Besimi në Zot dhe sjellja e mirë

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     14-04-1448 H    25-09-2026 D

Shejh Dr. Jusuf  Ebu Sunejneh

Tema    Besimi në Zot dhe sjellja e mirë

Lavdërimet janë për Zotin, Udhëzuesi drejt së vërtetës, Dhuruesi i suksesit për në të drejtën, Hapësi i dyerve të mbyllura, Drita që ndriçon zemrat e të dashurve të Tij me dritën e dijes dhe veprave ndër breza, Pastruesi i  gjuhëve të tyre nga përfshirja në çdo gjë tjetër përveç kuptimeve të sunetit dhe Librit, Kuranit. O Zot, ndriço zemrat tona me besim, na bëj prej njerëzve të Kuranit dhe na dhuro kënaqësinë dhe pranimin Tënd.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, i Vetmi që është i Përhershëm, Dhuruesi i begative të shumta, Krijuesi i krijesave me caktimin e Tij dhe Rregulluesi i çështjeve me urtësinë e Tij. Askush nuk mund ta kthejë urdhrin e Tij, askush nuk mund ta kundërshtojë gjykimin e Tij dhe Ai është i shpejtë në llogari. Atë e falënderojmë, Zotin e Lartësuar dhe të Madhëruar, për të gjitha begatitë e Tij dhe e falënderojmë për vazhdimësinë e mirësive, bujarisë dhe dhuntive të Tij. Nga Ai kërkojmë shtim të begative të Tij dhe bujari nga mirësia e Tij.

Dëshmoj se vula e profetëve dhe mëshira e Zotit për botën mbarë është profeti ynë, përgëzuesi dhe paralajmëruesi, kandili ndriçues, i mbështeturi me urtësi dhe dije të çmuar, ai që qëndronte para Zotit të tij,  të Bekuarit dhe të Lartësuarit, me përulësi në errësirat e natës dhe i veçuar me ndërmjetësimin e madh. O Zot, na fut në mburojën Tënde të pathyeshme dhe shtri mbi ne mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi zotërinë e këtij universi, mbi atë që posedon pozitën e lavdëruar, pellgun ku do të mblidhen besimtarët dhe sexhden e rukunë për Zotin e adhuruar,  mbi familjen e tij, njerëzit e afërsisë dhe dashurisë, mbi shokët e tij, njerëzit e besëlidhjes dhe fjalës së dhënë, dhe mbi ata që i pasuan me mirësi deri në Ditën e Premtuar. Ata janë njerëzit e pendimit, që pendohet tek Zoti, thirrjes dhe bujarisë.

Në vijim

O ti musliman! A nuk i ke ngritur duart drejt Zotit në çdo gjendje, nuk e ke mbajtur gjithmonë para syve kujtimin e vdekjes, nuk e ke ruajtur veten nga dëshirat e shfrenuara dhe nuk e ke penguar atë nga pasimi i të ndaluarave? A nuk je penduar dhe nuk je kthyer tek Zoti yt? Ai është që i fal gjynahet dhe i mbulon të metat: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” (Ta Ha 82)

Drejtohu tek Zoti Bujar dhe pastro rrobat e tua nga papastërtia, që të fitosh ndihmën e Tij në çdo frymëmarrje.

Dije se Zoti të ka dhuruar pesë nderime, dhurata: Dhurata e dashurisë, kush e do Zotin atij i bëhet e lehtë çdo gjë. Dhurata e njohjes, kush e njeh Zotin atij i duket e vogël çdo gjë tjetër.  Dhurata e Njëshmërisë së Zotit, kush e Njëson Zotin ai nuk i shoqëron Atij askënd në adhurim. Dhurata e besimit, kush beson në Zot ai ndihet i sigurt nga çdo gjë. Dhurata e Islamit, kush i dorëzohet Zotit ai nuk e kundërshton Atë, e nëse e kundërshton Atë kërkon falje tek Ai, e nëse kërkon falje tek Ai pranohet pendimi i tij. “Ai e pranon pendimin e robërvet të Vet, i fal gjynahet dhe i di të gjitha çfarë punoni ju.” (Esh-Shura 25)

Atëherë, përse këto pikëllime? Përse këto brenga? Dorëzo çështjen tënde Zotit, sepse Ai është që kujdeset për ty dhe të mbron.

“Thuaji që ankohet për një kohë që ka devijuar nga ajo që shpreson, mos u ngushto kur të vijë diçka që nuk e dëshiron.

Kur të të godasë një kohë e vështirë, në të cilën rrethanat ndryshojnë, ia dorëzo çështjen Zotit do të gjesh tek Ai atë që dëshiron.”

