Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 06-07-1447 H 26-12-2025 D
Shejh Muhamed Selim
Tema Familja dhe fëmijët në mes të sprovës dhe shpëtimit
Lavdërimet janë për Zotin, na ka paraljmëruar dhe na ka thënë: “Pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju. Allahu ka shpërblim të madh.” (Et-Tegabun 15)
O adhurues të Zotit! Mos i lini fëmijët dhe gratë tuaja të hanë pasurinë tuaj në këtë botë dhe të hanë veprat tuaja të mira në botën Tjetër, Ahiret. Mos ju bindni atyre në mosbindje ndaj Zotit, sepse ata janë sprovë dhe provë nga Zoti për ju.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai na urdhëroi të dëgjojmë atë që na këshillon dhe t’i bindemi atij në atë që na urdhëron dhe na ndalon të bëjmë. Zoti Fuqiplotë ka thënë: “…dëgjoni e binduni…” (Et-Tegabun 16) Prandaj, ne të dëgjojmë Ty, o Zoti ynë, ne të dëgjojmë, të dëgjojmë dhe të bindemi Ty, o Zoti ynë, të bindemi Ty.
Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, na ka udhëzuar që të mos i bindemi shejtanit dhe ka thënë: “ Shejtani i zuri pritë birit të Ademit në rrugën e besimit dhe i tha: “A do besosh dhe do braktisësh fenë tënde dhe fenë e të parëve të tu?” Ai nuk iu bind atij dhe besoi.” Hadithin e ka trasnmetuar Nesaiu dhe Ahmedi.
O muslimanë! Shejtani rri para jush në dy mënyra: Së pari, ju pëshpërit të braktisni aktet e bindjes dhe të kryeni gjynahe. Së dyti, ju nxit t’u bindeni grave dhe fëmijëve tuaj në mosbindje ndaj Zotit, ju shtynë të braktisni aktet e bindjes që Zoti ju ka urdhëruar të kryeni, duke kërkuar pranimin, kënaqësinë e bijve, bijave dhe grave tuaja. Ju e dini se nuk ka bindje ndaj asnjë qenieje të krijuar në mosbindje ndaj Zotit. O Zot, bëj shqetësimin tonë të vetëm bindjen ndaj Teje dhe kënaqësinë Tënde. O Zot, kthe zemrat tona drejt asaj që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur.
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dashurin tonë Muhamedin. O Zot fal dhe mëshiro familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij që mbështetën fenë dhe ata që i pasuan në mirësi deri në Ditën e Kijametit.
Në vijim
O ju besimtarë! Mola, krimbi i drurit, nëse depërton në trungun e pemës, e shkatërron dhe e vret atë. Njëjtë, bashkëshortja, bashkëshorti, djali dhe vajza të gjithë janë mola e bindjes tuaj ndaj Zotit tuaj nëse u bindeni atyre në kundërshtinë, mosbindje ndaj Zotit. Për këtë arsye, ka ardhur paralajmërimi i qartë nga Zoti për ju prej tyre, Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq midis grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre!”(Et-Tegabun 14)
O ju muslimanë! Shkaku i shpalljes së këtij ajeti fisnik është se disa burra nga Meka e pranuan Islamin dhe deshën të shkonin tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, por gratë dhe fëmijët e tyre refuzuan t’i linin të shkonin tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Kur erdhën tek i dërguari dhe panë se njerëzit kishin fituar njohje të mirë të fesë, menduan t’i ndëshkonin ata. Zoti i Plotëfuqishëm zbriti ajetin: “O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq midis grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre!”(Et-Tegabun 14)
O adhurues të Zotit! Armiqësia midis këtyre bijve dhe grave nuk është personale. Djali dhe vajza janë pjesë e babait, ai dhe ajo janë mishi dhe gjaku i tij. Bashkëshortja është shoqëruesja e tij në këtë botë, ai e zgjodhi atë për të ndarë jetën e tij me të në bindje ndaj Zotit dhe në kënaqësinë e Tij. Por armiqësia e djalit ndaj babait të tij, armiqësia e vajzës ndaj babait të saj, armiqësia e bashkëshortes ndaj bashkëshortit të saj, armiqësia e bashkëshortit ndaj bashkëshortes së tij dhe armiqësia e birit dhe bijës ndaj nënës së tyre, të gjitha këto armiqësi lindin nga veprimet e tyre. Nëse bashkëshortja dhe fëmija veprojnë si armiq, atëherë ata janë armiq.
