Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 20-07-1447 H 09-01-2026 D
Shejh Jaser Ed-Dosari
Tema Përfitime dhe mësime nga Surja Kaf
Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71)
Në vijim
Vërtetë fjala më e saktë është Libri i Zotit, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, çështjet më të këqija janë ato që shpiken rishtazi në fe, çdo çështje e shpikur rishtaz është bidat dhe çdo bidat është devijim.
O muslimanë! Një sure nga suret e Kuranit ka përfshirë objektivat më të mëdha të Islamit dhe qëllimet e tij më sublime. Sure që dëshmon për të vërtetën e mesazheve të profetëve, paqja e Zotit qoftë mbi ta, hedh poshtë dyshimet e jobesimtarëve dhe të devijuarve, vërteton provat e ringjalljes dhe gjykimit me prova bindëse dhe zbulon skenat e vdekjes dhe të llogaridhënies informim dhe këshillim për ata që kanë mend. Ajo është Surja Kaf, në ajetet e së cilës do ndalojmë sot, të nxjerrim domethënien e saj, të thellohemi në qëllimet dhe në kuptimet e saj. “Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” (Kaf 37) I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, shpesh i këshillonte njerëzit me këtë sure në festa, tubime, sezone dhe ngjarje. Transmetohet nga Umu Hisham, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Unë nuk e ka marrë, mësuar: “ Kâf. Betohem në Kuranin e lavdishëm!” (Kaf 1), suren Kaf, vetëm se përmes gojës së të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që e recitonte, lexonte atë çdo të premte në minber kur u ligjëronte njerëzve.” Hadithi është transmetuar nga Muslimi.
O ju besimtarë! Zoti i Plotfuqishëm e filloi këtë kapitull me një shkronjë nga shkronjat e ndara, të cilat mbartin kuptime dhe tregues, shtrirja, domethënia dhe qëllimi i të cilave dihen vetëm nga Zoti. Më pas Zoti u betua në Kuranin e Lavdishëm dhe e pasoi këtë me shpjegim të habisë së politeistëve ndaj misionit të profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe mohimin e tyre të ringjalljes dhe Ditës së Gjykimit. Zoti i Lartësuar ka thënë: “Kâf. Betohem në Kuranin e lavdishëm! Po! Ata çuditen që nga gjiri i tyre u ka ardhur një paralajmërues, kështu që mohuesit thonë: “Kjo gjë është e çuditshme. Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi pluhur (do të ringjallemi sërish)? Ai kthim është i largët!” Ne e dimë sa prej tyre i merr toka, tek Ne është Libri i ruajtur. Mirëpo, ata e mohojnë të Vërtetën kur u vjen, kështu që ata janë në gjendje të turbulluar.” (Kaf 1-5)
Kështu, fillimi i sures erdhi për të qortuar politeistët për mohimin e ringjalljes dhe refuzimin e së vërtetës, me një stil të vendosur dhe të fortë, dhe me një shpjegim të hartuar mirë dhe të qëndrueshëm. Pastaj erdhën provat për të vërtetuar ringjalljen dhe se ajo nuk është më e madhe se fillimi i krijimit të qiejve dhe asaj që është në to, se krijimi i tokës dhe asaj që është në të. Zoti ka përhapur në univers shenja të qarta të cilat, nëse do t’i kishin menduar, do i ishin tërhequr nga kundërshtitë e tyre dhe do të ishin larguar nga gabimi i tyre. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “A nuk e shohin ata qiellin që qëndron sipër tyre, si e kemi ndërtuar dhe zbukuruar, pa pasur kurrfarë plasaritje në të? Ndërsa Tokën e kemi shtruar dhe në të kemi shpërndarë male të palëvizshme dhe kemi bërë, që nga ajo, të mbijë çdo lloj bime e bukur, si mjet ndriçimi (të mendjes) dhe përkujtesë për çdo rob që i drejtohet Zotit të vet.” (Kaf 6-8)
Pastaj Zoti sjellën shembull të ringjalljes dhe tubimit të madh duke ringjallur tokën e vdekur, tharë. Kur Zoti lejon që retë të bien shi dhe toka të mbijë, faqja e saj bëhet e gjelbër, lulet e saj çelin dhe ajo jep frytet e saj. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ne lëshojmë nga qielli ujë të bekuar dhe nëpërmjet tij krijojmë kopshte, drithëra që korren dhe palma hurme të larta me tufa frutash njëra mbi tjetrën, si ushqim për robërit Tanë; në këtë mënyrë Ne me shi e ringjallim tokën e vdekur. E kështu do të jetë edhe ringjallja.” (Kaf 9-11) Ringjallja e tokës pas vdekjes, tharjes së saj është dëshmi e ringjalljes së njeriut pas vdekjes së tij. Vërtetë ajo është një argument i shkëlqyer dhe provë e qartë. Por ata njerëz ndoqën rrugët e atyre që ishin para tyre, kështu që nuk besuan në shenjat e Zotit padrejtësisht, dhe ishin të verbër dhe të shurdhër ndaj përfitimit nga Kurani. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Para tyre ka mohuar populli i Nuhut, banorët e Ressit dhe fisi Themud, edhe fisi Ad, Faraoni dhe vëllezërit e Lutit, edhe banorët e Ejkës, edhe populli i Tubbas; të gjithë ata i quajtën gënjeshtarë të dërguarit, prandaj kundër tyre u përmbush dënimi Im. Vallë, a mos u lodhëm Ne gjatë krijimit të parë? Jo, por ata dyshojnë në krijimin e sërishëm.”(Kaf 12-15)
Pastaj Krijuesi i Gjithëdijshëm pohon veçantinë e Tij në krijim, njohurinë e Tij për qenien njerëzore dhe atë që ai përmban nga ambicja, vullneti dhe pëshpëritja e fshehur. Zoti ka thënë: “Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet.”(Kaf 16) Kjo i bën thirrje njeriut të jetë i vetëdijshëm për Krijuesin e tij, i Cili është i Ditur për ndërgjegjen dhe mendimet e tij më të thella, dhe që është pranë tij në të gjitha rrethanat. Prandaj njeriu turpërohet prej Tij kur mungon në vendin që Ai e urdhëroi të ishte, ose ta gjejë atë aty ku e kishte të ndaluar të ishte dhe e kishte qortuar.
Zoti i ka caktuar njeriut dy Melek për të shënuar veprat e tij, e ata kurrë nuk janë të pa informuar për to. Zoti i Lartësuar ka thënë: “Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf 17-18) Ai është një vëzhgim i vazhdueshëm, në vetmi dhe në publik, në lëvizje dhe qëndrim. Por shumë nga të pabindurit janë të pavëmendshëm ndaj kësaj dhe neglizhentë ndaj pasojave të saj, derisa të vijë koha e caktuar dhe frika nga dhembjet e vdekjes të intensifikohet, të vijë ora e ndarjes, dhe këmbët do të ngrijnë, pastaj i pakujdesshmi pendohet por nuk ka shpëtim. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Agonia e vdekjes do të sjellë të vërtetën (e jetës tjetër): ja, kjo është ajo së cilës përpiqeshe t’i largoheshe.”(Kaf 19)
Pastaj robi mbetet për aq kohë sa Zoti dëshiron që ai të qëndrojënë varr, derisa të vijë Dita kur të nxirren jashtë ata që gjenden në varre dhe të dalë në shesh ajo që është në gjokse. Në atë kohë merr fund padrejtësia dhe vendoset drejtësia, njerëzit merren në llogari dhe vendosen peshoret e veprave, publikohne regjistrat, sillen dëshmitarët dhe flasin gjymtyrët. Melaiket i çojnë njerëzit në vendin e tubimit dhe melaiket shkrues dëshmojnë kundër tyre. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Dhe do të fryhet në Sur – kjo është Dita e kërcënimit. Çdo shpirt do të vijë i shoqëruar me një (engjëll) grahës dhe një (engjëll) dëshmitar. (Mohuesit do t’i thuhet): “Ti ke qenë i pavëmendshëm për këtë. Tashti ta kemi ngritur perden (e syve), dhe shikimi yt sot është i mprehtë”. E shoqëruesi i tij (engjëll) do të thotë: “Këtu është (shënimi i veprave të tij) që kam gati”. (Do t’u thuhet:) “Hidhni në Zjarr çdo njeri jobesimtar, kryeneç, pengues të të mirave, shkelës dhe dyshues (në fe); çdo njeri që ka besuar në zot tjetër, përveç Allahut. Kështu pra, flakeni atë në dënimin më të rëndë!”(Kaf 20-26) Më pas njeriu fajëson shokun e tij që e çoi në rrugë të gabuar, por shoku e mohon atë dhe mohon se e ka joshur, duke thënë: “O Zoti ynë, unë nuk e kam mashtruar atë, por ai vetë ka qenë në humbje të madhe.”(Kaf 27) Zoti do ta përfundojë atë mosmarrëveshje me një fjalë vendimtare dhe gjykim të drejtë, sepse kërcënimi ka paraprirë dhe paralajmërimet janë lëshuar për shërbëtorët. “Atyre (Allahu) do t’u thotë: “Mos u grindni para Meje, Unë ju kam paralajmëruar me kohë. Fjala ime nuk ndryshohet dhe Unë nuk jam i padrejtë me robërit e Mi.”(Kaf 28-29)
Ndërsa në njërën nga skenat më madhështore të Ditës së Ringjalljes, një zjarr pothuajse shpërthen me tërbim të madh dhe i kërkon Zotit të tij më shumë. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Atë Ditë Ne do ta pyesim Xhehenemin: “A u mbushe?” e ai do të përgjigjet: “A ka edhe më?”(Kaf 30) Transmetohet nga Enes Ibn Malik, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Xhehenemi do të vazhdojë të jetë i mbushur dhe do të thotë: A ka më? Derisa Zoti i Lavdishëm të vendosë këmbën e Tij në të, dhe një pjesë e tij do të tërhiqet prapa dhe do të thotë: Mjaft, mjaft!” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Nga ana tjetër, ekziston një skenë madhështore e nderimit të robërve të devotshëm të Zotit dhe ajo çfarë Ai ka përgatitur për ata nga lumturia e përjetshme. Xheneti u afrohet gjithnjë e më shumë atyre në mënyrë që ata ta shikojnë dhe të shtohet përmallimi i tyre për të para se të hyjnë në të. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Dhe jo larg prej aty, Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm, (që do t’u thuhet:) “Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe ruajtur (nga gjynahet), që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu).” (Kaf 31-33) Çfarë gëzimi për ta kur do t’u thuhet: “Hyni në të (Xhenet) me paqe e siguri. Kjo është Dita e amshimit!”(Kaf 34) Xheneti është vend sigurie dhe paqeje, në të nuk ka keqdashje, nuk ka largim nga njëri-tjetri dhe nuk ka grindje. “Lutja e tyre aty do të jetë “Qofsh i lavdëruar, o Zot!”. Përshëndetja e tyre do të jetë selami…” (Junus 10)
Ata do të kenë aty atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe mendja njerëzore nuk e ka konceptuar. Më e madhja, më sublimja dhe më e mira nga këto është shikimi i fytyrës së Zotit Bujar, të kënaqurit duke dëgjuar fjalët e Tij dhe me afërsinë e Tij. Zoti i Lartësuar ka thënë: “Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë.” (Kaf 35)
Adhurues të Zotit! Zoti na begatoftë me Kuranin Famëlartë dhe me udhëzimin e zotërisë së të dërguarve, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin i Cili e zbriti Kuranin udhëzim për të devotshmit, mëshirë dhe këshillë për besimtarët dhe mësim për ata që janë të vëmendshëm.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.
Në vijim
O muslimanë! Pas paralajmërimeve dhe kërcënimeve të mëparshme, surja kalon nga arsyetimi në frikësim, duke u kujtuar njerëzve fatin e atyre që nuk besuan nga popujt e mëparshëm dhe epokave të kaluara. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ Eh, sa breza shumë më të fuqishëm Ne i kemi shkatërruar para tyre! Ata brodhën nëpër Tokë, po a mund të gjenin strehim?! Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.”(Kaf 36-37)
Pastaj Zoti e bën të qartë se krijoi qiejt dhe tokën dhe çfarë është midis tyre në gjashtë ditë, dhe Ai nuk u prek nga asnjë lodhje apo rraskapitje. Prandaj, Ai që i solli në ekzistencë me gjithë madhështinë e tyre është në gjendje t’i rikrijojë dhe t’i ringjallë ato. Me të vërtetë, kjo është më e lehtë për Të, Zotit i përket shembulli më i lartë. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “ Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre për gjashtë ditë, pa ndier lodhje aspak.”(Kaf 38) Pavarësisht kësaj, mohuesit përgënjeshtruan dhe kundërshtuan, refuzuan besimin, andaj erdhi udhëzimi hyjnor për profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që të jetë i duruar përballë kundërshtive të politeistëve dhe të angazhohet me madhërim dhe përkujtim të Zotit në çdo kohë. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ Andaj, duroje atë që thonë ata, madhëroje Zotin tënd e falënderoje Atë para lindjes së diellit dhe para perëndimit. Madhëroje Atë edhe në një pjesë të natës, edhe pas faljes së namazit.” (Kaf 39-40)
Pastaj sureja kthehet për të na kujtuar skenat e Ringjalljes, Ditën kur thirrësi thërret, i fryhet surit dhe të vdekurit ringjallen nga varret e tyre. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Dhe vëri veshin thërritësit që thërret prej një vendi të afërt, Ditën, kur ata do ta dëgjojnë thirrjen e vërtetë, ajo do të jetë Dita e Daljes (ringjalljes). Jemi Ne që japim jetën dhe vdekjen. Te Ne do të kthehet çdo gjë! Atë Ditë, toka do të hapet e ata do të dalin me nxitim. Për Ne është e lehtë t’i mbledhim ata të gjithë.”( Kaf 41-44)
Nga se Kurani i Madhërishëm është burimi i shpëtimit dhe lumturisë, lidhja midis besimtarit dhe Njohësit të të padukshmes dhe të dukshmes, surja filloi me një betim për të, Kuranin, dhe përfundoi me përkujtim, këshillim përmes tij. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “ Ne e dimë mirë çfarë thonë ata, por ti nuk do t’i detyrosh ata me dhunë (që të besojnë). Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!” (Kaf 45) Çfarë hapje brilante dhe mbyllje përfekte!
Lutuni dhe përshëndeteni të dërguarin mëshirë për të gjithë njerëzimin, Muhamedin të birin e Abdullahit, për atë janë lutjet dhe përshëndetjet më të mira, sepse për këtë jeni të urdhëruar në fjalën e qartë, Kuran, Mëshirëploti dhe i Gjithëmëshirshmi ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
Transmetohet nga Aus ibn Ausi, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “E premtja është një nga ditët tuaja më të mira, prandaj shtoni lutjet tuaja ndaj meje në atë ditë, sepse lutjet tuaja më paraqiten mua.” Hadithin e ka transmetuar Ebu Daudi.
O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.
O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, në të dy botët me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, udhëheqësit e drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë shokët e profetit, me tabi’inë dhe ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit, dhe me ne së bashku me ata, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, bëje Kuranin Famëlartë pranvetë të zemrave tona, dritë për gjoksave tona, lehtësim të hidhërimeve tona, largim të shqetësimeve dhe anktheve tona, udhërrëfyes dhe udhëheqës për ne drejt Teje dhe drejt Xheneteve të Tua, Xheneteve të Amshuara.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë.
O Zot, bëje këtë vend të paqtë, të sigurt dhe të begatë, dhe të gjitha vendet e muslimanëve, o Zoti i botëve.
O Zot, mbështete me të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin të çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, mbretin Selman, dhe zëvendësin e fronit të tij, princin Muhamed Ibn Selman. Jepu sukses atyre të dyve në atë që do dhe je i kënaqur, në atë që është në dobi të vendit dhe popullit, dhe në atë që është lavdia dhe fuqizimi i Islamit dhe muslimanëve. Shpërbleji në emrin tonë dhe në emër të Islamit dhe muslimanëve me shpërblimin më të mirë, o Zot i tokës dhe i qiejve.
O Zot, ruaj dhe ndihmo njerëzit e sigurisë tonë dhe ushtarët tanë në kufijtë tanë, ruaj ata me mbrojtjen Tënde dhe mbuloi ata me kujdesin Tënd, ji për ata mbështetje dhë ndihmë, mbikqyrje dhe mbrojtje. Mbroji ata nga ajo që është para dhe pas tyre, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, nga sipër tyre dhe kërkojmë mbrojtjen në madhështinë Tënde që të mos vriten nga poshtë tyre, o Zot i botëve.
O Zot, të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë, jepu atyre siguri, mbrojtje, paqe dhe qetësi. O Zot, mbro xhaminë Aksa, bëje atë të fortë dhe krenare deri në Ditën e Gjykimit.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, të Lartësuar dhe Bujar, Ai ju kujton ju.
Përkujtimi i Allahut është gjëja më e madhe.
Allahu është i Ditur për çfarë veproni.
Afrim Smakaj