Ruajtja e gjuhës – Shejh Abdullah el Buajxhan – Medine 16.11.2018

Falënderimet i takojnë Allahut i Cili e krijoi njeriun dhe e veçoi ndër krijesat e Tij, e pajisi me logjikë dhe e bëri të përgjegjshëm, e pajisi me gjuhën nëpërmjet së cilës arrin të shprehet, i Lartësuar qoftë Krijuesi perfekt, i Lartësuar qoftë Allahu krijuesi më i Denjë.

Dëshmoj se Allahu është Një, i Vetëm dhe i Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

E dërgoi me të vërtetën, si dëshmitar, përgëzues dhe paralajmërues, të vërtetën e përcolli në mënyrën më të drejtë, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, familjen dhe shokët e tij.

Fjala më e drejtë është fjala e Allahut, udhëzimi më i mirë është ai i Muhamedit, çdo shpikje është devijim, e çdo devijim e ka fundin në zjarr.

Të nderuar besimtarë, ju këshilloj ta keni frikë Allahun, pasi që kjo është porosia e Allahut për të parët dhe të fundit:

“Ne  i patëm porositur ata që iu pat dhënë libri para jush, e edhe juve që të keni frikë Allahun” Nisa 131.

Të nderuar besimtarë, plagët që shkaktojnë gjymtyrët janë të dukshme por që lënë plagë dhe në zemër, plagët e gjymtyrëve shërohen, ndërsa plaga e gjuhës nuk shërohet.

Gjuha është mjet për t’u shprehur dhe për të qartësuar si dhe është një përcjellës i zemrës, përmasën e ka të vogël, por shpërblimin dhe dëmin e ka të madh, nëpërmjet saj bëhet i qartë mohimi nga besimi.

Ajo ta hap rrugën për në mirësi, është një bisht dhe devijim në pabesi, me të përhapen shpifjet dhe akuzohet nderi i të pakujdesshmeve prej besimtareve, ndizen përçarjet dhe konfliktet, dalin në shesh sekretet e shtëpive, përdhoset shenjtëria e familjeve, për shkak të saj rrënjosen përçarjet, brengat dhe urrejtjet në zemra.

Nëpërmjet saj ndodh sharja dhe pabesia, përgojimi dhe tradhtia, tellallëku dhe mallkimi, përgojimi, nënçmimi dhe ndyrësia, nuk lodhet nga e lëvizura dhe nuk ndalet nga e folura.

Por gjithçka është e shënuar dhe për të do jepet llogari: “Për gjithçka  që ai flet, ndodhet pranë tij përcjellësi i gatshëm” Kaf 18.

Profeti a.s e kapi një ditë gjuhën e tij dhe i tha Muadhit: “-O Muadh, ruaje këtë!

Muadhi i tha: -A edhe për këtë do merremi në llogari?

Ai i tha: -Të pastë nëna o Muadh, por çfarë i flak njerëzit në zjarr, përveç asaj që shkakton gjuha e tyre.”

Ebu Hurejre përcjell nga Profeti a.s se ka thënë: “Flet njeriu një fjalë dhe për shkak të saj futet në zjarr më gjatë sa mes lindjes dhe perëndimit.”

Enesi r.a ka thënë: “Ditën e Uhudit ra dëshmorë një djalosh, kur e sollën tek familja e tij vunë re se në bark kish lidhur një gurë nga uria, e ëma tha: -Lum për ty xheneti.”

Profeti a.s i tha: -Ku i dihet, ndoshta ka pas folur gjëra që s’i interesonin.”

Ibn Mes’udi u ngjit një ditë në kodrën Safa dhe pasi e kapi gjuhën e tij tha: “O gjuha ime, flit drejtë të sundosh, hesht ndaj të keqes të fitosh para se të jetë vonë!- dhe tha: -E kam dëgjuar Profetin a.s të thotë: -Gabimet më të shumta të njeriut janë si pasojë e gjuhës së tij.”

LEXO  Kuptimi i ajetit më të madh në Kuranin Famëlartë

Vëllezër të dashur, i mjafton njeriut si e keqe nënçmimi i myslimanit, çdo mysliman e ka të ndaluar gjakun, pasurinë dhe nderin e myslimanit.

T’ia thuash në sy myslimanit atë që ai e urren konsiderohet sharje dhe ofendim, e nëse ia thua pas krahëve, qoftë kjo e metë fizike, ka lidhje me diçka tijën, me nderin e tij, me ndonjë virtyt apo mangësi, qoftë e shqiptuar, e shkruar apo nëpërmjet ndonjë shenje, konsiderohet përgojim, por nëse këto janë të pavërteta atëherë konsiderohen përgojim, padrejtësi, gënjeshtër dhe shpifje.

Kamata si krim është 70-të e sa degë, më e pakta është si të martohet njeriu me nënën e tij, një dërhem prej kamate është më i rënë se 36-të imoralitete, ndërsa më e madhja e saj është të lëshuarit në nderin e myslimanit me pa të drejtë.

Vëllezër të dashur, ndër intrigat dhe krimet më të mëdha të gjuhës, është dhe përhapja e thashethemeve të pabaza, e gënjeshtrave dhe shpifjeve, rrënimi i besimit mes myslimanëve, aq sa të shtohet paragjykimi mes tyre, të dobësohet lidhja e kësaj vëllazërie e të shpërbëhet, të sundojë tek ta destabiliteti.

Sa të pafajshëm janë brengosur si pasojë e shpifjeve, sa lidhje madhështore janë prishur e rrënuar, sa krime janë shkaktuar, sa shoqëri janë prishur e shkatërruar, sa familje janë rrënuar, sa pasuri janë shkrirë, sa zemra i ka pikëlluar, sa kohë dhe mund janë derdhur e shpërdoruar.

Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, vërtetë disa dyshime janë mëkat!” Huxhuratë 12.

Dhe thotë: “O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë” Huxhuratë 6.

Abdullah ibn Umeri ka thënë: E kam dëgjuar Prfetin a.s të thotë: “Kush thotë për myslimanin atë që nuk e ka, e fut Zoti në jashtëqitjet e banorëve të zjarrit”

Sehl ibn Muadhi përcjell nga i ati e ky nga Profeti a.s i cili ka thënë: “Kush e akuzon myslimanin për diçka që nuk e ka duke dashur ta poshtërojë, e ndal Allahu mbi urën e xhehenemit derisa të shfajësohet për atë që ka thënë.

Të nderuar besimtarë, Allahu e ka bërë të shenjtë nderin e myslimanit, ashtu sikurse e ka shenjtëruar gjakun dhe pasurinë e tyre, madje ka ligjëruar dhe mbrojtjen e nderit qoftë dhe duke shkrirë pasurinë e duke dhënë jetën.

Prekja e nderit të myslimanit nëpërmjet përhapjes së shpifjeve, gënjeshtrave, akuzave, thashethemeve e të tjera nëpërmjet rrjeteve sociale, nuk është gjë tjetër vetëm se cenim i shenjtërisë së nderit, krim shkatërrues, përçarje devijuese, ndaj duhet pasur kujdes.

Ebu Derda përcjell nga Profeti të ketë thënë: “Kush përhap për myslimanin ndonjë shpifje duke dashur që ta poshtërojë në këtë botë, e ka bërë hak që Allahu ta shkrijë në zjarrin e xhehenemit derisa ta shpaguajë atë krim.” Taberani.

Kush përhap ndonjë shpifje është i njëjtë si shpifësi, ka dënimin e veprës së tij dhe dënimin e kujtdo që e përcjell atë deri në fund.

LEXO  Mirësitë e kësaj bote - Shejh Dr. Abdullah el Buajxhan

Ebu Hurejre përcjell nga Profeti a.s të ketë thënë: “I mjafton njeriut si gënjeshtër që të flasë gjithçka dëgjon.” Muslimi.

Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Kur ju atë shpifjen e përcollët me gjuhën tuaj, dhe për atë që nuk kishit kurrfarë diturie flisnit, duke menduar se ajo është imtësi e parëndësishme, ndërsa te Allahu ajo është e madhe” Nur 15.

Falënderimet i takojnë Allahut, i Cili nëpërmjet fesë siguroi nderin, jetët dhe pasuritë, atë që i kalon kufijtë në to e paralajmëroi, besimtarët i bëri vëllezër e në mes tyre mbolli dashuri e mëshirë.

Të nderuar besimtarë, gjurmimi në nderin dhe sekretet e tjetrit është ndër fatkeqësitë dhe sprovat më të mëdha, dhe fryt i saj është dobësimi i besimit.

Ebu Berezeh el Eslemij përcjell nga Profeti a.s se ka thënë: “O ti që ke besuar me gjuhë dhe s’ka depërtuar besimi në zemër, mos i përgojoni myslimanët dhe as mos hulumtoni në sekretet e tyre, se kush hulumton në të fshehtat e tjetrit, hulumton Zoti në të metat e tij, e kë e hulumton Zoti e turpëron qoftë dhe në shtëpinë e tij” Ahmedi.

Ruani nderin dhe kontrollojeni gjuhën, dijeni se myslimani ka shenjtëri të madhe, e mbrojtur kjo nga vetë Zoti, si dhe duke paralajmëruar prej Tij, ndaj nuk i lejohet myslimanit që t’i kalojë caqet dhe të përpiqet që të fshehtën ta zbulojë.

Një ditë Abdullah ibn Umeri pa drejt Qabesë dhe tha: “Sa madhështore që je dhe sa shenjtëri të madhe që ti ke, por se myslimani gëzon shenjtëri më të madhe tek Zoti nga ti.

Ebu Bekrete el’eslemij ka thënë: “Ditën e Kurban Bajramit, ligjëroi Profeti a.s dhe tha: -A e dini se cila ditë është kjo?

I thamë: -Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri,- ai heshti aq gjatë sa menduam se do e emërtonte me ndonjë emër tjetër.

Ai tha: -A nuk është dita e Kurbanit kjo?

-Po- i thamë ne.

Ai tha: -Cili muaj është ky?

-Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri,- dhe heshti aq gjatë sa menduam se do e emërtojë me ndonjë emër tjetër.

-A nuk është muaji Dhul Hixhe?- tha ai.

-Po,- i thamë ne.

Ai tha: -Cili vend është ky?

Ne thamë: -Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri,- dhe heshti aq sa menduam se do e emërtojë me emër tjetër.

-A nuk është vendi i shenjtë ky?- tha ai.

-Po,- i thamë ne.

-Dijeni,- tha,- se gjaku, nderi dhe pasuritë tuaja, janë të shenjta, sikurse shenjtëria e kësaj ditë, e këtij muaji dhe këtij vendi, deri ditën që do të takoheni me Zotin tuaj, a e kreva porosinë?”

-Po,- i thamë ne.

-Zot ji dëshmitarë,- tha ai,- ai që është prezent le t’ia përcjellë atij që s’është, ndodh që ai që dëgjon ta kuptojë më mirë nga përcjellësi, mos u ktheni në mosbesimtarë pas meje duke vrarë njëri-tjetrin” Buhariu.

Vëllezër të nderuar, largimi prej të ndaluarave dhe paudhësive është më parësor se kryerja e adhurimeve dhe veprave të mira, i falimentuar është ai që përpiqet e lodhet për të mbledhur, por është i pandërgjegjshëm, sepse e shpërdoron atë që e ka grumbulluar.

LEXO  Hutbeja e Medines - Këshilla pas Haxhit - Abdullah el Buajxhan - 24.08.2018

Ebu Hurejre përcjell prej Profetit a.s i cili ka thënë: “-A e dini se cili është i falimentuari?

I thanë: -I falimentuar në mesin tonë është ai që s’ka të holla dhe as prona.

Ai tha: -I falimentuari prej ymetit tim, është ai që vjen në ditën e kiametit, me namaz, agjërim dhe zekat, mirëpo këtë e ka sharë, atë tjetrin e ka akuzuar, këtij i ka ngrënë pasurinë e atij ia ka derdhur gjakun, e këtë e ka goditur, kështu që këtij i jepen të mirat e tij, po ashtu dhe atij tjetrit e nëse të mirat mbarojnë para se të barazohen, merren prej të këqijave të tyre dhe i flaken atij, për t’u flakur bashkë me to në zjarr.”

Të nderuar besimtarë, mbretëria e Arabisë Saudite, vendi i dy xhamive të shenjta, djepi i shpalljes hyjnore dhe lidhjes së zemrave të myslimanëve, e ka zgjedhur Allahu për të qenë starti i fesë së tij, për të qenë podium i thirrjes së Tij, një vendstrehim për monoteistët.

Nga këtu u përcollën vegimet e udhëzimit, u përhapën bazat e paqes dhe rrugës së mesme, bazat e besimit, vendi ynë është si një nënë e përmalluar për këdo që i drejtohet nga myslimanët, ndaj Zoti i shpërbleftë kujdestarët dhe liderët e saj.

Shpifjet, gënjeshtrat dhe akuzat që i përhapin ndaj vendit tonë, nuk është tjetër vetëm se përçarje dhe fillim i një lufte të egër që na e drejtojnë armiqtë e fesë ndaj nesh për të na përçarë.

Por ne i mbështetemi Allahut të na mbrojë prej intrigave të tyre dhe t’i kthejë këto intriga tek vetët e tyre.

Zot ruaji dhe mbroji këto treva, përkujdesu për to, bëji treva të sigurta e të qeta si dhe mbarë trevat Islame!

Zoti ynë kushdo që synon ligësi ndaj vendit tonë, angazhoje me veten e tij, e intrigat ktheji kundra tij!

Zot ndihmoje shërbëtorin e dy xhamive të shenjta dhe jepi sukses, ndihmoje atë dhe princin e kurorës në gjithçka që Ty të pëlqen o Dëgjues i lutjeve!

Zot lartësoje Islamin dhe myslimanët, ndihmoju robërve tu njësues, përmirësojë gjendjen e myslimanëve kudo qofshin o Zot i gjithësisë!

Falënderimet të takojnë Ty Zoti ynë, për të mirat që na ke zbritur, shndërroje në forcë për ne dhe depozitë të mjaftueshme!

Vëllezër të nderuar, dërgoni salavate për atë që vet Zoti ju urdhëroi ku thotë:

“Allahu dhe Melaiket e Tij, me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhëroni pra atë dhe përshëndeteni me selam!” Ahzab 56.

Përshëndeteni me selamet më të mira Ibrahimit dhe familjen e tij! Ti je i Lavdëruari dhe i Lartësuari!

Bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, sikurse e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, Ti je i Lavdëruari dhe i Lartësuari.

Ji i kënaqur Zot dhe prej katër kalifëve të tij të drejtë, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, si dhe mbi mbarë sahabët e Profetit, mbi pasuesit e tyre, mbi të gjithë ata që i ndjekin ata deri në ditën e fundit, përfshina dhe ne bashkë me ta, o Mëshiruesi i mëshiruesve!

Post Author: admin