Nuk ka akt armiqësie më të urryer sesa bashkëshortja dhe djali yt të qëndrojnë midis teje dhe bindjes ndaj Zotit të Plotfuqishëm. Kush i bindet bashkëshortes së tij duke mos iu bindur Zotit dhe ajo e pengon atë në binden ndaj Zotit të tij, ai është skllav i saj. Kush i bindet djalit dhe vajzës së tij, shkelën të shenjtat e Zotit për hir të tyre dhe braktisën bindjen ndaj Zotit për t’i kënaqur ata,ai është skllav i tyre i poshtëruar. Sa i mjerë është skllavi i bashkëshortes, sa i mjerë është skllavi i djalit dhe i vajzës, dhe sa e mjerë është bashkëshortja që kryen mosbindje ndaj Zotit të saj për t’iu bindur burrit të saj! Këta janë skllevër të kësaj bote dhe nuk ka asgjë të mirë në ta nëse nuk pendohen me pendesë të sinqertë.
O ju besimtarë! Ruajuni nga armiqësitë e bashkëshortëve dhe fëmijëve tuaj ndaj jush me veprimet e tyre që ju largojnë nga bindja ndaj Zotit. Mos i dëgjoni nëse ju kërkojnë të mos i bindeni Zotit dhe mos ju përgjigjni nëse duan që të heqni dorë nga bindja ndaj Zotit. Ruajuni prej tyre për veten tuaj në këtë botë duke u shkaktuar dëm në trupat tuaj dhe ruajuni prej tyre për veten tuaj që të mos ju dëmtojnë në fenë tuaj. Zoti ju ka porositur dhe paralajmëruar, prandaj bëni kujdes nga armiqësia e veprimeve të tyre. Bëni kujdes dhe kini frikë Zotin, kini frikë Zotin, në dashurinë tuaj për fëmijët tuaj dhe në dashurinë tuaj për bashkëshortet tuaja, që të mos ju shtyjnë të merrni atë që është e ndaluar për ta, ose të mos i bindeni Zotit dhe të shkoni kundër urdhrit të Tij, sepse kjo është pikërisht armiqësia për të cilën Zoti ka thënë: “O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq midis grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre!”(Et-Tegabun 14) Ripërtërini besimin në zemrat tuaja dhe ndërtoni jetën tuaj në bindje ndaj Zotit. Dijeni se vargu në të cilin Zoti ju paralajmëroi për bashkëshortët dhe fëmijët tuaj është i përgjithshëm në çdo gjynah që çdonjëri prej jush kryen për shkak të familjes dhe fëmijëve të tij.
O ju besitarë! Ruani fëmijët tuaj për botën Tjetër. Mësoni ata t’i binden Zotit dhe shpërbleni për këtë, paralajmëroni ata kundër mosbindjes ndaj Zotit dhe mos u dorëzo kërkesave të tyre. Në mënyrë që fëmijët tuaj të jenë burim veprash të mira që vazhdojnë pas vdekjes tuaj. Sikurse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kur vdes njeriu, ndërpriten veprat e tij, përveç në tre raste: Sadaka e vazhdueshme, dituria të cilën e lë pas, që të tjerët të përfitojnë prej saj, dhe fëmija i edukuar mirë, i cili do të lutet për të.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
O muslimanë! Ruani bashkëshortet tuaja për botën Tjetër. Silluni me to me mirësi, mundësojuani që t’i binden Zotit dhe qortoni ato nëse dëshirojnë të mos i binden Zotit ose e kërkojnë atë nga ju, në mënyrë që martesa të bëhet një akt bindjeje ndaj Zotit, jo mosbindjeje ndaj Tij, që ju dhe bashkëshortet tuaja të jeni në Xhenet në Ditën e Gjykimit, duke u mbështetur në fjalën e Zotit të Plotfuqishëm: “Ne do t’u bashkojmë besimtarëve pasardhësit e tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta.”(Et-Tur 21)
O adhurues të Zotit! O besimtarë! Nuk ka shthurje më të madhe sesa adhurimi i dëshirave dhe shejtanit, nuk ka shthurje më të përçmuar sesa bindja ndaj një krijese në mosbindje ndaj Zotit, dhe nuk ka humbje më të madhe sesa humbja e shpirtit tënd në Xhehenem në Ditën e Gjykimit. Kjo është arsyeja pse jeni paralajmëruar përsëri nga fëmijët, Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë për ju: “ O besimtarë! Mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.”(El-Munafikun 9)
O adhurues të Zotit! Të angazhuarit me pasuri dhe fëmijë është nga karakteristikat e hipokritëve. Zoti ju paralajmëron nga karakteri dhe veprat e tyre, duke ju thënë: Mos veproni siç veprojnë hipokritët duke lënë pas dore obligimet nga namazet dhe aktet e tjera të adhurimit. Mos lejoni që pasuria, puna dhe fëmijët tuaj t’ju angazhojnë nga bindja ndaj Allahut, Zotit tuaj, sepse kush ka këtë karakteristikë dhe veprimet e të cilit janë të tilla, do të jetë nga të humburit dhe të shkatërruarit. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ I mjerë është robi i dinarit, i mjerë është robi i dirhemit, i mjerë dhe i poshtëruar.”
O ju besimtarë! Në kohën e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, një burrë donte të shkonte tek i dërguari i Allahut, të pranonte Islmin dhe të mësonte rregullat e fesë, në mënyrë që t’i praktikonte ato dhe të shpëtonte veten nga mosbesimi dhe nga ndëshkimi i Zjarrit të Xhehenemit. E kundërshtonin atë bashkëshortja dhe fëmijët e tij dhe e pengonin të shkonte tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për të marrë mirësitë e fesë dhe shoqërinë e të dërguarit. Ata i thonin atij: “Ku shkon duke na lënë ne?” Pastaj, kur e përqafoi Islamin dhe kuptoi se kishte humbur kaq shumë të mira, nga mirësia e shoqërisë së profetit, paqja dhe mshira e Zotit qoftë mbi të, dhe nga të mësuarit e rregullave të Islamit, u zemërua jashtëzakonisht shumë dhe donte të ndëshkonte gruan dhe fëmijët e tij që e kishin vonuar nga kjo e mirë. Kështu Allahu shpalli fjalët e Tij: “ Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” (Et-Tegabun 14)
O muslimanë! Kjo përmban udhëzime për çdo baba ose bashkëshort, të cilin bashkëshortja e ka larguar, ose e kanë penguar fëmijët e tij, nga të vepruarit e atyre që Zoti e ka urdhëruar të bëjë, dhe ai nuk i ka plotësuar për t’i kënaqur ata, ose ata e kanë tunduar të mos i bindet Zotit, kështu që iu përgjigj atyre dhe nuk iu bind Zotit për hatër të tyre. Ky është udhëzim për të që t’i falë ata, në mënyrë që ai të mos i fajësojë ose ndëshkojë. Por të fillojë jetën e tij nga e para jetën me ta, duke zbatuar parimin e artë profetik që të shpëton nga zemërimi dhe ndëshkimi i Zotit, i cili është: “Nuk ka bindje ndaj një krijese në mosbindje ndaj Krijuesit.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi.
