Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 16-01-1447 H 11-07-2025 D
Shejh Bander Ibn Abdul Aziz Balejla
Tema Dhembshuria dhe mëshira e besimtarit për gjynahqarin
Lavdërimet janë për Zotin, Mëshirëplotin të Gjithëmëshirshmin, Bujarin, Mëshiruesin, Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj, Falësi dhe Mëshiruesi i Madh.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Falja e Tij përfshin të gjithë universin dhe mëshira e Tij shtrihet tek njerëzit dhe xhindët.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok. Dëshmoj se Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, Zoti i tij e dërgoi para orës së Kijametit me të vërtetënme peshoren e drejtë, me falje dhe me mirësi. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët dhe shokët e tij, njerëzit e pendesës dhe kthimit tek Zoti.
Në vijim
O ju njerëz, porosis veten dhe ju që ti frikësohemi Allahut. Zoti ju mëshiroftë, frikësojuni Allahut, mos e humbni shpresën nga falja e Zotit, mos e humbni shpresën nga mëshira e Zotit, sepse: “ Vërtetë Zoti i Madhërishëm e shtrinë Dorën e Tij, të faljes, natën në mënyrë që të pendohen ata që kanë gabuar ditën. Sikurse e shtrinë Dorën e Tij, të faljes, ditën që të pendohen ata që kanë gabuar natën, e kështu do të ndodhë deri sa dielli të lindi nga perëndimi i tij.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Adhurues të Zotit! Vërtetë Zoti i Plotfuqishëm ka vendosur tek bijtë e Ademit, njerëzit, instinkte, ambicje, prirje dhe dëshira, gjë që i ka bërë ato bazë të vendosjes së urdhrave dhe ndalesave. Sikurse ka përcaktuar për ta pjesën e shkeljeve si sprovë dhe testim nga Ai, në mënyrë që Allahu të dijë se kush i frikësohet Atij në fshehtësi. Enes Ibn Maliku, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Çdo bir i Ademit, njeri është gabimtar, ndërsa gabimtarët më të mirë janë ata që pendohen, tek Zoti.” Hadithin e ka transmetuar Imam Ahmedi. Qëllimi i kësaj është që të penduarit të kthehen tek Zoti, të penduarit t’i drejtohen Atij dhe ata që kthehen t’i bëjnë sexhde Atij. Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, sikur të mos bënit gjynahe Zoti do të ju merrte, zhdukete, dhe do të sillte një popull tjetër të cilët bëjnë gjynahe, kërkojnë falje tek Zoti dhe Ai i falën ata.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Nga cilësitë më të mëdha të Zotit të Madhërishëm është cilësia e Mëshirës. Zoti i Madhërishëm ka thënë: “ … ndërsa mëshira Ime përfshin çdo gjë.” (El-A’raf 156)
Ndërsa nga emrat më Madhështorë të Zotit janë dy emrat: “I Gjithëmëshirëshmi, Mëshirëploti.” Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Zoti juaj është një Zot i Vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” (El-Bekare 163)
Zoti ka nxitur robërit e Tij që të jenë të mëshirshëm me krijesat. Nga Usame Ibn Zejdi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zoti vërtetë mëshiron, më shumë, ata robërit e Tij që janë të mëshirshëm.” Muttefikun Alejhi.
Nga Abdullah Ibn Amri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e ka lajmëruar atë: “Ata që janë të mëshirshëm i mëshiron i Gjithëmëshirshmi. Mëshironi banorët e tokës që të ju mëshirojnë banorët e qiellit.” Hadithin e ka sjellë Ahmedi në Musnedin e tij.
Nga mëshira e Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar me robërit e Tij është se ka zbritur tek ata librat e Tij, dërgoi tek ata të dërguarit, profetët e Tij dhe nuk ua përshpejtoi ndëshkimin. “ Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit sipas veprave që bëjnë, nuk do të mbetej në sipërfaqen e Tokës asgjë e gjallë, por Ai i shtyn ata deri në afatin e caktuar…” (El-Fatir 35)
Sikurse i ftoi ata në pendesë dhe i thirri që të kthehen duke thënë: “ Thuaju robërve të Mi, që i kani bërë keq vetes me gjynahe, të mos e humbin shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Ez-Zumer 53)
Zoti i Lartësuar u ka premtuar për faljen e gjynaheve dhe fshirjen e veprave të këqija duke thënë: “ Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Al ‘Imran 135)
Zoti i Plotëfuqishëm ka garantuar se çdo njërit që pendohet dhe kthehet tek Ai se do ja zëvendësojë të këqijat e tij me të mira. “ Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (El-Furkan 70)
Zoti urdhëroi të dërguarin e Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, që të jetë i sjellshëm me njerëzit, i dhembshur me ta dhe t’i pranojë ata. Zoti i ka thënë atij: “ Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua gabimin, kërkoi falje Allahut për ta dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Al ‘Imran 159)
Por se, dhembshuria e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u shtri duke përfshirë dhe ata politeistë që ishin armiqësorë ndaj tij, për shkak të tmerrit të asaj që i pret ata në Ditën e Gjykimit, me shpresën se do të konvertoheshin në Islam dhe nga frika se do të vdisnin si politeistë, e kështu do të meritojnë mundimin e Xhehenemit. Zoti i Lartësuar duke shpjeguar këtë në më shumë se një vend në Librin e Tij, në Kuran, thotë: “A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kuran)?” (El-Kehf 6) Zoti ka thënë: “ A mos vallë ti (o Muhamed) do ta shkatërrosh veten, ngaqë ata (banorët e Mekës) nuk duan të besojnë?” (Esh-Shu ‘ara’ 3) Zoti ka thënë: “Ti mos e shqetëso veten deri në shkatërrim për humbjen e tyre! Allahu është vërtet i Gjithëdijshëm për atë që bëjnë ata.” (El-Fatir 8) Njerëzit e dijes në tefsirin, komentimin e këtij ajeti të Kuranit, kanë thënë: “ Do të thotë: po e shkatërron veten me trishtimin tënd për ta.”
Adhurues të Zotit! Për hatrin e Zotit, bëhuni, jini të sjellshëm me robërit e Zotit, silluni mirë me ta dhe mëshirojini ata, duke ndjekur udhëzimin e të dërguarit të Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Ebu Hurejre, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se një beduin urinoi në xhami, kështu që njerëzit shkuan tek ai për ta kapur, por i dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, u ka thënë: “ Lëreni, dhe në vendin ku ai urinoi hidhni një kovë me ujë, apo një tas me ujë, sepse ju jeni dërguar lehtësues dhe nuk jeni dërguar për të vështirësuar.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.
Nga Ebi Musa, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ I dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, nëse dërgonte një nga shokët e tij për ndonjë çështje, ai do t’i thoshte: “Jepni lajme të mira, përgëzoni, dhe mos i trembni njerëzit, mos i frikësoni, lehtësoni gjërat dhe mos i vështirësoni ato.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Bëni shumë kujdes që besimtari të mos bëhet pengesë që e pengon njeriun nga rruga e Zotit, gur i vështirë që i largon njerëzit nga feja e Tij, ose pengesë që i pengon ata të arrijnë Zotin pa e kuptuar. Sepse zemrat janë në duart e Zotit të Madhërishëm, Ai është që e di se çfarë ka në to nga besimi, siguria, sinqeriteti dhe dashuria, pavarësisht se në sa gjynahe është zhytur robi dhe pavarësisht se sa vepra të neveritshme ai ka kryer.
Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, Ai pranon pendesën nga robërit e Tij dhe falën shumë prej tyre. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj, largon vështirësitë, mbulon të metat dhe përmirëson të dëmtuarën.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, shpërblen të paktën me të shumtën.
Dëshmoj se Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, përgëzuesi, paralajmëruesi dhe pishtari ndriçues. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët dhe shokët e tij, njerëzit e dhembshurisë dhe lehtësimit.
Në vijim
Zelli, përkushtimi për fenë dhe zemërimi për ligjin e Zotit, një grup muslimanësh dhe një grup besimtarët, nëse ata shikojnë akte të dënueshme ose hasin shkelje, mund t’i shtyjnë ata të shkojnë përtej kufijve të ndalimit dhe të shkelin kufijtë legjitimë të denoncimit. Ndoshta situata mund të arrijë në pikën ku disa hyjnë në atë që është nga karakteristikat e Krijuesit dhe atributet e Zotëruesit, Sunduesit. Pasha Zotin, ky është një gabim i madh dhe një rrëshqitje e rrezikshme. Nga Damdam Ibn Xheuz Al Jamami, tregohet se ai ka thënë: “Ebu Hurejra më ka thënë: O Jemami, mos i thuaj askujt: Pasha Zotin, Zoti nuk do të të falë, ose, nuk do të të fusë në Xhennet.” Unë i kam thënë: “O Ebu Hurejra; Kjo është një fjalë që ndonjëri prej nesh ia thotë vëllait ose mikut të tij kur është i zemëruar!” Ai më ka thënë: “Mos e thuaj atë, sepse e kam dëgjuar të dërguarin e Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “Midis bijve të Izraelit ishin dy burra, njëri prej të cilëve ishte i zellshëm në adhurim dhe tjetri ishte shpërdorues, e tepronte në sjellje. Ata ishin vëllezër. I zellshmi qëndronte gjithmonë mënjanë dhe i thoshte tjetrit: “O njeri, ndalo!” Tjetri thoshte: “Më lër mua, llogarinë time me Zotin tim. A mos je dërguar roje mbi mua?” Ka thënë: “ Derisa një ditë e pa që e kishte tepruar në një gjynah, e kështu që i tha: Mjerë për ty! Ndalo!” Ai tha: “Më lër mua, llogarinë time me Zotin tim. A mos je dërguar roje mbi mua?” Ka thënë: Kështu që ai tha: “Për Zotin, Zoti nuk do të të falë, apo Zoti nuk do të të lejojë kurrë të hysh në Xhenet.” Ai ka thënë: “Zoti u dërgoi atyre një Melek, i cili ua mori shpirtrat dhe ata u takuan para Tij. Zoti i tha gjynahqarit: Shko dhe hyr në Xhenet me mëshirën Time. Zoti i tha tjetrit: A kishe njohuri për Mua? A ishe në gjendje të bëje atë që është në duart e Mia?! Çojeni atë për në Zjarr të Xhehenemit!” I dërguari ka thënë: Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Ebu El Kasimit, ai shqiptoi një fjalë me të cilën shkatërroi jetën e kësaj bote dhe jetën e tij të përtejme, Ahiretin.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi në Musnedin e tij dhe Ebu Daudi në Sunenin e tij.
Adhurues të Zotit! Dijeni se urrejtja e gjynahit dhe denoncimi i së keqes nuk bie ndesh me ndjenjën e dhembshurisë për gjynahqarin, atë që bën gjynah, dhe me mëshirën për të pabindurin, përkundrazi, kombinimi i tyre është dëshmi e përsosmërisë së besimit, siç ishte rasti me të dërguarin e Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.
Lutuni dhe përshëndeteni më të mirin e krijesave të Zotit, Muhamedin të birin e Abdullahut, Zoti juaj ju ka urdhëruar për këtë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë, Muhamedin. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet, udhëheqësit e drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me pjesën tjetër të dhjetë të përgëzuarve me Xhenet dhe pjesëmarrësin në takimin poshtë pemës, në Hudejbije, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inët dhe pasuesit e tyre në vepra të mira deri në ditën e Kijametit.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë dhe ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty, o Zoti i botëve. O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar nga muslimanët, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe vendosmëri udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, zgjat jetën e tij me shëndet të mirë, në mirësi dhe begati të shtuar. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është në dobi të vendit dhe popullit, në lavdi dhe në ndihmë të Islamit dhe muslimanëve, o Zoti i botëve.
O Zot, ruaj ushtarët tanë që vigjilojnë në kufi. O Zot, ruaj ata me syrin Tënd që nuk fle dhe mbroji ata me forcën Tënde që nuk pakësohet, o më i Madhi dhe më Bujari.
O Zot, të lutemi të jesh për vëllezërit tanë të dobët, shtypur, ndihmës, përkrahës, mbështetës dhe mbrojtës i tyre. O Zot, të lutemi të jesh me ata që janë të shtypur në Palestinë dhe në çdo vend, o Zoti i botëve.
O Zot, zëvendëso dobësinë e tyre me forcë, frikën e tyre me siguri, paqe, dhe mjerimin e tyre me lehtësi dhe begati, o më i Madhi Mëshirues. O Zot, të lutemi të jesh kundër jehudëve uzurpatorë, sionistëve agresorë. O Zot, na ruaj ne dhe mbarë botën nga sherri i tyre, o i Fuqishëm, o i Plotpushtetshëm.
O Zot, na bëj nga krijesat Tua më të mëshirshme me krijesat e Tua, më të dhimbsurat e tyre me to, dhe më të mirat e tyre me to, o i Gjithëmëshirshëm, o Mëshirëplotë.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj