Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 28-02-1447H 22-08-2025 D
Shejh Dr. Ahmed Bin Ali Hudhejfe
Tema Nga vlerat e fjalës së teuhidit, Njësimit të Zotit
Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71)
Në vijim
Vëllezër në besim! Vërtetë të gjitha urdhëresat dhe thelbi i tyre, arritja dhe realizimi, plotësimi i shpresave është vetëm nëpërmjet devotshmërisë, frikës ndaj Zotit. Devotshmëria është nyja lidhëse dhe kontrolli i urdhëresave, fillimi dhe mbarimi i tyre. I lumtur është ai që veshën rrobat e saj, devotshmërisë, në çdo kohë. Zoti i Plotëfuqishëm dhe i Urtë ka thënë: “ “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij…” (Al ‘Imran 102)
O besimtarë dhe besimtare! Gjërat më madhështore me të cilat mbushen zemrat dhe ushqehet organizmi, me të cilat zbukurohen gjuhët dhe mishërohen gjymtyrët është fjala e sinqeritetit dhe e Njësimit të Zotit: “S’ka Zot tjetër përveç Allahut.” Ajo është fjalë me të cilën Zoti ka dëshmuar për Veten e Tij dhe kanë dëshmuar për të krijesat më të mira të Tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Allahu dëshmon, e po ashtu engjëjt dhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër (që meriton të adhurohet), përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër (që meriton të adhurohet), përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit.” (Al ‘Imran 18) Ajo është dëshmia më sublime, më e madhe, më e drejtë dhe e vërtetë për Dëshmuesin më Sublim nga atë që dëshmojnë. Ajo është fjala me të cilën është ngritur toka dhe qiejtë, për hatrin e të cilës janë krijuar të gjitha krijesat. Me këtë fjalë Zoti ka dërguar profetët e Tij, ka zbritur librat e Tij, ka shpjeguar legjislacionet e Tij, për atë janë vendosur peshoret dhe rregjistrat, libratNga ajo fjalë u vendos Kibla, drejtimi, dhe u themelua umeti, feja. Ajo është fjala e Islamit dhe çelësi i shtëpisë së paqes, Xhenetit. Ajo është e drejta e Zotit mbi të gjithë që janë përgjegjës dhe për të do të jetë pyetja e Zotit ndaj të parëve dhe të fundit. Kjo fjalë madhështore në kuptim, “S’ka Zot tjetër përveç Allahut.”, do të thotë se: Askush, sa do e lartë të jetë pozita e tij dhe statusi i tij në mesin e njerëzve, nuk meriton që të jepet, bëhet për të asnjë lloj form adhurimi. Sepse nuk adhurohet vetëm se Ai i Cili përshkruhet me Hyjnoren, Sundimin Absolut dhe të plotë, e kjo është vetëm se për Zotin. Sepse Ai, Zoti i Plotëfuqishëm, i shenjtëruar në Sundimin e Tij absolut dhe të plotë, është Absolut i plotë në Veten e Tij, në Cilësit, Vepra dhe Emrat e Tij. Çdo kush tjetër përveç Tij është subjekt i dobësisë dhe i mungesës, dhe subjekt që ka nevoja dhe domosdoshmëri. Prandaj, vetëm Ai është i denjë për t’u adhuruar dhe jo dikush tjetër veç Tij. Kur meditojmë në konceptin e madh të kësaj fjale madhështore, sublime në kuptim, dhe që ka një ndikim të gjerë, kuptojmë se vetëm nëpërmjet saj arrihet liria njerëzore dhe nëpërmjet saj arrihet çlirimi nga skllavëria për çdo krijesë. Ndërsa besimtari pranon vetëm një hyjni të denjë për adhurim, zemra nuk përkulet dhe trupi nuk përkulet përveçse para Zotit, dhe një person nuk adhuron askënd përveç Krijuesit dhe Zotërisë së tij. Këtij Zoti të Madh të Cilit i përgjërohet zemra para se të përulet balli para Tij, dhe të shprehin Hyjnoren dhe Zotërimin e Tij gjuhët dhe gjymtyrët. Ajo është fjalë që përfshin kuptimet e atyre me të cilat kanë ardhur të dërguarit dhe që kanë përcollë nga Zoti i Plotfuqishëm, që të përqafojmë Hyjnoren dhe Sundimin e të jemi të lidhur, siç lidhen degët dhe përputhen qepallat. Nga se Sundimi obligon Hyjnoren dhe ajo përfshihet nga Zotërimi, Sundimi. Sikurse dëshmia se “S’ka Zot tjetër përveç Allahut.” obligon dëshminë se profeti ynë Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, është rob dhe i dërguari i Tij. Dëshmia se “S’ka Zot tjetër përveç Allahut.” nuk është e plotë përveçse me dëshminë se Muhamedi i dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Sepse Zoti është Ai që i drejtohemi dhe adhurohet, që meriton dashurinë më të madhe me madhërimin më të madh. Nënshtrimi, adhurimi dhe dashuria ndaj Zotit nuk janë të plota përveçse duke dashur atë që Ai do dhe duke urryer atë që Ai urren. Nuk ka rrugë për të ditur se çfarë Ai do dhe urren përveçse nëpërmjet të Dërguarit të Tij, i cili përcjell nga Zoti atë që Ai do dhe urren, duke ndjekur atë që Ai urdhëron dhe duke shmangur atë që Ai ndalon. Kështu, dashuria për Zotin obligon dashurinë për të dërguarin e Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të besuarit dhe të ndjekurit e tij.
Nga se Xheneti, vendi i lumturisë së përjetshme, është vendi më i lartë dhe me vlerë të madhe, çmimi i saj është kjo fjalë e madhe dhe fisnike. E kjo kur kuptimet e saj të zënë vend në zemra, të kënaqen me freskinë e saj dhe shkëlqejnë me dritën e saj. Enes Ibn Malik, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se i Muadhi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka qenë shoqërues i të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në një udhëtim. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ O Muadh Ibn Xhebel?” Ai i ka thënë: “Urdhëro o i dërguari i Zotit, jam në shërbimin tënd!” Ka thënë: “ O Muadh?” Ai i ka thënë: “Urdhëro o i dërguari i Zotit, jam në shërbimin tënd!” tre herë. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka njeri që dëshmon se “S’ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij,” me sinqeritet nga zemra e tij, përveçse Zoti do ta ndalojë atë nga zjarri i Xhehenemit.”
Ndërsa thënësi i kësaj fjale me të do të jetë njeriu më i lumturi me ndërmjetësimin e të dërguarit të Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ai ka thënë: “Kam thënë: O i dërguar i Zotit, kush është njeriu më i lumturi me ndërmjetësimin tënd në Ditën e Gjykimit?” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ O Ebu Hurejre, e kam ditur se nuk do më pyesi për këtë hadith dikush tjetër para teje nga ajo që kam parë nga kujdesi yt për hadithin. Njeriu më i lumtur me ndërmjetësimin tim në Ditën e Gjykimit do jetë ai që ka thënë; S’ka Zot tjetër përveç Allahut, me sinqeritet, nga thellësia e zemrës.”
Zoti na begatoftë të gjithëve në librin e Tij, në Kuran dhe në sunet, bëftë devotshmërinë tonë ndaj Tij furnizim dhe mburojë për ne.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirues.
Hutbeja e Dytë
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili meriton lavdërimet dhe falënderimet, Dhurues i begative dhe mbulimit, lavdërim që drejton jetën e njeriut, ëmbëlson anët e tij dhe ndriçon rrugën e tij. Lutjet dhe përshëndetjet janë për zotërinë e të gjithë njerëzimit dhe vulën e profetëve, të dërguarin tonë Muhamedin, për familjarët dhe për shokët e tij të mirë e të pastër.
