Lutjet e Ibrahimit: Përulësi dhe Njësim

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    14-11-1447 H     01-05-2026 D

Shejh Dr. Ahmed Bin Ali Hudhejfe

Tema      Lutjet e Ibrahimit: Përulësi dhe Njësim

Vërtetë lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet,  e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë,  Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71) 

Në vijim

Porosis veten dhe ju që ti frikësohemi Zotit, e cila është gjëja më e çmuar që mbush zemrat dhe gjëja më e bukur që zbukuron njerëzit nga pamja e jashtme. Vërtetë, frika ndaj Zotit, është arsyeja më e mundshme për të arritur vlera. Arsyeja më e madhe: “ Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” (El-Bekare 197)

Vëllezër në besim! Vërtetë, ajo që Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka depozituar në librin e Tij të madh nga historitë  e profetëve dhe të dërguarve me rrëfime të vërteta, është begati e madhe dhe burim i dobishëm plot me situata këshille dhe reflektimi. “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë.”(Jusuf 111) Në mesin e atyre historive Kuranore dhe rrëfimeve Hyjnore është ajo që Zoti i Lartësuar tregoi në lidhje me mikun e Tij, Ibrahimin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi atë dhe të dërguarin tonë,  me Haxheren dhe djalin e saj, Ismailin, paqja e Zotit qoftë mbi ta, në fjalën e Tij, Allahu i Lartësuar, thotë: “Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij…” (El-Bekare 126) Dhe në fjalën e Tij,  Zoti i Lartësuar ku thotë: “ (Kujtoje) kur Ibrahimi tha: “O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve!”(Ibrahim 35) Kur i la ata, me urdhër të Zotit, në atë luginë të shkretë dhe të vetëm.

Ndërsa në detajet e asaj ngjarje të habitshme për  të cilën tregon, flet, Kurani,  Buhariu dhe të tjerë kanë transmetuar nga Ibn Abasit, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, se kur Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, udhëtoi me Haxheren dhe djalin e saj të vogël, Ismailin, për në Meke me urdhër të Zotit, ai i vendosi ata nën një pemë në vendin e Shtëpisë, Qabes. E në atë kohë nuk kishte as ujë dhe as njerëz në Meke. Ai u la atyre një qese me hurma dhe një enë të vogël mbante ujë, pastaj u kthye dhe u nis. Pastaj nëna e Ismailit e ndoqi atë, duke thënë: “O Ibrahim, ku po shkon, duke na lënë në këtë luginë ku nuk ka as njeri as asgjë tjetër?” Ajo ia tha këtë disa herë, por ai nuk i ktheu përgjigje. Pastaj ajo i ka thënë: “ A Zoti të ka urdhëruar ta bësh këtë?” Ai i ka thënë: “Po.” Haxherja ka thënë: “Atëherë Ai nuk do të na braktisë.” Pastaj ajo u kthye. Ibrahami u nis derisa arriti në grykën e Kadasë ku ata nuk mund ta shihnin, pastaj ktheu fytyrën nga Shtëpia, Qabeja, dhe u lut me këto fjalë që Zoti i Lartësuar  ka treguar: “O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.”(Ibrahim 37) Pastaj, Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, u kthye tek ata pas një kohe, kur djali i tij, Ismaili, ishte rritur. Kur mbërriti, e gjeti Ismailin duke mprehur shigjetat e tij nën një pemë pranë Zemzemit. Kur e pa, shkoi tek ai dhe ata u sollën me njëri-tjetrin ashtu siç një baba sillet me të birin dhe një bir me të atin. Pastaj ai tha: “O Ismail, Zoti më ka urdhëruar të bëj diçka.” Ai tha: “Atëherë bëj siç të ka urdhëruar Zoti yt.” Ibrahimi i tha: “A do të më ndihmosh?” Ismaili i tha: “Unë do të të ndihmoj.” Ibrahimi i tha: “Sepse Zoti më ka urdhëruar të ndërtoj një shtëpi këtu.” Ai tregoi një kodër që ishte më e lartë se zona përreth. Kështu në këtë vend ata të dy ngritën themelet e shtëpisë. Ismaili filloi të sillte gurët ndërsa Ibrahimi ndërtonte, ndërsa ata të dy luten duke thënë, sikurse Zoti ka treguar në shpalljen e Tij: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!”(El-Bekare 127) Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ata të dy dhe mbi të dërguarin tonë.

LEXO  Në ngjarjet e të kaluarës ka mësim dhe ngushëllim për të pranishmit

Ajo është një nga historitë e mbushura me kuptimet e besimit në Zot, sinqeritetin e adhurimit  ndaj Tij dhe përsosmërinë e nënshtrimit ndaj urdhrit të Tij.  Në situatën e parë të historisë qëndron pajtueshmëria e mrekullueshme ndaj urdhrit të Zotit nga miku i Tij, Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, me një besim të fortë dhe siguri të palëkundur, nuk e trondisin atë trazirat e shpirtit dhe mendimet e tij të shkurtra.  Sikurse del në pah nënshtrimi ndaj gjykimit të Zotit nga Haxherja, paqja e Zotit qoftë mbi të, me një zemër të mbushur me qetësi dhe që e mbulon atë bindja në Zot. Kjo ishte një përgatitje nga Zoti i Lartësuar për ndërtimin e Shtëpisë së Tij të lavdishme, Qabes,  në atë luginë të shkretë, nga duart e mikut të Tij, Ibrahimit, dhe birit të tij, Ismailit, paqja e Zotit qoftë mbi ata të dy. Zoti, pas kësaj, e bëri Shtëpinë e Tij, Qaben,  vend të shenjtë për njerëzit dhe vend sigurie, simbol nga simbolet më sublime të monoteizmit, Njësimit të Zotit, dhe një nga shenjat më të qarta të sinqeritetit të adhurimit ndaj Zotit. Allahu bëri zemrat e njerëzve të dëshirojnë atë dhe u siguroi atyre fruta në mënyrë që të ishin mirënjohës, në përgjigje nga Ai për lutjet e mikut të Tij, Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të.

Ditët dhe shekujt kalojnë, ndërsa thirrja, lutja, e mikut të Zotit, Ibrahimit,  paqja e Zotit qoftë mbi të, jehon në çdo shkretëtirë dhe qytet: “Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta.” (El-Haxhxh 27) Ja ku janë turmat e haxhinjëve dhe të parët e atyre që synojnë ta vizitojnë atë këto ditë, duke ardhur aty nga çdo vend i largët, për të dëshmuar përfitimet për veten e tyre, për të kryer ritualet e tyre dhe për të bërë tavafin rreth Shtëpisë së lashtë, Qabes. Ata vijnë në këto vende të shenjta, të mbuluar nga retë e qetësisë dhe besimit, të rrethuar nga fllade paqeje, begatie dhe sigurie. “Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vendfaljeje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrijnë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur!”(El-Bekare 125) Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë dhe na bëftë dobi me sunetin e të dërguarit të Tij fisnik, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

LEXO  Nga mirësitë e Ramazanit nxitja për të përfituar nga Nata e Kadrit

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e Dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili vazhdon gjithmonë të na dhurojë bekime dhe mirësi, dhe përherë i shton begatitë dhe mirësitë e Tij me dhuratat e Tij specifike. Ju ka furnizuar me lloje të ndryshme bekimesh nga bujaria dhe mirësia, ju ka dhënë nga bujaria e Tij më shumë sesa mund të dëshironit dhe ju ka dhënë nga dhuratat e Tij atë që është e mjaftueshme për atë që dëshironit. “ Ai ka vënë në shërbimin tuaj natën dhe ditën. Ai ju jep gjithçka që i kërkoni.” (Ibrahim 33-34) Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi zotërinë dhe të dërguarin tonë Muhamedin, vulën e të dërguarve dhe profetëve të Tij, ai i cili përcolli mesazhet dhe lajmet e Tij, mbi familjen, shokët, pasuesit dhe miqtë e tij. Lutje dhe përshëndetje dërgojmë për  të gjithë ata, lutje dhe përshëndetje që ngelen deri në Ditën e Gjykimit.

Në vijim

O muslimanë! Nga mësimet dhe njohuritë e asaj historie çfarë Zoti tregon për mikun e Tij, Ibrahimin, paqja e Zotit qoftë mbi të, janë ato lutje sublime me të cilën ai i përfundoi ato dy situata. Ajo që na tërheq vërtet vëmendjen është ajo frymë besimi e mbushur me përulësi para Zotit, varësi të plotë ndaj Tij dhe përkushtim të sinqertë ndaj Tij. Kjo manifestohet në kërkesën e tij ndaj Zotit për mbrojtje nga politeizmi dhe nga gërvishtja e pasqyrës së monoteizmit, lutja e atij që mbron fenë e tij, që mohon fuqinë dhe forcën e tij, në fjalën e Tij: “(Kujtoje) kur Ibrahimi tha: “O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve! O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; ndërsa për atë që më kundërshton mua, Ti, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirëplotë.”(Ibrahim 35-36) Kjo është e dukshme në lutjet e tij ndaj Zotit që ta pranojë punën e tij kur ngriti themelet e Shtëpisë, lutja e dikujt që nuk e konsideron punën e tij si të vetën dhe nuk vëren asgjë tjetër përveç favorit të Krijuesit të tij në të, duke iu lutur me përulësi Atij që t’i nënshtrohet Atij dhe të pendohet tek Ai, në fjalën e Tij: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabesë, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!”(El-Bekare 127-128) Dhembshuria e tij për pasardhësit e tij dhe dashuria e tij për ta dhe për besimtarët, si dhe sinqeriteti i këshillave të tij për ta dhe për ata që vijnë pas tyre, në përmbushje të shërbimit ndaj Zotit dhe në shërbim të vullnetit të Tij, manifestohen në fjalën e Tij: “O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.”(Ibrahim 37) Në fjalën e Tij: “ O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet! O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari!”(Ibrahim 40-41) Dhe në fjalën e Tij: “ O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë Shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”(El-Bekare 129)

LEXO  Këshilla që theksojnë domosdoshmërinë e drejtësisë dhe kujdesin për Xhaminë Aksa

Këto janë lutje që nxjerrin në dritë  sinqeritetin me Zotin, përulësinë para Tij dhe nënshtrimin ndaj Tij,  prej nga buron aroma e një zemre të shëndoshë me dashuri dhe mirësi për krijesat dhe këshillimin e tyre.

Prandaj, o besimtarë dhe besimtare,  reflektoni mbi këto kuptime të thella gjatë këtyre ditëve të bekuara, koha e të cilave është e nderuar, degët e të cilave janë plot me fryte, vlera e të cilave është madhe dhe hëna e plotë e të cilave ka lindur. Sepse ky muaj fisnik kombinon dy virtyte: Njëri nga dy muaj e Haxhit dhe i pari i tre muajve të shenjtë të njëpasnjëshëm.  E si do të ishte kur kësaj t’i shtohej dhe nderi i vendit?! Sikurse Zoti ju ka zgjedhur për në këto toka të shenjta, dhe ka kombinuar për ju nderin e vendit dhe të kohës. Ju shijoni hijen e qetësisë dhe besimit, dhe kënaqeni në kopshtet e begata dhe të sigurta.  Ky është një nga bekimet më të mëdha dhe mirësitë më madhështore që obligon, meriton lavdërimin dhe falënderimin e Zotit, dhe lutje drejtuar Atij për sundimtarët e kësaj toke të bekuar  që Ai t’u japi sukses, udhëzim dhe shpërblim të  plotë në të dy botët.

O Zot, shpërbleji plotësisht ata për atë që ofrojnë në shërbim të dy xhamive të shenjta dhe vizitorëve të tyre, në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.

Pastaj shtoni lutjet dhe përshëndetjet për të zgjedhurin dhe zotërinë  e njerëzimit. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet, një nga ditët tuaja më të mira është dita e xhuma, e premte, prandaj shtoni lutjet dhe përshëndetjet tuaj mbi mua në të, sepse lutjet tuaja mbërrijnë tek unë.”

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje zotërinë e të parëve dhe të fundit, udhëheqësin e të dërguarve dhe mëshirën Tënde mbi botët, zotërinë dhe profetin tonë Muhamed, familjen dhe të gjithë shokët e tij, tabi’inët dhe ata që i pasojnë  në mirësi deri në Ditën e Gjykimit,na përfshij dhe ne me ta me mirësinë, begatinë dhe bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët,  bëj këtë vend të sigurt, të paqtë dhe të bekuar, o Zot i botëve, dhe bëje këtë për të gjitha vendet muslimane.  O Zot, përmirëso çështjet e muslimanëve në çdo vend dhe kohë, o Zot i botëve. O Zot, të lutemi t’i lehtësosh të shtypurit nga vështirësitë dhe shqetësimet e tyre, dhe t’i ndihmosh ata kundër armikun Tënd dhe armikun e tyre, o Zot i botëve, o i Fortë, o i Plotëfuqishëm.

O Zot, ruaj këtë tokë të bekuar, djepin e dy xhamive të shenjta, vendin e prehjes së zotërisë së të dërguarve dhe dashuria e zemrave të botës muslimane. O Zot, ruaj atë me mbrojtjen Tënde, sprapsi komplotet e intrigantëve dhe largo prej tij makinacionet e mashtruesve, o Zot i Botëve.  O Zot, ruaj dijetarët e saj, sundimtarët e saj, shenjtëritë e saj, vendet e saj të shenjta, vlerat e saj, akiden e saj, fenë e saj, sigurinë e saj dhe besimin e saj, o Zot i Botëve. O Zot, ruaj kufijtë e saj dhe ruaji ushtarët e saj, o Zot i Botëve. O Zot, të lutemi me Emrat e Tu të Bukur dhe Cilësitë e Tua të Larta ta mbrosh atë me mbrojtjen Tënde, o Zot i Botëve, dhe të ruash tokat e muslimanëve, o më i Madhi Bujar.

O Zot, ruaj udhëheqësin tonë, kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe princin e tij të kurorës me mbrojtjen Tënd, mbaji ata nën mbrojtjen dhe kujdestarinë Tënde, o Zot i Botëve. O Zot, udhëzoji ata drejt asaj që është e mirë, e dobishme dhe e drejtë, dhe drejt asaj që është më e mira për popullin dhe vendin.

O Zot, kërkojmë nga Ti prej të mirës që Ti di, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga e keqja që Ti di, dhe kërkojmë faljen Tënde për atë që Ti di, me të vërtetë Ti je Njohësi i të fshehtës.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

Adhurues të Zotit! Përjetësoni mirësinë e Zotit tuaj me falënderimin ndaj Tij, ruani begatitë e Tij duke pasuar urdhrat e Tij, këmbëngulni me lutjet drejtuar Atij dhe me përmendjen e Tij.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1550189390441069/1876814873026701

Post Author: endrit