Porosi dhe këshilla

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     09-01-1447H   04-07-2025 D

Shejh Dr. Jusuf  Ebu Sunejneh

Tema  Porosi dhe këshilla

Lavdërimet janë për Zotin, Zbritësi i librit, Kuranit, Shpjeguesi i mesazhit, Hapësi i portave dhe Dhuruesi  i shkaqeve të shpërblimit. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë dhe dhuratat e Tij që zbresin tek ne pa llogari. Atë e adhurojmë, tek Ai është kthimi dhe përfundimi. Tek Ai shpresojmë, prej Tij frikësohemi, në dorën e Tij është shpërblimi dhe ndëshkimi.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, dëshmi, premisat e së cilës dëshmohen nga arsye të qarta dhe rezultati i besimit të saj është Xheneti me porta të hapura. Dëshmoj se zotëria dhei dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari i durueshëm. Zoti e dërgoi atë pasi kishte kaluar një periudhë e gjatë kohore dhe morali ishte harruar, ishte larguar koha e profetit të mëparshëm, e vërteta ishte zhdukur dhe harruar.  Shtëpitë e udhëzimit ishin kthyer në rrënoja, besëlidhjet e tyre nuk mësonin dhe as nuk prodhonin, moral. Njerëzit ishin të impresionuar nga dëshirat dhe dyshimet, sa u harruan pas kësaj bote dhe pretenduan perëndi të shumta. Zoti i Plotëfuqishëm zgjodhi të dërguarin tonë, Muhamedin, nga prejardhja më fisnike dhe më e mirë, paralajmërim para kohës së ndëshkimit, përgëzim për ata që ju bindën Zotit dhe ju përgjigjën thirrjes. Zoti e mbështeti me mrekulli që largojnë pengesat e dyshimit, që zbulojnë dritat e bindjes, përtej të cilave nuk ka perde, pengesë, dhe me të cilat i lë zemrat të qetësuara, nuk frikësohen nga dyshime dhe mëdyshje. Paqja dhe mëshira e Zotit të Madhërishëm qoftë mbi të, lutje dhe përshëndetje që përfshinë familjarët dhe shokët e tij. O Zot, fale dhe mëshiroje më të mirin që i është dhënë mençuria dhe aftësia për të gjykuar qartë, familjen e tij, njerëzit e mendjes, dhe shokët e tij besnik. Na dhuro mëshirë prej Teje,  vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!

O Zot, bëje xhaminë tonë të mbrojtur dhe të sigurt, si dhe ata që qëndrojnë në të, që falen në të dhe të gjithë shokët, mbështetësit e saj.

Në vijim

O ti musliman! Mos u trishto për të nesërmen dhe puno sot për nesër. Nëse Zoti i Plotfuqishëm të jep pushtetin e kësaj bote, mos u gëzo për të dhe nëse ta heq, ta merr, mos u pikëllo për të. Ki mendim të mirë për Zotin dhe vëre dorën në zemër. Çfarëdo që dëshiron t’i bësh vetes bëja dhe vëllait tënd. Mos u zemëro, sepse shejtani ka pushtetin më të madh mbi njeriun kur ai zemërohet. Prandaj, largoje zemërimin duke e kontrolluar atë, qetësoje atë me kujdes. Ki kujdes mos u nxito, sepse kur nxiton ke gabuar.  Ji i qetë dhe i butë me ata që janë afër dhe larg, mos u bëj tiran kokëfortë, dhe mos u bëj tiran i pabindur. Mos u bëj vrasës i shpirtit që Zoti e ka ndaluar të vritet. Ki frikë Zotin dhe ki frikë gjërat e ndaluara, që të jesh më i devotshmi ndër njerëzit, dhe ji i kënaqur me atë që të ka caktuar Zotit që të jeshi njeriu më i pasur. Ji i sjellshëm me fqinjin tënd dhe do të jesh i besuar. Ji gjithmonë i gatshëm t’i bindesh në vazhdimsi Zotit tënd, respektoji muslimanët dhe jepu atyre këshilla të sinqerta, dhe ki kujdes të mos i dëmtosh ata. Zoti i Plotfuqishëm është “xheloz” për të ndaluarat e Tij, dhe kini kujdes mos kritikoni kohën, sepse faji është brenda nesh.