O ti baba, o ti bashkëshort, bëhu i guximshëm në respektimin e kufijve të shenjtë të vendosur nga Zoti dhe mos ji i pavëmendshëm. Mos ju bindni fëmijëve dhe grave të tuaja në mosbindjen ndaj Allahut, Zotit tuaj, Zoti ju ka paralajmëruar dhe ju ka thënë ju: “Pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju. Allahu ka shpërblim të madh.” (Et-Tegabun 15) Ndërsa në ether tregohet: “Një njeri do të sillet në Ditën e Gjykimit dhe do t’i thuhet: Familja e tij ia konsumoi veprat e mira.” Disa nga muslimanët e hershëm kanë thënë: “Familja është shkatërruese e veprave të mira.” O Allah, ne kërkojmë strehim tek Ti nga sprovat që të çojnë në humbje.
O besimtarë! O muslimanë! O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin dhe bëni kujdes prej Tij në atë që Ai ka bërë sprovë për ju, nga bashkëshortet, nga pasardhësit dhe nga pasuria. Bëni kujdes që tundimet e tyre të mos ju mposhtin. Bëni kujdes që ato të mos ju largojnë nga detyra juaj nga përkatësisa e vërtetë në këtë fe dhe të vepruarit sipas saj.
Ju nuk keni asnjë justifikim, sepse jeni në gjendje t’i drejtoni këto sprova nga pasuria, familja dhe fëmijët në përputhje me bindjen ndaj Zotit dhe kënaqësisë së Tij. Nxitoni t’i përgjigjeni fjalës së Allahut, Zotit tuaj: “…dëgjoni e binduni…” (Et-Tegabun 16) Dëgjimi i takon vetëm Zotit dhe të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, bindja i takon vetëm Zotit dhe të dërguarit të Tij. Pra, dëgjoni atë me të cilën këshilloheni dhe binduni asaj që ju urdhërohet dhe asaj që ju ndalohet. Kushtoni vëmendje asaj që ju është shpallur nga Libri i Zotit, Kurani, dhe asaj që ju ka ardhur nga i dërguari i Zotit.
Jepini përparësi bindjes ndaj Zotit dhe të dërguarit të Tij para bindjes ndaj familjes dhe fëmijëve. Jepini përparësi dashurisë për Zotin dhe të dërguarin e Tij para dashurinë për ta, që të fitoni dashurinë e Zotit dhe kënaqësinë e Tij, sepse kjo është më e mirë për ju sesa kjo botë dhe gjithçka që është në të.
Dijeni se i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka paralajmëruar për faktin se dashuria për fëmijët çon në koprraci dhe frikë. E këto dy tipare janë të papranueshme, nuk i shkojnë për shtat muslimanit besimtar. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë për fëmijët: “Ata janë fryt i zemrave dhe kënaqësia, drita, e syve, megjithatë janë gjithashtu burim frike, koprracie dhe hidhërimi.” Bëni kujdes që fëmijët tuaj, djemtë dhe vajzat, të mos jenë shkaku i neglizhencës dhe i largimit tuaj nga bindja ndaj Zotit, ose shkaku i kryerjes së gjynaheve që nuk e pëlqejnë Zotin tuaj. Ka ardhur në hadithin fisnik: “ Askush prej jush nuk beson vërtet derisa unë të jem më i dashur për të sesa fëmija i tij, babai i tij dhe i gjithë njerëzimi.”
O Zot, na furnizo me dashurinë për Ty dhe me dashurinë për të dërguarit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. O Zot, na bëj nga ata që i japin përparësi dashurisë së të dërguarit Tënd para dashurisë së të gjithë njerëzve. O Zot, kthe zemrat tona drejt bindjes dhe kënaqësisë Tënde, o më i Madhi Mëshirues. O Zot, na ruaj nga mosbindja ndaj Teje dhe nga shkuarja kundër urdhrit Tënd. O Zot, bëji fëmijët tanë nga veprat e mira që nuk pushojnë kurrë, bëji bashkëshortet tona çelësa të së mirës dhe mbyllëse të së keqes, na dhuro më të mirën e kësaj bote dhe të botës Tjetër, Ahiretit. Adhurues të Zotit! Zoti nuk i përgjigjet lutjes së një zemre të shkujdesur, të pavëmendshme, neglizhente ndaj Tij. Prandaj, luteni Zotin duke qenë të bindur në përgjigje!
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili përmes bindjes ndaj Tij na shpëton nga ndëshkimi i zjarrit të Xhehenemit.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, Mbrojtësi i njerëzve të devotshëm të drejtë.
Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i cili ka thënë: “ Asnjë baba nuk i ka dhënë fëmijës së tij një dhuratë më të mirë sesa sjelljet e mira.” O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, dhe ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
O ju baballarë! O ju bashkëshortë! Do jap dy shembuj rreth armiqësisë së bijëve dhe bashkëshorteve tuaja ndaj jush.
Shembulli i parë: Nëse marton djalin tënd dhe i organizon një festë të madhe bazuar në mungesë modestie, përzierje gjinish dhe këngë të turpshme të shoqëruara me muzikë, dhe nuk i bindesh Zotit duke qenë i kënaqur me atë që bën ai, atëherë dije se djali yt është armiku yt dhe dije se e ke zemëruar Allahun, Zotin tënd. Çfarë do t’i thuash Atij në Ditën e Gjykimit?
Shembulli i dytë: Nëse i bindesh bashkëshortes tënde në shkëputjen e lidhjeve me të afërmit e tu, shkëpute lidhjet me nënën, motrën, vëllain dhe të tjerët, duke braktisur çdo lidhje me ta për ta kënaqur atë. Nëse ia vë veshin gruas tënde dhe i dëgjon fjalët e saj të liga, u armiqësove me familjarët, fqinjët dhe miqtë e tu për shkak të pëshpëritjeve të saj në të keqe, atëherë dije se bashkëshortja jote është armikja jote dhe dije se e ke zemëruar Allahun, Zotin tënd. Kush do jetë justifikimi yt kur të dalësh para Zotit për gjykim? Atë ditë, nuk do të ketë përkthyes midis teje dhe Zotit.
Peshoni, matini të gjitha veprimet tuaja me këto dy shembuj, në mënyrë që të shikoni se shpërbërja e familjes së shenjtë dhe rënia e shoqërisë drejt humnerës, nga arsyet e rëndësishme, kanë bindjen tuaj ndaj bashkëshorteve dhe fëmijëve në mosbindje ndaj Zotit.
A nuk janë konfliktet midis jush, në të cilat dhunohet gjaku dhe pasuria, për shkak të kësaj? A nuk është përhapja e ndërprerjeve të lidhjeve familjare midis jush, për shkak të kësaj? A nuk është braktisja e vlerave dhe moralit fetar nga disa vajza, të rinj dhe gra vetëm se për shkak të kësaj?
Zoti ju mëshiroftë! Më tregoni, ku jeni duke shkuar me fenë, moralin dhe vlerat e tuaja? Më tregoni: A po ndërtojnë familjet dhe shoqëria midis nesh murin e qëndresës në fe dhe vlera, apo po e shembin atë me veprat dhe veprimet e tyre të këqija? A nuk është shpërbërja e vlerave dhe moralit fetar që shohim në shtëpi, në rrugë, në shkollë, në xhami dhe në institucione, një zile paralajmëruese për ju që çdo baba dhe bashkëshort, nënë dhe bashkëshorte, edukator dhe edukatore të përmbushni detyrën e tij ndaj xhamisë Aksa? Xhamia Aksa dëshiron djalin e drejtë, vajzën e devotshme, bashkëshorten që bashkon dhe nuk përçan, babain që ndërton dhe nuk shkatërron dhe brezin që ruan vlerat.
O ju baballarë! O ju bashkëshortë! Mos hiqni dorë nga autoriteti juaj mbi bashkëshortet dhe fëmijët tuaj dhe mos nxirrni justifikime për pamundësinë tuaj për ta bërë këtë, siç e shohim sot nga shkujdesja morale dhe në sjellje e disa fëmijëve dhe grave.
O adhurues të Zotit! Lënia e babait që gjërat të shkojnë keq pa marrë kontrollin e situatës është një nga arsyet e shthurjes së shoqërisë Palestineze, përhapjes së kaosit dhe çrregullimit brenda saj.
O ti bashkëshort! O ti baba! O ti bashkëshorte! O ti nënë! Dëgjoni Allahun, Zotin tuaj, kur Ai thotë: “Por, kur të vijë Ushtima, atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai, nga e ëma dhe nga i ati, nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet. Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë.”(‘Abese 33-37) Të gjithë do ikin nga njëri-tjetri, nga frika se do të mbahen përgjegjës për pasojat. Mosbindja ndaj Zotit për hir të fëmijës dhe bashkëshortes është një pasojë për të cilën do t’ju pyesin në Ditën e Llogarisë. Mosrespektimi i urdhrave të Zotit tuaj për hir të kënaqësisë së tyre është një pasojë për të cilën ata do t’ju ndjekin në Ditën e Gjykimit. Pra, mos lejoni që familja dhe pasardhësit tuaj të bëhen armiqt tuaj për shkak të veprave të tyre të shëmtuara.
O besimtarë! O njerëz të Islamit! O njerëz të fesë! O njerëz të Kudsit! Kudsi është i shenjtë, nuk do të pranojë prej jush përveç burrin, të cilin e shenjtërojnë veprat e tij duke iu bindur Zotit dhe duke braktisur gjynahet e tij. Po kështu, Kudsi i shenjtë nuk do të pranojë përveç gruan, të cilën e shenjtëron bindja ndaj Zotit të saj. Xhamia Aksa është e bekuar, ajo nuk pranon prej asnjërit prej jush, qoftë i vjetër apo i ri, përveçse nëse ai është i bekuar me bindjen e tij ndaj Zotit dhe të dërguarit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
Si mund të jetë ndonjëri prej jush i bekuar kur besnikëria juaj qëndron tek dëshirat e pasardhësve dhe epshet e bashkëshortes?! Përmirsoni rrugën tuaj me pastrimin e jetës tuaj nga gjithçka që nuk i pëlqen Zotit. Ashtu siç udhëtoni për në xhaminë Aksa duke kërkuar kënaqësinë e Zotit, ashtu kushtojani zemrat tuaja fesë suaj. Mos i jepni përparësi fëmijëve, bashkëshorteve apo pasurisë para qëndrueshmërisë tuaj në bindjen ndaj Zotit dhe të dërguarit të Tij. “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga Zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.”(Et-Tahrim 6)
O Zot, bëji fëmijët tanë thesar për xhaminë Aksa dhe burim krenarie dhe lavdie në Kuds! O Zot, përmirëso veten tonë për ne! O Zot, përmiërso pasardhësit tanë për ne! O Zot, përmirëso bashkëshortet tona për ne! O Zot, përmirëso vëllezërit dhe motrat tona në Kuds dhe rrethinat e tij!
O Zot, lehtëso shqetësimet tona dhe shqetësimet e muslimanëve, largo shqetësimet tona dhe shqetësimet e muslimanëve. O Zot, jepu muslimanëve lehtësim nga çdo shqetësim, rrugëdalje nga çdo vështirësi dhe shpëtim nga çdo fatkeqësi.
O Zot, ndihmo fenë Tënde, udhëzo robërit e Tu drejt asaj që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur. O Zot, mbro xhaminë tonë Aksa me mbrojtjen Tënde dhe na jep mundësinë të shkojmë atje në çdo kohë.
O Zot, ndihmo Islamin dhe muslimanët, lartëso fjalën e vërtetë dhe fenë.
O Zot, mundëso shlyerjen e borxheve nga borxhlinjtë, mundëso lirinë e të burgosurve dhe pengjeve.
O Zot, na jep më të mirën nga ajo që u jep atyre që të kërkojnë, bashko për ne të mirat e kësaj bote dhe fenë, na fal ne, prindërit tanë dhe të gjithë muslimanët.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë e Ai do ju japë më shumë, kërkoni falje prej Tij sepse Ai ju falën.
Ti që fton për namaz, fto në namaz!
“…Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj