Mësime nga Hixhreti dhe Ashura

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    09-01-1447 H     04-07-2025 D

Shejh Abdurrahman Sudejs 

Tema   Mësime nga Hixhreti dhe Ashura

Vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Allahun e Madhërishëm e lavdrojmë, Ai është i Lavdëruar në Veten e Tij, Atributet dhe Emrat e Tij të bukur, dhe është Lartësuar në Madhështinë dhe  në Lavdinë e Tij.

“Për Ty janë lavdërimet, lavdërime të mira dhe të bekuara, për Ty janë lavdërimet, o Sunduesi ynë, tek Ti është mbështetja jonë,

Ty të takon lavdërimi, falënderimi dhe mirënjohja më e lartë, më i Dashuri, më i Pastri dhe më i Miri.”

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, ka bërë përfundimin e mirë për të devotshmit dhe fitoren për besimtarët, siguri dhe shembull.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, më i miri që e ka Madhëruar Zotin me fjalë dhe me vepra. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët dhe mbi shokët e tij, ata që e mbrojnë Islamin si heronj, dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi, për sa kohë që sezonet ndjekin njëri-tjetrin, atyre ju dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta dhe të vazhdueshme deri në Ditën e Gjykimit.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Nëse kërkoni fuqizim, lavdi dhe fitore, dhe dallim midis së drejtës dhe së gabuarës, atëherë duhet t’i frikësoheni Zotit me fjalë, vepra dhe pranim. “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.” (El-Enfal 29)

“Duhet t’i frikësohesh Zotit fshehurazi dhe publikisht, sepse në të vërtetohen të gjitha mirësitë, Mirëpriteni vitin e ri me entuziazëm, do t’ju ngrejë lart midis njerëzimit sigurtë.”

O besimtarë!  Në një kohë kur fitnet, përçarjet, kanë zbuluar maskën e tyre dhe kanë hequr mbulesën e tyre, të kuptuarit dhe vetëdija e njeriut të urtë nuk janë larg parashikimit të ngjarjeve dhe shqyrtimit të incidenteve. Meditimi dhe reflektimi mbi ngjarjet e ditëve dhe pasojat e tyre është një kërkesë ligjore dhe një urdhër hyjnor. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë.” (Jusuf 111)

Fillimi i një viti të ri Hixhri na kujton ngjarje të mëdha dhe fisnike, në të cilat pati fitore, fuqizim dhe lavdi për të dërguarit dhe besimtarët. Gjë që mbjell në shpirtrat njerëzorë optimizëm, lajme të mira, shpresë dhe besim të mirë në Zot së bashku me përsosmërinë e punës. Është historia e Musait, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe hixhreti, emigrimi i të Zgjedhurit të Zotit, zotërisë së njerëzimit, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Dita e Ashuras është dita në të cilën Zoti shpëtoi të dërguarin e Tij Musain, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe popullin e tij, dhe e ndihmoi atë përballë Faraonit dhe ushtrisë së tij.

O muslimanë! Zoti i Lartësuar frymëzoi tek Musai dhe Haruni, paqja e Zotit qoftë mbi ata të dy, që të shkojnë sëbashku tek Faraoni për ta thirrur atë në monoteizëm, Njësim të Zotit, dhe në besim. “Shkoni te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!”(Ta Ha 43-44) Ky është një mësim i madh në metodën e thirrjes për tek Zoti i Plotfuqishëm, që është se thirrësi për tek Zoti duhet t’i përmbahet mirësisë dhe butësisë, dhe të thërrasë në rrugë të Zotit me urtësi, këshilla të mira dhe dialog. “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” (En-Nahl 125) Musai doli me bijtë e Izraelit, por Faraoni dhe ushtarët e tij i ndoqën. Bijtë e Izraelit e panë Faraonin pas tyre dhe thanë: “Me të vërtetë, na zunë!” (Esh-Shu ‘ara’ 61) Përgjigja ishte e vendosur nga Musai, paqja e Zotit qoftë mbi të,  me fjalët e dikujt që është i sigurt në ndihmën e Zotit: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën.”(Esh-Shu ‘ara’ 62)

LEXO  Mirësitë e harmonisë dhe dashurisë

Ky është një mësim tjetër mbi sigurinë dhe mendimin e mirë për Zotin. Prandaj, o robër të Zotit, kini mendim të mirë për Zotin tuaj dhe merrni mësime, këshilla dhe përfitime nga këto histori, ngjarje dhe lajme. Në masën e sigurisë, bindjes së fortë dhe besimit të palëkundur të profetit të Zotit, Musait, paqja e Zotit qoftë mbi të, erdhi përgjigja e menjëhershme: “Dhe Ne i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!” Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh.” (Esh-Shu ‘ara’ 63) Zoti është më i Madhi. Zoti e mbyti Faraonin dhe të gjithë ushtrinë e tij, e kjo ka ndodhur në ditën e Ashures, dhjetë Muharrem. Ishte një bekim i madh për Musain dhe për ata që besuan me të nga Bijtë e Izraelit. Musai, paqja e Zotit qoftë mbi të, agjëroi në këtë ditë në shenjë falënderim ndaj Zotit të Plotfuqishëm, dhe e agjëruan me të dhe Bijtë e Izraelit.  Në këtë mënyrë u arrit fitorja e qartë, e përfundimi i mirë është për të drejtët.

Vëllezër në Islam! Ndërsa në ngjarjen e emigrimit profetik vërtetohet dhe përsëritet ky sunet, kjo natyrshmëri dhe ligjshmëri universale. “ Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.),  Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” (Et-Teube 40) Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ Pasha Zotin, o i dërguar i Zotit, nëse ndonjëri prej tyre do të shikonte vendin ku i kishin këmbët, do të na dallonte, shikonte.” I dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, me fjalët e atij që është i bindur në ndihmën e Zotit të tij, ka thënë: “ O Ebu Bekër,  çfarë mendon për dy njerëz që Zoti është i treti i tyre? “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” Zoti është më i Madhi! Ajo është bindja dhe siguria në ndihmën e Zotit të botëve.   Kjo është arsyeja pse kjo ngjarje e madhe ishte kaq e rëndësishme saqë muslimanët, gjatë sundimit të Omerit, Zoti qoftë i kënaqur me të, ranë dakord ta datonin, ta merrnin fillimin e kalendarit hënor. Krenar për identitetin fetar, historik dhe kombëtar, të cilin duhet ta ndjekim dhe të jemi krenarë për të. Ne jemi umet me histori, qytetërim dhe mesazh që ka mbijetuar gjatë shekujve.

Populli musliman! Nga mësimet dhe këshillat pasuruese të këtyre historive Kuranore është se qasja e muslimanit kur ndodhin fatkeqësi është t’i drejtohet Zotit dhe të mbështetet tek Ai nëpërmjet lutjes, të ketë mendim të mirë për Të, të shpeshtojë pendesën dhe kërkimin  falje tek Ai, të mos thellohet në atë që nuk u intereson dhe t’ia referojë çështjen atyre që janë kompetentë për atë gjë. “Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo).” (En-Nisa’ 83) Islami është fe që bën thirrje për refuzimin e dhunës, për arritjen e paqes dhe harmonisë, si dhe në përkushtimin ndaj ndërtimit, rindërtimit, zhvillimit, prosperitetit dhe shkëlqimit, si dhe shmangien e rrënimit, korrupsionit dhe shkatërrimit. Sa shumë duhet që popujt të refuzojnë luftërat dhe sa shumë kanë nevojë vendet dhe njerëzit për siguri, paqe dhe udhëzim!

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit, ndihmoni fenë e Tij, që të ndihmoheni dhe të fitoni, dhe do të arrini të mirat e kësaj bote dhe të botës Tjetër, Ahiretit. Zoti është përgjegjës për përmirësimin e kushteve të muslimanëve kudo që janë, të ndalojë gjakderdhjen e tyre dhe  të bashkojë fjalën e tyre në librin e Tij, Kuran dhe në sunet,Ai është Poseduesi i Mirësive dhe Begative, dhe që të ju përgatisi atyre rrugë të drejtë veprimi, me të vërtetë Ai është Dhurues i Madh, Bujar. Zoti i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” ( Muhammed 7)

Zoti na begatoftë të gjithëve në dy shpalljet, në Kuranin Famëlartë dhe në synet, na bëftë dobi me udhëzimin e zotërisë së dy botëve.

LEXO  Në mes të gëzimit të mirënjohjes dhe gëzimit të arrogancës

Zotit të Madhërishëm i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët dhe muslimanet nga të gjitha gjynahet dhe gabimet,  Zotit kërkoni falje dhe tek Ai pendohuni, me të vërtetë Ai është i Duruar dhe Falës i Madh.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për  Zotin, i Cili na ka dhuruar bekime të shumta. Lutjet dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të dërguarin dhe të zgjedhurin e Tij,  mbi familjen dhe shokët e tij që kanë arritur nivelet më të larta të unitetit, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i ndjekin në mirësi, lutje dhe përshëndetje të mira dhe të bekuar, për sa kohë që i përuluri, ndaj Zotit, lutet në vazhdimësi.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit me frikë të vërtetë, kapuni pas Islamit me lidhje të fortë, dhe dijeni se jeta e njerut kalon shpejt dhe nuk zgjatën shumë. “ Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria.” (El-Bekare 197) Pastroni, përmirësoni situatat tuaja dhe që të ngjiteni në fazat e pranimit.

O besimtarë! Në historinë e të dërguarit të Zotit, Musait, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe emigrimit të përzgjedhurit të Zotit, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka model praktik gjithëpërfshirës për shpëtimin nga mundimet duke iu përmbajtur ligjit të Zotit të Plotfuqishëm, duke pasur mendim të mirë për Të dhe duke u mbështetur sinqerisht tek Ai. Prandaj, kujtoni ditët e Zotit dhe falënderoni mirësitë,  bekimet e Tij. Musai dhe Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi ata të dy, deri dhe në momente e fitores, ata krynin  detyrën e mirënjohjes, falenderimit ndaj Zotit të botëve. Ata të dy, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi ta, e agjëronin këtë ditë, ditën e Ashuras, falënderim ndaj Zotit për mirësitë e Tij të shumta. Tek dy Sahihët, Buhariu dhe Muslimi, nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se ka thënë: “ I dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka ardhur në Medine, dhe ka parë jehudët që agjëronin ditën e Ashuras, ditën e dhjetë të muajit Muharrem, dhe ka pyetur: “ Çfarë është kjo, pse e agjëroni këtë ditë?” I kanë thënë: “ Kjo është dita në të cilën Zoti ka shpëtuar Musain dhe popullin e tij, të bijtë e Izraelit, nga armiku i tyre. Musai e ka agjëruar këtë ditë falënderim ndaj Zotit, prandaj e agjërojmë dhe ne.” I dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Ne kemi më shumë të drejta ndaj Musait se ju.” Kështu që ai agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi që ta agjërojnë dhe të tjerët.

Tek dy Sahihët, Buhariu dhe Muslimi, nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, ka ardhur se ai ka thënë: “ Nuk e kam parë të dërguarin e Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, që të përpiqej, kërkonte të agjërojë në një ditë që e preferonte mbi të tjerat, përveç kësaj dite.” Ka për qëllim ditën e Ashuras.

Nga Ebi Katadete, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Agjërimin i ditës së Ashurës, shpresoj që Zoti t’i falë gjynahet e vitit të kaluar.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi. Sunet është që të agjërohet një ditë para ditës së dhjetë, d.m.th ditën e nëntë, ose një ditë pas, ditën e njëmbëdhjetë të Muharremit. I dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nëse do të jem gjallë në vitin që vjen do të agjëroj dhe ditën e nëntë të Muharremit.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

Adhurues të Zotit! Kujdesuni që ta agjëroni këtë ditë, sepse për ju është ky shpërblim i madh, prandaj kapeni atë dhe jini të zellshëm që gjithmonë t’i përmbaheni Kuranit dhe sunetit, dhe rrugës së paraardhësve të drejtë të këtij umeti. Mos devijoni prej tij as edhe në gjë më të vogël, sepse në të është siguria nga të këqijat, fitnet, fatkeqësitë, bidatet, çështjet e reja, sprovat dhe katastrofat, të dukshme ashtu edhe të fshehura prej tyre. Zoti pranoftë veprat e mira prej nesh dhe prej jush.

LEXO  Muaji Rexhep: Përfitime dhe rregulla

Zoti ju mëshiroftë! Lutuni dhe përshëndeteni me selam të dërguarin tuaj fisnik, sikurse ju ka urdhërua me këtë Zoti juaj, Zoti i botëve, Allahu i Lartësuar, e Ai është që thotë të vërtetën, ka thënë:  “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë Muhamedin, familjarët e tij të mirë dhe të pastër, shokët e tij, të parët e të mirëve, pasuesit e tij të parë të drejtë, njerëzit e nderuar dhe me status të lartë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, të gjithë shokët e tij, tabiinët dhe ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit, dhe ne së bashku me ata, me Mirësinë, Mëshirën dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujar.                                                                                      O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, dhe mbro pasuesit e fesë.                                                            O Zot, bëje këtë vend të paqtë,  të sigurtë, të qetë dhe me stabilitet, dhe të gjitha vendeve  muslimanëve.                                                                                                                                                              O Zot, na jep siguri në vendet tona, jepu sukses udhëheqësve dhe kujdestarëve të çështjeve tona. O Zot, mbështet me të vërtetën, udhëzim, ndihmë  dhe në të drejtën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona.                                                                                                                                                         O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, Selman Ibn Abdul Aziz, dhe zëvendësit të tij, Muhamed Ibn Selmanin, në atë që është lartësimi i Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, dhe në atë që është  e mirë dhe e dobishme për  vendin dhe për popullin.                                                                                                                                             O Zot, jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve.                                                  O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që janë të vendosur dhe vigjilojnë në kufijtë tanë.                                                                                                                                                                   O Zot, largo nga ne kurthet e atyre që thurin kurthe,  smirën e atyre që kanë smirë ndaj nesh, planet e intrigantëve dhe sulmet e armiqve tanë. O Zoti i botëve, largo nga ne të këqijat e njerëzve të këqinjë, komplotet e të pamorlshmëve dhe të këqijat e atyre që këpusin rrugën natën dhe ditën.

O Zot, Ty ta besojmë fenë tonë, sigurinë tonë, vendin tonë, udhëheqësit tanë, dijetarët tanë, njerëzit e sigurisë tonë, o Ti tek i Cili nuk humben emanetet, o Zot, përhap siguri, paqe, stabilitet dhe harmoni në vendet muslimane dhe në mbarë botën. O Zot, shuaj zjarrin e luftrave, fatkeqësive dhe mundimeve nga muslimanët dhe bota mbarë, o i Gajllë, o i Përjetshëm.              O Zot, mbro vendin tonë nga çdo e keqe dhe dëm, bëje atë shtëpi të mirësi, fenar të sigurie,  strehë dhe vend pushim për të vërtetën, të mbushur me mirësi dhe bekime, të sigurt nga të këqijat, mundimet dhe plagët, si dhe  të gjitha vendet muslimane.                                                                           O Zot, ushtarët e Tu nuk  mposhten dhe premtimi Yt nuk  thyhet, shpëto  muslimanët e shtypur në çdo vend.

O Zot, ndihmo vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, ruaj xhaminë e Aksasë, të nderuar dhe krenare deri në ditën e Kijametit. O Zot, shkatërro armiqtë e tyre, sionistët agresivë, pushtues dhe uzurpues, shpërndaji ata, përçaji radhët e tyre dhe bëji shembull për ata që mendojnë. O Zot, nata e pikëllimit ka qenë e gjatë për vëllezërit tanë të shtypur, prandaj, o Zot, përgëzoi me një vit në të cilin problemet e tyre do të zhduken, shqetësimet dhe hidhërimet e tyre do të marrin fund. O Zot, mëshiro dobësinë e tyre, shëro plagët e tyre, merr nën Kujdesin Tënd çështjen e tyre dhe jepu fitore mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre. O Zot, ata janë zbathur, prandaj mbuloi ata, janë të uritur mundësoju ushqim, ata janë të zhveshur, prandaj mbroji, janë të shtypur, prandaj jepu fitore. O Ndihmës i të shtypurve, o Shpëtimtar i atyre që kërkojnë ndihmë.

O Zot, ti Ty  besojmë shpirtrat e tyre, fëmijët e tyre dhe të varfrit e tyre, me një fitore të afërt dhe lehtësim të menjëhershëm, o Zotërues i Madhërisë dhe Bujarisë. O Zot, zbrit mbi ta qetësi dhe siguri, o Zoti i botëve. Mëshiroi ata, Zoti ynë, mëshiroi ata, e Ti je më i Madhi  Mëshirues.

O Zot, zbrit nga flladet e mirësisë, freskisë dhe paqes Tënde atë që do të lehtësojë intensitetin e nxehtësisë përvëluese mbi robërit e Tu besimtarë, o më i Madhi  Mëshirues.

O Zot, bëje këtë vit një vit mirësie, bekimesh, lavdie, fitoreje dhe fuqizimi për Islamin dhe muslimanët. Bëji ditët tona të tashme më të mira se e kaluara jonë dhe të ardhmen tonë më të mirë se e tashmja jonë. Përmbushi shpresat tona, lehtëso dhimbjen tonë, shëro të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë, përfundo veprat tona me vepra të mira dhe jetën tonë me lumturi. O Zotërues i Madhështisë dhe Bujarisë, o i Madh në Përshkrime, o i Fshehur në butësi, o i Madh në mirësi, o Bujar në tolerim, o i Mirë në anashkalim, o i Gjerë në falje, o Zoti i botëve.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

O Zot, na fal ne, prindërit tanë, prindërit e prindërve tanë, të gjithë muslimanët dhe muslimanet, të gjallët prej tyre dhe ata që kanë ndërruar jetë, me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon, je afër, ju përgjigjesh lutjeve.

“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/1134612938497649

Post Author: endrit