Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 11-11-1446H 09-05-2025 D
Shejh Abdul Bari Ibn Avad Eth-Thubejti
Tema Fragmente nga historia e të dërguarit Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, Ai që është i Plotfuqishëm në pushtetin e Tij, i Urtë në urdhërin e Tij, i Drejtë në gjykimin e Tij. Atij i nënshtrohet çdo gjë dhe tek Ai do të kthehet çdo njeri. Atë e lavdërojmë me lavdrimet e mirënjohësve, falënderuesve, dhe tek Ai kërkojmë falje me faljen e atyre që pendohen.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, dëshmi e një të binduri, besimtari që i nënshtrohet Atij dhe dashamiri që është i përulur.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, me atë Allahu e nxori këtë umet nga errësira në dritë. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, mbi ata që mjaftohen me pasimin e gjurmëve të tij dhe ecën në udhëzimin, rrugën e tij natën dhe ditën.
Në vijim
Porosis veten dhe ju që t’i frikësohemi Zotit. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
Historia e të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, nuk është thjesht një rrëfim i ngjarjeve të kaluara, as faqe për t’u lexuar nga librat e historisë, përkundrazi, ajo është ringjallje e një mesazhi që pulson jetë, një histori e gjallë që ngushëllon zemrat, ringjall ndërgjegjet dhe mundëson mendjehollësi, kuptim në kohë trazirash. Ajo është udhëtim plot mësime, nga djepi deri në varr, nga veçimi i tij në shpellën e Hirasë, ku filloi shpallja, deri te minberi i Medinës, ku u shpall mesazhi, nga jetimi dhe sprovat, deri tek udhëheqja dhe fuqizimi, që nga thirrja e parë për dije: “Lexo…” El-‘Alak 1) deri në këshillën e fundit të përjetshme: “ Namazi, namazi! Kini frikë Allahun për ata që posedoni nën pushtetin tuaj.”
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, lindi jetim, pa baba, por se të qenit jetim nuk është dobësi dhe pse në dukjen e tij duket privim. Por është nxitje për shkëlqim dhe motivim për t’u mbështetur së pari tek Zoti, pastaj për t’u mbështetur tek vetja me besim dhe vendosmëri. Kur të qenit jetim takohet me vullnetin, ajo gjendje, shndërrohet në një pishtar që ndriçon rrugën, e kjo është e dukshmja në historinë e të dërguarit fisnik, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe në historitë e njerëzve të mëdhenj para dhe pas tij. Sa nga jetimët e kanë shkruar emrat e tyre në regjistrin e të pavdekshmëve, janë ngritur nëpërmjet besimit dhe janë armatosur me dije, derisa janë bërë pionierë të ringritjes dhe ndërtues të qytetërimeve.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, është martuar me Hatixhen, të bijën e Huvejlidit, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ajo ishte një martesë e themeluar mbi dashurinë e vërtetë, përzemërsinë, mëshirën dhe partneritetin e sinqertë. Çdo shtëpi e ndërtuar mbi këto vlera fisnike nuk do të tronditet nga stuhitë, nuk do të shkatërrohet nga mosmarrëveshjet dhe nuk do të shembet përballë arsyeve më banale. Në moshën dyzet vjeçare,kur i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, filloi të veçohej në shpellën e Hirasë, duke medituar në mbretërinë, pushtetin e Zotit, tek ai zbriti Xhibraili, paqja e Zotit qoftë mbi të, me thirrjen më të madhe që njerëzimi kishte dëgjuar ndonjëherë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka),” (El-‘Alak 1) Thirje që nuk ishte thjesht një urdhër për të lexuar, por më tepër, njoftim i lindjes së një umeti, një populli motoja e të cilit është leximi në emër të Zotit, metoda e të cilit është dija dhe fortesa e të cilit është besimi. Mesazhi i përjetshëm filloi me “Lexo” për të ndërtuar një qenie njerëzore që kupton, një mendje që mendon, një zemër që beson dhe një umet, popull që ngrihet në dritën e shpalljes Hyjnore, Kuranit.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, u kthye për në shtëpinë e tij, dhe trupi i tij dridhej nga tmerri i takimit të parë me shpalljen. Ai nuk gjeti strehë më të dhembshur ose më të sinqertë sesa përqafimi i Hatixhes, Zoti qoftë i kënaqur me të, e përqafoi atë me qetësinë dhe vendosmërinë e një zemre të dashur. Ajo i tha fjalët e saj të pavdekshme, të cilat mbetën në zemrën e tij dhe ia zhdukën frikën: “Jo pasha Allahun. Zoti ty kurrë nuk do të të turpërojë, sepse ti vërtetë i mbanë lidhjet familjare, thua të vërtetën, mbanë shqetësimin e të tjerëve, mirëpret mysafirët dhe i ndihmon të tjerët të kapërcejnë vështirësitë e jetës.” Nisur nga kjo Zoti nuk do t’i turpërojë kurrë ata që ndjekin udhëzimin e të dërguarit të Tij, duke e bërë bamirësinë rrugën e tyre, mëshirën karakterin e tyre dhe profetësinë modelin e tyre.
Qasja profetike ndaj predikimit bazohej në udhëzimin Hyjnor: “ Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur…” (En-Nahl 125) Thirrja e tij u nis, filloi me fjalë që preku zemrat dhe me durim të bukur që kapërcen refuzimin, duke iu përgjigjur injorancës me durim dhe përballën mizorinë me mirësi. Thirrja e të dërguarit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ishte mëshirë që përhapej, jo pushtet që imponohej. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (El-Enbija’ 107) Mëshirë për të humburit, butësi për të ashpërit, durim me ata që e trajtuan padrejtësisht, madje edhe në situatat më të vështira. Ai nuk iu përgjigj injorancës, padijes me padije, as ashpërsisë me ashpërsi, por përkundrazi i drejtoi zemrat tek Zoti me butësi dhe i hapi dyert e mbyllura me dashuri.
Në kohën tonë, zërat janë shumëfishuar, injoranca është shtuar dhe qasjet e mençura janë bërë të rralla. Ne kemi nevojë të madhe për një kthim në atë qasje të drejtë profetike, qasje që ju drejtohet mendjeve me mençuri dhe zemrave me mëshirë, dhe i thërret Zotit me një butësi që të ngjall, jo me ashpërsi që të largon.
Nëse do të flisnit për moralin e tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, fjalët nuk do t’i bënin drejtësi. Ai ishte një moral i personifikuar dhe një mëshirë në këmbë. Falja ishte natyra e tij, bujaria ishte zakoni i tij dhe përulësia ishte rruga e tij. Ai i falte ata që i bënin padrejtësi, lidhej me ata që e ndërprenin, nderonte ata që i bënin padrejtësi, ngushëllonte të trishtuarit, i ledhatonte kokën jetimit, kishte mëshirë për të rinjtë dhe respektonte të moshuarit. Ai nuk bënte dallim midis të pasurve dhe të varfërve. Ai ulej midis shokëve të tij, i dëgjonte dhe miqësohej me ta sikur të ishte një prej tyre. Pavarësisht kësaj, ai kishte një frikë që mbushte shpirtrat dhe një dashuri që pushtonte zemrat.
Në Betejën e Uhudit, koka e tij fisnike u plagos, fytyra e tij e pastër u përgjaku ku gjaku i tij i pastër rridhte, por pavarësisht dhimbjes së plagëve, zemra e tij nuk njihte hakmarrje, as gjuha e tij nuk shqiptoi ndonjë kërcënim, përkundrazi, ai u ngrit mbi plagët dhe e kapërceu dhimbjen e tij dhe tha: “ O Zot, fale popullin tim, sepse ata nuk e dinë.”
Ndërsa në ditën e çlirimit të Mekes, kur ai u rrethua nga ata që e kishin dëmtuar, lënduar dhe e kishin dëbuar, ata qëndruan para tij me kokat e ulura, ndërsa ishte në pozita pushteti dhe force, i aftë t’u jepte dënimin më të rëndë, por ai, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, nuk nxori shpatë, përkundrazi nxorri falje dhe u shpreh me fjalët e të mëdhenjëve: “Ai u tha: “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf 92)
Por vallë: Cila do të ishte gjendja e një umet nëse do të karakterizohej nga kjo fisnikëri?! Si do të ishte gjendja e shpirtrave të tij nëse ky moral do të përthithej prej tyre dhe zemrat e tij do të thithnin këtë aromë?! Sa të pastër do të ishin në marrëdhëniet e tyre, të rafinuar në marrëdhëniet e tyre, të fortë në unitetin e tyre dhe të lartësuar në radhët e lavdisë, nderit dhe fuqizimit.
