Shantazhi – Meka 04.10.2019

Hytbe e Qabes 5 Safer 1441 h   04-10-2019

Shejh Saud Shurejm      Tema: Shantazhi. 

Falenderimi i takon Allahut, falësi i gjynahut, pranuesi i pendimit, ndërshkuesi i rreptë, poseduesi i fjalës; nuk ka hyjni që meriton të adhurohet pos Tij, e tek ai është përfundimi. 

Ai krijoi me përsosmëri, përcaktoi gjithçka dhe udhëzoi. Atij i përket tërë lavdia. Në dorën e Tij është tërë mirësia. Tek Ai kthehet çdo çështje. Lavdia dhe falenderimi i takon Atij në këtë jetë e në jetën tjetër. Atij i takon gjykimi dhe tek ai do të ktheneni të gjithë.  

Dëshmoj se nuk ka hyjni që meriton të adhurohet përveç Allahut, i vetëm e i pashoq. 

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahu dhe i dërguari i Tij, prijësi i të devotshmëve, më i nderuari i njerëzve të parë e të mbramë. Allahu e dërgoi me udhëzim e me fakte. E solli mëshirë për botët dhe model për njerëzit deri në ditën e gjykimit. Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të mirë e të pastër, mbi bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve, mbi shokët e tij të ndershëm e të mbarë dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre me saktësi deri në ditën e gjykimit.  

Porosi për mua e për ju o rob të Allahut është të jemi të devotshëm ndaj Allahut të madhërishëm, ti friksoheni atij në vetmi e në publik, në fjalët e në veprat tuaja, në zemërim e në gëzim.  

“O besimtarë! Kini frikë Allahun, përpiquni që t’i afroheni Atij me vepra të mira dhe luftoni në rrugën e Tij për të shpëtuar!” (Maideh 35). 

Rob të Allahut! Njerëzit në tërësinë e tyre gjenden në komoditet e të lehtësuar. Këto dyja i përfitojnë prej afrimitetit, dashamirësisë dhe mëshirës së ndërsjelltë për aq kohë sa nuk bien mbi ta gjuhë të mprehta e të ndyra ose duar lënduese e trozavaçe. Gjuha dhe dora janë si dy kazma që godasin. Ato mjaftojnë që të heqin tullat e një ndërtese të fotë ose ta shpojnë atë. Stabiliteti psiqik dhe funksional i një shoqërie është i mvarur prej ndikimit të dy mjeteve kazmë që përmendëm, në aspektin e ecjes përpara e në ndërtim.  

Për këtë i Dërguari ynë (salallahu alejhi ue selem) ka treguar pasojat e gjuhës e të dorës tek njerëzit në përgjithësi e tek individi në veçanti dhe se ç`domethënie kanë islami dhe Imani për ata që i bartin ato dyja. Ai (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Muslimani  është ai që prej dorës dhe gjuhës së tij njerëzit janë të qetë (të pacënuar). Besimtari është ai që njerëzit ndihen të sigurtë me të për jetën dhe pasurinë e tyre.  Transmetoi Ahmedi dhe esenca e këtyre fjalëve gjendet edhe në Dy Sahihet.  

Rob të Allahut nëse vërtet kjo që thamë është e njohur duhet të dimë se një prej gjërave më të këqija e më të mëdha që shkakton gjuha dhe dora mes njerëzve është një veprim i ulët dhe tendencë e fëlliqur të mbjella në një zemër të zezë katran e cila duke shantazhuar të tjerët e duke  shfrytëzuar dobësinë e tyre ndërton shkallë për tu ngjitur me to drejt interesave të tij të shëmtuara dhe objektivave të tij të ulta. 

 Ky është shantazhi o rob të Allahut.  Kjo armë shkatërrimtare të cilën e mbartin vetëm frikacakët e dobët për të gjuajtur me të prenë e tyre materialisht e moralisht. Shantazhi është armë mashtrimi e jo armë për mbrojtje sepse kurrë nuk ka qenë një armë e trimave të fortë e të drejtë.  

Shantazhi o rob të Allahut është vepër armiqësore të cilën e komandon egoizmi ekstrem për të arritur dëshira personale të paligjshme ndaj një personi që i rrëmbejnë vullnetin, i vënë përballë kërcënime të zbulimit të çështjeve të cilat e imponojnë të nënshtrohet me pahir në atë që kërkon shantazhuesi.  Kështu detyrohet me pahir të dorëzohet duke shtrënguar prej frikës se mos shfaqen të fshehtat përpara të gjithëve të cilat ai nuk dëshiron ti publikohen. Kjo shkaktohet prej një të shpirtligu që di mirë se si ta kafshojë pas shpine prenë e tij. Kjo pasha Allahun është një mposhtje e urryer prej së cilës ka kërkuar mbrojtje i Dërguari dhe modeli ynë (salallahu alejhi ue selem) me fjalët e tij: O Allah! Unë mbrohem me Ty, prej stresit e mërzisë, prej pamundësisë e përtacisë, prej frikës e koprracisë, prej mbytjes në borxhe e mposhtjes së burrave. Transmeton Buhariu.  

Shantazhi është moral i keq, vepër e mallkuar, që shfaq personalitetin e ulët,  zemrën kafshërore që zgjat kthetrat e krimit përpara të dobtëve e të paaftëve. Ai është një moral i mbushur me mizori, hakmarrje dhe shfrytëzim. Ai arrin mposhtje dhe fitore por që janë fallcitet i qartë.  

Shantazhi është karakter pa fe, pa orientim.  Poseduesit e tij kur i vërsulen të dobëtit nuk tolerojnë asgjë. Shantazhi është një mejdan i gjerë, në të futen persona të ndryshëm por që ata i bashkon të gjithë poshtërsia, ashpërsia, mizoria, egoizmi dhe ngjitja mbi krahët e të tjerëve. Ai nuk lidhet vetëm me njerëzit që kanë armiqësi dhe hasmëri mes njëri-tjetrit por mund të ndoten prej tij bashkëshorti me bashkëshorten, vëllai me vëllanë, shoku me shokun sepse shpirti kur bëhet i lig nuk ka më frerë dhe në këtë gjendje para tij janë të barabartë armiku me mikun përveç atë që e mëshiron Allahu si ai i cili dëgjon fjalën e të Zgjedhurit (salallahu alejhi ue selem) e percepton atë dhe pastaj qëndron aty ku ajo e orienton.  

Nga Ibn Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të dy transmetohet se ka thënë: I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u ngjit në mimber dhe thirri me zë të lartë: O ti që ke hyrë në islam vetëm me fjalë e që besimi nuk të ka shkuar në zemër: Mos i bëni keq muslimanëve,  mos i fyeni, mos ndiqni të metat e tyre sepse kush ndjek të metat e vëllait të tij musliman le ta dijë se Allahu do të ndjekë të metat e tij dhe atij që Allahu i ndjek të metat e demaskon qoftë edhe brenda çadrës së tij. Transmeton Tirmidhiu e të tjerë.     

Rob të Allahut, Shantazhi në kohën tonë më së shumti ndodh në çështje të moralit e të nderit. Kjo është dera e rrezikshme nëpërmjet së cilës mund të futet shantazhuesi e pastaj preja e tij dorëzohet lehtë. Sidomos me shpërthimin e teknologjisë moderne të cilat e shtojnë më shumë numrin e grackave, ngacmimeve dhe mashtrimeve. Nëpër to sillen e vërdallosen ujqër të tërbuar dhe grabitës që kacavirren nëpër muret e të tjerëve. 

 Ska pikë dyshimi o rob të Allahut se nderi konsiderohet  si një prej pesë domosdoshmërive për mbrojtjen e të cilave ka dakordësi tek të gjitha fetë.  

Për këtë duhet ta dimë se shantazhuesi ka cënuar këtë domosdoshmëri. Ai rrënon sigurinë e moralit shoqëror. Ai është hajn grabitës, armik i poshtër.  

Ja se si e përshkruan ibnul Kajim  atë dhe të tjerë të ngjashëm me të: Pasioni është prijësi i tij, epshet janë komanduesi i tij, injoranca shoferi, pakujdesia mjeti, me fiqirin e tij ai mbytet në përmbushjen e qëllimeve të tij materiale të kësaj jete, me dehjen e pasionit dhe dashurinë për këtë jetë mbetet i izoluar. Ai pason çdo shejtan të lig.  

Kjo është pamja e shantazhuesit, o rob të Allahut. Ai është person egoist, dëshiron të përmbushë dëshirat e tij personale pa marrë parasysh dëmet që i ndodhin presë së tij. Ai e di se nuk posedon në vetvete kurrëfarë vlere e tipari që ti mundësojë arritjen e asaj për të cilën ka nevojë, apo të realizojë dëshirat e tij me forma të ligjshme pa shantazh. Për këtë shkak shndërrohet në një ujk të tërbuar që nxjerr dhëmbët e shantazhit dhe kthetrat e egoizmit. Ai është një person pa humanizëm, një shejtan i lig brenda në një trupi njeriu. 

Shantazhi, o rob të Allahut është një vepër me pasoja. Ai është një nivel që të ngjit në krime të tjera. Ndoshta mund të nisë me rrëmbim të pasurisë e të mbarojë me kanosje në fizik. Ai është si uji i kripur, sa më shumë të pijë prej tij i eturi aq më shumë i shtohet etja. Shantazhuesi nuk mjaftohet vetëm me një herë. Preja e tij dorëzohet që në fillim duke menduar se me aq do të jetë fundi i shantazhit.  Mirëpo pastaj shikon se si rrethohet sa në një cep e në një cep tjetër. Shantazhuesi me to fiton hapësirë në shantazhimin e tij kështu që ai nuk vendos më tavan për kërkesat e tij por thellohet në krim dhe e mbërthen fort prenë.  

Ajo që shkruhet më së shumti për rastet e shantazhimit edhe pse ato janë të shumta e të llojllojshme është shantazhi i të riut ndaj të resë. Djali me rininë e tij dhe vajza me ndjenjat e saj. E ku munden ndjenjat të përballojnë djalërinë. E ku mundet i prangosuri të zbërthejë prangat e lidhura nga një i fuqishëm pas zhgërryerjes në mejdanin e premtimeve romantike dhe të mashtrimit mëkatar. Djali në këtë rast kryen krim dhe një gabim të madh por kjo nuk e shfajëson vajzën prej përgjegjësisë për faktin që u hodh me sigurinë e saj dhe ndjenjat e saj drejt dikujt që nuk e njihte në aspektin moral, fetar apo në besnikëri. E si të mos jetë kështu ndërkohë që ajo shëndoshi veremlinë dhe besoi të panjohurin. 

Ai i cili nuk e siguron mirë portën e shtëpisë së tij i lë mundësi hajdutëve. 

Një prej shtysave kryesore të shantazhuesit në shantazhimin e tij është nënvlerësimi i presë dhe dobësimi i saj. Po të mos ishte kjo nuk do të gjente atë që kërkonte tek ajo.  

Këto tregojnë se sa fort ka zënë rrënjë e  keqja në zemrën e shantazhuesit saqë negocion për nderet dhe gjërat personale të njerëzve. 

Personi i lig i nënçmon të tjerët, pastaj nuk pyet për privacitë dhe të drejtat e tyre sikurse ka thënë i Zgjedhuri (salallahu alejhi ue selem) : Një personi i mjafton si ligësi të nënçmojë vëllain e tij musliman. Çdo musliman kundrejt një muslimani e ka të ndaluar derdhjen e gjakut,  cënimin e pasurisë dhe cënimin e nderit.  Transmeton Muslimi në Sahihun e tij. 

Shantazhi me të gjitha perceptimet dhe llojet e tij sidoqë ta rrotullojnë të mençurit nuk mund ta shohin jashtë rrethit të lëndimit të tjetrit. Allahu i madhërishëm thotë:  

“Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” (Ahzab; 58). 

Allahu na bekoftë me Kuranin madhështor e paçim dobi prej ajeteve dhe urtësive të përmendura në të. Këto që thashë nëse janë të sakta kjo është prej Allahut e nëse ka gabime ato janë prej meje e prej shejtanit.  

I kërkoj falje Allahut për vete e për ju e për të gjithë muslimanët e muslimanet prej çdo gjynahu e gabimi, kërkojini falje e pendohuni tek Ai, Zoti im është Falës e Mëshirues.  

Hutbeja e Dyte

LEXO  Vlera e qëllimit të mirë - Meka 24.07.2020

Falenderimi i takon Allahut për mirësitë e Tij, mirënjohja i takon Atij për suksesin dhe bamirësinë e Tij. Nderimi dhe shpëtimi qoftë mbi të Zgjedhurin i cili i thirri njerëzit të fitonin kënaqësinë e Tij. 

Ligjërimi më i bukur është fjala e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) . Gjërat më të këqija janë risitë në fe, çdo risi është shpikje e çdo shpikje është humbje. 

Të keni kujdes e të qëndroni me  bashkësinë e muslimanëve sepse dora e Allahut është me bashkësinë e ai i cili shkëputet prej tyre shkon në zjarr. 

Dijeni, Allahu iu mëshiroftë se shumë njerëz të interesuar kanë folur për shantazhin, disa prej tyre kanë folur  gjatë e gjerë. Disa e kanë cilësuar si problem, disa si dukuri e sido të jetë shantazhi është një krim moral pa asnjë dyshim. Një paturpësi me të cilën duhet të merren seriozisht njerëzit përkatës në shoqëritë islame. Ata duhet të dinë se ilaçi nuk jep efektin e duhur vetëm kur përcaktohet mirë sëmundja dhe egzaminohen shkaqet e saj.  

Gjithashtu duhet të dimë se luftimi i shantazhimit nuk është ekskluzivitet i disave pa të tjerët por ajo është mision i tërë shoqërisë sipas përgjegjësisë që ka gjithkush. Familja është përgjegjëse në ndërgjegjësimin e pjestarëve të saj. Shkolla është përgjegjëse, elita intelektuale është përgjegjëse, gjithashtu dhe sektori i sigurisë është përgjegjës.  

Ilaçi i shantazhit është ligjor, moral dhe edukativ. Secila prej tyre plotëson tjetrën. Aspekti ligjor i vetëm nuk mjafton, as ai moral e as ai edukativ. Aspekti ligjor është ilaç mjekues pasi ka ndodhur fenomeni. Ai moral dhe edukativ janë mjekime përpara se të ndodhë. Nëse nuk mbrohemi nga goditja e diçkaje së paku ta largojmë pasi që ndodhur. Mbrojtja është gjithmonë më e mirë se sa mjekimi e kështu mendojnë të gjithë të mençurit. 

    Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi më të mirin e krijesave, më të pastërtin e njerëzimit Muhamedin të birin e Abdullahit poseduesin e Burimit e të Ndërmjetësimit . Allahu u ka urdhëruar me diçka që e nis me Veten e Tij, e më pas me Melaiket e Tij që e madhërojnë lart Shenjtërinë e Tij e pastaj edhe me ju o besimtarë. Allahu i madhërishëm thotë: “O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam!” (surja Ahzab; 56). 

O Allah bekoje dhe shpëtoje robin dhe profetin Tënd  Muhamedin, fytyrëndrituri plot hijeshi.  

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde ! O më i mëshirshm i mëshiruesve! 

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!  

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve! 

Mposhte idhujtarinë dhe zhduki idhujtarët! 

O Allah ndihmoje fenë tënde, librin tënd dhe rrugën e profetit tënd Muhamedit salallahu alejhi ueselem dhe robërit e tu besimtarë. 

O Allah jepi shpirtërave tanë devotshmërinë, na i pastro se ti je më i Miri që i pastron ato, Ti je mbikqyrësi dhe kujdestari i tyre. 

O Allahu rregulloje gjendjen e muslimanëve në çdo vend! 

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë. 

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve. 

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që Ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari përjetshëm. 

 O Allah përmirësoja nënpunësit e tij të afërm o i Lartmadhërishëm o Fisnik! 

Jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është e mirë për njerëzit dhe vendin o dëgjues i lutjes! 

O Allah ndihmoji vëllezërit tanë të pafuqishën në fenë e tyre në të gjithë vatanet e tyre. O i Gjallë o Kujdestar i përjetshëm! 

O Allahu im, te je Allahu, nuk ka hyjni që meriton të adhurohet pos Teje, Ti je i Pasuri e ne jemi të varfërit, na e zbrit shiun e mos na bëj prej atyre që e humbin shpresën.  

O Allah mos na pengo të mirat që ke Ti për shkak të së keqes që kemi ne o Madhërishëm O Fisnik!  

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër e na mbro prej dënimit të zjarrit! 

O rob të Allahut, përmendeni Allahun e madhërishëm që t`iu përmendë Ai, falenderojeni për mirësitë që t`ua shtojë, Pëmendja e Allahut është më e madhja dhe Allahu e di çka veproni. 

 

 

Post Author: endrit