LEXO  Nxitimi i qortuar

“Të gjithë njerëzit i gjejnë të meta kohës, por koha nuk ka asnjë faj tjetër përveç nesh.

Ne fajësojmë kohën tonë, por faji është tek ne, nëse koha do të mund të fliste, do të na përgënjeshtronte.”

O ju besimtarë! Kini kujdes për besimin tuaj në këtë kohë, sepse shumica e njerëzve nuk kanë më asnjë vepër të besueshme. Sa i përket veprave të mira ato kanë humbur për shkak të shumë sëmundjeve dhe mungesës së sinqeritetit. Një vepër është si një mirazh, zemra pa devotshmëri është e shkatërruar, gjynahet janë aq të shumta sa rëra dhe pluhuri i tokës.

Koha është e vështirë, prandaj nxitoni për tek Zoti dhe jini të durueshëm me atë që ju ka ndodhur. Kini kujdes mos e humbni shpresën nga mëshira e Zotit të Plotfuqishëm. Ne jemi në një sprovë të madhe. Nëse shihni njerëz që janë të sprovuar, kërkoni nga Zoti juaj shpëtim prej asaj sprove. A e dini se kush janë njerëzit që janë të sprovuar? Ata janë njerëzit neglizhent, të pavëmendshëm ndaj Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar. Ajo që i ka ndodhur tokës sonë të shkretuar, mjerimit dhe rrënimit shkatërrues, ka ndodhur, e për Zotin, ajo ishte një vend me mjedis të mirë, me zona të këndshme, kopshte të gjera dhe ajër të shëndetshëm. Zogjtë në të  këndonin, pemët lëkundeshin nga gëzimi, lumenjtë në të rrjedhnin qetë, lulet lulëzonin, flladi në të  ishte i këndshëm dhe atmosfera e rajonit të saj ishte e pastër.

Toka jonë është e bekuar dhe njerëzit e saj janë fisnikë. Fëmijët tanë janë burra, burrat tanë janë heronj dhe pleqtë tanë janë të drejtë. Prova e virtyteve të tyre është verbuese dhe prova e lavdisë së tyre është e qartë. Në të vërtetë, Ai i sprovoi ata dhe i gjeti mirënjohës, dhe Ai i sprovoi ata dhe i gjeti të durueshëm, kështu që Ai i përfshiu ata me të drejtët dhe i ngriti në shkallën e të mirëve.

Kohët kanë ndryshuar dhe kemi ngelur si jetimë në banketin e të ligjve. Shikoni, e ju të gjithë jeni njerëz vizioni, shikoni, si ishim dhe si jemi bërë.  Ne jetonim në luks, në siguri dhe qetësi, banonim  në pallate të larta. Ato pallate janë bërë si vija të fshira, ato kështjella janë bërë strehë për sorrat, ku bufat u përgjigjen klithmës së tyre në qoshet e tyre, erërat helmuese përhapen në qoshet e tyre, shokët bëhen të vetmuar në to dhe djalli vajton për të sprovuarit e saj. Të Zotit jemi dhe tek Zoti do të kthehemi. Nga një ndodhi që thyen shpinën, shkatërron jetën, dobëson krahun, dobëson lëkurën, shton pikëllimin, thinjën të porsalindurit dhe ia nxinë zemrën.

Zoti i Plotëfuqishëm ju ngushëlloftë për humbjen tonë dhe na dhëntë neve dhe juve durim përballë asaj që ka ndodhur me mbrojtësit e fesë. Ai na shpërbleftë neve dhe juve dhe të gjithë besimtarëve dhe na faltë neve dhe juve për neglizhencën tonë në kujdesin për të dobëtit. Muslimanët, sa herë që mblidhen, duhet ta këshillojnë njëri-tjetrin që të jenë të duruar dhe të këshillohen për në të vërtetën. Zoti i Madhërishëm ka thënë: “ … , i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (El- ‘Asr 3) Kush është i durueshëm me durim, ai është durimtarë, jo ai që duron dhe më pas ankohet. Nuk ka fuqi dhe forcë tjetër përveç Zotit, është fjala e durimtarëve. Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve, është fjala e mirënjohësve, falënderuesve të Zotit. Zoti e mëshiroftë atë fytyrë dhe e shkëlqeftë, e më pas Ai rrugën për në Xhenet ja bën të lehtë. Shpëtimi nga Zoti qoftë mbi një popull që u ngrit, agjëroi, u lut, dha lëmoshë dhe kreu Haxhin. “(e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” (Er-Ra ‘d 24)

LEXO  O ti i sprovuar: Bëhu i durueshëm dhe prit shpërblimin

Luteni Zotin duke qenë të bindur në përgjigje. Fitorja është për ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandaj tek Ai kërkoni falje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili është i Fuqishëm për të bërë atë që Ai dëshiron, Atij i përket pushteti dhe shkatërrimi, e Tij është lavdia dhe përjetësia, i Tij është gjykimi dhe vendimi, të Tij janë emrat e bukur. Nuk ka askush që mund ta pengojë atë që Ai ka caktuar, as nuk mund të jetë dikush që mund ta pengojë atë që Ai ka dhënë. Ai bën në pushtetin e Tij çfarë të dëshirojë dhe sundon mbi krijimin e Tij siç dëshiron. Ai nuk shpreson për shpërblim, as nuk ka frikë nga ndëshkimi. Nuk ka të drejtë mbi Të, as nuk ka gjykim mbi Të. Çdo dhuratë prej Tij është begati dhe çdo ndëshkim prej Tij është drejtësi. “Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten.” (El-Enbija’ 23)

Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar e lavdërojmë me lavdërimet që u përmendën nga më të mëdhenjtë e Melekëve të Tij, në kohët më të nderuara të ngjitjes së tyre në qiell, dhe u thanë nga më të mëdhenjtë e profetëve të Tij, në kohët më të përsosura të dëshmisë së tyre. Elavdërojmë Atë me lavdërimet që Ai meriton, pavarësisht nëse i njohim apo jo, për  Ty janë lavdërimet, o Zoti ynë, për bekimet dhe dhuratat që na ke dhënë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Zoti që i përgjigjet pyetësit të Tij, shpërblen atë që tek Ai shpreson, dhe i bekon shpresat, dëshirat e tij.

Dëshmojmë se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ai që duhet ndjekur në adhurim dhe përkujtim, dhe çfarë është shkruar në regjistrat e të drejtëve, gjatë natës dhe ditës. Lutjet e Zotit qofshin mbi Melaiket e Tij të afërt, mbi profetët e Tij të dërguar, dhe mbi të gjithë robërit e drejtë të Zotit. O Zot, të lutemi, ji i kënaqur me ne së bashku me ata me mëshirës Tënde, o më i Madhi Mëshirues. Mëshiro njerëzit tanë në tokën tonë të bekuar, lehtëso çështjet e tyre, mëshiro dobësitë e tyre, shëro plagët e tyre, merru përsipër çështjet e tyre dhe ji me ta, o Zot, o Bujar. Mëshiro muslimanët në xhaminë tonë të bekuar dhe të gjithë punëtorët e drejtë, të mirë dhe të sinqertë.

LEXO  Nënshtrimi ynë është vetëm për Zotin - Aksa 14.02.2020

Në vijim

O adhurues të Zotit! Ruajuni nga padrejtësia, sepse padrejtësia është errësirë ​​në Ditën e Gjykimit. Ruajuni nga turpi, sepse Zoti i Lartësuar nuk e do turpin as paturpësinë. Ruajuni nga lakmia, sepse lakmia i shkatërroi ata që ishin para jush. Lakmia i urdhëroi të gënjenin, kështu që ata gënjyen,  i urdhëroi të ndërpresin lidhjet, kështu që i ndërprenë lidhjet, i urdhëroi në padrejtësi dhe bënë padrejtësi, shtypën njerëz.

Vërtet, tirania dhe padrejtësia janë fatkeqësi të mëdha, derdhja e gjakut të paligjshëm është ndëshkim në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. Pra, mos e vrisni veten, por bëhuni robër të Zotit vëllezër. Mbahuni fort të gjithë së bashku pas litarit të Zotit, Kurani, dhe kini kujdes nga përçarja dhe ndasitë, sepse përçarja nxit armiqësi dhe armiqësia sjell fatkeqësi. Kush dyshon se një musliman është fitne, përçarës, ai vetë është përçarësi. Një nga njerëzit e mirë ka thënë:  “Sa herë që kam përçmuar një musliman vetëm se kam gjetur mangësi në besimin tim.”

Kush ekspozohet para dashurisë së Zotit do t’i nënshtrohet sprovave, mundimeve dhe fatkeqësive nga e gjithë bota. Vetëm vendosmëria e fortë mund të durojë fatkeqësi dhe jo trupat. O musliman, ruaje vendosmërinë tënde, sepse vendosmëria është themeli i të gjitha gjërave. Kush  ka një vendosmëri të shëndoshë dhe është i sinqertë në të, të gjitha veprimet dhe kushtet që vijnë pas saj do të jenë të shëndosha. Asnjë rob nuk vepron sipas asaj që ka urdhëruar Zoti i Lartësuar, kur çështjet janë të shturura, kohërat janë kaotike dhe ndryshimin e njerëzve në mendime, përveç se Zoti i Lartësuar, do të sjellë imam, udhëheqës  që duhet ndjekur, një udhëzues që është i udhëzuar, dhe që ishte i huaj në kohën e tij.

O ju besimtarë! Kujtoni se rruga e së vërtetës është e largët dhe durimi me Zotin është i vështirë. Shikimi është i fortë por mprehtësia, njohja është e dobët. Durimi është nga karakteristikat e njerëzve të fortë dhe kënaqësia, pranimi është nga karakteristikat e njerëzve fisnikë.

Zoti është përgjegjës që të na frymëzojë  në rrugë të drejtë dhe të na udhëzojë drejt saj, dhe udhëzimin që do të na çojë drejt asaj që do të na afrojë më shumë me Të, dhe udhëzimin e dritës e cila do të përhapet para nesh kur të qëndrojmë para Tij në Ditën e Gjykimit.

Zoti largoftë zemrat tona dhe zemrat tuaja nga tundimi i gabimit dhe tundimi i keq, na udhëzoftë drejt udhëzimit të veprimit, larg nga verbëria e gabimit, na marrtë për dore nga përqafimi i shpresës, në respektimin e kohës së caktuar, dhe na strehoftë nën hijen e fronit të Tij në situatën e rëndësishme, na udhëzoftë të ndjekim të dërguarin më të mirë dhe fenë më të nderuar të feve.

O Zot, o Dëgjues i zërave, o Ti që i përgjigjës i lutjeve, o Falës i gabimeve, Ti je i Pasuri, Bujari, prandaj mos  zhgënje shpresat tona, mos refuzo lutjet tona, na siguro, mbro nga ndëshkimi Yt para vdekjes, pas vdekjes dhe në vdekje, bëji të lehta dhimbjet e vdekjes për ne, sepse Ti je më i Madhi Mëshirues.

O Zot, të kërkojmë udhëzim, devotshmëri, dëlirësi dhe vetëmjaftueshmëri. O Zot, të kërkojmë dije të dobishme, zemër të përulur, gjuhë që kujton dhe vepra të drejta e të pranueshme, o Zot i botëve. O Zot, të kërkojmë të na falësh gjanahet, të na qartësosh rrugën, të na fshehësh të metat dhe të na lehtësosh shqetësimet, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/1094989519356265

Post Author: endrit