Këshilla për muslimanët për të arritur devotshmëri dhe siguri

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    18-08-1447 H     06-02-2026 D

Shejh Salih Ibn Abdullah Ibn Humejd 

Tema    Këshilla për muslimanët për të arritur devotshmëri dhe siguri

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, Ai është i Sunduesi mbi robërit e Vet në lavdi dhe pushtet. Zotin e lavdëroj dhe e falënderoj për bekimet e Tij të bollshme, me shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi përmes së cilës shpresoj afërsi me Zotin dhe ofertë prej saj.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ai që thirri në fenë e vërtetë fshehurazi dhe haptazi, e kështu ai ndërtoi një strukturë për monoteizëm, besimin në Një Zot,  dhe shkatërroi idhujt dhe perënditë e rreme të politeizmit. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij,  të cilët ishin mbështetësit dhe ndihmësit e tij për hir të Zotit, mbi tabi’inët dhe ata që i ndoqën  në mirësi, prej atyre të cilëve, kur u lexohen vargjet e Zotit të tyre, ua shtojnë besimin,  lutje dhe përshëndetje të shumta dhe të bollshme e të përjetshme që do të zgjasin për shekuj të tërë.

Në vijim

O ju njerëz! Këshilloj juve dhe veten time që ta kemi frikë Zotin. Kini frikë Zotin, Zoti ju mëshiroftë. Dijeni se mirësia qëndron në tri gjëra: Të kuptuarit e fesë, shkëputja nga dëshirat e kësaj bote, asketizmi, dhe të shikuarit në të meta. Ndërsa përsosmëria qëndron në katër gjëra: Në fe, ndershmëri, integritet dhe qetësi.

O adhurues i Zotit! Nëse bën diçka mos e nënvlerëso veprën tënde, sepse nuk e di se çfarë do të të fusë në Xhenet, pas mëshirës dhe mirësisë së Zotit. A është një lutje që e ke bërë për Zotin? Apo lëmoshë që ia ke dhënë një personi në nevojë? Apo ujë që ia ke dhënë një personi ose kafshe? Apo një nevojë që ia ke plotësuar vëllait tënd? Apo një lutje që ia ke bërë Zotit tënd në mes të natës?

Besoja punët e tua Zotit dhe mos e humb shpresën në mëshirën e Zotit,  lavdëroje Zotin në kohë të mira dhe të vështira. “Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.”(Et-Teube 105)

O ju muslimanë! Mirësia njerëzore buron nga thellësitë e shpirtit dhe nga zemrat brenda kraharorëve. Zemrat pastrohen me besim dhe me dritat e Kuranit, ndërsa shpirtrat pastrohen me fjalë, me vepra dhe me karakter të mirë.

Zemra është burimi i lumturisë më të madhe në këtë botë nëse përzihet me gëzimin e besimit. Lumturi që tejkalon të gjitha lumturitë e tjera, sa që disa nga paraardhësit tanë, selefët, kanë thënë: “Ka raste kur themi: Nëse banorët e Xhenetit janë në një lumturi të tillë, atëherë ata po jetojnë një jetë të mirë.”

O muslimanë! Në adhurimin e tyre, muslimanët kombinojnë realizimin e shërbimit ndaj Zotit, njëshmërinë e Tij dhe sinqeritetit ndaj Tij, me dëshminë e përfitimeve dhe kërkimin e favorit të Zotit, për shembull, në namaz: “ Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni sa më shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.”(El-Xhumu’a 10)

Në haxh: “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur! Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë.”(El-Bekare 197-198) “Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut…”(El-Haxhxh 27-28)

Ndërsa në bindje ndaj Zotit në përgjithësi: “…disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë) dhe disa të tjerë do të jenë duke luftuar në rrugën e Tij…” (El-Muzzemmil 20)

Ata që lavdërohen në Librin e Zotit, në Kuran, si rojtarë të shtëpive të Zotit shesin dhe tregtojnë, por: “… shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahun, për të falur namazin dhe për të dhënë zeqatin. Ata kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara.”(En-Nur 37)

O muslimanë! Nga këto pika fillestare dhe motivuese, nga këto urtësi dhe vendime, lidhja midis fesë dhe botës, punës së zemrës dhe zhvillimit të tokës, rruga e përparimit në fazat e dëshiruara të përsosmërisë dhe degët e pastërtisë së kërkuar bëhet më e qartë,  e cila ruan dhe mbron jetën, dhe edukon shpirtin dhe ngre statusin e tij, përhap qetësi dhe arrin kënaqësi.