I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ishte i madh në të gjitha drejtimet; Ai ishte udhëheqës që kujdesej për umetin, popullin e tij, sundimtar që drejtonte timonin e umetit, duke vendosur shtyllat e qytetërimit, bashkëshort i dashur që kujdesej për punët e familjes së tij, rob mirënjohës që qëndronte para Zotit të tij në mes të natës derisa i plasariteshin këmbët, dhe reformator i mençur që shëronte sëmundjet e shoqërisë. Në secilin prej këtyre aspekteve, ai ishte një model unik, një mësues për t’u imituar dhe për t’u ndjekur.
Në haxhin e tij të lamtumirës, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, qëndroi në fushën e Arafatit, i rrethuar nga valë zemrash besimtare. Më shumë se njëqind mijë shpirtra që dëgjonin me përulësi, për të dëshmuar deklaratën më të madhe të njohur në histori. Një predikim, ligjërim i pavdekshëm, në të cilin i dërguari, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, hartoi një udhërrëfyes për umetin e tij, përcaktoi tiparet e mbijetesës dhe faktorët e lavdisë. Në atë ligjërim ai shpalli barazinë midis njerëzve dhe shfuqizoi të gjitha dallimet e rreme bazuar në prejardhje, para, ngjyrë ose gjini. Nguliti në zemra një peshore hyjnore që është devotshmëria. Pastaj rekomandoi trajtimin e mirë të grave, paralajmëroi kundër padrejtësisë dhe përkujtoi me shenjtërinë e gjakut. Ai e përfundoi predikimin, ligjërimin e tij të fundit të madh me një testament të përjetshëm, i cili është litari i shpëtimit dhe kushtetuta për sukses në këtë botë dhe në botën Tjetër, duke thënë: “Kam lënë në mesin tuaj dy gjëra, nëse ju përmbaheni fort atyre, nuk do të humbisni kurrë rrugën e drejtë: Librin e Zotit, Kuranin, dhe sunetin, traditën time.” Zotit i kërkoj falje, tek Zoti kërkoni falje, vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili dërgoi të profetin e Tij udhërrëfyes, përgëzues dhe paralajmërues i të vërtetës. Allahun e Madhërishëm e lavdëroj me lavdërime të shumta.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, ka krijuar njerëzit dhe ka përcaktuar fatet me një përcaktim të saktë.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, e ka dërguar atë mëshirë për mbarë botën dhe ka hapur përmes tij zemra të shumta. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.
Në vijim
Porosis veten dhe ju që t’i frikësohemi Allahut.
Pasi që i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, përcolli mesazhin, përmbushi amanetin, edukoi një umet dhe ngriti një qytetërim, ai u sëmur rëndë në fund të jetës së tij. Megjithatë, ai përsër nuk hoqi dorë, nuk neglizhoi ndaj umetit të tij, përkundrazi, këshilla e tij e fundit ishte: “ Namazi, namazi! Kini frikë Allahun për ata që posedoni nën pushtetin tuaj.”
Ai doli para njerëzve në çastet e tij të fundit, duke i shikuar me një sy dashurie, sikur zemra e tij po endej mes tyre, duke u thënë lamtumirë. Pastaj u kthye në shtëpinë e tij dhe e dorëzoi shpirtin e tij të pastër në prehrin e Aishes, Zoti qoftë i kënaqur me të. Medina u trondit, por drita e tij nuk u shua dhe suneti i tij nuk u zhduk, përkundrazi, mbeti i gjallë në zemrat e besimtarëve, i rrënjosur fort në jetën e umetit. Trupi vdiq, por efekti mbeti, emaneti mbeti në qafën e këtij umeti që të ndjekin udhëzimin e tij, të ringjallin sunetin e tij dhe të përcjellin mesazhin e tij në mbarë botën. Kush e do vërtet të dërguarin le të ndjekë shembullin e tij dhe të ringjalli sunetin e tij, në veten, në familjen dhe në komunitetin e tij. Dashuria e vërtetë nuk është një pohim i bërë me gjuhë, por më tepër pasim me vepra. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” (Al ‘Imran 31)
O Zot, fale, bekoje dhe mëshiroje të dërguarin tonë, Muhamedin, sa numrin që e përmendin atë përkujtuesit dhe neglizhojnë ndaj tij neglizhentët.
O Zot, na bej nga pasuesit e tij, na ringjall në sunetin e tij, mbush zemrat tona me dashurinë për të dhe forco këmbët tona në rrugën e tij. O Zot, mos na privo nga ndërmjetësimi i tij, na bëj të pimë ujë nga lumi në luginën e tij, mbush jetën tonë me udhëzimin e tij, ndirço shtigjet tona me synetin e tij dhe na bashko me të në Xhenetin Firdous, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, ndihmo robërit e tu besimtarë.
O Zot, bëje këtë vend të begatë, të siguri, dhe të gjitha vendeve muslimane.
O Zot, të lutemi të na japësh Xhenetin, dhe atë që na afron me të prej fjalëve dhe veprave. O Zot, të lutemi të na mbrosh prej zjarrit, dhe çfarë na afron me të prej fjalëve dhe veprave.
O Zot, të lutemi të na japësh fillim dhe përfundim të mirë, dhe përgjatë gjithë kohës, në të parat dhe në të fundit e tyre, nga ato që duke dhe ato që janë të fshehta, dhe të lutemi të na japësh gradë të larta në Xhenet o Zoti i botëve.
O Zot, Ti e di me çfarë janë goditur vëllezërit tanë në Palestinën nga fatkeqësitë dhe e keqja, për të cilat Ti je i Vetmi që ke Fuqinë t’i largosh ato, asnjë gjë nuk është përtej fuqisë Tënde në tokë dhe në qiell. O Zot, largo nga ata fatkeqësitë që i kanë goditur, hiq prej tyre izolimin, bllokadën, të lutemi, të jesh në mbështetje dhe ndihmë të tyre, në mbrojtje dhe përkujtdesje të tyre. O Zot, ata janë të uritur mundësoju ushqim, të etur mundusoju që të largojnë etjen, këmbëzbathur prandaj mundësoju të veshje dhe të zbuluar mundësoju atyre mbulim. O Zot, jepu siguri nga frika, forco zemrat e tyre dhe jepu fitore mbi ata që u kanë bërë padrejtësi. O Zot, o Mbështetës i të shtypurve, o i Fortë, o i Pushtetshëm, jepu atyre fitore përballë armikun Tënd dhe armikun e tyre, sionistëve agresivë, të padrejtë. O Zot, shpërndaji forcën e tyre, përçaji fuqitë e tyre dhe denoi ata ashtu siç dënon i Plotfuqishmi i Plotpushtetshëm, na trego ndëshkimin Tënd kundër tyre, i cili nuk mund të shmanget nga njerëzit e padrejtë. O Zot, mos mundëso për ata që të ngrejnë flamur, mos i lejo të arrijnë qëllimin e tyre dhe bëji ata shembull dhe shenjë, argument. O Zot, shpejto lehtësimin Tënd dhe jepi popullit të Palestinës fitore me të cilën do ngrejnë flamurin e tyre, do të vendosë të drejtat e tyre dhe do u rikthejë tokën, sigurinë dhe dinjitetin e tyre, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, ruaj haxhintë e shtëpisë Tënde të shenjtë, Qabes, largo nga ata vështirësitë dhe gjynahet, ktheji ata në shtëpitë e tyre shëndosh e mirë dhe fitimtarë.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta në atë do dhe je i kënaqur. O Zot, jepi sukses atij në udhëzimin Tënd dhe bëj veprat e tij të meritojnë kënaqësinë Tënde. Jepi sukses zëvendësit të tij në çdo të mirë, o Zoti i botve, dhe bëj që prej atyre të dyve të përfitojë Islami dhe muslimanët.
Jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve të punojnë me librin Tënd, Kuranin, dhe me udhëzimin e të dërguari Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Ai ju kujton ju, Falënderojeni Atë për të mirat dhe begatitë e Tij që t’ua shumojë ato.
” …vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj