Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 07-11-1447 H 24-04-2026 D
Shejh Abdurrahman Sudejs
Tema Respektimi i Shtëpisë së Shenjtë të Zotit, Qabes, dhe vlerat e Haxhit
Vërtetë të gjitha lavdërimet i takon Zotit. Ty të lavdërojmë Zotin ynë, kërkojmë ndihmën Tënde, pendohemi tek Ti, kërkojmë faljen Tënde dhe të lavdërojmë Ty për çdo mirësi. Allahun e Madhërishëm e lavdërojmë, mëshira dhe dituria e Tij ka përfshirë çdo gjë, ka bërë Shtëpinë e Tij të Shenjtë, Qaben, vend të shenjtë dhe të sigurtë për njerëzimin. Për Ty janë të gjitha lavdërimet të shoqëruar me mirënjohje të vazhdueshme ndaj Teje. Ty të takon i gjithë lavdërimi në këtë jetë dhe në Jetën e Përtejme, në Ahiret. Ty të takon i gjithë lavdërimi, o Zotërues i Madhështisë. Ai që është falënderues ndaj Teje përmes lavdërimit, me të vërtetë ka merituar mirënjohje.
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, vendosi shtyllat e Islamit mbi themelet më të forta.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, Zoti për mes tij ngriti dritën e së vërtetës mbi re. Paqja, bekimet dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, udhëheqësit e udhëzimit për çdo kërkues dhe pasues, dhe mbi ata që i pasuan në mirësi me cilësitë më të bukura dhe virtytet, vlerat më të larta.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, nxitoni në shfrytëzimin e mundësive dhe sezoneve: “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.”(El-Bekare 281)
“Frikësoju Zotit fshehurazi dhe në publik, në të qëndron gjithë mirësia e vërtetë, ji i sigurt. Që të shpërblehesh nga Zoti, më Bujari, me Mirësinë e Tij të jep vend nderi në Xhenet, ku do të qëndrosh përgjithmonë.”
O besimtarë! Ja ku janë muajt e shenjtë, muajt e ndritshëm të Haxhit. Dritat e tyre kanë shkëlqyer në qiellin e umetit, netët e tyre kanë shkëlqyer dhe ditët e tyre kanë aguar. Lulet e tyre janë plot aromë lajmesh të gëzuara, frutat e tyre me mirësi e bekime, vlerat dhe efektet e tyre kanë shkëlqyer në zemrat e haxhinjëve.
Ja ku janë delegacionet e para për në Shtëpinë e Shenjtë të Zotit, Qaben, delegacione që kanë filluar të mbërrijnë nga vende të ndryshme. “…prej të gjitha viseve të largëta.” (El-Haxhxh 27) Mjetet e tyre të udhëtimit u urdhëruan të zbrisnin prej tyre në këto vende të shenjta dhe oborre të larta.
“Mirë se vini në grupe nga çdo vend, nga ata që i përgjigjeni thirrjes, qofshin të pranishëm apo jo, në Meke.
Mirë se vini në vëllazërinë që shkëlqen si dielli dhe me pastërti si në rrobat më të pastra.”
Mirë se vini, o mysafirë të Gjithëmëshirshmit, në më të shenjtën e tokave dhe vendeve, në më të pastrat e rajoneve dhe zonave. Mirë se keni ardhur o mysafirë, mirë se keni mbërritur në tokën e bekuar. Kjo është Meka e nderuar, djepi i fesë dhe i Islamit, vendlindja e profetëve dhe e të dërguarve fisnikë. Ky është vend i shenjtë nderimi dhe adhurimi gjatë gjithë shekujve. I Gjithëmëshirshmi e zgjodhi atë dhe brenda kufijve të tij u shpall Kurani. Në të lindi, u rrit dhe u dërgua si profet zotëria i njerëzimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
“Të gjitha tokat, sado madhështore të jenë bukuritë e tyre, nuk janë gjë tjetër veçse një gjerdan, pjesa unike e të cilit është vendosur në Nënën e Qyteteve, Meke.
Karvanët lëvizës synojnë drejt saj dhe pelegrinët synojnë drejt Qabes pa ndërprerje.”
O muslimanë! I Plotfuqishmi, Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar i ka dhuruar kësaj toke të bekuar, Mbretërisë së Arabisë Saudite, vlera të mëdha dhe karakteristika të shumta. Prej tyre, ajo përmban shtëpinë e parë të adhurimit të ngritur në tokë për adhurimin e Zotit, simbol i monoteizmit dhe unitetit, i ritualeve dhe ndjenjave, i sigurisë dhe qetësisë.
Zoti e bëri Shtëpinë e Shenjtë, Qaben, të bekuar dhe udhëzim për të gjithë njerëzimin. Nga bujaria e Tij e pakufishme dhe mirësia e Tij e bollshme mbi ata që vizitojnë Qytetin e Tij të Shenjtë, Meken, dhe Shtëpinë e Tij të Lashtë, Qaben, ka bërë që namazi në të dhe shpërblimet për të janë të shumëfishta. Zoti është më i Madhi! Çfarë mirësie hyjnore madhështore dhe dhurate bujare që Zoti i ka dhuruar Shtëpisë së Shenjtë, Qabes, dhe vizitorëve të saj.
O ju muslimanë! O pelegrinë, haxhinjë të bekuar! Kujtoni gjithmonë madhështinë dhe nderimin e vendit, vlerën dhe paprekshmërinë e tij, pastërtinë dhe shenjtërinë e tij: “Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabesë, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera të përhershme për njerëzimin…” (El-Ma’ide 97)
Ky është një aspekt i të qenit e tij i bekuar dhe udhëzim për të gjithë njerëzimin. Një aspekt tjetër janë ato lutje të bekuara dhe dëshira të përhershme me të cilat Miku i të Mëshirshmit, Ibrahimi, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, iu lut të Plotfuqishmit, Allahut të Madhërishëm, që ta bënte Meken një vend stabiliteti, qetësie, monoteizmi të pastër dhe besimi. “(Kujtoje) kur Ibrahimi tha: “O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve!”(Ibrahim 35)
Realizimi i monoteizmit të pastër, besimit në Një Zot të Vetëm, dhe mbrojtja e tij nga dyshimet, papastërtitë dhe inovacionet, është gjëja më e rëndësishme për një pelegrin në Tokën e Shenjtë që duhet të arrijë dhe të vendosë, veçanërisht në Qaben e Shenjtë dhe në përgjithësi në të gjitha vendet e tjera. Ky është udhëzimi më i madh për të gjithë njerëzimin, i realizuar nën hijen e Shtëpisë së Lashtë, Qabes, dhe brenda sigurisë së bollshme që gëzon kjo tokë e bekuar, Mbretëria e Arabisë Saudite. Ajo është mbrojtëse e dy xhamive të Shenjta, kulmi i sigurisë dhe paqes, fortesa e monoteizmit dhe besimit. Ruajtja e sigurisë së saj është akt adhurimi dhe përkushtimi përmes të cilit robërit i afrohen Zotit të tyre. “Vallë, a nuk e shohin ata se si Ne u kemi dhënë atyre një vend të shenjtë e të sigurt (Mekën), ndërkohë që njerëzit rreth tij po grabiten?”(El ‘Ankebut 67) “Vallë, a nuk ua kemi mundësuar, që të jetojnë në një vend të shenjtë e të sigurt, ku sillen fruta të llojllojshme…” (El-Kasas 57) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit…” (El-Bekare 125) Të shqetësuarit gjejnë siguri në të dhe të frikësuarit e tmerruar gjejnë paqe në afërsi të saj. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtetë, ky qytet u bë i shenjtë nga Zoti ditën kur Ai krijoi qiejt dhe tokën, dhe do të mbetet i tillë nga shenjtëria e Zotit deri në Ditën e Gjykimit.” Muttefikun Alejhi.
Kjo siguri e lartë
dhe mbrojtje e fortë nuk u krijuan thjesht nëpërmjet raportimit dhe vendosjes
së parimeve, përkundrazi, ato u forcuan dhe u ngritën nga kërcënime të ashpra
dhe qortime të sigurta ndaj kujtdo që përpiqet ta shkelte atë ose kërkon ta
shkatërrojë atë. “…dhe, ata që synojnë
ta përdhosin (Xhaminë), me të keqe, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të
dhembshëm.”(El-Haxhxh 25) Kjo është për ata që janë të shqetësuar, kujdesen për të!
Po ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt?! Çështja është më serioze dhe e rëndësishme.
“Zoti e bëri Qaben vend të shenjtë, të sigurtë, i dha asaj drita rrezatuese, që
shkëlqejnë fort.
Zoti e mbuloi me vello, e kur ajo u hoq prej saj, drita e Zotit shkëlqeu mbi mure.”
Vëllezër në Islam! Haxhinjë të Shtëpisë së Shenjtë të Zotit, Qabes! Haxhi është një nga aktet më të mëdha të adhurimit. Ai ka kushte, rregulla dhe detyrime që çdo person që synon ta vizitojë këtë Shtëpi duhet t’i dijë në mënyrë që t’i zbatojë ato, në mënyrë që Haxhi i tij të pranohet tek Zoti i Plotfuqishëm. Tek dy Sahihet, Buhariu dhe Muslimi, ka ardhur nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ai ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “Kush e kryen Haxhin për hir të Zotit dhe nuk merret me fjalë të turpshme ose nuk kryen gjynahe në të, do të kthehet prej tij i pastër si dita kur e ka lindur nëna e tij.”
Urdhri, vendimi dhe detyra më e madhe është që Haxhi të jetë një pikënisje për arritjen e monoteizmit të pastër vetëm për Zotin: “Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim)…”(El-Haxhxh 26) Sikurse që të përmbahen nga çdo gjë që bie ndesh me Librin e Zotit, Kuranin, dhe sunetin, si dhe nga çdo besim që nuk e kanë pasur paraardhësit e këtij umeti.
O popull musliman! Umeti musliman duhet të jetë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm përballë fushatave që e synojnë atë nga mediat mashtruese dhe armiqësore dhe nga nxitësit e rebelimit. Kjo kërkon saktësi, qëndrueshmëri, mençuri, unitet të radhëve dhe marrëveshje fjale, konsensus. “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al ‘Imran 103)
Sa e mrekullueshme është që haxhiu dhe vizitori të vlerësojnë statusin e kësaj Shtëpie të lashtë dhe shenjtërinë e këtyre vendeve të bekuara, me vlerësimin, nderimin, shenjtërinë dhe admirimin që i rrethon ato! Në të nuk duhet derdhur gjak, nuk duhet prerë asnjë pemë, nuk duhet shqetësuar asnjë gjah dhe nuk duhet marrë asnjë send i humbur përveçse nga dikush që e njeh, për më tepër, si mund të lejohet dëmtimi i një qenieje njerëzore?! Nuk është e lejuar kurrë të shndërrohet ky vend i sigurt në diçka që bie ndesh me objektivat e sheriatit dhe parimet e Islamit. “Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.”(El-Haxhxh 32)
O Zot, shto për këtë Shtëpi Tënden nderin, respektin, vlerësimin dhe admirim. Shtoji ata që të adhurojnë në të dhe e nderojnë atë, nga mesi i atyre që kryejnë Haxhin dhe Umren, me nderim, vlerësim, frikë-respekt, devotshmëri dhe drejtësi, o më i Miri Përgjegjës, Kujdestarë, dhe më Bujari i atyre që shpresojnë tek Ti.
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (si): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim) dhe (fakti që) kush hyn në të është i sigurt. Njerëzit e kanë detyrim ndaj Allahut ta vizitojnë (për haxh) këtë Faltore, kushdo prej tyre që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, (ta dijë se) Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Al ‘Imran 96-97)
Zoti na begatoftë të gjithëve në Kuranin Famëlartë dhe në synet, na bëftë dobi me urtësitë dhe argumentet që ata përmbajnë.
Zotit të Madhërishëm i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët dhe muslimanet nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje dhe tek Ai pendohuni, sepse Allahu e pranon pendimin dhe është Mëshirues.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na ka dhuruar mirësi të shumta. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin dhe të zgjedhurin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin dhe madhërojeni Atë, kini frikë madhështinë dhe përsosmërinë e Tij, dhe binduni Atij, që të rregullohen çështjet tuaja në jetën tuaj në këtë botë dhe në botën Tjetër, në Ahiret. Dijeni se fjala më e vërtetë është Libri i Zotit, dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të. Çështjet më të këqija janë ato që shpiken rishtasi, bidatet, e çdo bidat është devijim. Përmbajuni xhematit, bashkësisë, sepse ‘dora e Zotit’ është me xhematin, e kush shmanget prej bashkësisë do të përfundojë në Zjarr të Xhehenemit.
Haxhinjë të Shtëpisë së Shenjtë të Zotit! Falënderoni Zotin e Plotfuqishëm për bekimin e arritjes tuaj në këtë vend të shenjtë dhe për nderin e vendit dhe kohës që po përjetoni, muajt e Haxhit dhe muajt e shenjtë, për të cilët Zoti ka thënë: “Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” (Et-Teube 36) Dijetarët kanë thënë: “Domethënë, nëpërmjet gjynaheve dhe shkeljeve.”
Njihni vlerën dhe pozitën e këtyre muajve të shenjtë, si dhe nderin dhe vlerën e këtij vendi. Le të jenë ndërgjegjësimi dhe karakteri, morali juaj i mirë parimet tuaja udhëzuese. Ndihmoni të dobëtit dhe nevojtarët dhe udhëzoni të humburit me mirësi dhe buzëqeshje. Jini të qetë dhe me dinjitet, me dhembshuri dhe të mëshirshëm, përpiquni të jeni të matur dhe të arsyeshëm. Jini mbështetje për vëllezërit tuaj, nga personeli i nderuar i sigurisë, të cilët ruajnë rendin dhe drejtojnë njerëzit për të parandaluar mbipopullimin dhe rrëmujën. Zbatoni rregulloret dhe direktivat. Prej tyre; nuk ka Haxh vetëm se me leje të miratuar, në mënyrë që të arrihen objektivat e mëdha të sheriatit, legjislacionit Islam, të sjelljes dhe përsosjes së përfitimeve, dhe për shmangien dhe minimizimin e dëmeve. Bashkëpunoni me ata që janë përgjegjës për t’ju shërbyer nga organet mbikëqyrëse të dy xhamive të shenjta, në aspektin fetar, të sigurisë dhe të shërbimit, sepse ata punojnë me zell dhe pa u lodhur. Sa shumë kanë përgatitur, planifikuar, rregulluar dhe koordinuar për t’ju shërbyer! Ata sakrifikojnë për rehatinë tuaj dhe nuk kursejnë asnjë gjë për sigurinë tuaj, duke përmbushur misionin e tyre të përhapjes së udhëzimeve për të gjithë dhe për të pasuruar përvojën e pelegrinëve.
Zoti i ruajt haxhinjtë e Shtëpisë së Tij të Shenjtë, përjetësoftë sigurinë dhe mbrojtjen e tyre, begatinë dhe stabilitetin e tyre, i aftësoftë ata të kryejnë ritualet e tyre me lehtësi dhe qetësi, u dhëntë atyre sevape dhe shpërblim të madh, Ai është më i Miri Bujar.
Zoti ju mëshiroftë! Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për më të mirin e njerëzimit, hënë rrezatuese që thurën yje dhe lule me harmoni, lutje që nxjerrin aromë dhe lule, sikurse ju urdhëroi Zoti i Lartësuar dhe i Madhërishëm në Librin e Tij me sistem të përsosur dhe të mrekullueshëm, Zoti i Lartësuar ka thënë fjalë madhështore: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë Muhamed, familjen dhe të gjithë shokët e tij. O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me kalifët e parët të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inët dhe me ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, jepu siguri haxhinjve, atyre që kryejnë Umren dhe vizitorëve, bëje këtë vend të paqtë, të sigurt, të qetë dhe me stabilitet, dhe të gjitha vendeve muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso dhe jepu sukses udhëheqësve dhe kujdestarëve të çështjeve tona. O Zot, mbështet me të vërtetën dhe në të drejtën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona. O Zot, jepi sukses, udhëheqësin tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta dhe zëvendësit të tij në atë që është lartësimi i Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, dhe në atë që është e mirë dhe e dobishme për vendin dhe për popullin. O Zot, shpërbleji ata me shpërblimin më të mirë dhe më të plotë, për atë çfarë kanë ofruar dhe vazhdojnë të ofrojnë për dy xhamitë e shenjta dhe vizitorët e tyre. O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë dhe mbrojtjes tonë dhe atyre që janë të vendosur dhe vigjilojnë në kufijtë tanë.
O Zot, jepu sukses të gjithë udhëheqësve të muslimanëve dhe bëji ata mëshirë për robërit e Tu besimtarë. Mbro haxhinjtë, pelegrinët, vizitorët dhe ruaj sigurinë e tyre, lehtëso kryerjen e ritualeve të tyre me shëndet dhe mirëqenie të mirë, o Zot i Botëve. O Zot, të lutemi të jesh me muslimanët e shtypur në çdo vend. O Zot, të lutemi të jesh me muslimanët e shtypur në Palestinë. O Zot, të lutemi që të jesh mbështetës dhe ndihmës i tyre, mbrojtës dhe ruajtës i tyre. O Zot, ruaj xhaminë Aksa nga sulmet e agresorëve, nga komplotet e intrigantëve dhe nga tradhtia e mashtruesve, dhe bëje atë të lartësuar dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, të lutemi të merresh me armiqtë e Tu, armiqtë e fesë dhe me ata që i mbështesin kundër muslimanëve. O Zot, merru me ta, sepse ata nuk mund t’i shpëtojnë fuqisë Tënde. O Zot, shpërndaj unitetin dhe radhët e tyre, bëji shembull për ata që mendojnë.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
O Zot, na fal ne, prindërit tanë dhe prindërit e tyre, dhe të gjithë muslimanët dhe muslimanet, të gjallë dhe të vdekur. Vërtetë, Ti je që i dëgjon të gjitha, je afër dhe u përgjigjet lutjeve.
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)
Afrim Smakaj