LEXO  Kuptimi i ajetit më të madh në Kuranin Famëlartë

Imam Sahl Et Tustari, Zoti e mëshiroftë, është pyetur: “Kur e arrin robi pozitën e vërtetë të adhurimit?” Ai tha: “Kur braktis rregullimin e çështjeve sipas dëshirës së vet dhe kënaqet me caktimin e Zotit për të.”

O ti musliman! Kujto se dëshira jote është sëmundja jote, e nëse e kundërshton atë atëherë aty është ilaçi yt: “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” (En-Nazi‘at 40–41)

Mos ia shfaq ankesën tënde askujt përveç Atij që ka fuqi ta largojë fatkeqësinë tënde. Furnizuesi është Allahu. Ai na është drejtuar me fjalët e Tij duke thënë: “Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar.” (Edh-Dharijat 22) Domethënë: O ti besimtar, mos lejo që kërkimi i furnizimit të të largojë nga adhurimi Im.

“O biri i Ademit! Përkushtoju adhurimit Tim, do ta mbush gjoksin tënd me pasuri, e nëse nuk e bën, do ta mbush gjoksin tënd me preokupime dhe nuk do ta largoj varfërinë tënde.”

Për këtë arsye kanë thënë: “Namazi është trokitje në derën e furnizimit.” Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.” (Ta-Ha 132)

Të parët tanë të mirë, selefët,  nuk kërkonin veçse hallallin dhe ushqimet e mira. Çfarë thanë banorët e shpellës për shokun e tyre? “…e le të shikojë se cili ushqim është më i pastër. Le t’ju sjellë diçka prej tij, le të sillet mirë…” (El-Kehf 19) Dhe “më i pastër”, o ju besimtarë, do të thotë më i mirë dhe më i pastër.

Një grua i tha burrit të saj: “Zoti do të të kërkojë llogari për mua, prandaj mos më ushqe përveçse me hallall dhe mos e shtrij dorën drejt diçka të dyshimtë për shkakun tim.”

Kështu e kuptuan të parët Islamin në mënyrë të drejtë.

Transmetohet se Imam Hatim El Esam, Zoti e mëshiroftë, se deshi të udhëtonte dhe i tha gruas së tij: “Sa të mjafton ty dhe fëmijëve për të jetuar, që ta siguroj para se të nisem?” Gruaja e tij besimtare i tha: “O Hatim! Pasha Zotin, unë nuk të kam njohur furnizues, të kam njohur vetëm si ngrënës. Furnizuesi është Zoti, prandaj shko ku të duash.”

Ky imam ka thënë: Meditova në fjalën e Zotit që thotë: “Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë…” (Ez-Zuhruf 32) dhe braktisa zilinë, u largova nga varësia prej njerëzve dhe mësova se ndarja e furnizimit është nga Zoti. Prandaj hoqa nga vetja armiqësinë ndaj njerëzve.

Ku janë njerëzit e armiqësisë përballë këtyre fjalëve të bukura? Ku janë bashkëshortët dhe bashkëshortet që i shpallin armiqësi njëri-tjetrit? Ku janë të afërmit? Ku janë miqtë? Islami i gjithi është sjellje e mirë dhe moral i lartë.

Një muslimane e devotshme ka thënë: “Nuk e desha dynjanë, nuk u shqetësova për furnizimin tim, nuk e madhërova në sytë e mi askënd prej njerëzve të dynjasë nga lakmia për atë që kishte dhe nuk kam përçmuar askënd prej muslimanëve.” Një ditë kjo grua qau aq shumë sa humbi shikimin. Një burrë tha: “Kush është verbëria më e rëndë!” Ajo u përgjigj: “Më e rëndë është të jesh i penguar nga Zoti e më e rëndë se kaq është verbëria e zemrës ndaj kuptimit të asaj që Ai kërkon prej nesh në urdhrat e Tij.” “Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.” (El-Haxhxh 46)

Transmetohet se një grua e shkurtër hyri tek profeti i zgjedhur i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Kur ajo doli, Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tha: “Sa e qartë ishte në të folur, sikur të mos ishte e shkurtër!” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i tha: “A e përgojove atë, o Aishe?” Ajo tha: “Nuk thashë veçse atë që kishte.” Ai tha: “Ti përmende të metën më të keqe që kishte.” Më pas ai ka thënë: “Kush e ruan gjuhën e tij nga nderi i muslimanëve, Zoti do t’ia falë rrëshqitjen dhe vështirësinë e tij në Ditën e Gjykimit,  kush e mbron vëllain e tij, Zoti i Bekuar dhe i Lartësuar ka për detyrë ta shpëtojë atë nga Zjarri i Xhehenemit.”

LEXO  Mbrojtja dhe imunizimi kundër magjisë dhe syrit të keq

Ky është Islami: Jo grindje, jo konflikt, jo ndërprerje marrëdhëniesh, ajo armiqësi dhe jo përçarje. Një jetë e ngritur mbi padrejtësi, keqtrajtim dhe shtypje nuk ka vend në Islam.         Disa njerëz kanë në gjuhët e tyre fjalët më të shëmtuara dhe shprehjet më të këqija, ndërsa divorci është prej gjërave të lejuara që Zoti nuk i pëlqen. Ndonjëherë ai, divorci, bëhet shkak për ndezjen e konflikteve. Sa familje janë shpërbërë për shkak të kësaj!

O ju besimtarë! Detyrë e bashkëshortëve është që secili të ketë durim me tjetrin. Nëse nuk veprojmë kështu, përfundimi do të jetë shkatërrimi, rrënimi, padrejtësia ndaj djemve e vajzave, shembja e familjeve dhe copëtimi i shoqërisë.

Tregohet se një burrë shkoi te prijësi i besimtarëve, Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, për t’u ankuar për karakterin e gruas së tij. Ai qëndroi tek dera duke pritur, kur dëgjoi gruan e Omerit duke i folur me ashpërsi, ndërsa ai heshtte dhe nuk i përgjigjej. Burri u largua duke thënë me vete: “Nëse kjo është gjendja e prijësit të besimtarëve, atëherë si është gjendja ime?” Omeri doli dhe e pa duke u larguar. E thirri: “Çfarë nevoje ke, o burrë?” Ai tha: “O prijës i besimtarëve, erdha të të ankohem për karakterin e gruas sime dhe për mënyrën e ashpër se si më flet. Por dëgjova edhe gruan tënde duke bërë të njëjtën gjë, ndaj u ktheva dhe thashë: Nëse kjo është gjendja e prijësit të besimtarëve me bashkëshorten e tij, atëherë si është gjendja ime?” Omeri tha: “Unë e duroj atë për shkak të të drejtave që ajo ka mbi mua. Ajo gatuan ushqimin tim, pjek bukën time, lan rrobat e mia, ushqen fëmijët tanë me gji dhe me të zemra ime gjen qetësi nga harami. Prandaj e duroj.” Burri tha: “O prijës i besimtarëve, edhe gruaja ime është e tillë.” Omeri i tha: “Atëherë duroje, o vëlla, sepse kjo është vetëm një periudhë e shkurtër.”    

Një prej njerëzve të devotshëm kishte një grua me karakter të keq. I thanë: “Pse nuk ndahesh prej saj, kur ajo të lëndon me sjelljen e saj të keqe?” Ai tha: “Nëse ajo ka karakter të keq, unë kam karakter të mirë. Nëse do të ndahesha prej saj, do të bëhesha si ajo. Përveç kësaj, kam frikë se mos askush tjetër nuk do ta mbajë për shkak të karakterit të saj të keq.”

O ju bashkëshortë dhe o ju bashkëshorte! Silluni me njëri-tjetrin dhe pajisuni me moralin e Islamit.

Një grua e përshkroi burrin e saj duke thënë: “Kur hyn, hyn duke qeshur, dhe kur del, del duke buzëqeshur. Kur kërkoj diçka, ma jep, e kur hesht, ai e nis bisedën. Kur punoj, më falënderon, e kur gaboj, më fal.”

Ky është Islami, o të dashur, dhe jo thjesht pamje e forma të jashtme.

Një tjetër grua, duke përshkruar burrin e saj dhe karakterin e tij të keq, tha: “Pasha Zotin, ai pyet shumë dhe nuk di, këmbëngul shumë dhe është koprrac. Kur flet, është më i keqi ndër folësit, kur hesht, fsheh kurthe. Është luan kur është i sigurt dhe dhelpër kur frikësohet. Është koprrac kur i vijnë mysafirë. Mysafiri i tij është i uritur dhe fqinji i tij i braktisur. Nuk e respekton fqinjin dhe nuk mbron atë që i është besuar. Nuk arrin të hakmerret as për të drejtat e veta. Njeriu më i pavlerë tek ai është kush e nderon, ndërsa njeriu më i nderuar tek ai është kush e poshtëron, tradhton atë.

LEXO  Islami feja e vëllazërisë

Një grua i tha burrit të saj: “Nuk kam parë njerëz më të ulët se shokët e tu: Kur je në gjendje të mirë, të qëndrojnë pranë e kur je në vështirësi, të braktisin.” Dëgjoni çfarë i tha ky burrë me moral të lartë: “Kjo është prej bujarisë së tyre: vijnë tek ne kur ne jemi në gjendje t’u bëjmë mirë atyre, ndërsa kur jemi të dobët, ata na kursejnë nga detyrimi për t’u bërë mirë atyre.”

Adhurues të Zotit! Zoti na ruajt ne dhe ju nga gabimet, drejtoftë hapat tanë në fjalë dhe në vepra, pranoftë nga ne namazin, agjërimin, namazin e natës dhe lutjet.

Drejtohuni Zotit tonë Bujar, luteni Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar duke qenë të bindur për përgjigje,  fitorja është për ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandaj Zotit kërkoni falje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Larguesi i brengave, Mbuluesi i të metave, Falësi i shumicës së gjynaheve, Ai është Njohësi i të fshehtave, i Cili largoi sprovën dhe vuajtjen nga Ejubi, i Madhërishëm është Ai që bashkoi Jusufin me Jakubin.

Të lutemi, o Zot, me dritën e Fytyrës Tënde që ka mbushur anët e Arshit Tënd, me fuqinë Tënde, me të cilën ke fuqi mbi krijesat e Tua, me mëshirën Tënde, e cila ka përfshirë çdo gjë, të na ndihmosh, mëshirosh dhe të jesh i butë me ne në tokën tonë të bekuar.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, i Vetmi, i Pashoq, të Vetmit në madhëri, Absolutit. Zemrat dridhen prej frikës ndaj Tij në Ditën e Llogarisë. Ai është Dhuruesi i begative të pafundme, Larguesi i fatkeqësive dhe Dëgjuesi i lutjeve.

Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi profetin tonë të zgjedhur, mbi familjen e tij fisnike dhe mbi shokët e tij, njerëzit me mendje të ndritur.

Në vijim

O ju adhurues të Zotit! O ti musliman! Ki besim në fuqinë tënde. Përse kjo përulje dhe poshtërim? Përse kjo dobësi dhe plogështi? A nuk të ka dhënë Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuar besim, mendje dhe trup? A nuk të ka dhuruar një vëlla besnik? A nuk ke dy sy dhe dy veshë? A nuk ke dy këmbë me të cilat ecën dhe dy duar me të cilat vepron?  Atëherë, ti zotëron shumë, prandaj ji i bindur në veten tënde.

O ti musliman! Përse pesimizëm dhe dëshpërimi i tepruar? A ke parë ndonjë mëshirë më gjithëpërfshirëse se mëshira e Zotit? A e di se ekziston ndonjë Dhurues dhe Bujar më bujar se Zoti? Pyete veten: Çfarë gjynahi ke bërë që mendon se nuk do të të falet? A ke vrarë njëqind njerëz? A ke rënë në shirk? A ke bërë zina, imoralitet? Prandaj, bëj kujdes dhe shumë kujdes nga vesveset e shejtanit.

Ji i dobishëm dhe mos u bëj i dëmshëm. Ji i buzëqeshur dhe mos rri i zemëruar. Mos ia përmend askujt gabimin e tij, për ta turpëruar, por qaj për gabimin tënd. Kur Zoti e do një rob, e sprovon, nëse duron, Zoti e dallon, e nëse është i kënaqur me caktimin e Tij, Ai e përzgjedh atë.

O Ti që iu përgjigje robit Tënd Ejubit kur të thirri, kur netët e gjata i kalonte duke u përpëlitur,

O Ti që të thirri Junusi dhe iu përgjigje, kur nga errësirat e barkut të balenës të madhëronte,

O Ti që, me mëshirën Tënde, e shpëtove Is’hakun dhe ia ktheve Jakubit atë që ai shpresonte.

O Zot! Ne të drejtohemi Ty që të na mbulosh me mbulesën Tënde të bukur.

O Zot, largo zemërimin Tënd prej nesh, o Zot i botëve.

O Zot! Ti je i Gjithëdijshëm për të fshehtat e zemrave tona, prandaj përmirësoji ato. Ti i di nevojat tona, prandaj na i plotëso ato. Ti i di gjynahet tona, prandaj na i fal ato. Ti i di të metat tona, prandaj na i mbulo ato.

O Zot! Ti je i Gjithëdijshëm për të fshehtat e zemrave tona, o Zot i botëve. Na mëshiro me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, na frymëzo me udhëzimin e duhur, na frymëzo të të falënderojmë, të të përmendim dhe të të adhurojmë në mënyrën më të mirë, o më i Madhi Mëshirues.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Zotin e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1689533876506619/1989081561736070

Post Author: endrit