Në vijim
O besimtarë dhe besimtare! Fjala e monoteizmit, Njësimit të Zotit, dhe e sinqeritetit nuk është vetëm një fjalë kalimtare me të cilën lëvizin buzët dhe përsëritet në gojë, por se ajo është fjalë me efekte të mëdha dhe pemë me fruta të pjekura. “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.” (Ibrahim 24-25) Ajo fjalë është si pemë me frute të pjekura, mbi të cilën shpirtrat, të lodhur nga barrët e jetës, hedhin barrët e tyre, kështu që mbi të zbresin frytet e saj dhe përhapet hija e saj. Nëse kuptimi i saj vendoset në thellësitë e zemrës, stabilizohet ndërgjegjja, qetësohet shpirti dhe mbizotëron në të paqe. Hapësirën e gjoksit, në zemër, ajo e mbushën me gëzim dhe lumturi, në një kohë me ndryshime të shpejta dhe të shumta, që zien me valë ndikimesh dhe problemesh. Vërtetë kjo fjalë, në vapën e jetës dhe rrjedhës së saj, është ngushëllimi i të pikëlluarve dhe siguria e të frikësuarve. Ajo fryn mbi zemrat si një fllad i freskët në një ditë vere. Një zemër e mbushur me besimin monoteist, në Një Zot, do të jetë në paqe me rrjedhën e fatit dhe do të qetësohet gjatë luhatjeve të kësaj bote, sepse është e sigurt se ka Një Zot të Madh për të Cilin çdo gjë është në masën e duhur. Nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, kur ishte në vështirësi thoshte: “S’ka Zot tjetër përveç Allahut, i Madhërishmi, i Buti, s’ka Zot tjetër përveç Allahut, Sunduesi i Fronit Madhështorë, s’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti i qiejve, tokës dhe Zotëruesi i fronit Fisnik.” Recitoni këto fjalë me gjuhët tuaja duke përkujtuar Zotin, dhe mbushni me to zemrat tuaja duke qenë të bindur.
O Zot, na ringjall në monoteizëm, besimin në Një Zot, na ndajë nga kjo botë me fjalën e monoteizmit, Njësimit të Zotit, dhe me mirësinë Tënde na cakto të mira dhe sa më shumë.
Shtoni sa më shumë lutjet dhe përshëndetjet për zotërinë e krijesave dhe më të mirën e njerëzimit, në këtë ditë dhe në të gjitha ditët e tjera. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, thotë: “ Vërtetë nga ditët tuaja më të mira është dita e xhuma, e premte, prandaj, në këtë ditë, shtoni salatet, lutjet për mua, sepse vërtetë lutjet tuaja më mbërrijë.” O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje zotërin e të parëve dhe të fundit, udhëheqësin e të dërguarve dhe mëshirën e Zotit për mbarë botën, të dërguarin tonë Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë shokët e të dërguarit, me Halifet e drejtë, zotërijtë e udhëzuar, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e të dërguarit Tënd, dhe ne së bashku me ata, me Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët.
O Zot, bëj këtë vend të bekuar, të sigurt, të paqtë, të ruajtur dhe të mbrojtur, o Zoti i botëve.
O Zot, ruaj vendin e dy xhamive të shenjta, mbretërinë e Arabisë Saudite. O Zot, ruaj djepin e dy xhamive të shenjta dhe destinacionin e zemrave të muslimanëve, nga kurthet e komplotistëve, zilia e ziliqarëve dhe mashtrimi i mashtruesve. O Zot, ruaj sundimtarët, dijetarët, të shenjtat, besimin dhe vendet e shenjta të saj. O Zot, mbro ushtarët e saj, ruaj kufijtë dhe njerëzit e sigurisë së saj, o Zot i Botëve. O Zot, ruaj njerëzit e siguris së saj dhe jepu sukses atyre që janë përgjegjës për kujdesin ndaj dy xhamive të shenjta dhe në shërbim të vizitorëve të tyre, o Zot i Botëve, të kryesuar nga kujdestari i dy xhamive të shenjta dhe princi i tij i kurorës, o Zoti i Botëve. O Zot, mbroji ata me kujdesin Tënd dhe ruaj ata me mbrojtjen Tënde. O Zot, shpërbleji ata për Islamin dhe muslimanët me shpërblimin më të mirë dhe më të plotë, o Zot i botëve.
O Zot, të lutemi të ruash vendet muslimane. O Zot, të lutemi të përmirësosh gjendjen e muslimanëve në çdo vend, o Zoti i botëve. O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, shëro plagët e tyre, merr nën kujdesin Tënd çështjet e tyre, ndihmoi ata përballë armiqëve të tyre dhe armikut Tënd, o Zoti i botëve.
O Zot, kërkojmë nga Ti prej të mirës që Ti di, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga e keqja që Ti di, dhe kërkojmë faljen Tënde për atë që Ti di, me të vërtetë Ti je Njohësi i të fshehtës.
Adhurues të Zotit! Përjetësoni mirësinë e Zotit tuaj me falënderimin ndaj Tij, ruani begatitë e Tij duke pasuar urdhrat e Tij, këmbëngulni me lutjet drejtuar Atij dhe me përmendjen e Tij.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj