Qëndrueshmëri në kohë të vështira

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     29-10-1447 H    17-04-2026 D

Shejh  Halid  Ebu  Xhumua 

Tema   Qëndrueshmëri në kohë të vështira

Lavdërimet janë për Zotin, në duart e të Cilit është shkatërrimi dhe krijimi, vdekja dhe jeta, mirëqenia dhe vuajtja, lehtësimi dhe vështirësia. Zoti është Ai që ka thënë: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.”(El-Mulk 2)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok,  ka vendosur ligjin e sprovës për robërit e Tij, sepse Ai është Vepruesi i gjithçkaje që dëshiron. Ai ka krijuar dhe caktuar fatin e çdo gjëje, ka planifikuar dhe lehtësoi. “Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten.”(El-Enbija’ 23) Këtu përfshihen më të mirët e krijimit, profetët, të zgjedhurit e devotshëm dhe njerëzit e drejtë. Lavdërimet janë për  Zotin, Atij i takon Lartësimi dhe Madhërimi. Ai e sprovon këdo që dëshiron me çfarë Ai dëshiron. Të gjitha çështjet janë në dorën e Tij, Ai i drejton ato siç dëshiron, bën çfarë dëshiron dhe vendos çfarë dëshiron. “Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.”(Al ‘Imran 26)

Dëshmoj se i dashuri, udhëheqësi dhe zotëria ynë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i përzgjedhuri dhe i dashuri i Tij. Udhëheqësi i të dërguarve, më i miri i të gjithë njerëzimit, i dalluari nga të gjithë njerëzit e drejtë. Poseduesi i fytyrës rrezatuese dhe dorës bujare, ligjvënësi i lavdishëm. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi  atë dhe familjen e tij fisnike dhe të nderuar, mbi shokët e tij të drejtë dhe të devotshëm, mbi tabi’inët, pasuesit e tij besnikë  dhe mbi ata që i ndjekin në mirësi për aq kohë sa të jenë toka dhe qiejt.

Në vijim

Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit, t’i bindemi Atij dhe të ndjekim ligjin e Tij.  “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102) Besoni në vendimin dhe caktimin e Tij, Zoti i Lartësuar ka thënë: “ Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë.” (Et-Tegabun 11)

Zoti i Plotfuqishëm i ka shkruar të gjitha fatet në Pllakën e Ruajtur, Leuhi Mahfudh. Çështjet e krijesave janë në dorën e të Urtit, të Gjithëdijshmit, të Atij që mbulon  masat dhe kushtet e të gjitha gjërave. Besojmë me besim të plotë se të gjitha çështjet, të mira dhe të këqija, të ëmbla dhe të hidhura, të dobishme dhe të dëmshme, ndodhin me vendimin, caktimin, fuqinë, vullnetin dhe urdhrin e Zotit. Asgjë nuk lëviz në univers dhe nuk ndodh asgjë në të, përveçse Zoti i qiejve dhe i tokës është i ditur me të dhe për aspektet e tij të fshehura.

O muslimanë! Ligjshmëria e sprovave është nga ligjet hyjnore të vendosura në këtë univers dhe është ligjshmëri që vlen për të gjithë. Sprovat mund të jenë të dukshme dhe kuptimi i tyre mund të shkëlqejë, duket, ose urtësia e tyre mund të mbetet e fshehur tek njerëzit për një arsye të njohur vetëm nga i Urti i Gjithëdijshmi. Kush shqyrton me kujdes atë që kanë përcjellë ajetet kuranore dhe traditat profetike, do të gjejë se profetët, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ta, u sprovuan me sprova të ndryshme dhe të shumta. Kjo ishte vetëm që njerëzit të nxjerrin mësime, të përfitojnë dhe të përkujtojnë prej tyre.

LEXO  Nga vlerat e fjalës së teuhidit, Njësimit të Zotit

Adhurues të Zotit! Fatkeqësitë janë sprova për njerëzit, e sprovat në vetvete janë testim dhe provim. Fatkeqësitë janë ftesë për t’u kthyer tek Zoti i Plotfuqishëm, për t’u penduar tek Ai, për të njohur fuqinë e Tij dhe madhështinë e pushtetit të Tij.  Sprovat kultivojnë qëndrueshmëri përballë fatkeqësive dhe situatave të vështira, ku nuk ka ndihmës as mbështetës tjetër përveç Zotit të Lartësuar.  Çfarë kujdesi mund të jetë më i madh se kujdesi i Tij? Çfarë mbrojtjeje mund të jetë më e madhe se mbrojtja e Tij? “Allahu është Ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve!”(Jusuf 64)

Adhurues të  Zotit! Që muslimani të jetojë një jetë dinjitoze, të mbushur me lumturi dhe qetësi, jetë përparimi, sigurie dhe paqeje të brendshme, ai duhet të besojë në Kaderin dhe vendimin e Zotit, në mënyrë që zemra e tij të jetë e qetë dhe të largohet prej tij dëshpërimi dhe humbja e shpresë. Sepse ato të dyja janë shoqëruese të mosbesimit dhe të devijimit, dhe shkaktojnë dyshim në fuqinë e Zotit të Lartësuar. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!”(Et-Teube 51) Jini të sigurtë, sepse vepruesi i vërtetë në këtë univers është Zoti i Plotfuqishëm. A nuk ka thënë Zoti i Plotëfuqishëm: “ Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve!”(Et-Tekvir 29)

Vullneti suprem është ai që mbizotëron, vullneti i Zotit të Plotfuqishëm është suprem dhe ai është që mbizotëron. Asnjë krijesë, pavarësisht nga gjendja ose pozicioni i saj, nuk mund të kryejë një veprim ose të bëjë një lëvizje nëse Zoti i Plotfuqishëm nuk e dëshiron atë. Prandaj, o besimtar, dorëzo çështjet tua tek Zoti. Mirësitë  janë caktim, Kaderi i Zotit, sprovat janë caktim, gëzimi është caktim dhe hidhërimi është i caktim. Zoti është Ai që ka caktuar lumturinë dhe mjerimin, ka caktuar frikën dhe sigurinë, dhe ka caktuar paqen dhe luftën. Çfarëdo që të ndodhë ty, o besimtar, nga caktimi i Tij, qofshin mirësi apo sprova, nuk do të mund të kishin devijuar kurrë prej teje, as nuk do të mund të të kishin anashkaluar. Çfarëdo që është shkruar për ty ose kundër teje, qofshin bekime apo fatkeqësi, do ti përjetosh me patjetër dhe nuk ka shpëtim prej tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Njeriu nuk beson vërtet derisa të besojë në Kaderin e Zotit, caktimin e Tij, të mirën dhe të keqen e tij, derisa ta dijë se ajo që i ka ndodhur nuk ka qenë e mundur që të shpëtosh prej saj, dhe se ajo prej të cilës ka shpëtuar nuk ka qenë e mundur që ti ndodhë.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.

O ju durimtarë! Dijeni se ajo që na ka ndodhur është paracaktuar në Librin e Zotit tonë para se të na ndodhë ajo që na ndodhi. Zoti thotë: “S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) para se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!”(El-Hadid 22) Kjo bazohet në urtësi të paracaktuar, Ai që e paracaktoi atë është i Gjithëdijshmi, i Gjithurti, i Cili bën atë që dëshiron me anë të vendimit, vullnetit, dhe caktimit të Tij.

O ju të lidhur me këtë vend! Dijeni se çështjet e paracaktimit bazohen në, dorëzim, nënshtrim, bindje dhe pranim të urdhrit të Zotit të Plotfuqishëm. Prandaj, sot duhet të besojmë në paracaktim, të jemi të kënaqur dhe t’i nënshtrohemi urdhrit të Zotit, dhe të braktisim pyetjet, shqyrtimin dhe justifikimin me fraza si “Pse?”, “Si?”, “Nëse?” dhe “Sikur”, sepse ato janë kundërshtime nga robi ndaj Zotit të tij, bien ndesh me konceptin e besimit në urdhrin dhe paracaktimin e Zotit. Kënaqësia dhe nënshtrimi, dorëzimi, janë rruga drejt udhëzimit, rruga e të devotshmëve dhe metoda e atyre, zemrat e të cilëve Zoti ua ka hapur për besim. Kështu, robi lëviz nga pozicionet e durimit në vështirësi në pozicionet e lavdërimit dhe kënaqësisë.

LEXO  Të afrohesh tek Zoti i Plotfuqishëm

Dijeni se gjithçka që ndodh në këtë univers, qoftë gëzim apo hidhërim, e mirë apo e keqe, dobi apo dëm, lumturi apo shqetësim, ngushëllim apo pikëllim, është me urdhër të Zotit. Gjithçka është e dekretuar, vendosur dhe e caktuar,  nga Zoti dhe vazhdon sipas vullnetit dhe vendimit, caktimit të Tij. “Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten.”(El-Enbija’ 23)

O ju durimtarë dhe të lidhur me këtë vend! Po, kemi besuar në Zotin e Lartësuar, kemi njohur natyrën e vërtetë të kësaj bote, dhe i jemi nënshtruar Zotit tonë në atë që Ai ka caktuar dhe urdhëruar për ne. Zotin e  falënderojmë në kohë vështirësish dhe e lavdërojmë Atë në kohë lehtësie. Zotit të Lartësuar dhe të Madhërishëm i bindemi si në kohë vështirësish ashtu edhe në kohë begatie, duke e kujtuar dhe e madhëruar Atë me lavdërime. Sepse e dimë se Zoti i Lartësuar është me robin e Tij dhe se Ai është ashtu sikur robi mendon për Të. Zoti e sprovon robin e Tij me të mirë dhe të keqe, për të provuar durimin e tij, për të pastruar besimin e tij dhe për të demonstruar përsosmërinë e mbështetjes së tij tek Zoti. Atëherë Zoti i Lartësuar dhe i Plotfuqishëm do ta shpërblejë atë me bollëk, do ngrejë statusin e tij dhe do e vendosë në shoqërinë e Tij.

O ju besimtarë! Besimtari shikon me dritën e Zotit, që të dijë, të mësojë, nga ajo që ka lexuar në Librin e Zotit dhe nga ajo që është transmetuar nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se ditët janë një cikël midis njerëzve. Luftërat dhe fatkeqësitë janë një cikël,  dhe se ligjshmëria, natyrshmëria, e  mbrojtjes midis të vërtetës dhe të pavërtetës, të mirës dhe të keqes, do të ekzistojnë derisa të vijë Ora, Kijameti, dhe se Zoti i Plotfuqishëm është mbrojtësi i atyre që besojnë, ndërsa mohuesit, jo besimtarët nuk kanë mbrojtës.

Po, adhurues të Zotit!  Zoti është mbrojtës i besimtarëve. A nuk keni dëgjuar fjalën e Tij që thotë: “ Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë.”(El-Bekar 257) “Allahu është Mbrojtës i besimtarëve.” (Al ‘Imran 68) Ai është që ka thënë: “ Mbrojtësi im është Allahu, i Cili ka zbritur Librin dhe kujdeset për të mirët.” (El-A’raf 196)  “…kurse Allahu është Mbrojtësi i atyre që i frikësohen Atij e që ruhen nga gjynahet.”(El-Xhathije 19)  Ai e ka dekretuar këtë në Librin e qartë. Dhe me të vërtetë, zullumqarët, të padrejtët janë miq të njëri-tjetrit, por Zoti është mik i të mirëve.

Kush e ka Zotin mbrojtës, Ai është ndihmësi dhe mbështetja e tij, ai merr nga i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdijshmi çdo kujdes, mbrojtje, mbështetje dhe qëndrueshmëri. Zoti e mbron atë dhe largon prej tij çdo pikëllim, vështirësi dhe mjerim. Nëse Zoti i Lartësuar është mbrojtësi i besimtarëve, atëherë shejtani është mbrojtësi i jobesimtarëve, i të padrejtëve dhe agresorëve. Kush  e ka shejtanin si mbrojtës, çfarë mbrojtje të keqe, çfarë ndihme dhe përfundimi të keq, të mjerë! Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe   që (i) frikësohen (Allahut).”(Junus 62-63)

LEXO  Durimi dhe shpërblimi i vuajtjeve dhe sprovave

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, tek Ai kërkoni falje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin e botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi më të nderuarin e të dërguarve, zotërinë tonë Muhamedin, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij.

Në vijim

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili bëri mirëmbajtjen e xhamisë Aksa një akt adhurimi dhe sjelljeje, bëri lutjen, namazin, brenda saj thelb të adhurimit dhe burim afërsisë me të, bëri dashurinë për të instinkt të lindur fetar dhe kredo, akide, Islame. Ne jemi bijtë e Kudsi, trashëgimtarë të qytetërimit të tij, mbrojtës të historisë së tij dhe kujdestarë të besëlidhjes së tij. Ne jemi pronarët e ligjshëm të këtij vendi në çdo epokë.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  u nderua me përgjegjësinë e kujdesit për shtëpinë e shenjtë të Zotit, Qabes, në Meke. Ai u nderua gjithashtu me përgjegjësinë e kujdesit për xhaminë e bekuar të Aksasë në Kuds, me anë të zbulesës hyjnore, duke u drejtuar fillimisht në lutjen e tij nga Kudsi dhe më pas drejt Qabes së shenjtë. Kjo është provë e qartë dhe bindëse e lidhjes midis dy Kiblaeve në zemrën dhe ndërgjegjen e çdo burri dhe gruaje muslimane në të gjithë globin.

Nisur nga kjo zbulojmë se qyteti i Kudsit mbart një histori të thellë dhe të lashtë Islame, rrënjët e së cilët shtrihen thellë në shekuj. Sa shumë kemi nevojë në këto ditë, në epokën emigrimit, largimit, fetar, intelektual dhe kulturor, manipulimit mediatik dhe falsifikimit historik,  për të studiuar historinë e Kudsit në themel, në mënyrë që të hedhim poshtë të gjitha rrëfimet e rreme, të sajuara dhe interpretimet mashtruese, dhe të përforcojmë, vërtetojmë rrëfimin e vërtetë Islam të tij.

Ne jemi popull  i lavdisë dhe autenticitetit, historisë dhe qytetërimit. Ne jemi popullme identitet të fortë, vendosmëri fisnike dhe aspirata të larta. Burimi i krenarisë dhe i shkëlqimit tonë është Libri i Zotit, Kurani, dhe suneti i të dërguarit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Përmes tyre, u shembën fronet, pushtetet e Kisras dhe Çezarit, u dëbuan të poshtëruar kryqtarët dhe u mundët ushtritë e tatarëve mongolë.

Ky umet është i madh, fisnik dhe i lavdishëm. Historia nuk ka parë kurrë të ngjashëm me të, njerëzimi nuk kanë sjellë një pasardhës më të nderuar tek  Zoti i Plotfuqishëm se ky umet!  Umeti më i mirë që ka dalë ndonjëherë në njerëzim. Umet që dremitën por nuk fle kurrë, që sëmuret por nuk vdes kurrë. Umet që ka lindur dijetarë dhe juristë për botën dhe mendimtarë të mëdhenj për universin. Prandaj gëzohuni me lajmin e mirë. Mbahuni fort pas Librit të Zotit tuaj dhe do të keni sukses, mbahuni fort pas sunetit të profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe do të fuqizoheni. Prandaj jini të durueshëm dhe të vendosur.  A nuk ka thënë Zoti i Vërtetë: “ O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin për të qenë të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!”(Al ‘Imran 200)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje zotërinë tonë Muhamedin.

O Zot, të lutemi të jesh ndihmë, mbështetje dhe mbrojtje për ne.

O Zot, na mëshiro me mëshirën Tënde të madhe, largo prej nesh fatkeqësitë dhe epidemitë, o Zoti i botëve.

O Zot, ruaj xhaminë Aksa dhe ata që e ruajnë atë, janë të lidhur me të, vendin e udhëtimit në Isra dhe Miraxh të profetit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, fortifikoje atë me fortifikimin Tënd të fortë, mbaje atë nën kujdesit, ruajtjen, mbrojtjen, sigurinë dhe garancinë Tënde, o më i Madhi dhe më Bujari.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues! O Zot, mëshiro besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërishëm, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për mirësitë e Tij  do t’ju jap dhe më shumë.

“… vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Ti që fton për në namaz, fto në namaz!

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1539132441546764/1656960279769695

Post Author: endrit