Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 11-08-1447 H 30-01-2026 D
Shejh Abdul Bari Ibn Avad Eth-Thubejti
Tema Puna e caktuar, profesioni, është adhurim, amanet dhe përgjegjësi
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e ka bërë jetën e muslimanit të gjithën adhurim, i ka dhuruar atij bekimin më të madh, besimin, dhe ka hapur për të portat e udhëzimit.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, Atij i përket sundimi, për Atë janë të gjitha lavdërimet, në dorën e Tij është çdo çështje dhe tek Ai kthehet gjithë sovraniteti. Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, përcolli mesazhin, ngriti për umetin rrugën e prosperitetit dhe, me lejen e Zotit të tij, ishte imam drejtues. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij, për sa kohë që do të mbetet dikush që e mbron këtë fenë.
Në vijim
Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit, përmes të cilës përmirësohen zemrat, veprat bëhen të drejta dhe shpëtojnë robërit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
Profesion është puna e vazhdueshme në të cilën puntori kalon një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij. Ai shkon në të çdo ditë dhe e lë atë çdo mbrëmje. Kjo gjë, me kalimin e kohës, mund të shndërrohet në një zakon monoton, në të cilën nga një herë futet mërzia dhe nga një herë përzihet me të përtacia. Por se në peshoren e Islamit, puna, profesioni, ka një kuptim tjetër. Kur punonjësi, profesionisti, lë shtëpinë e tij me qëllimin për të shkuar në një vend adhurimi, atëhere koha e punës së tij kthehet në kënaqësi, arritjet në punë janë lumturi për të, përpjekja e ushtruar bëhet një akt përkushtimi dhe orët e saj bëhen burim shpërblimi. Me anë të zotërimit, përsosjes së profesionit, ai ngjitet në radhët e adhuruesit, i zgjërohet zemra, ndizet ambicia e tij dhe ai jep më të mirën e tij. Ai gjen gëzim në përmbushjen e nevojave të njerëzve dhe jo mundim, sepse ai punon për Zotin përpara se të punojë për njerëzit. Kush është i frikësohet Zotit në punën e tij ndikimi i tij do të lartësohet dhe do të bekohet në përpjekjet e tij.
Çdo profesion, pavarësisht se sa i lartë ose i ulët mund të duket në sytë e njerëzve, është një gur themeli në ngritjen e vendit dhe të popullit. Predikuesi në xhaminë e tij, mësuesi në klasën e tij, mjeku në klinikën e tij, inxhinieri në ndërtimin e tij, njeriu i sigurisë në pozicionin e tij dhe administratori në departamentin e tij. Të gjithë këta dhe të tjerë luajnë një rol dhe përmbushin një mision, ku përmes tyre përparon shoqëria, lulëzon zhvillimi, forcohen themelet dhe jeta bëhet e qëndrueshme.
Profesioni nuk është marrëveshje administrative që përfundon me praninë fizike dhe me kalimin e kohës së caktuar, por se është besëlidhje besimi dhe barrë përgjegjësie, për të cilën i zoti i saj do të pyetet në Ditën e Gjykimit. Orari i punës është emanet, orët e saj janë një emanet, marrëdhëniet e njerëzve janë emanet, sekretet e tyre janë emanet dhe nevojat e tyre janë emanet.
Kush e ndjen madhështinë e këtij emaneti dhe kësaj përgjegjësie nuk do të preki interesat e njerëzve, nuk do ta vonojë shërbimin ndaj tyre dhe nuk do ta shtyjë padrejtësisht përfundimin e punës së tyre. Përkundrazi, ndërgjegjja e tij e gjallë dhe frika e tij nga Zoti do ta shtyjnë atë në kryerjen detyrës së tij me ndershmëri dhe t’u japë të gjithëve atë që u takon.
Profesioni, në realitet, është një shërbim ndaj njerëzve dhe ky është nder i madh, por se është nga veprat më të dashura tek Zoti, sikurse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Njerëzit më të dashur tek Zoti janë ata që janë më të dobishëm për njerëzit, shoqërinë.” Hadithi është transmetuar nga Taberaniu dhe Bejhekiu.
Shpërblimi është i madh dhe peshoret e veprave të mira bëhen të rënda, kur njeriu është në një pozicion ku përfitimi e tejkalon veten e tij në një aspekt më të gjerë. Si për shembull, mësuesi, duke edukuar të rinjtë, ndërton breza, inxhinieri, duke zhvilluar infrastrukturën, lehtëson jetën, mjeku, duke shëruar plagët, ringjall shpresën dhe lehtëson dhimbjen, administratori, duke lehtësuar punët e njerëzve, lehtëson barrën e tyre, njeriu i sigurisë në pozicionin e tij mbron atdheun dhe ruan kombin.
Çdo çast në të cilin ndihmon dikë dhe çdo përpjekje që bën për të përmbushur nevojat e njerëzve, është një akt i fshehtë adhurimi. Ai regjistrohet në librin tënd të veprave dhe peshohet në favorin tënd në Ditën e Gjykimit. Atje, asnjë vepër e mirë nuk humbet, asnjë përpjekje nuk kalon pa u vënë re dhe asnjë akt mirësie nuk harrohet.
Nga ligjshmëritë e vendosura të Zotit, e ligjet e Tij nuk ndryshojnë, është që Zoti e trajton njeriun ashtu siç ai vetë i trajton njerëzit. Shpërblimi është nga i njëjti lloj i veprës. Kush ua lehtëson gjërat njerëzve, Zoti do t’ia lehtësojë gjërat e tij. Kush ndihmon dikë në nevojë, Zoti do ta ndihmojë atë. Kush ka mëshirë për një person të dobët ose të pikëlluar, Zoti do ta mëshirojë atë. Nëse shpërblimi shtyhet për në botën Tjetër, Ahiret, shenjat përgëzuese të tij shpejtohen në këtë botë, siç janë; qetësi në zemër, bekime me fëmijë dhe shëndet, sukses në përpjekje dhe një mbyllje e mirë në fund.
Nga manifestimet, shfaqjet, më specifike të këtij bekimi, dhe më të afërtat me jetën e përditshme të njerëzve janë mirësia e ushqimit dhe shtimi i furnizimit. Profesionisti që kërkon atë që është e ligjshme gjatë orarit të tij të punës e di se kafshata që i ofron familjes së tij është përzier me djersën e sinqeritetit, duke merituar kështu mbrojtjen dhe kujdesin e Zotit.
Sikurse profesioni, puna është një akt adhurimi, ashtu edhe mbrojtja e saj nga çdo njollë e të ndaluarës ose neglizhencës është thelbi i atij adhurimi. Përmes saj, jeta bëhet e këndshme, lutjet marrin përgjigje dhe kënaqësia gjendet në gjëra të vogla përpara atyre të mëdhave.
Nga ana tjetër, kush ua vështirëson gjërat njerëzve duke ua vonuar transaksionet ose është i ashpër me ta në procedurat e tyre, Zoti do t’ia vështirësojë gjërat e tij. Kjo është ligjshmëria e Zotit dhe ligjet e Tij nuk favorizojnë askënd. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është lutur duke thënë: “O Zot, atij që i janë besuar çështje që kanë të bëjë me umetin, popullin tim dhe ua vështirëson atyre gjërat, vështirësoja edhe Ti atij. Kujt i është besuar ndonjë çështje që ka të bëjë me umtin tim dhe është i sjellshëm me ta, Ji i Butë me të.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi nga hadithet e Aishes, Zoti qoftë i kënaqur me të.
Kur një profesionisti ndien se është i angazhuar në adhurim, ai kultivon durim të mir dhe e hap zemrën ndaj nevojave të njerëzve, duke përvetësuar butësinë që e zbukuron dhe e përmirëson punën. Kjo përfshin buzëqeshje në fytyrë, fjalë të mira, dëgjim të tyre me vëmendje, lehtësim të procedurave dhe kujdes ndaj të moshuarve, nevojtarëve dhe atyre në vështirësi. I dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Ku do gjë gjendet mirësia vetëm se e zbukuron atë, ku ajo mungon vetëm se e turpëron atë gjë.” Transmetuar nga Muslimi nga hadithet e Aishes, Zoti qoftë i kënaqur me të.
Pastaj vjen përulësia, që është një ngritje e vërtetë dhe një status i lartë që ndihet në zemra përpara se të shihet nga sytë. Punonjësi i përulur e shikon pozicionin si një mjet për t’u shërbyer njerëzve, jo si një platformë arrogance. Ai nuk bën dallim midis të madhit dhe të voglit, as midis personit me prestigj dhe personit të thjeshtë.
Kjo ishte rruga e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, më i larti nga njerëzit në status dhe më i sjellshmi. Ai ecte me gratë e veja dhe të varfrit, plotësonte nevojat e tyre dhe u shërbente të gjithëve. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë…” (El-Furkan 63)
Zotit të Plotëfuqishëm i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, vërtet, Ai është Falësi i madh, Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Lavdërimi i takon Allahut, i Cili e ka emëruar njeriun si mëkëmbës të Tij në Tokë dhe e bëri kryerjen e urdhrit të Tij detyrë. Zotin e Lartësuar e lavdëroj, kërkoj ndihmën dhe faljen e Tij me përulësi dhe bindje.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, Atij i takon sundimi, lavdërim dhe madhështia e përsosur në zemra. Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij, porta e mëshirës dhe e ndërmjetësimit. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshtë mbi të, familjen dhe shokët e tij, përmes tyre u ruajt feja dhe zgjati paqja.
Në vijim
Ju këshilloj juve dhe veten time që ta kemi frikë Zotin, sepse ajo, frika dhe devotshmria ndaj Tij, është ushqimi i zemrave, shkaku i suksesit dhe rruga drejt shpëtimit.
Bazuar në sa më sipër: Le ta dijë çdo punonjës se jeta në profesion nuk është vetëm ditë që kalojnë dhe pastaj harrohen, përkundrazi, është një faqe e regjistruar, një dokument i shkruar që pret të zotin e saj ditën që takon Zotin. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele 7)
Lutuni dhe përshëndeteni profetin e udhëzimit dhe mëshirës, dritën e zemrave dhe ndriçuesin e rrugës, atë që Zoti e lartësoi në Mbretërinë e Tij më të lartë dhe e nderoi në kuvendin e Tij më të lartë dhe tha: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, sa numri i lutjeve të ofruara nga ata që e kujtojnë atë dhe sa ata që harrojnë dhe neglizhojnë ta përmendin atë.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, përmirëso gjendjen e tyre, bashko fjalën e tyre, ji mbështetës, ndihmës dhe mbrojtës i tyre. O Zot, mbroji ata në Palestinë, jepu fitore kundër armikun Tënd dhe armikun të tyre, agresorëve sionistë, mbro xhaminë Aksa, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar.
O Zot, të lutemi të na japësh Xhenetin, dhe atë që na afron me të prej fjalëve dhe veprave. O Zot, të lutemi të na mbrosh prej zjarrit, dhe çfarë na afron me të prej fjalëve dhe veprave.
O Zot, na përmirëso në fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që është vendqëndrimi i përkohshëm për ne, dhe përmirëso jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje.
O Zot, na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën, na mbro nga poshtërimi në këtë botë dhe ndëshkimi në botën Tjetër.
Mëshiro të vdekurit tanë, shëro të sëmurët tanë, lehtëso punët tona dhe shto besimin, udhëzimin dhe suksesin tonë.
O Zot, zbrit mbi ne shi! O Zot, zbrite atë shi mëshire, jo mundimi, as fatkeqësie, as shkatërrimi dhe as përmbytje. O Zot, bëj që të ringjallet me të toka, lehtëso me të njerëzit, bëje atë burim jetese për të tashmit dhe për ata që vijnë, me mëshirën Tënde.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta në atë që do dhe je i kënaqur. O Zot, jepu sukses atij dhe zëvendësit të tij, në çdo të mirë për Islamin dhe muslimanët, o Zoti i botve.
“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf 23)
“O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!”(El-Hashr 10)
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.
“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj