhuruar, i cili ka thënë: “Lutja e Dhun Nunit, Junusit,  kur ai u lut duke qenë në barkun e Balenës: “S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (El-Enbija’ 87) Vërtetë çdo musliman, i nënshtruar ndaj Zotit, që është lutur me këtë lutje për çdo gjë Zoti i është përgjigjur atij.

Zotëria, i dashuri dhe drita e syve të mi, o i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të! Dëshmoj se e ke përcjellë mesazhin, e plotësove emanetin, këshillove umetin, largove errësirën dhe je përpjekur në rrugë të Zotit me përpjekje të sinqertë, të vërtetë, deri sa të ka ardhur momenti i ndarjes nga kjo botë. Zoti të shpërbleftë për ne dhe për umetin Islam me atë që Ai di më mirë. Paqja, shpëtimi dhe bekimi i Zotit qoftë mbi ty, mbi pjesëtarët e familjes tënde, mbi shokët e tu dhe mbi ata që të pasojnë në mirësi deri në ditën e Fundit.

Në vijim

O ju të lidhur me këtë vend! Porosis veten dhe ju që të kemi frikë Allahun. “ O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut).” (El-Hashr 18-19)

O ju të lidhur me këtë vend! Frikësojuni Allahut me frikë të vërtetë, sepse e mira dhe paqja është në frikën, devotshmërinë ndaj Tij, ndërsa e keqja dhe ndëshkimi është në mosbindjen dhe kundërshtinë e Tij. Asnjë keqbërës nuk bën keqe vetëm se ndaj vetes së tij, e ai që bën mirë, e bën për dobi të vet, e ai që punon keq, punon në dëm të vet. “Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (El-Kehf 49)

O ju muslimanë! A keni dëgjuar për atë që u lartësua mbi tokë dhe u tregua mendjemadh, i nënshtroi njerëzit me dhunë dhe mburrej për këtë, çfarë bëri Zoti me të? Ky kriminel nuk mund t’i shpëtonte ndëshkimit të Zotit. Nga ligjshmëria e Zotit, ligjshmëria e shkatërrimit dhe nënshtrimit, asgjësimit dhe dënimit, deri sa Allahu e bëri atë paraardhës dhe shembull për të tjerët. Madhërimi është për Allahun e Lartësuar, në këtë jetë kanë kaluar njerëz të mëdhenj dhe të këqinjë, të cilët u mashtruan me forcën dh e fuqinë  e tyre, me mizorinë dhe pasurinë e tyre, dhe me njohuritë e tyre deri sa menduan se ata janë të përjetshëm, të pavdekshëm. “ … thoshin: “Kush është më i fortë se ne?”( Fussilet 15) Tek ata u zbatua ligjshmëria e Allahut ndaj të  padrejtëve, tiranëve.

Adhurues të Zotit! Planifikimi dhe lufta kundër Islamit dhe popullit të tij ka vazhduar që kur i dërguari i Islamit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Unë jam i dërguari i Zotit tek ju.” Betejat e të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe shokëve të tij, pas tij, janë dëshmia më e madhe për këtë. Por planifikimet e tyre janë të destinuara të dështojnë sepse Allahu thotë: “ Ata bënin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre). Allahu është planifikuesi më i mirë.” (El-Enfal 30) Historia ka regjistruar për ne imazhe të fitores që mendja pothuajse nuk është në gjendje t’i kuptojë. Një ushtri e përbërë prej tre mijë ushtarësh qëndronte përballë një ushtrie të përbërë prej dyqind mijë ushtarësh në Muta’h. Ndërsa Kadisija dhe Jermuku nuk janë larg nga ne.  Mirëpo, epopeja më e errët është kur të pafetë sulmojnë shenjtërit e muslimanëve dhe zgjojnë ndjenjat e njerëzve të tyre të thjeshtë, për të mos përmendur dijetarët e tyre dhe njerëzve me vlera nga mesi i tyre. Por ata kthehen gjithmonë të humbur dhe të zhgënjyer, e ne në histori marrim mësim.  Exhnadini, Hittini dhe Ajni Xhaluti në tokën e Palestinës do mbeten dëshmi të shkatërrimit të agresorëve dhe të fitores së popullit të shtypur.

LEXO  Sëmundja e pakujdesisë... shkaqet dhe trajtimi

O njerëz të Gazas qëndrestare! Fjalë që do i them për çdo zemër të trishtuar dhe të pikëlluar, që ka humbur familjen dhe shtëpinë e tij, dhe ka humbur çdo gjë që posedonte. Zoti e sprovon besimtarin me fatkeqësi, vuajtje dhe vështirësi të ndryshme, derisa nuk mbetet asgjë tjetër në zemër përveç Zotit dhe në gjuhë e tij nuk rrjedhën asgjë tjetër përveç se përmendja e Zotit. Ai nuk na sprovon përveç se Ai na do. Vërtetë Allahu i Madhërishëm kur e do një rob të Tij e sprovon atë. Sprova është caktim nga caktimet e Zotit e nuk mund të gjykohet nga pamja e tij si e dëmshme apo e dobishme, sepse caktimi është sekret nga sekretet e Zotit. Ne nuk duhet që të dëshpërohemi, të humbim shpresën, nga mëshira e Zotit, apo të lodhemi nga lutjet, apo të mërzitemi prej tyre, apo të dorëzohemi para fatkeqësisë. Llogariteni çështjen tuaj tek Zoti dhe dëshmorët tuaj janë tek Zoti. Prandaj ju dhe ne duhet të bëjmë durim. E ai që bën durim, Allahu e forcon në durim.  Nuk i është dhënë dikujt dhuratë më e mirë dhe më e gjerë se durimi. Urime për ne llogaritja, numërimi i kësaj ndarje dhe humbjeje tek Zoti. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.”(Ez-Zumer 10)

E përse durimi? Sepse ai, durimi strehon të gjitha mirësitë. Të gjitha mirësitë burojnë dhe varen prej tij; nga lavdia, guximi,  vendosmëria, vullneti  dhe krenaria. Muslimani durimtarë është ai që, me lejen e Zotit, përballon çdo fatkeqësi. Me durimin ne duhet të bëj dua, lutje. Ngrini duart tuaja për lutje dhe jeni të bindur në përgjigje, sepse Allahu i Madhërishëm është i Fuqishëm për të bërë çdo gjë dhe i denjë për përgjigje. Për Zotin, Allahu nuk do të ju zhgënjejë, do të ju përgjigjet dhe do të përmirësojë gjendjen tuaj. E them këtë, kur kemi shikuar disa zemra që janë rënduar nga brengat, i ka mbuluar pikëllimi dhe shqetësimi dhe i ka pushtuar dëshpërimi dhe zhgënjimi. Zemra flet me gjuhën e situatës dhe jo me gjuhën që duhet. Prandaj, o ju durimtarë! Lutja ka rëndësi të madhe, ajo është një portë që është hapur për ne, e i suksesshëm është ai që përfiton nga kohët, momentet, në të cilat ka përgjigje dhe këmbëngulën tek Zoti. Sa shumë që kemi nevojë në këto ditë për mëshirë të Zotit.

Përkujtoni Nuhun madhështorë, paqja e Zotit qoftë mbi të: “ Kështu, ai iu lut Zotit të vet: “Unë jam i mundur, andaj më ndihmo!”(El-Kamer 10) Lutja është adhurim që nuk ndërpritet, ujitje për shpirtin, shi për zemrën, me anë të saj ngrihen vepra dhe jeta bëhet e begatë. Shpirti kur shoqërohet me lutje mbulohet me paqe dhe qetësi para duarve të Zotit. Drejtohet, nuk zhduket dhe nuk devijon, sepse ajo është në pozitë më të afërt me Zotin.  Allahu i Lartësuar thotë: “ Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam pranë, u përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” (El-Bekare 186)

O ju njerëz të qëndrueshëm në tokën e vendosmërisë, lidhjes së ngushtë! Ato zemra që ishin të durueshme dhe e dinin se Allahu është me ta, e prania e Zotit është e mjaftueshme para çdo gjëje, vërtetë Allahu i Plotëfuqishëm është me ne, Ai është Hakmarrës i Fuqishëm. Çdo gjë është me ne, Zoti është më i Madh se të padrejtët, tiranët, Ai është më i Madh se agresorët, poshtërimi është për kriminelët dhe turpërimi është për ata që janë të pakujdesshëm, neglizhentët.

Njerëzit tanë të lidhur fort dhe durimtanë në Bejtul Makdis, Kuds! Zoti është Mëshirëplotë, e  Mëshirëploti nuk pranon trishtim dhe humbje për ju. Durimi, qëndrueshmëria dhe lidhja juaj zemërojnë armikun tuaj. Fitorja dhe lartësimi nuk janë veçse durimi i një ore, e ajo është afër me ndihmën e Zotit. Kemi parë se si të këqinjtë kanë sunduar gjatë, por  dielli është në rrugën e tij të perëndimit. Sa më shumë që vështirësohet vetëm se lehtësohet, sa më shumë që ngushtohet vetëm se lirohet.

O banorë të Gazas! Zoti ju ruajte. Viti i ri Hixhri ka filluar, ndërsa një vit shkollorë shumë i rëndë sapo kaloj. Nxënës që janë larguar para se të mbarojë viti shkollorë, duke lënë pas tyre libra të pakët, ëndrra të mëdha dhe shpresa të shumta. U larguan pa plotësuar vitin e tyre shkollorë. Librat, fletoret dhe lapsat e tyre u dogjën. U përzien me rërën, pisllëkun dhe hirin lotët që rrjedhin nga sytë dhe trishtimi që djegën në zemër. Për ta ka kaluar një vit shkollorë i rënë, i vështirë dhe i dhimbshëm, për dyzet mijë studentë dhe studente që nuk e dhanë këtë vit provimin e shkollës së mesme të përgjithshme.  Rrugëtimi i tyre arsimorë, shkencorë dhe edukativë ka ndaluar për shkak të shkatërrimit dhe rrënimit. Nxënësit, mësuesit, drejtuesit dhe punonjësit u prekën të gjithë nga dora e shkatërrimit dhe makineria e rrënimit dhe asgjësimit.  Pikat historike të universiteteve, shkollave dhe kopshteve u zhdukën. Ne na mjafton Allahu, Ai është mbështetës i mrekullueshëm.

LEXO  Muslimani duhet të jetë i angazhuar vetëm me atë që i sjellën dobi

Xhumaja e parë nga viti i ri Hixhri  hynë tek banorët e Gazas dhe ata vuajnë nga frika, uria dhe etja, krahas vapës së madhe, mungesës së mjekimit dhe e ilaçeve, përhapjes së epidemive dhe sëmundjeve ngjitëse. Uria tek ata është bërë e rëndë, janë të uritur e të etur, flenë e zgjohen, kanë dhimbje, shpërngulen dhe ikin duke qenë të etur e të uritur. Kjo vuajtje është për fëmijët, të rinjtë, burrat dhe gratë. Ikin, largohen, shkrihen e dërrmohen.

Viti i ri Hixhri, ndërsa bota i shikon ata përmes kanaleve të hapura dhe përmes transmetimeve të drejtpërdrejta. I shikojnë ata në mënyrë të pastër dhe i dëgjojnë me zë të qartë, pa probleme, pa pengesë dhe pa mbulesë. Sytë e botës Arabe dhe Islame, Perëndimore dhe Lindore, në mëngjes, në mesditë, në mbrëmje dhe në pasdite, i shikojnë dhe dëgjojnë të qarat e tyre. Gjendja e tyre është e përhapur në të gjitha anët e tokës, në të gjitha rastet dhe festat.  Me ardhjen e një viti të ri në një vit të ri Hixhri, banorët e Gazës po përjetojnë migrim, shpërngulje dhe braktisje në çdo ditë. Ata nuk po gjejnë përkrahës apo ndihmues për të vërtetën. O Zot, shikoji ata me shikimin e butësisë dhe mëshirës. Ata janë robërit Tu, janë të destinuar të jetojnë në faqen e kësaj toke të ngushtë, me atë çfarë priti dhe të tjerët, endacakë dhe të humbur, të plagosur, të privuar, të braktisur, të uritur, të frikësuar dhe të vuajtur. Dhe para të gjithave në këmbë, duke lëvizur nga turma në turmë, nga veriu drejtë jugut dhe nga jugu drejtë veriut.

O ju durimtarë! Shpërngulja e profetit është e mbushur me plot mësime dhe përfitime, të vlefshme për të gjitha kohërat. Ngjarja e emigrimit, shpërnguljes shënoi fillimin e themelimit dhe shfaqjes së shtetit Islam, e ngritur mbi vlerat e reformës, mëshirës, ​​drejtësisë dhe njerëzores. Emigrimi i nderuar tregoi se arritja e suksesit dhe përmbushja e ambicieve dhe synimeve vinë  vetëm me durim dhe me forcën për të përballuar dhe rezistuar, mbështetja tek Zoti, mendimi i mirë për Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar.  Veçoritë e qasjes së madhe profetike në përballjen e krizave përmes shpërnguljes së tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në rrugëtimin dhe udhëtimin e tij drejt Zotit, u identifikuan me durim, mendim, mungesë të  panikut dhe nxitimit, dhe me kthim të sinqertë tek Zoti. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, është betuar, dhe betimi i tij është i drejtë, i vërtetë, dhe ai, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Pasha Zotin, kjo çështje do të realizohet, çështja do të përmbushet, derisa udhëtari, në udhëtimin e tij, nga Sana’ për në Hadra Meut, nuk i frikësohet përveç se Allahut dhe ujqërve për delet, kafshët e tij, por se ju nxitoheni, nguteni.” Sa ka qenë shkak të nxituarit në vonesën e fitores, ngritjes dhe fuqizimit mbi armiq? Fitorja është caktim nga caktimet e Zotit, dhe përcaktim nga përcaktimet e Tij, e ajo ecën sipas ligjshmërisë Hyjnore të caktuar. Fitorja dhe fuqizimi mund të jetë e ngadaltë, kjo që Allahu të dallojë, veçojë të keqen nga e mira, e kështu zbulohen situatat e fshehura, bie maska nga hipokritët dhe hiqen mbulesa nga komplotistët.

Allahun e Madhërishëm e lutim që të mbushi zemrat tona me dashuri dhe nderim për Të, me lavdërim dhe vlerësim për Të, dhe që të na japi sukses në atë që Ai do dhe është i kënaqur.

O Zot, na bëj nga krijesat më të bindura ndaj Teje, mbush zemrat tona me dashurinë për Ty, me besimin dhe me mbështetjen tek Ti. Nga Abdullah Ibn Amer, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Muslimani është vëllai i muslimanit nuk i bënë atij padrejtësi dhe nuk e dorëzon atë. Kush i gjendet në nevojë vëllait të tij Allahu i gjendet atij në nevojë të tij. Kush i largon muslimanit një breng Allahu ja largon atij një breng prej brengave në Ditën e Kijametit. Kush i mbulon një të metë muslimanit Allahu do ja mbulojë atij një të metë në Ditën e Kiametit.”

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, me të vërtetë fitorja është për ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandaj kërkoni falje tek Zoti.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin për durimin e Tij pas diturisë së Tij dhe për faljen e Tij pas fuqisë së Tij. O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga varfëria përveçse nga Ty, nga poshtërimi përveç Teje dhe nga frika përveçse nga Ti. Kërkojmë mbrojtjen Tënde nga të këqijat e armiqve tanë, nga sëmundjet e pashërueshme, nga zhgënjimi në shpresë, nga zhdukja e mirësive dhe nga ndëshkimi i papritur.

LEXO  Vëllazëria në fe është lidhja e besimtarëve

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, i Vetmi i Plotëfuqishmi. Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari i përzgjedhur dhe i dalluar. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, zotërinjtë e pastër, mbi shokët e tij të ndershëm dhe të pastër, mbi tabiinët dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi sa të ekzistojë nata dhe dita.

Në vijim

Vërtetë besimtari inteligjent, racional dhe i mençur e kupton realitetin mashtrues,  grackat e të prishurve  dhe planet e tyre të zbuluara për ndryshimin e tipareve të qytetit të Kud’sit, ngatërresat në historinë e tij dhe falsifikimin e fakteve të qytetërimit të tij Islam. Po, o ju qëndrestarë! Vërtetë kjo tokë është tokë e bekuar, Allahu na e ka dhënë ne  dhe ka konfirmuar të drejtën tonë për të nga lartësia e shtatë qiejve. E atë që ka shkruar Dora e të Lartësuarit më të Madhit në qiellin e shtatë nuk mund ta fshijnë duart e njeriut. Prandaj, për këtë nuk ka asnjë mosmarrëveshje me ne në lidhje me këtë të drejtë, ndodhitë nuk mund të ndryshojnë diçka nga faktet. Çfarë do që të bëjnë nga katastrofat dhe fatkeqësitë, nga planifikimet dhe zhvendosjet, dhe deklaratat e tyre aty dhe këtu për një të drejtë të tyre që e kanë ngjyrosur me gënjeshtra dhe mashtrime. Ajo është vetëm një re vere dhe më pas do të zbulohet, largohet. E vërteta është e ndritshme dhe gënjeshtra është e zymtë.

O ju të dashur! Vërtetë kjo e drejtë që e theksojmë dhe e përsërisim është një e drejtë fetare, doktrinale, akaidore dhe historike. Një e drejtë që përfshin të gjithë muslimanët, në Palestinë dhe jashtë saj, në burgje dhe në diasporë. Ai që është i lidhur, i vendos me trupin e tij në këtë tokë realiteti dëshmon për të. Sa i përket atyre që u dëbuan nga vendi i tyre me forcë, padrejtësisht  dhe në mënyrë armiqësore, ata dhe ne janë të barabartë në shpërblimin e lidhjes me këtë tokë.  Nëse dikush mendon se ai është privuar nga thithja e ajrit të vendit të tij, nga të ngrënit prej mirësive të tij dhe nga të pirit prej ujërave të tij të ëmbël e të bekuar, ai është delirant dhe i gabuar, sepse ai injoron natyrshmërinë e këtij umeti, ky umet që Njëson Zotin se xhamia e Aksasë dhe se qyteti i Kudsit janë vetëm për muslimanët.

Po, o ju të dashurit e mi! Vërtetë të përmbajturit e dashurisë për këtë tokë,  ripërtëritja e qëllimit të lidhjes me këtë tokë, dhe afrimiteti, dhembshuria për të është akt, adhurim dhe ibadet me të cilin muslimani afrohet tek Zoti i tij.  Dashuria për këtë vend përshkon damarët tanë dhe rreh në zemrat tona. E kemi trashëguar nga baballarët, gjyshërit dhe paraardhësit tanë, e kemi  kaluar atë tek fëmijët dhe nipërit tanë, dhe i kemi udhëzuar që këtë dashuri ta trashëgojnë tek fëmijët dhe nipërit e tyre.

O ju të lidhur me këtë vend! Një nga të drejtat më elementare të kërkuara për vëllezërit tanë të burgosur është të gëzojnë lirinë, dhe që njerëzit tanë të diasporës të kthehen në atdheun dhe tokën e tyre, pasi janë dëbuar prej saj me padrejtësi dhe armiqësisht. Kjo e drejtë u garantohet atyre nga normat njerëzore. Dhe pse në këtë tokë të bekuar ne kemi kaluar atë që kanë kaluar më parë të parët tanë, nga humbja e tokës, humbja e prestigjit, dominimi i armiku dhe arroganca e  pushtuesit, kjo është një rrethanë e jashtëzakonshme dhe urgjente, ku shenjat e zhdukjes së saj i shikojmë të duken në horizont. Dielli i tyre ka perënduar, ndërsa dielli ynë është në lartësinë e orbitës dhe nuk perëndon. Sado që t’i japim Aksasë, nuk do t’ia plpërmbushim vlerën e saj, dhe as nuk do t’ia plotësojmë të drejtën. Ngushëllimi ynë është që të shpresojmë të jemi pjesë e grupit të vendosur dhe të lidhur me këtë vend, për të cilin ka treguar zotëria i njerëzimit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, kur thotë: “ Do të vazhdojë një grup nga umeti im të jenë të vendosur në fe, të përballen me armikun e tyre, nuk i dëmton ata se kush i braktisën, tradhton ata, përveç asaj që i godet ata nga fatkeqësia, derisa t’u vijë urdhri i Zotit dhe ata janë në këtë gjendje, të vendosur.” I kanë thënë: “ O i dërguari i Allahut,  e ku janë ata?” Ka thënë: “ Në Bejtul Makdis, Kud’s, dhe në rrethinat e tij.”

O Zot, të lutemi, o i Gjallë, o i Përhershëm, o më i Madhi, o më Bujari, s’ka Zot tjetër përveç Teje, Ty të takon Madhërimi, vërtetë ne kemi qenë nga gjynahqarët. Të lutemi me atë që bartën Froni Yt nga Madhështia dhe Lartësia Jote,  Shkëlqimi, Fuqia dhe Pushteti Yt, që të pranosh pendesën tonë dhe të na shpëtosh nga fatkeqësitë dhe vështirësitë, dhe nga fitnet, ato që janë shfaqur dhe çfarë janë të fshehta.

O Zot, të lutemi që për njerëzit e Gazas të jesh Ndihmues, Mbështetës, Mbrojtës dhe Përkrahës. O Zot, na mëshiro me Mëshirën Tënde të gjërë dhe largo nga ne fatkeqësitë. O Zot, mposht armiqtë tanë dhe ata që na kanë sulmuar ne. O Zot, shëro plagët tona, ushqe të uriturit tanë, largo etjen të eturve tanë, mbulo të zbathurit tanë, vish të zhveshurit tanë, shëro të plagosurit tanë dhe mëshiro të vdekurit tanë.

O Zot, lutemi për Butësinë Tënde mbi të moshuarit e pamundur, mbi foshnjat, mbi gratë që kanë mbetur të veja dhe mbi fëmijët që kanë mbetur jetimë. O Zot, largoje shqetësimin dhe pikëllimin prej tyre. O Zot, ruaj ata me mbrojtjen Tënde.

O Zot, ruaj xhaminë e Aksasë dhe ata që janë të lidhur me të, vend udhëtimi i të dërguarit Tënd, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, forcoje atë me fortifikimin Tënd të fortë, vendose atë nën kujdesin, mbrojtjen, sigurinë, mbështetjen dhe garancinë Tënde,  o më i Madhi më Bujari.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, fali besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet.  

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Safat 180-182)

Dhe fto për namaz.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/496089606147752

Post Author: endrit