LEXO  Agjërimi dhe lidhja me xhaminë e Aksasë

Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, duke përshkruar botën dhe duke sqaruar gjendjen e saj, thotë: “Kjo botë, është vend i së vërtetës për ata që janë të sinqertë ndaj saj, vend mirëqenieje për ata që e kuptojnë atë dhe vend pasurie për ata që marrin furnizime prej saj. Kjo është xhamia e të dashurve të Zotit, vendi ku zbret shpallja e Tij, vendi i lutjes së Melaikeve të Tij dhe tregu i shenjtorëve të Tij. Ata gjejnë mëshirë në të dhe shpresojnë për Xhenet në të. Kush do ta kritikonte botën kur ajo tashmë e ka njoftuar largimin e saj, ka përmendur të metat e saj dhe denoncoi veten dhe familjen e saj?! Ajo mishëroi vuajtjet përmes sprovave të saj dhe frymëzoi gëzim përmes kënaqësive të saj. Kështu disa njerëz e kritikuan atë nga keqardhja, të tjerë e lavdëruan atë, e ata thanë të vërtetën, ajo ua kujtoi atyre dhe ata e mbajtën mend.”

Ebu Sulejman Daraniu ka thënë: “Kjo botë është perde që ndan Zotin nga armiqtë e Tij dhe mjet lidhjeje me miqtë e Tij.” Madhërimi është për Zotin, i Cili bëri një gjë të vetme, këtë botë, shkak për lidhje dhe për ndarje!

Zoti ju mëshiroftë! Të gjitha këto  janë veprime të zemrës, jo veprime të gjymtyrëve, prandaj kuptoni dhe reflektoni mbi to.

Nga Ibn Abasi,  Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, transmetohet një hadith nga i dërguari i Allahut: “Kush dëshiron të jetë më i pasuri i njerëzve, le të jetë më i sigurt në atë që është në dorën e Zotit sesa në atë që është në dorën e tij.” Hadithin e ka transmetuar Hakimi dhe Bejhakiu.

Adhurues të Zotit! Asketizmi në këtë botë gjendet në gjashtë gjëra: Në vete, para njerëzve, në pamjen e jashtme, në para, në udhëheqje dhe në çdo gjë tjetër përveç Zotit të Plotfuqishëm.

Imam Ahmedin e kanë pyetur duke i thënë: “A mund të jetë njeriu asket dhe nëse ka një mijë dinarë?” Ai ka thënë: “Po, me kusht që të mos gëzohet kur shtohen, as të mos pikëllohet kur pakësohen.” Ai, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Sahabët ishin më asketët e umetit pavarësisht pasurisë që zotëronin.”

Në një thënie të Sufjan El Theuriut, Zoti e mëshiroftë, tregohet se është pyetur: “A mund të jetë një njeri asket nëse ka pasuri?” Ai tha: “Po, nëse kur sprovohet në të është i duruar dhe kur i jepet diçka, është mirënjohës.” Në një thënie tjetër të tij,  Zoti e mëshiroftë, tregohet se ai ka thënë: “Asket është ai që, kur Zoti i jep një mirësi, është mirënjohës për të dhe kur e godet një fatkeqësi, është i duruar me të, ky është asketi.”

Adhurues të Zotit! Kush arrin siguri, bindjen, i beson Zotit në të gjitha punët e tij, është i kënaqur me caktimin e Tij, nuk lidhet me asnjë krijesë dhe kërkon përfitime të kësaj bote me mjete të ligjshme, të lejuara. Kush është i bekuar me siguri, bindje, nuk i kënaq njerëzit duke zemëruar Zotin, nuk i lavdëron ata për atë që Zoti i ka dhënë dhe nuk i kritikon ata për atë që Zoti nuk i ka dhënë atij.

Kush është i bekuar me siguri e di se furnizimi i Zotit nuk vjen nga lakmia e lakmitarit, as nuk largohet nga urrejtja e urrejtësit. Siguria është pasuri e mjaftueshme. Atij që i është pasuruar zemra i janë pasuruar dhe duart e tij, ndërsa atij që i është varfëruar zemra, pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi.

Kënaqësia nuk e pengon atë që është shkruar, caktuar, lakmia dhe lakmia nuk sjellin atë që është e fshehur. Ajo që të ka ndodhur nuk mund të të kishte shpëtuar, të mos kishte ndodhur, e ajo që të ka shpëtuar, nuk të ka ndodhur,  nuk do mund të të kishte ndodhur. Le të jetë zemra jote e lirë nga ajo nga e cila duart e tua kanë qenë të lira.

Në vijim

O ju muslimanë! Kush mbështetet tek Zoti, Ai do t’i mjaftojë atij. Kush i kërkon Atij, Ai do t’i japë. Kush kërkon mjaftueshmëri tek Ai, do t’i japi atij mjaftueshmëri. Bindja është një thesar i pashtershëm ndërsa kënaqësia pasuri që nuk shteron kurrë. E pakta që është e mjaftueshme është më mirë se e shumta që shpërqendron. Drejtësia nuk venitet kurrë, gjynahi nuk harrohet kurrë dhe Gjykatësi i Drejtë nuk vdes kurrë.

LEXO  Përfitime dhe mësime nga sureja Asr

Përsosmëria e njeriut qëndron në ekuilibrin e zemrës së tij në dhënie dhe në privim, në forcë dhe dobësi, në nder dhe poshtërim. Nga njerëzit më të mjerë është ai që ka zili, ndërsa njeriu më i kënaqur jeton më mirë.

Njeriu fisnik i lirë e lë këtë botë përpara se të detyrohet të dalë prej saj, ndërsa shpresat afatgjata e bëjnë dikë të harrojë Ahiretin. Nëse pyet për bekimet dhe frytet e mira, ose nëse pyet për humbjen e të drejtave dhe përhapjen e imoralitetit, atëherë shiko njerëzit, shqyrto kënaqësinë e tyre, pastërtinë e zemrës së tyre, braktisjen e asaj që është e dyshimtë, shmangien e asaj që është e turpshme, angazhimin e tyre në atë që është u intereson dhe abstenimin e tyre nga ajo që nuk ju intereson.

Zotit i kërkoj mbrojte nga shejtani i mallkuar: “ Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.”( El-Kasas 77)

Zoti na bëftë dobi të gjithëve me Kuranin e Madhërishëm dhe me udhëzimin e Muhamedit, paqja dhe mëshira Zotit qoftë mbi të.

Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili pranon veprat e vogla dhe anashkalon shumë gabime. Zotin e lavdëroj dhe e falënderoj për begatitë e Tij të shumta dhe të mirat e Tij të  pafundme.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, për Atë janë falënderimet në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret, dhe tek Ai është kthimi ynë përfundimtar.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, bartësi i lajmeve të mira, përgëzuesi dhe paralajmëruesi, dhe pishtari ndriçuese. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, të cilët ishin për të dërguarin  e tyre këshilltarët dhe ndihmësit më të mirë, mbi tabi’inët, pasuesit,  ata që i ndoqën në mirësi deri në Ditën e Gjykimit, lutje dhe përshëndetje të shumta dhe të vazhdueshme.

Në vijim

O ju muslimanë! Kush e madhëron botën në sytë e tij e do lavdërimin dhe e urren fajësimin. Kjo mund ta çojë që të braktisë shumë nga e vërteta prej frikës së kritikës dhe shpikën nga gënjeshtrat në kërkim të lavdërimit. Ai është fitues për të tjerët, punëtor për dikë që është ulur në vend, mbledhës për dikë që është duke gjetur. Varfëria e tij buron nga natyra e tij e keqe, lakmia e tepërt dhe mendjemadhësia e tij. Ai nuk përfiton nga asgjë dhe nuk gjen prehje nga mundi. Sa njerëz të pasur, pavarësisht pasurisë së tyre të bollshme, i konsideroni të varfër dhe të shkatërruar! Shpirti i tij është i vogël, fytyra e tij e zymtë dhe fytyra e tij e rënduar nga trishtimi. Ai është i kujdesshëm për atë që zotëron dhe lakmon atë që nuk mund ta arrijë.

Zoti ju mëshiroftë! Frikësojuni Zotit dhe dijeni që nëse ky është realiteti i botës dhe kjo është  natyra e njerëzve, veprat e tyre varen nga zemrat e tyre, veprojnë sipas synimeve dhe qëllimeve të tyre. Para jush është një muaj i madh dhe i bekuar: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (El-Bekare 185)

Muaji i devotshmërisë. Devotshmëria është furnizimi më i mirë që çon në kënaqësinë më të plotë dhe lumturinë më të madhe. Kush nuk e furnizon veten me këtë të mirë, si do të arrijë në vendbanimin e të devotshmëve?

Muaji i bekuar i Ramazanit është muaj i çlirimit të shpirtit nga dëshirat dhe epshet e tij. Ndër pikat delikate që kanë theksuar dijetarët është se Zoti i Plotfuqishëm e ka bërë agjërimin të barabartë me lirimin e një skllavi, me shlyerjen e fajit për vrasje, me ziharin (një formë divorci) dhe me betimin. Pra, kush nuk mund të lirojë me para një skllav duhet t’i drejtohet agjërimit. Agjërimi është rrugë për të çliruar shpirtrat nga dëshirat e tyre dhe për të kontrolluar epshet dhe tekat e tyre.

O adhurues të Zotit! Bëni kujdes që të mos bini pre e kërcënimit të këtij hadithi: “ I rëntë hunda në tokë, i poshtëruar qoftë ai njeri që hyn Ramazani dhe kalon para se t’i  falen gjynahet.”  “Kush nuk heq dorë nga fjalët e rreme, nga veprimet sipas tyre dhe nga injoranca, Zoti nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga ushqimi dhe pija.” “Sa nga agjëruesit nuk fitojnë asgjë nga agjërimi i tyre përveç urisë dhe etjes, sa nga njerëzit qëndrojnë në namaz nuk fitojnë asgjë nga qëndrimi i tyre përveç pagjumësisë dhe lodhjes.”

LEXO  Shfrytëzimi i moshës

O Zot, na mundëso që të arrijmë muajin e Ramazanit, na mundëso të agjërojmë dhe të falemi mirë në të, të lexojmë Kuranin dhe të kryejmë të gjitha adhurimet në të. Me mirësinë dhe begatinë Tënd, na mundëso të arrijmë Natën e Kadrit dhe na jep shpërblimin më të mirë dhe më të madh. Vërtet, Ti je që i dëgjon lutjet.

Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën e dhuruar, mirësinë e dhënë, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për këtë ju ka urdhëruar Zoti juaj në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, Ai ka thënë, e është i Vërtetë në thënien e Tij: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin,  të zgjedhurin e dashur, profetin e dalluar, familjen e tij të mirë dhe të pastër, dhe bashkëshortet  e tij, nënat e besimtarëve.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inë, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit,  dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, mposht tiranët, ateistët dhe të gjithë armiqtë e tjerë të umetit dhe fesë.

O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët  e çështjeve tona,  bëj udhëheqjen tonë në duart e atyre që të frikësohen, janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë  kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, nga suksesi Yt, lartësoje atë me lartësinë Tënde, lartëso me të fjalën Tënde dhe bëje atë burim fitoreje për Islamin dhe muslimanët. O Zot, jepi sukses atij,  zëvendësit të tij, vëllezërve dhe ndihmësve të tyre në atë që Ti do dhe je i kënaqur, dhe udhëzoi ata drejtë të mirës dhe devotshmërisë. 

O Zot, jepu sukses kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me Librin Tënd, dhe me sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, bëji ata mëshirë për robërit e Tu besimtarë, bashko fjalën e tyre në të vërtetën dhe udhëzimin, o Zot i botëve.

O Zot, përmirëso gjendjen  e muslimanëve në çdo vend që janë. O Zot, ndalo gjakderdhjen e tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, në udhëzim dhe në sunet.

O Zot, vendos për këtë umet  një udhëheqje të drejtë, që  nderohen në të  ata që të binden Ty, që udhëzohen në të ata që nuk të binden Ty, në të cilën të urdhërohet në të mirë dhe të ndalohet nga e keqja, vërtet, Ti je i aftë për të bërë çdo gjë.

O Zot, ndihmo vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, bëhu për ta kujdestarë dhe mbështetës,  ndihmës dhe mbrojtës. O Zot, merr nën kujdesin Tënd çështjet e tyre, bashko forcat e tyre dhe ndihmoi ata kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre. O Zot, ata janë të dobët prandaj forcoi, të uritur prandaj mundësoju ushqim, të zhveshur prandaj mundësoju të vishen, të zbathur prandaj mundësoju të mbulohen. O Zot, forco vendosmërinë e tyre dhe jepu fitore vendimtare, të qartë. O Zot, mbroje xhaminë Aksa, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar.

O Zot, kërkojmë mirësi në atë që ke caktuar dhe ndihmë në atë që ke vendosur. Të kërkojmë falje për gabimet tona. Ti je Ai tek i Cili mbështeten ata që besojnë dhe Ai që i mbron ata që Ty t’i besojnë punët e tyre. O Dëgjues i çdo ankese dhe Largues i çdo fatkeqësie, na vesh me rrobat e mbrojtjes, mirëqenies dhe devotshmërisë dhe bëj Xhenetin Firdeus vendbanimin tonë.

O Allah, Ti je Zoti, nuk ka Zot tjetër përveç Teje, Ti je i Pasuri, nuk ke nevojë për dikë, e ne jemi të varfër, kemi nevojë për Ty, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve. O Zot, na jep shiun. O Zot, kërkojmë falje nga Ti, sepse Ti je Falës i Madh, dërgo shi të bollshëm mbi ne dhe bëje atë që dërgon burim force për ne në bindjen ndaj Teje dhe furnizim për një kohë.  O Zot, dërgo shi të bollshëm, të begatë dhe të përhapur, me të cilin gjallëron tokën, shuan etjen e robërve të Tu dhe bëje furnizim për ata që janë të pranishëm dhe ata që do vijnë. O Zot, ne jemi vetëm krijesa nga krijesat e Tua, nuk jemi të pavarur nga furnizimi Yt. O Zot, mos na privo nga mirësitë e Tua për shkak të gjynaheve tona. Ne jemi mbështetur tek Allahu.

“ O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për popullin keqbërës (duke i lënë të na shkatërrojnë).”(Junus 85)

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.”(El-A’raf 23)

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1477635257696483/747102041499388

Post Author: endrit