Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 13-05-1446 H 15-11-2024
Shejh Dr. Husejn Bin Abdulaziz Ali Shejh
Tema Ligjshmëria e Zotit në ndryshim të situatave
Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij.
Në vijim
O ju muslimanë! Frikësojuni Allahut të Madhërishëm dhe binduni Atij, të ju shtojë shpërblimet dhe të përmirësojë veprat tuaj. “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi).”(Et-Talak 2) “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.”(Et-Talak 3) “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia shtojë shpërblimin.” (Et-Talak 5) Nga libri i Allahut të Madhërishëm dhe të Lartësuar, nga Kurani, dhe nga syneti i të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, duhet që të nxjerrim dhe të fitojmë shkaqet e udhëzimit dhe të suksesit, dhe mjetet e lavdisë, lumturisë dhe përmirësimit. Dy ajete nga libri i Zotit të Madhërishëm ndriçon për umetin fushat e sigurisë, elementet e paqes dhe të arritjeve, suksesit. Kur ta kuptojmë konceptin e tij me vetëdije të plotë, kuptim të qartë dhe konsideratë të thellë, do gjejmë se na dizenjojnë një rrugë drejtë shpëtimit nga shkaqet e shkatërrimit dhe mjerimit. Allahu i Madhërishëm thotë: “ Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” (Er-Ra’d 11) Allahu i Madhërishëm thotë: “Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre.” (El-Enfal 53)
Ky është një ligj i përgjithshëm nga ligjshmëria e Allahut për njerëzimin mbarë. E umeti Islam është nga popujt që i nënshtrohet këtij ligjit Hyjnor, në përputhje me udhëzimet e dy shpalljeve, Kuranin dhe synetin profetik. Populli Islam, është umet që përmirësimin dhe shpëtimin e tij, lavdinë dhe stabilitetin e tij e ka të lidhur me të përmbajturin me fenë e tij dhe lidhjen që ai ka me legjislacionin e Zotit të tij, Allahut të Lartësuar. Popull, mirëqenia, siguria dhe prosperiteti i jetës së të cilit kufizohen nga bindja ndaj Zotit të tij dhe zbatimi i sunetit të dërguarit të tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Duhet një pastrim i vërtetë për shpirtrat dhe rregullim të studiuar për të shikuar idetë dhe moralin, duke përfshirë urdhrat që bart Islami që pastrojnë shpirtrat dhe mendjet, dhe zbukurojnë moralin dhe sjelljen me Krijuesin, Allahun e Plotfuqishëm, dhe me krijesat. Islami, në burimet, synimet dhe objektivat e tij, ka vënë një qëllim për qeniet njerëzore që ta arrijnë në këtë jetë, që është, adhurimi gjithanshëm ndaj Krijuesit, të Madhërishmit, të Lartësuarit, dhe që ta mbushi këtë jetë me çdo gjë që është e mirë dhe e dobishme. Për këtë arsye kur në shpirtrat e sahabeve, Zoti qoftë i kënaqur me ta, ka ndodhur diçka që i bëri ata shembujt më ideal. Ata kaluan nga adhurimi i robëve, krijesave, për tek adhurimi i Zotit të tyre, krijesave, nga ngushtësia e kësaj jete për në gjerësinë e botës Tjetër, Ahiretit, e nga pafundësia e të dy botëve, nga moralet dhe besimet e këqija për tek ato më të mirat, më të bukurat dhe më të përsosurat.
E tillë është ligjshmëria e Zotit të Madhërishëm në çdo kohë. Ibn Xheriri në komentimin e këtij ajetit ka thënë; “ Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” (Er-Ra’d 11) Kjo do të thotë; Allahu vërtetë nuk e ndryshon mirëqenien dhe begatitë e një populli, Ai ua merr atë dhe i shkatërron ata, derisa ata ta ndryshojnë atë në vetvete, me të shtypuri, padrejtësinë ndaj njëri-tjetrit, duke sulmuar njëri-tjetrin, e në këtë mënyrë ata e meritojnë që t’i godasë dënimi dhe ndryshimi i Tij.”
O ju muslimanë! Vërtetë është nga ligjshmëria e Allahut të Madhërishëm me diturinë, drejtësinë dhe urtësinë e Tij, se Ai nuk e ndryshon diçka nga një popull nga një gjendje në një gjendje tjetër përveç se për shkak të tyre dhe nga ato çfarë punojnë duart e tyre. Nëse ata do të ishin të drejtë, të mirë dhe të begatë, dhe ndryshuan këtë gjendje, Zoti ua ndryshon gjendjen e tyre me dënime, fatkeqësi dhe vështirësi në format e tyre të ndryshme, fizike dhe morale. Zoti mund t’u japë kohë dhe afat robërve të Tij me shpresën që të kthehen dhe të pendohen tek Ai. Sikurse Zoti mund t’ua vonojë dënimin e tyre për në botën Tjetër, në Ahiret, në mënyrë që dënimi të jetë më i rëndë dhe më i madh. Kështu, ata mund të jenë në ankth, vuajtje dhe mundim, por rinovojnë, bëjnë pendim të vërtetë dhe të sinqertë, e Zoti e ndryshon gjendjen e tyre për në bekime që do të pasojnë dhe në mirësi të ndryshme. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe Toka…” (El-A’raf 96) Vazhdimi i mirësive lidhet me devotshmërinë dhe bindjen ndaj Zotit, kurse humbja, zhdukja e tyre lidhet me gjynahet, me veprat këqija të njeriut dhe me shkeljen ligjit e Zotit të tokës dhe të qiejve. “(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë.” (Ibrahim 7) Për muslimanët, derisa janë në një situatë që nuk fshihen nga e keqja, është detyrë që të përpiqen seriozisht të punojnë për shkaqet legjitime të cilat do të përmirësojnë kushtet e tyre dhe do t’i mbrojnë shoqëritë e tyre nga pasojat e së keqes dhe fitneve. Përfshirë këtu punën e sinqertë dhe serioze për bashkimin e radhëve, refuzimin e përçarjes, shmangien e urrejtjes dhe qëndrimin larg provokimit të grindjeve dhe armiqësisë mes muslimanëve. Duke u kujdesur për çdo gjë që i afron dhe që nuk i largon, i bashkon dhe nuk i ndanë ata, në përgjigje të fjalës së Allahut të Madhërishëm që thotë: “ Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al ‘Imran 103)
Kush i ruan urdhrat e Allahut të Madhërishëm dhe i përmbahet legjislacionit të Tij, Allahu do ta mbrojë, do ta lumturojë, do t’i japë fitore, do ta nderojë dhe do t’ia përmirësojë gjendjen e tij. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar thotë: “ Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët.” (El-Mu’minun 1) Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar thotë: “Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët.” (El-Haxhxh 38) Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar thotë: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (El-En’am 82) Ndërsa i dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, thotë: “ Ruaje Zotin që dhe Ai të ruaj ty.” Për umetin Islam është detyrë, të gjithë në varësi të mundësive të çdo njërit, që të bëjnë çdo sebet, shkak fetar dhe të kësaj bote, nga ato mirësi që Allahu ju ka dhuruar, prej mirësive të Tij të mëdha, që, me lejen e Zotit, të ruaj sigurinë e tyre dhe paqen e shoqërive të tyre në përputhje me urdhrin e Allahut të Madhërishëm dhe të Lartësuar, i Cili ka thënë: “ Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni…” (El-Enfal 60) Sa shumë armiq kanë muslimanët që përgjojnë, që kërkojnë të shkatërrojnë vendet e tyre dhe kërkojnë të joshin rininë e tyre. Të gjithë muslimanët janë përgjegjës para Zotit të Madhëruar që të punojnë fort për të fituar atë që sjell begati dhe përparim, në çdo fushë të dobishme në këtë jetë. Është e nevojshme të punoni shumë dhe të luftoni për reformim dhe përparim, me përpjekje të vazhdueshme dhe vetëdije të plotë me botën bashkëkohore në të cilën jetojmë.
Është e nevojshme të kuptohet plotësisht se trajtimi i problemeve të jetës i nënshtrohet ligjeve të ndryshimit të qëllimshëm, konstruktiv dhe frytdhënës, për të shmangur vështirësitë e jetës dhe për të lehtësuar rrugët e saj. E kjo është një nga kërkesat e Islamit dhe një nga qëllimet e tij madhështore.
Kur të mbështetemi në Zotin, të kapemi fort për litarin e Tij, Kuranin, dhe të kërkojmë ndihmën e Tij, me sinqeritet dhe me të vërtetë për të pasuruar jetën dhe për të arritur lumturinë e Ahiretit, botës Tjetër, sipas asaj që është e mirë dhe jo e prishur, që lumturon dhe nuk bën të mjerë, që ndërton dhe nuk prishet. Nëse kjo arrihet nga bijtë e umetit, popullit, atëherë Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar udhëzon hapat, përmirëson punën, ndriçon rrugën dhe i ndihmon robërit të bëjnë çdo të mirë që u sjell dobi në këtë botë dhe në Ahiret, në botën Tjetër. “Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu.” (Al ‘Imran 159) Në Islam nuk ka vend për përtaci në përmirësimin konstruktiv dhe nuk ka vend për dembelizëm në dhënien e dobishme në vazhdimësi. “Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj.” (Et-Teube 105) Ndërsa i dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, thotë: “ Zotit i kërkoj mbrojtje nga pamundësia dhe dembelizmi.”
Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, Mbrojtësi i njerëzve të mirë.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Zoti i botëve.
Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, profeti i Tij besnik. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët të udhëzuarit e drejtë.
Në vijim
O ju muslimanë! Nga gjërat më të mëdha që muslimanët duhet të bëjnë është që të rishqyrtojnë kushtet, situatat e tyre dhe të kërkojnë mbështetjen e Allahut të Plotfuqishmin në të gjitha çështjet e tyre. Kjo përfshin kthimin në unitetin e rrallëve dhe bashkimin e fjalës, të bërit kujdes për vëllazërinë në fe, bashkëpunimi në ruajtjen e atdheut, vendit, dhe të sigurisë së shoqërisë nga çdo gjë që prish qetësinë ose e prish sigurinë e tij. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar thotë: “ Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” (El-Huxhurat 10) I dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, thotë: “ Shembulli i muslimanëve në dashurinë mes tyre, solidaritetin dhe dhembshurinë i ngjan një trupi të vetëm, që kur një pjesë e tij ankohet, i gjithë trupi vuan me ethe dhe pagjumësi.”
Nga krimet më të mëdha në Islam është sulmi ndaj muslimanëve në jetën, nderin apo pronën e tyre. Po sikur të gjitha këto krime të kombinohen, të bashkohen? S’ka forcë dhe fuqi tjetër përveç Allahut të Madhërishëm. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” (En-Nisa’ 93)
O populli i Islamit! A nuk është koha për kthim tek e sakta, e vërteta dhe ti kthemi logjikës së legjislacionit të sheriatit dhe të arsyes? Kjo jetë e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse kënaqësi e kotë, kalimtare. Prandaj, o muslimanë, kini frikë Allahun, ndryshoni realitetin tuaj në atë që ju thërret feja juaj, që të fitoni dhe do të jeni të lumtur.
Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar na ka urdhëruar me një çështje të madhe që duhet ta përdorim një pjesë të ditës dhe natës tonë për arritjen e saj, siç është lutja dhe përshëndetja për të dërguarin tonë të nderuar. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me pasuesit, halifet e tij të drejtë, me të gjithë familjarët e tij, me shokët, me tabi’inët dhe me ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit.
O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët prej tyre dhe ata që kanë vdekur.
O Zot, bashko fjalën e muslimanëve në të vërtetën o Zoti i botëve. O Zot, unifiko rrallët e tyre. O Zot, zëvendëso shqetësimet e tyre në gëzim dhe ndasitë e tyre në unitet dhe bashkim.
O Zot, largo shqetësimet e tyre dhe lehtëso vështirësitë e tyre, o më i Madhi më Bujari.
O Zot, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve.
O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona dhe zëvendësit të tij në atë që është e mirë dhe e dobishme, o Zoti i botëve. O Zot, ji për ata ndihmues, mbështetës dhe përkrahës në sukses, o i Gjallë, o i Përhershëm.
O Zot, jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve në atë që është përmirësimi i shoqërive të tyre.
O Zot, Ti je i Pasur, që nuk ke nevojë për diçka, e ne jemi nevojtarë.
O Zot, na furnizo me shi.
O Zot, vërtetë Ti je që posedon Mirësi të mëdha, o Zot, Ti je që jep shpërblime të mëdha, o Zot, na dhuro shi të dobishëm.
O Zot, na furnizo me shi ne dhe vendet muslimane. O Zot, largoje prej nesh dhe prej muslimanëve thatësirën dhe shterpësinë, o më Bujari, o i Pasur, o i Lavdëruar.
O Zot, prano lutjet tona.
O Zot, të lutemi të jesh kundër armiqve të muslimanëve!
O Zot, na ruaj nga e keqja e tyre. O Zot, ruaj muslimanët nga të këqijat e tyre.
I Lavdëruar dhe Madhëruar je Vetëm Ti o Zoti ynë, dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Teje, tek Ti kërkoj falje dhe tek Ti pendohem.
Lutja jonë e fundit është, të gjitha lavdërimet janë për Zotin e botëve.
Afrim Smakaj