O Zot të kërkojmë të na japësh durim dhe shpërblim

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa    12-02-1446 H    16-08-2024 D

Shejh  Halid  Ebu  Xhumua 

Tema  O Zot të kërkojmë të na japësh durim dhe shpërblim

Lavdërimet janë për Zotin, i veçuar dhe i pa përsëritshëm në Lavdi, Nder dhe Madhështi, i Shenjtëruar në Fisnikëri, Shkëlqim dhe në Bukuri, është Unik në Madhështi, Krenari dhe Përsosmëri. I Bekuar është Zoti ynë, Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar. “ Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet.” (Merjem 35)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, i Madhërishmi, i Fuqishmi, Krijuesi i të gjitha gjërave dhe Ai është i Vetmi, i Gjithëfuqishmi. Zoti ynë për Ty është Madhërimi: “Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.” (Ibrahim 34)

Dëshmoj se zotëria, i dashuri dhe udhëheqësi ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i përzgjedhuri dhe i dashur i Tij. Nuk ka asnjë të mirë në të cilën nuk e ka udhëzuar popullin e tij në të, dhe nuk një të keqe që nuk e ka paralajmëruar popullin e tij prej saj. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi pjesëtarët e familjes së tij të pastër, mbi shokët e tij të nderuar dhe mbi pasuesit e tyre në mirësi deri në ditën e Fundit.

O ju të lidhur me këtë vend! Frikësojuni Allahut me frikë të vërtetë, sepse ai që i frikësohet Zotit të tij ka shpëtuar, ndërsa ai që pason epshin e tij ka humbur. “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Et-Talak 2-3)

O ju të lidhur me këtë vend! Përmbajuni librit të Allahut të Madhërishëm, bëjeni atë të pranishëm në jetën tuaj. Kush do që i përmbahet atij, Kuranit, në të gjitha çështjet e jetës së tij, ai është udhëzuar me udhëzimin e Zotit, ka fituar në jetën e tij, dhe ka shpëtuar dhe në jetën Tjetër, nisur nga fjala e Allahut të Lartësuar që thotë: “ Kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen.” (El-Bekare 38) Dhe në fjalën e Allahut të Lartësuar: “ … kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim.” (Ta Ha 123) Kush i përmbahet Kuranit Famëlartë, Zoti atij do t’i japë fuqi në tokë dhe do t’i lehtësojë atij shkaqet e stabilitetit dhe sigurisë.

Adhurues të Zotit! Dijeni se Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar në librin e Tij Famëlartë nuk i përmendën më kot historitë e të dërguarve. Nuk ka vështirësi që mund të kalojë tek ne në këto ditë përveç se ka diçka më të rëndë në historitë e profetëve dhe tek ato vjen lehtësimi. Në historitë e Kuranit Famëlartë do të gjeni sëmundjet, frikën, urinë dhe izolimin. Do të gjeni burgun, dëbimin, humbjen dhe vrasjen. Përmes ajeteve fisnike do të shikojmë se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë, Ai është që largon fatkeqësitë, lehtësuesi i vështirësive dhe që ndihmon të shtypurin, qoftë dhe pas një kohe. Kjo është ligjshmëria e Zotit në krijesat e Tij. Përkujtoni gjithmonë rregullat Hyjnorë, origjina, baza e tyre është Kurani Famëlartë, që ato të jenë fenarë ndriçues për ne në jetën tonë. Mos u trishto, mërzit: “ Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” (Et-Teube 40)  Mos u pikëllo: “ …andaj mos u pikëllo për atë që bëjnë ata!” (Hud 36) Mos i humb shpresat: “ …të mos e humbin shpresën në mëshirën e Allahut!” (Ez-Zumer 53) Mos u dëshpëro: “ Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”.( Jusuf 87) Dhe përballë këtyre për armikun tuaj: “Allahu, me siguri që do ta prishë punën e ngatërrestarëve.” (Junus 81) Në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, ka thirrje dhe edukatë për durim dhe besim, në Librin e Madhërishëm, Kuran, ka mësime dhe porosi, urtësi dhe argumente, nga të cilat marrin forcën dhe besimin e tyre durimtarët, të vendosurit dhe ata që kërkojnë shpërblimin. Allahu i Madhërishëm ka ndihmuar të dërguarit e Tij përballë armiqve të tyre, e përfundimi i mirë ishte për ata. Përfundimi i tyre në këtë botë ishte fitorja dhe mbështetja. Ndërsa për armiqtë e tyre, ata që nuk ju bindën urdhrave të tyre, ishte humbja dhe poshtërimi. Allahu lëshoi mbi ta zemërimin dhe hidhërimin e Tij, dhe ra mbi ta shkatërrimi dhe dëmtimi për shkak të tiranisë së tyre. Ata u bën shembull para syve të njerëzve, sikurse Allahu ka thënë në gjuhën e atij të cilit Ai i ka folur, Musait, paqja e Zotit qoftë mbi të: “Ndoshta Zoti juaj do ta zhdukë armikun tuaj dhe do t’ju bëjë sundimtarë në Tokë, për t’ju parë se si do të veproni.” (El-A’raf 129) Pastaj erdhi shpërblimi nga Zoti i Lartësuar: “ Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në Tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë, t’i forconim ata në Tokë… ” (El-Kasas 5-6)

LEXO  Nga kuptimet e fjalës së monoteizmit

O ju namazfalës! Kjo rrugë e të dërguarve në thirrjen e tyre për në rrugë të Zoti nuk ishte e mbushur me trëndafila. Rrugë në të cilën është përpjekur Ademi,  u mundua për të Nuhu, ndërsa i dashuri i Allahut, Ibrahimi u hodh në zjarr për këtë rrugë. Në këtë rrugë, u shit me një çmim të lirë Jusufi, pasi që u mundua nga vëllezërit e tij, përjetoi vetminë e pusit, burgut dhe largësisë. Sikurse dhe tre errësirat e përjetuara nga Dhun-Nuni, Junusin, paqja e Zotit qoftë mbi të, kur e gëlltiti balena në det. Përjetoi errësirën e detit, errësirën në barkun e balenës dhe errësirën e thellë të natës. Zekeria u sharrua me sharrë, zotëria i nderuar, Jahja, paqja e Zotit qoftë mbi të, u ther. Ndërsa i dashuri ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, përjetoi varfërinë, izolimin dhe dëbimin, shpërnguljen me forcë. Ai përjetoi shtypje në thirrjen e tij, falsifikimin, përgënjeshtrimin, pretendimet e rreme ndaj tij dhe u përball me dëmtime në të gjitha format dhe llojet e tij.  

O ju durimtarë në Bejtul Makdis, Kuds, për të na treguar se padrejtësia nuk është çështje e kaluar por se është një ligjshmëri e përjetshme, e vazhdueshme. Prandaj, qëndrimi, identifikimi i karakteristikave të tiranëve të djeshëm përmes dritës së Kuranit Famëlartë dhe udhëzimit të tij   na jep tregues të karakteristikave të tiranëve të sotëm. Sepse ligjshmëria përsëritet dhe se veprat e njerëzve janë të ngjashme, ndërsa Allahu thotë: “Vallë, a mos ia kanë pasuar këtë njëri-tjetrit? Jo, por ata vetë janë popull që e kanë tepruar!” (Edh-Dharijat 51) Që do të thotë: Disa prej tyre ia rekomanduan këtë vepër njëri-tjetrit, pasi ata janë një popull tiran, zemrat, fjalët dhe veprimet e të cilëve janë të ngjashme në kohë dhe vende të ndryshme.   

Prandaj, o ti i lidhur me këtë vend! Përmbaju librit të Zotit tënd, Kuranit, dije se luftërat dhe sprovat nuk ndodhin vetëm për shkak të urtësive të madhe dhe kujtohu gjithmonë se çdo ngjarje në univers nuk ndodh veçse me dijen dhe vullnetin e Tij,  i Madhëruar dhe i Lartësuar është Ai. Prandaj ji i sigurt dhe dije se këto luftëra dhe kjo luftë ka ndodhur me dijen e Allahut dhe vullnetin e Tij. Asnjë qenie njerëzore nuk mund ta drejtojë atë sipas dëshirës së tij, prandaj jini të sigurt, kini besim në Zotin dhe përmirësoni mendimin për Zotin.  Nuk ka dyshim se ka urtësi në shpërthimin e saj, të cilën ju mund ta dini ose nuk mund ta dini. Kuptoni se ligjshmëria e Zotit në sprovat e Tij është ligjshmëri e vjetër. Fatkeqësia mund të jetë individuale, por mund dhe të jetë shoqërore, që prekën të gjithë shoqërinë. Prandaj ji i mençur dhe dije se bota është vend sprove, vend mundimi dhe nuk është një vend qetësie, është vend ngushëllimi e jo vend gëzimi. Përkujto se kur kombe dhe popuj devijojnë dhe largohen nga rruga dhe metoda e Zotit të tyre, Zoti i Plotfuqishëm dërgon sprova dhe shenja frikësimi, që mund të duken të ashpra në sipërfaqe por ato në brendësinë e tyre janë mëshirë dhe mirësi, prandaj përgëzo. Sikurse këto sprova mund të jenë dashuri nga Allahu i Lartësuar dhe paralajmërim për ne për të na shtyrë drejtë  portës së Tij, drejtë të qëndruarit në pragun e Tij, prandaj përfito Zoti të mëshiroftë.

LEXO  Përkujtimi i Zotit është qetësi e zemrave dhe e shpirtrave

O ju namazfalës! Nga këtu, e nga lartësia e minberit të xhamisë së bekuar të Aksasë umetit musliman i dërgojmë këto mesazhe: A nuk jemi nga ju dhe a nuk jeni ju nga ne? Deri kur do të vazhdojë kjo heshtje?  Deri kur do të zgjasë kjo heshtje e tmerrshme, vdekjeprurëse?! Çfarë është ky refuzim dhe heshtje e tmerrshme? Dëgjoni rënkimet dhe vajtimet e të pikëlluarve, jetimëve dhe të hutuarve. Deri kur do të jetë kjo rezistencë në Gazan qëndrestare? Mungojnë fjalën në prani të imazhit. E imazhi është më elokuent se çdo fjalë, sepse ajo flet për veten. Ajo është më e shpejta për arritjen në qëllimin dhe synimin e dëshiruar. Transmetohen përmes kamerave dhe ekraneve televizive në të gjithë botën, pamjet e tragjedisë së tmerrshme në Gazën qëndrestare, moment pas momenti, nga A në Z, shihet me sy dhe depërton në kujtesë. Duke lënë pas një impakt të fortë dhe efektiv të cilin do e dëshmojë historia. Imazhe që hyn në shtëpi dhe në zemra pa leje, duke sfiduar distancën e kohës dhe të vendit. E prej çudirave është se këto imazhe  bëjnë magji në mendje, nuk qëndrojnë të heshtura, por se ato flasin në të gjitha gjuhët dhe dialektet. Në prani të imazhit mungojnë fjalët, mbishkrimi me shkronja mungon në pamje. Imazhi është një gjuhë të cilën e kuptojnë të gjithë  popujt. Atje në Gaza  kemi parë se si ranë dhe u shembën të gjitha organizatat ndërkombëtare, nga të drejtat e fëmijëve tek të drejtat e grave dhe tek të drejtat e të moshuarve dhe të pafuqishmëve. U bë e qartë falsiteti i këtyre organizatave ndërkombëtare dhe se sa mashtruese që janë. Organizata mjedisore dhe sociale, disa të tjera kulturore dhe intelektuale. Ku është Organizata Botërore e Shëndetësisë?! Ku janë Kombet e Bashkuara dhe Lidhja e Kombeve?! Nga ana tjetër qëndruan të pafuqishme Lidhja Arabe dhe Organizata Botërore Islame.

Ndërsa ju, o të lidhur me këtë vend! O burrat e Islamit! O bartësit e Kuranit! O njerëz me ballë të pastër dhe me duar me abdes! Kini besim te Zoti juaj, kini mendim të mirë për Zotin,  dhe dijeni se ekziston një fuqi e mbinatyrshme e quajtur “bindja në Zot”. Me të kapërcejmë rrethanat, mposhtim fatkeqësitë dhe mundimet, dhe nëse janë të mbyllura të gjitha portat dhe rrethanat e   vështira dhe të ndërlikuara. Situata, arsyet dhe realiteti në vetvete tregojnë për të kundërtën,  përveç asaj se bindja në Zotin ndryshon situatën me fjalën; “Bëhu dhe bëhet.” Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Vërtet mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij, thirrën: “Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!” Ja, ndihma e Allahut është afër!” (El-Bekare 214) Ndërsa në hadith fisnik i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Muslimanët,” në një transmetim tjetër ka ardhur; “Besimtarët, janë të barabartë në gjakun e tyre, (nuk ka dallim midis fisnikut dhe të varfrit në gjak), dhe nëse nën mbrojtjen e tyre janë ata më poshtë tyre, skllevërit, ata janë të bashkuar kundër të gjithë armiqve të tyre.”

Drejtohuni nga Sunduesi juaj Bujarë me lutje dhe përgjërim, fitorja është për ata që tek Zoti kërkojnë falje, tek Zoti kërkoni falje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, lavdërime të sinqerta dhe larg sy faqësisë sikurse Zoti ynë do dhe është i kënaqur.  

LEXO  Qëndroni largë të ndaluarave - Aksa 02.10.2020

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij, lutje dhe përshëndetje.

Në vijim

O ju durimtarë! Ngjarje të rënda kanë ndodhur këto ditë. Në qytetin e Kudsit,  në zemrën e tij që rrahë, në xhaminë e bekuar të Aksasë, sulme ndaj besimtarëve dhe njerëzve të lidhur me këtë vend, burra e gra, në një sulm të paprecedentë ndaj shenjtërisë së xhamisë së bekuar të Aksasë.

Vërtetë, xhamia e Aksasë, me ndërtesat, me kupolat, me oborret, me tarracat, me tokën dhe me qiellin e saj, është e gjitha xhami vetëm për muslimanët. Nuk e harrojmë dhe nuk heqim dorë prej saj, dhe se nuk ka të drejtë askush tjetër veç nesh, muslimanëve, që të luten në të. Kjo, Aksa, është akideja, besimi ynë, kjo është çështja e jonë, e ajo nuk është çështje vetëm e Palestinës,  as çështja vetëm e arabëve dhe as çështje e Lindjes së Mesme. Ajo është çështje e çdo muslimani dhe muslimaneje mbi sipërfaqen e kësaj toke.

O ju muslimanë! Aksa, vërtetë, është një peshore, masë për besimin e umetit, unitetit dhe vetëdijes së tij, si dhe është tregues i përformacës, besueshmërisë dhe sinqeritetit të tij me Zotin e Madhërishëm. Sikurse është,  masë besnikërie e tij, umetit ndaj të dërguarit të tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Çështja e xhamisë së Aksasë është çështje e turpit që ekspozoi paaftësinë e muslimanëve në këtë epokë, kohë, dhe tregoi uljen, dobësinë dhe poshtërimin e tyre para armiqve të tyre. Ata janë lodra në duart e shteteve të mëdha dhe organizatave ndërkombëtare, të cilët e hedhin këtë çështje sikur ata djemtë që hedhin topa e tyre në lojë. E kjo është ajo që na ka lajmëruar ne më i sinqerti dhe më besniku, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në një pjesë të hadithit, ka thënë: “ Përkundrazi ju atë ditë do të jeni të shumët, por se ju do të jeni të llum, të lehtë, sikur llumi i përroit, dhe Zoti do të heqë frikën ndaj jush nga zemrat e armiqve tuaj.”

Umet që e ka humbur qëllimin dhe synimin e tij, nuk ka drejtim, orientim dhe as identitet, vuajnë nga mungesa e familjariteti, afrimitetit, dhe dashurisë. Tërhiqet nga mosmarrëveshjet dhe grindjet që ka çuar në luftimin e tyre, në mes veti.  Nuk ka forcë dhe nuk ka fuqi tjetër përveç Allahut të Madhërishëm. 

O ju muslimanë! Pavarësisht të gjithë këtyre trazirave në këtë umet dhe intensifikimin, rritja e errësirës dhe vuajtjes së tij, përsëri drita do të shkëlqejë dhe se në këtë umet do të ketë njerëz që qëndrojnë në të vërtetën, të cilët nuk do të dëmtohen nga tradhtia e mashtruesve dhe as nga komploti i hipokritët, sikurse ka thënë zotëria i të dërguarve, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. “ Do të vazhdojë një grup nga umeti im të qëndrojnë i vendosur në të vërtetën, deri sa të vij tek ata urdhri i Allahut dhe ata do të jenë fitimtarë.” Ky është teksti nga Buhariu, Zoti e mëshiroftë. E vërteta do të qëndrojë e dukshme dhe nëse shfaqet lehtësimi. Në qytetin tonë të shenjtë, Kudsin, në xhaminë tonë të bekuar, Aksanë, ka përpjekje nga ne që të jemi të jemi të lidhur me ta dhe të duruar. Toka e Aksasë nuk i harron ballin e atyre që bien në sexhde në të, nata e saj nuk e harron zërat e adhuruesve dhe sheshet e saj nuk i harrojnë lotët e të penduarve. Në çdo vend të saj, dëshmohen ajete nga Kurani Famëlartë dhe hadithe nga hadithet e zotërisë së të dërguarve, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Kur hyjmë në xhaminë e Aksasë zemra shton të rrahurat dhe sytë derdhi lot.

O Zot, të lutemi të jesh për ne ndihmues dhe mbështetës, përkrahës dhe garantues, shpëtues dhe mbështetës.

O Zot, na mëshiro me Mëshirën Tënde të gjerë dhe largo nga ne fatkeqësitë.

O Zot, poshtëro armikun tonë dhe ata që na kanë sulmuar. O Zot, bashko forcat tona, mundësoju ushqim të uriturve tanë, mundësoju pije të eturve tanë, mundësoju veshje këmbëzbathurve dhe ata që janë të zhveshur nga ne, shëro të plagosurit tanë dhe mëshiro dëshmorët tanë.

O Zot, zbrit butësinë Tënde ndaj të moshuarve dhe foshnjave, ndaj grave që kanë mbetur të veja dhe ndaj fëmijëve që kanë mbetur jetimë. 

O Zot, largo shqetësimin dhe pikëllimin nga ne.

O Zot, ruaj xhaminë e Aksasë dhe ata që janë të lidhur me të, vend udhëtimi, për në Isra dhe Miraxh, i të dërguarit Tënd, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të,  forcoje atë me fortifikimin Tënd të fortë, vendose në ruajtjen dhe kujdesin Tënd,  vendose në mbrojtjen, sigurinë dhe garancinë Tënde, o Zoti i Madhërishëm, më Bujari.

O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët prej tyre dhe ata që kanë ndërruar jetë.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Dhe  fto  për namaz.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/1420661741902824

Post Author: endrit