Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 03-09(Ramazan)-1447 H 20-02-2026 D
Shejh Muhamed Selim
Tema Ramazani: Pastrim, solidaritet dhe drejtësi
Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve, i Cili i dha muajit të Ramazanit një pjesë nga emri i Tij. Ramzani është muaj në të cilin fshihen gjynahet dhe digjen nga veprat e mira për ata që agjërojnë mirë dhe i frikësohen Allahut, Zotit të tyre. Agjërimi është një mburojë dhe një fortesë e fortë kundër Zjarrit të Xhehenemit.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, ka obliguar agjërimin në muajin e Ramazanit, ku Zoti i Madhërishëm ka thënë: “ Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El-Bekare 185)
O adhurues të Zotit! Jepini Ramazanit të drejtën e tij duke kryer veprimet e detyruara dhe obligimet, duke u shmangur nga ndalesat dhe duke mos rënë veprimet e ndaluara. Ky është agjërim në formën e plotë të tij, prandaj përmbajuni. Ky është agjërim në formën e tij të përsosur, prandaj kini frikë Zotin në të.
Dëshmoj se Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, agjëroi Ramazanin dhe fali namaz gjatë netëve të tij, përsosi agjërimin dhe namazin e tij. Ai ishte, sikurse Ibn Abasi ka thënë: “ Më bujari i njerëzve dhe ishte shumë më bujar gjatë Ramazanit.” Ai ishte bujar me veten, pasurinë e tij, kohën e tij dhe pozitën e tij.
O muslimanë! Ndiqni shembullin e të dërguarit tuaj, pajisuni me cilësitë e profetit tuaj dhe ecni në udhëzimin dhe rrugën e tij. Kthehuni tek Zoti në muajin e Ramazanit në mënyrë që Ai t’ju kthehet juve me mëshirën dhe kënaqësinë e Tij. Kthehuni tek Zoti në çdo rrethanë në mënyrë që të jeni nën shoqërinë e më të mirëve nga të dërguarit, Muhamedit. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen e tij, shokët e tij dhe ata që i pasojnë në mirësi. O Zot, fale dhe mëshiroje çdo musliman që është ngritur nëpërmjet fesë së tij nga pozita e Islamit në pozitën e besimit, nga pozita e besimit në pozitën e mirësisë dhe nga pozita e mirësisë në pozitën e devotshmërisë dhe sigurisë. Këto janë pozitat e atyre që Zoti pranon prej tyre agjërimin dhe namazet e natës. O Zot, fali, mëshiroi dhe bekoi ata, ju dhe të gjithë që do të vinë deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
O ju besimtarë! Nëse do ta dinit se një nga mbretërit e drejtë të Islamit do t’ju vizitonte në Kuds dhe rrethinat e tij, si do ta prisnit? Do të vishnit rrobat tuaja më të mira për ta mirëpritur dhe do të përgatiteshit për mbërritjen e tij duke i zbukuruar rrugët, duke i pastruar ato dhe duke shpërndarë trëndafila.
O muslimanë! Ramazani është mbreti i të gjithë muajve. Ai ka ardhur tek ju mysafir bujar, prandaj mirëpriteni dhe trajtojeni mirë duke i pastruar zemrat tuaja nga ligësitë dhe zilia, pastroni gjymtyrët tuaja nga të drejtat e njerëzve, ua ktheni paratë e tyre, përmbahuni nga shkelja e nderit të tyre dhe derdhja e gjakut të tyre. Kini kujdes nga mirëpritja e Ramazanit, mbretit të muajve, me duar agresive dhe zemra hipokrite, të pabindura dhe të zeza. Ramazani, ky mbret fisnik, është muaji në të cilin hapen portat e Xhenetit, mbyllen portat e Xhehenemit dhe lidhen me zinxhirë shejtanët. Në këtë muaj filloi shpallja e Kuranit, ai përmban një natë më të mirë se një mijë muaj, lutjet pranohen në të dhe lirimi nga Xhehenemi jepet në të. Një Umre në të është ekuivalente me një Haxh. Ramazani ishte vërtet një mbret i kurorëzuar mbi të gjithë muajt. Prandaj, ju përgëzojmë ju, popullin tonë dhe të gjithë muslimanët për këtë muaj të nderuar dhe i lutemi Zotit të Plotfuqishëm ta bëjë atë një fillim të mbarë për muajt që vijnë pas tij, lehtësim për shqetësimet e muslimanëve, largim i fatkeqësive prej tyre, bashkim i fjalës së tyre dhe zemrat e tyre në fenë e tyre, mbrojtje për gjakun e tyre dhe në ngritje të statusit të tyre në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.
