Sëmundja e pakujdesisë… shkaqet dhe trajtimi

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    04-04-1447 H   26-09-2025 D

Shejh Dr. Abdullah El Buajxhan         

Tema  Sëmundja e pakujdesisë… shkaqet dhe trajtimi

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet,  e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok. 

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Përcolli mesazhi, përmbushi emanetin, këshilloi umetin dhe e la atë në rrugë të ndriçuar, nata në të është sikur dita e saj, nuk devijon prej saj vetëm se ai që është i humbur. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, mbi ata që ftuan, në rrugë të Zotit, me thirrjen e tij dhe ndoqën sunetin e tij deri në ditën e Kijamet. 

Në vijim

Vërtetë fjala më e mirë  është fjala e Zotit, Kurani, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, i dërguari i Zotit, çështjet më të këqija janë të shpikurat në fe, risitë, çdo shpikje, risi është devijim dhe çdo devijim e ka përfundimin në Zjarr, Xhehenem.

Adhurues të Zotit! Ju këshilloj që t’i frikësoheni Zotit të Plotëfuqishëm, sepse ajo është përgatitja më e mirë dhe se bindja nda Tij është qëllimi dhe dëshira më e mirë. “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!”(Al ‘Imran 102)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” (El-Hashr 18)

O ju njerëz! Vërtetë, shpirti i njeriut, nga natyra e tij, është i prirur ndaj së keqes, i prirur ndaj tekave,  ambicioz për dëshirat dhe kënaqësitë, dembel në kryerjen e adhurimeve dhe veprave të mira. Shpirti njerëzor, në natyrën e tij, është i ndryshueshëm dhe kushtet e tij janë të luhatshme. Ai ndikohet, preket nga situata dhe ngjarje të ndryshme, dhe nga kushte dhe rrethana të ndryshme. Prandaj, ai ka nevojë të vazhdueshme për kujdes, monitorim, rafinim, pastrim dhe ndjekje. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” (En-Nazi’at 40-41)

Adhurues të Zotit! Zemrat janë të paqëndrueshme, ndryshojnë dhe luhaten shpejt, sikurse ndryshojnë shumë dhe transformohen. Mikdad Ibn Esved, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ Nuk flas për njeri as mirë e as keq deri sa të shikoj se si do të jetë përfundimi i tij, pas asaj që kam dëgjuar nga i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.” I kanë thënë “ E çfarë ke dëgjuar?” Ka thënë: “ Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, duke thënë: Zemra e birit të Ademit, njeriut është më e paqëndrueshme se një tenxhere gatimi kur fillon të vlojë.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi.

“Njeriu nuk u emërua kështu përveçse për shkak të harresës së tij, as zemra përveçse ajo ndryshon.”

Shehr Ibn Havshebi tregon se i kam thënë Umu Selemes, Zoti qoftë i kënaqur me të: “ O nëna e besimtarëve, kush ka qenë lutja më e shpeshtë e të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, kur ishte tek ti?” Ajo ka thënë: “ Lutja më e shpeshtë e tij ishte: “ O Ndryshuesi i zemrave bëj të qëndrueshme zemrën time në fenë Tënde.”  Ajo ka thënë: I kam thënë: “ O i dërguari i Allahut, përse e thua kaq shpesh lutjen: “O Ndryshuesi i zemrave bëj të qëndrueshme zemrën time në fenë Tënde.” Ai ka thënë: “ O Ummu Seleme, nëna e Selemes, nuk ka asnjë qenie njerëzore zemra e të cilit nuk është midis dy gishtërinjve të Zotit. Prandaj, këdo që Ai do, e bën të qëndrueshëm dhe këdo që Ai do, e devijon.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.

LEXO  Sinqeriteti në vepra dhe ndalimi i mashtrimit

O muslimanë! Nga fatkeqësitë më të mëdha që e godet njeriun në jetën e tij, fatkeqësi që i shkatërron jetën, i humb kohën, i humb energjinë, i vdes zemrën, e privon nga çdo gjë e mirë dhe e dëshiruar dhe e pengon nga gjithçka që ai kërkon, ajo është pakujdesia. A  e dini se çfarë është pakujdesia? Pakujdesia është largimi nga frika dhe nga bindja ndaj Zotit, pakujdesia, nga qëllimi për të cilin Zoti na krijoi dhe pakujdesia nga përgatitja për t’u takuar me Zotin dhe për të dhënë llogari. Pakujdesia është neglizhencë dhe shpërfillje ndaj asaj që njeriu duhet të bëjë dhe harresë e asajtë për të cilën është krijuar. Për shkak të pakujdesisë, humbasin energjitë, humbet koha  dhe humbasin jetët njerëzore në gjëra që nuk kanë asnjë dobi. Pakujdesia është fatkeqësi dhe katastrofë e madhe, e largon njeriun nga Zoti i tij, e shkëput nga rruga e Tij dhe e shpërqendron me gjynahet e tij, duke e bërë atë të neglizhojë dënimin apo ndëshkimin që e pret.

Adhurues të Zotit! Pakujdesia është  det i errët me valë të trazuar, prej të cilës vetëm të kujdesshmit do të shpëtojnë.  Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Por, në të vërtetë, shumica e njerëzve nuk ua vënë veshin shenjave Tona.” (Junus 92) Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “…por shumica e njerëzve nuk e dinë. Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm. Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete? Allahu ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe ato që gjenden në mes tyre – vetëm me qëllim dhe afat të caktuar. E, me të vërtetë, shumica e njerëzve nuk besojnë në takimin me Zotin e tyre.” (Er-Rum 6-8)

Adhurues të Zotit! Shejtani mund ta joshë njeriun drejt pakujdesisë, neglizhencës. Kjo e çon atë në humnerën e distancës nga Zoti, nga neglizhenca ndaj suneteve dhe përtacia në vepra të rekomanduara, për në braktisjen e detyrave të obliguara, nga varësia ndaj veprave të papëlqyeshme për në kryerjen e veprave të ndaluara, nga neglizhenca dhe indiferenca ndaj gjynaheve dhe keqbërjeve të vogla për në kryerjen e gjynaheve shkatërruese, fatale. Zoti na ruajt neve dhe juve.

Adhurues të Zotit! Duhet të jemi të kujdesshëm që të shmangim pakujdesinë, neglizhencën, të mos i dorëzohemi asaj dhe të mos e ndjekim rrugën e saj. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje!” (El-A’raf 205)

Adhurues të Zotit! Ringjallni zemrat tuaja me përmendjen e Zotit, kini kujdes nga pakujdesia, neglizhenca dhe vrazhdësia, kini frikë nga ato që Zoti ka ndaluar.

O ju njerëz! Pëshpëritjet e shejtanit janë të pashmangshme, harresa dhe përtacia mund të rrjedhin nga dobësia njerëzore, por këmbëngulja në to dhe të kënaqurit me to është pakujdesi, neglizhencë dhe rrezik. Besimtari nëse mposhtet nga pakujdesia, duhet të nxitojë të kthehet tek Zoti i tij, të kërkojë tek Zoti falje për gjynahin e tij, të kërkojë mbrojtje tek Allahu nga shejtani, që Ai t’ia largojë pëshpëritjet e tij dhe ta zgjojë zemrën e tij nga pakujdesia, neglizhenca, para se shejtani ta mposhtë atë.

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Nëse djalli përpiqet të të shtyjë drejt së keqes, kërko strehim tek Allahu, se vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka. Ata që (i) frikësohen (Allahut), kur u vjen ndonjë mendim i lig nga djalli, i kujtojnë (urdhrat e Tij), dhe atëherë shohin (rrugën e drejtë). Ndërsa vëllezërit e vet (prej njerëzve), ata i shpien edhe më tej në humbje pa pushuar.” (El-A’raf 200-202)

LEXO  Nxitja për të bërë mirë në fund të Ramazanit

Zoti na begatoftë të gjithëve në Kuranin Famëlartë, na bëftë dobi të gjithëve nga argumentet dhe urtësitë e tij të qarta.

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.

Hutbeja e dytë

Zotin e lavdërojmë për mirësitë e Tij që na ka dhuruar, Ai meriton të falënderohet për sukset dhe të  mira që na ka dhënë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, në nder të Madhështisë së Tij. Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ftuesi në kënaqësinë e Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, lutje dhe përshëndetje të shumta.  Adhurues të Zotit! Pakujdesia është një nga fatkeqësitë më të mëdha. Kur ajo lëshon rrënjë në zemrën e njeriut, ia prish fenë dhe jetën e tij të kësaj bote. Pakujdesia, është perde mbi mendjen, perde, pengesë, nga e vërteta dhe shkak i drejtpërdrejtë i humbjes së jetës dhe i humbjes së veprave të mira. E gjen pronarin e saj, zemrës neglizhente, duke e shtyrë pendimin, duke e vonuar bindjen dhe duke menduar se ka shumë kohë përpara, ndërkohë që nuk e di se jeta kalon, ditët shuhen dhe mundësitë nuk kthehen më.

Nga shkaqet më të rëndësishme të pakujdesisë, neglizhencës, është mosrespektimi i Zotit dhe mospërgatitja për ta takuar Atë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Sigurisht, ata që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, që janë të kënaqur me jetën e kësaj bote, duke gjetur prehjen në të dhe që janë të pavëmendshëm ndaj shenjave Tona, do të kenë si vendstrehim Zjarrin, për atë që kanë bërë.” (Junus 7-8)

Nga shkaqet më të rëndësishme të pakujdesisë janë: koha e lirë, mungesa e interesit dhe mos vlerësimi i kohës. Njeriu jeton pa një qëllim dhe e humb jetën e tij kot. Nga Ibn Mesudi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Janë dy mirësi me të cilat shumë njerëz mashtrohen: shëndeti dhe koha e lirë.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.

Nga Ibn Mesudi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Në ditën e Gjykimit nuk do të lëvizi këmbë njeriu derisa të pyetet për jetën e tij si e ka kaluar atë dhe për rininë e tij si e ka përdorur atë.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.

Një nga shkaqet më të rëndësishme të pakujdesisë është shoqëria me të pakujdesshmit dhe përzierja me të shpërqendruarit, neglizhentët. Njeriu, nga natyra, ndikohet nga ata me të cilët përzihet dhe gjen ngushëllim tek ata me të cilët rri. Për këtë arsye, Zoti e urdhëroi të dërguarin e Tij duke thënë: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (El-Kehf 28)

LEXO  Mësime nga emigrimi i të dërguarit të Zotit

Nga portat më të mëdha të pakujdesisë në këtë kohë është preokupimi me pajisje elektronike dhe ekrane, kalimi i kohës në argëtim dhe tundime, dhe të qenit i lidhur me tundimet dhe dëshirat që përhapen përmes tyre. Sa shumë zemra janë errësuar për shkak të asaj që shikojnë dhe sa shumë kohë është humbur duke ndjekur atë me të cilën Zoti nuk është i kënaqur?! Deri në atë pikë sa shumë njerëz nuk gjejnë më kohë për të lexuar Kuranin, as për të marrë pjesë në seancat e dijes, dhe as për t’u komunikuar me Allahun privatisht, në adhurime. Allahu na ka paralajmëruar nga kjo gjendje, Zoti i Madhërishëm ka thënë: “ Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta). Sa herë që atyre u vjen nga Zoti i tyre ndonjë paralajmërim i ri, ata e dëgjojnë, duke u tallur me të. Zemrat e tyre janë të hutuara.” (El-Enbija’ 1-3)

Në vijim

Adhurues të Zotit! Mënyra dhe rruga më e mirë për të eliminuar pakujdesinë, neglizhencën është:  Frika ndaj Allahut të Plotfuqishmit, kthimi i sinqertë tek Ai, marrja e iniciativës për t’u penduar, përmbajtja nga gjynahet, kthimi i të drejtave dhe përgjegjësive tek të zotët e tyre, përpjekja në lutje, këmbëngulja dhe vendosmëria kundër vetes dhe marrja e vetes në llogari. I mençur është ai njeri që kontrollon veten e tij dhe e merr atë në llogari, dhe punon për pas vdekjes, për jetën e përtejme, Ahiretin. I dobët është ai njeri që ndjek dëshirat e tij  dhe shpreson tek Allahu pa punuar. Prandaj, merreni veten tuaj llogari para se të merreni në llogari,  peshoni vepra tuaja para se të ju peshohen, sepse do të jetë më e lehtë në llogaridhënie nesër nëse merrni vetet tuaja në llogari sot dhe përgatiteni për prezantimin më të madh para Allahut. “Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur.” (El-Hakka 18)

O ju muslimanë! Nga fatkeqësitë më shkatërruese dhe më serioze është humbja e dijetarëve. Umeti musliman është goditur nga ndarja nga jeta e njërit prej dijetarëve dhe predikuesve të tij të mëdhenj, shkëlqesisë së tij Shejh Abdul Aziz Bin Abdullah Ali Shejh, myftiu i këtij vendi. Zoti i Plotfuqishëm e mëshiroftë, ai jetoi në shërbim të Islamit dhe muslimanëve, luajti një rol të shquar në dhënien e fetvave, në udhëzimin dhe në drejtimin e umetit dhe në përhapjen e dijes. Ai u përkujdes për shqetësimet e fesë, i udhëzoi njerëzit, ishte i kujdesshëm për të bashkuar fjalën dhe radhët e muslimanëve. I lutemi Zotit ta mbulojë atë me mëshirinë e Tij të pafundme dhe ta vendosë në gradat më të larta me profetët, të sinqertët, dëshmorët dhe njerëzit e drejtë.

O Zot, na ndihmo që të bindemi Ty, na shpëto nga pakujdesia, neglizhenca, na frymëzo energji për të bërë vepra të mira dhe forcë për bindje, adhurime, dhe vepra të drejta. Na mbro nga pakujdesia dhe çdo gjë që zbeh entuziazmin dhe dobëson vendosmërinë.

O Zot, na dhuro mëshirë nga ana Jote dhe na udhëzo në çështjet tona.

O Zot, na bëj të palëkundur në bindjen ndaj Tënde dhe mos na bëj nga të pakujdesshmit, neglizhentët.

O Zot, na e bëj të dashur besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëj të urryer për ne mohimin, shthurjen dhe mosbindjen, dhe na bëj nga të udhëzuarit në rrugë të drejtë.

O Zot, na ndihmo që të kujtojmë, të falënderojmë dhe të adhurojmë Ty siç duhet.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty.

O Zot, bëje të paqtë, qetë dhe të sigurt këtë vend dhe të gjitha vendet  muslimane.

O Zot, përmirëso gjendjen e muslimanëve, rregullo marrëdhëniet në mes tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zot i botëve.

O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.

O Zot, jepi sukses nga suksesi Yt kujdestarit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, dhe mbështete atë me mbështetjen Tënde.

O Zot, jepi atij shëndet të mirë dhe mirëqenie, o Zoti i botëve.

O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, o Ti që i dëgjon lutjet.

O Zot, ruaj ushtarët tanë, mbroji kufijtë tanë, bashko forcat tona  dhe turpëro armikun tonë, o i Fortë, o i Plotëfuqishëm.

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje Muhamedin, familjen e tij të pastër, shokët e tij të drejtë dhe ne së bashku me ata, me Mëshirën Tënde, o i Plotëfuqishëm, o Falës i Madh.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/787286377242122

Post Author: endrit