O banorë të Kudsit! O banorë të rrethinave të Kudsit! Ju e takoni Ramazanin dhe jetoni me të ditët dhe netët tuaja më të mira, prandaj bëni kujdes, përpiquni të udhëtoni drejt xhamisë Aksa për të falur namaz në të, për të kujtuar Zotin dhe për t’iu bindur Atij. Ruani vlerën, shenjtërinë dhe pastërtinë e saj, shfrytëzoni kohën tuaj me vepra të mira dhe kini kujdes nga risitë në të. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Njerëzit nuk e kanë të kërkuar që të udhëtojnë përveçse në tre xhami: në xhaminë e Shenjtë, Qabe, në xhaminë time, në Medinen e Profetit, dhe në xhaminë e Kudsit, Aksa.”
O muslimanë! O adhurues të Zotit! Kush nuk mund të arrijë në xhaminë Aksa për t’u falur në të, kur qëllimi i të cilit ishte të udhëtonte atje, por u pengua nga një justifikim i vlefshëm, e përgëzojmë, i japim lajmin e gëzuar se shpërblimi i tij do të regjistrohet i plotë tek Zoti, ashtu si shpërblimi i atij që udhëtoi vërtet për në Aksa. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur ishte në Tebuk, ka thënë: “Ka burra në Medinë të cilët, pavarësisht se ku udhëtoni ose cilën luginë kaloni, janë me ju dhe ndajnë shpërblimin me ju.” Në një transmetim tjetër: “Ata u penguan nga një justifikim i vlefshëm, nga pamundësia.” Ndërsa në një tjetër: “Ata u penguan nga sëmundja.” O Zot, na jep mundësinë të udhëtojmë për në Aksa në mëngjes dhe në mbrëmje. O Zot, na jep mundësinë të udhëtojmë për në vendin tonë të Israsë dhe Miraxhit. O Zot, na mundëso që të qëndrojmë pranë saj për aq kohë sa të jetojmë.
O besimtarë! Ekzistojnë tre kategori njerëzish që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit.
Kategoria e parë; Agjëruesja dhe agjëruesi, agjërimi i të cilëve është për ta dhe jo kundër tyre. Kategoria e dytë; Agjëruesja dhe agjëruesi, agjërimi i të cilëve është kundër tyre dhe jo për ta. Kategoria e tretë; Agjëruesja dhe agjëruesi, agjërimi i të cilëve nuk është as për ata dhe as kundër tyre.
O adhurues të Zotit! O besimtarë! Sa i përket atij që agjëron në Ramazan, agjërimi i të cilit është për të dhe jo kundër tij, ai është me të cilit ne duam që ju të bashkoheni në shoqërinë e tij dhe të përshkruheni me cilësitë e tij. Prandaj, mbrojeni agjërimin tuaj nga të pahijshmet dhe zhurmat, nga të thënit, të dëgjuarit dhe të shikuarit e asaj që është e gabuar, në mënyrë që të jeni në mesin e kësaj kategorie agjërimi i të cilit është pranuar.
O ju që agjëroni! Jini të vëmendshëm ndaj njerëzve të tjerë, lehtësoni vuajtjet e tyre sa më shumë që të mundeni, duroni dëmin, jini të duruar dhe falini ata që ju kanë bërë padrejtësi. Le të jetë motoja juaj në Ramazan: “O Zot, unë po agjëroj”, në fjalë dhe vepra, “O Zot, unë po agjëroj” me qëllim dhe sjellje. Jetoni me mbretin e muajve, Ramazanin, me një vendosmëri të sinqertë dhe serioze për të kryer akte bindjeje, adhurimi. Nxitoni në vepra të mira dhe tejkaloni të tjerët në kryerjen e veprave të mira. Hapni një faqe të re me Zotin në mënyrë që agjërimi juaj të jetë për ju dhe jo kundër jush, në mënyrë që shpërblimi të jetë i shkruar për ju plotësisht dhe pa pakësim, dhe në mënyrë që portat e Xhenetit të hapen për ju. Kush është i kësaj kategorie është ai për të cilin i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe me shpresën për shpërblim nga Zoti, i falen gjynahet e tij të mëparshme, të kaluara.”
O ju që agjëroni! Ky është agjërimi adhurim që Zoti dëshiron prej jush. Pra, së bashku me barkun tuaj duke agjëruar nga ushqimi dhe pija, së bashku me pjesët tuaja intime duke agjëruar nga epshi, le të agjërojnë gjymtyrët tuaja nga çdo gjë që e zemërojnë Zotin me ju, le të agjërojë gjuha nga të thënit e gënjeshtrave dhe shpifjeve, sepse rreziku i gjuhës për agjërimin është i madh, deri në atë pikë sa Imam El Avzaiu nxori një fetva që nuk pranohet agjërimi i atij që përgojon në muajin e Ramazanit. Edhe pse shumica e juristëve thonë të kundërtën, kjo fetva ju paralajmëron nga sulmi me gjuhë në gjërat e ndaluara, veçanërisht në muajin e Ramazanit.
O agjërues dhe agjëruese! Bëni të agjërojnë, largoni këmbët tuaja nga ecja drejt gjërave të ndaluara, largoni veshët nga dëgjimi i kotësive dhe të këqijave, largoni duart tuaja nga shtypja ose shkeljet ndaj njerëzve, largoni sytë nga shikimi i asaj që nuk është e lejuar për ju në pjesët intime dhe ruani shenjtërinë e Ramazanit në natën dhe ditën e tij. Shenjtëria e netëve të Ramazanit është si shenjtëria e ditëve të tij. Mos i bëni rrugët e Kudsit, Portën e Damaskut dhe uljet tuaja vende për mosbindje ndaj Zotit dhe për kryerjen e hapur të gjynaheve, veçanërisht gjatë netëve të Ramazanit. Gratë duhet të kenë kujdes nga grumbullimi me burra në tregje. Ringjallni namazin e teravisë në xhaminë Aksa, sepse shpërblimi i një rekati atje është i barabartë me një mijë rekate, qofshin ato në namaze obligim apo vullnetare. Bëni Shtëpinë e Shenjtë, Kudsin, gjatë Ramazanit shtëpi për bindje dhe adhurim ndaj Zotit. Kini kujdes nga angazhimi në biseda të turpshme dhe boshe brenda saj. Xhabir bin Abdullah, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Nëse agjëroni, le të agjërojë dëgjimi, shikimi dhe gjuha juaj nga gënjeshtra dhe gjërat e ndaluara. Le të ketë dinjitet dhe qetësi mbi ju në ditën e agjërimit dhe mos e bëni agjërimin me ndërprerjen e agjërimit njësoj.”
O muslimanë! O besimtarë! O adhurues të Zotit! Ky është agjërimi që pranohet me këto cilësi dhe veprime, prandaj kapuni fort pas tij me dhëmballët tuaja dhe veproni sipas tij, dhe përvetësoni moralin e tij në mënyrë që agjërimi juaj të jetë për ju, dhe jo kundër jush.
O adhurues të Zotit! Dijeni se shpërblimi i vërtetë në agjërimin e muajit të Ramazanit është të agjëroni me dëshirë të sinqertë për shpërblim hyjnor, pa e gjetur agjërimin të rëndë ose ditët e tij të gjata, duke ruajtur gjymtyrët tuaja nga gjynahet, duke përmbushur obligimet tuaja të detyrueshme dhe duke u angazhuar në akte vullnetare adhurimi siç është leximi i Kuranit, ushqyerja e të uriturve dhe shfaqja e mirësisë ndaj të varfërve dhe jetimëve. Pra, o agjërues, nxitoni për të gjitha këto me padurimin e të eturve për të pirë ujë. Sa i madh është tek Zoti shpërblimi i një agjëruesi të tillë! Sa madhështore është mbërritja e tyre para Zotit të tyre! Ky agjërues është ai që, duke u përmbajtur nga gjynahet dhe keqbërjet, i lidh vetë shejtanët me zinxhirë. Ai është ai që hap portat e Xhenetit përmes veprave të tij të mira dhe pasimit të së mirës. Ai është midis atyre për të cilët është thënë: “Dhe Allahu ka prej tyre që Ai i liron nga Zjarri, e kjo është në çdo natë të tij, Ramazanit.” O Allah, na bëj prej atyre që kërkojnë të mirën, o Zot, na prej atyre që janë liruar nga Zjarri.
O ju muslimanë! Sa i përket llojit të dytë nga agjëruesit dhe agjërueset, është ai, agjërimi i të cilit është kundër tij dhe jo për të, e Zoti na ruajt! Prandaj, kini kujdes nga ky lloj dhe mos i përvetësoni karakteristikat e tij. Ai është agjëruesi që nuk i shmanget gënjeshtrës dhe karakteri i tij përkeqësohet për shkak të urisë së tij. Ai shanë dhe grindet me njerëzit. Gjuha e tij është e shpejtë në fjalë të turpshme dhe vulgare. Ai nuk i ruan gjymtyrët e tij nga ajo që është e ndaluar. Ai i kalon ditët në gjëra të turpshme dhe zhurmë, duke keqtrajtuar fqinjët e tij dhe duke shkëputur lidhjet farefisnore. Ai hap restorantin dhe dyqanin e tij gjatë ditës në Ramazan dhe u shet atyre që e prishin agjërimin. Ai është shitës që bën keq dhe ndihmon në të. Ai është agjëruesi që i kalon netët në Facebook dhe duke parë televizor. Netët e tij kalohen në zbavitje, pakujdesi dhe neglizhencë ndaj bindjes ndaj Zotit dhe përkujtim të Tij. Sa i përket agjërueses, ajo del e zbukuruar, duke u përzier me burra në tregje, nuk i respekton të drejtat e burrit të saj dhe nuk e ndihmon atë të mbajë lidhjet me të afërmit e tij. Këta janë, gruaja dhe burri, agjërimi i të cilëve është kundër tyre dhe jo për ta. Ky është personit për të cilin i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Shumë agjërues nuk fitojnë asgjë nga agjërimi i tyre përveç urisë, dhe shumë njerëz që falen natën nuk fitojnë asgjë nga lutja e tyre përveç pagjumësisë.” Është ky lloj agjëruesi për të cilin i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka paralajmëruar kur ka thënë: “Kush nuk heq dorë nga fjalët e rreme dhe nga veprimi sipas tyre, Zoti nuk ka nevojë që ata të heqin dorë nga ushqimi dhe pija e tyre.”
O ju që agjëroni! O njerëz të Kuranit! O njerëz të Islamit! Sa i përket kategorisë së fundit nga muslimanët dhe muslimanet të cilët agjërojnë në Ramazan, dhe agjërimi i tyre nuk është as për ta as kundër tyre, janë ata që agjërojnë por nuk falen. Ata janë agjëruesit që flenë gjatë kosës së namazeve të obliguara, janë agjërues që nuk e dinë derën e xhamisë për të kryer namazin në të, janë agjërues që nuk trokasin në derën e një të afërmi për ta vizituar atë. Ata nuk falin teravi, nuk kujdesen për të dhënë lëmoshë dhe nuk e paguajnë zekatin pasurisë së tyre. Agjërimi i tyre është thjesht një zakon, duke u përmbajtur nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet martesore nga agimi deri në perëndim të diellit. Ata nuk njohin asnjë kuptim tjetër të agjërimit përveç këtij. Ata e konsiderojnë agjërimin e Ramazanit të rëndë dhe ditët e tij të gjata. Gjymtyrët e tyre janë të zhveshura nga veprat e mira, dhe peshoret e tyre janë të rënda me gjynahe. Ata nuk arrijnë sevape dhe shpërblim për aktet e bindjes sepse nuk janë nxituan t’i kryejnë ato. Zoti pranon prej tyre kryerjen e obligimit të agjërimit dhe gjynahi i braktisjes së tij hiqet prej tyre. Por ata dalin nga muaji i Ramazanit të falimentuar. Kur të vendosen peshoret, peshoret e tyre do të jenë të lehta dhe kur të kalojnë urën, si do të shpëtohen? Kur mbreti i muajve, Ramazani, të largohet, ata nuk do t’i arrijnë dhuratat e tij. Ka humbur dhe falimentuar ai që e përjeton Ramazanin dhe nuk i falen gjynahet.Ka humbur dhe falimentuar ai që e përjeton muajin e agjërimit dhe nuk lirohet nga zjarri i Xhehenemit. Ka humbur dhe falimentuar ai që e keqtrajton gruan e tij, familjen e tij, fqinjët e tij dhe të afërmit e tij për shkak të urisë dhe etjes gjatë Ramazanit. Ka humbur dhe falimentuar ai që nxit mosmarrëveshje dhe grindje me njerëzit me pretekstin se është agjërueshëm dhe i uritur.
O muslimanë! Mbetet një kategori e katërt që duhet të pendohen sinqerisht. Këta janë ata që e prishin haptazi agjërimin e tyre gjatë Ramazanit, duke e prishur atë me dashje pa një justifikim të ligjshëm. Dijetarët i kanë përshkruar ata si heretikë. Cilësia e heretikut nuk ka të bëj me person të shëndoshë mendërisht as të çmendur. Si mund ta pranojnë ata këtë për veten e tyre?! A nuk e dinë ata se besimtarët e drejtë nuk i shohin me favor, as nuk e pranojnë praninë e tyre midis tyre në gjendjen e tyre të shkeljes dhe mosbindjes? Ne i paralajmërojmë ata kundër prishjes së hapur të agjërimit të tyre gjatë Ramazanit dhe i këshillojmë të pendohen dhe të agjërojnë Ramazanin, sepse është një detyrim i vendosur e ata do të ndëshkohen me Zjarr në Ditën e Ringjalljes për neglizhencën e tij. Në një hadithin fisnik thuhet: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: “Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit për atë që ka mundësi.”
O Allah, dëshmojmë se Ti je Allahu, i Vetmi, pa shok, dhe dëshmojmë se Muhamedi është robi dhe i dërguari Yt. Prandaj, na ndihmo të falim namazin, të japim zekatin, të agjërojmë Ramazanin, na mundëso haxhin në shtëpinë e Shenjtë, Qabe, dhe na ndihmo ta bëjmë atë.
O Zot, bëje besimin të dashur për ne dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëje mosbesimin, imoralitetin dhe mosbindjen të urryera për ne, dhe na bëj nga të udhëzuarit në rrugë të drejtë.
O adhurues të Zotit! Pendohuni tek Ai, kërkoni falje prej Tij dhe lutuni Atij duke qenë të sigurt për përgjigjen e Tij.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin e botëve.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok.
Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, dhe ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
O muslimanë! Sa i përket agjëruesit, agjërimi i të cilit është në dobi të tij dhe jo kundër tij, Zekati i fitrit që ai jep ia ngre statusin tek Zoti i tij duke përmbushur detyrën e solidaritetit me muslimanët e tjerë. Sa i përket agjëruesit, agjërimi i të cilit është kundër tij dhe jo në dobi të tij, Zekati i fitrit që ai jep ia pastron agjërimin nga gjynahet që ka kryer gjatë Ramazanit, siç janë fjalët boshe, fjalët e kota, turpi dhe shkeljet e vogla. Sa i përket agjëruesit, agjërimi i të cilit nuk është as në dobi të tij dhe as kundër tij, mëshira e Zotit është e gjerë dhe Zekati i fitrit do t’i shtohet shkallës së veprave të tij të mira, si detyrim dhe si shpërblim.
O ju që agjëroni! Dhe pse koha e obligimit të Zekatit të Fitrit është në perëndim të diellit në ditën e fundit të Ramazanit, është e lejuar për muslimanin ta paguajë atë dhe më herët që nga fillimi i Ramazanit. Po kështu, sa i përket Zekatit, është e lejuar për atë që është i detyruar ta paguajë atë ta paguajë atë më herët, para se të mbarojë viti. Prandaj, nxitoni të paguani Zekatin e Fitrit dhe Zekatin e pasurisë suaj që nga fillimi i Ramazanit, sepse është më e përshtatshme për rrethanat e popullit tonë dhe kushtet në të cilat ata jetojnë. I lutemi Zotit t’ju lehtësojë shqetësimet tuaj dhe të muslimanëve.
O ju që agjëroni! Disa njerëz pretendojnë se nuk ka njerëz të varfër midis nesh të cilëve mund t’u japim zekatin dhe zekatin e fitrit. Ne u themi këtyre njerëzve të nderuar: Punëtorët që marrin një pagë që nuk është e mjaftueshme për ta, punëtorët që nuk gjejnë punë ose të ardhura, jetimët dhe gratë që nuk kanë furnizues, të gjithë këta, nëse nuk kanë para ose të ardhura, ose nëse kanë para që nuk janë të mjaftueshme për nevojat e tyre thelbësore dhe ato të atyre që i mbështesin, atëherë atyre u jepet zekati dhe zekati i fitrit. E ata janë midis jush dhe rreth jush, prandaj kini frikë Zotin në lidhje me ta. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush e ndihmon vëllanë e tij në nevojë, Zoti do ta ndihmojë në nevojën e tij. Kush ia lehtëson një muslimani një vështirësi, Zoti do t’ia lehtësojë një vështirësi nga vështirësitë e Ditës së Kiametit.”
O ju muslimanë! O ju që agjëroni! Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se shenjë e gjykimit tuaj të shëndoshë është që të ruani lidhjen tuaj me Zotin tuaj dhe se shenjë e mençurisë suaj të përsosur është që të ruani lidhjen tuaj me xhaminë Aksa të fortë. Allahu është Zoti juaj, prandaj adhurojeni Atë ashtu siç e meriton të adhurohet, në Ramazan dhe në kohë të tjera. Mbani lidhjet tuaja familjare, mos i ndërprisni ato. O ju që ndërprisni lidhjet familjare, mbajini ato, mos i ndërprisni ato. Njeriu i fesë tuaj është mishi dhe gjaku juaj,
O besimtarë! O agjërues! O muslimanë! Aksa është mburoja juaj në botën Tjetër nga zjarri dhe Xheneti juaj në këtë botë. Pra, merrni mburojën tuaj në Aksanë tuaj duke qenë fqinj të mirë me të, merreni Xhenetin tuaj duke u falur në të, duke përkujtuar Zotin dhe duke iu bindur Atij, dhe lidhini zemrat tuaja me të, sepse është vendi i Udhëtimit të Natës së Israsë, Aksa, Kibla e parë drejt së cilës udhëtoni.
O adhurues të Zotit! O mslimanë! O agjërues! Jini të durueshëm në kryerjen e akteve të bindjes, jini të durueshëm në përmbajtje nga gjërat e ndaluara, jini të durueshëm në përballimin e sprovave, sepse durimi në sprova, në kryerjen e akteve të bindjes dhe në përmbajtje nga gjërat e ndaluara është rrugë për lehtësimin e shqetësimeve. “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin për të qenë të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!”(Al ‘Imran 200)
O Allah, prano agjërimin tonë, lutjet tona, qëndrimin tonë në namaz, lëmoshën tonë dhe ruajtjen e lidhjeve tona farefisnore. O Allah, kërkojmë strehim tek Ti nga sprovat, fatkeqësitë, hipokrizia dhe mosbindja.
O Zot, bëje Aksanë tonë të sigurt me sigurinë Tënde dhe të nderuar me nderin Tënd. O Zot, jepu fitoren Islamit dhe muslimanëve, ngri lart fjalën e së vërtetës dhe të fesë. O Zot, mos na lër asnjë gjynah vetëm se na i fal ato, asnjë shqetësim vetëm se na i lehtëson, asnjë të pikëlluar nga ne vetëm se ti shërosh, asnjë të burgosur vetëm se tu mundësosh lirinë dhe asnjë të vdekur nga ne vetëm se ta mëshirosh. O Zot, merr në kontrollin Tend çështjet tona, lehtëso fatkeqësinë tonë.
O Zot, mundëso shlyerjen e borxhi atyre që kanë borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, largo nga ne shtypjen e të padrejtëve, dhe na jep përfundim të mirë, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, na jep shëndet në trupat tanë, mbrojtje në fenë tonë dhe një fund të mirë për jetën tonë. Na jep mirëqenien Tënde dhe bindjen ndaj Teje për sa kohë që na mban gjallë.
O Zot, na fal ne, prindërit tanë, bashkëshortet tona, bijtë tanë, bijat tona, njerëzit tanë, muslimanët dhe muslimanet, të gjallë dhe të vdekur.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë e Ai do ju japë më shumë, kërkoni falje prej Tij sepse Ai ju falën.
Ti që fton për namaz, fto në namaz!
“…Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj