Siguria dhe besimi: Themeli i një jete të mirë

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    21-11-1447 H     08-05-2026 D

Shejh Ali Hudhejfi

Tema    Siguria dhe besimi: Themeli i një jete të mirë

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, të Plotfuqishmit, Falësin, të Urtin, Mirënjohësin. Zotin tim e lavdëroj për mirësitë e Tij që i dimë dhe për ato që nuk i dimë, njohim. Atij i përket çdo mirësi, çdo begati dhe çdo lavdërim i mirë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i Gjithëdijshmi për atë që kemi në brendësinë e zemrave tona.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi,  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ai i cili thirri dhe udhëzoi drejt çdo vepre të mirë dhe të bekuar. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, ata të cilët ndoqën udhëzimin dhe dritën e tij.

Në vijim

Kini frikë Zotin. Kini frikë Zotin përmes akteve të bindjes dhe shmangni dëshirat dhe gjërat e ndaluara, që të shpëtoni nga Xhehenemi dhe të fitoni kënaqësinë dhe Xhenetin e Zotit.

O muslimanë! Islami ka ardhur për të vendosur në tokë adhurimin vetëm për Zotin, për të hedhur themelet e këtij adhurimi dhe për të sqaruar se kush janë të drejtat e detyrueshme të krijesave të Zotit ndaj Tij,  kush janë të drejtat e tyre ndaj të dërguarit të Tij Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  dhe kush janë të drejtat e robërve ndaj njëri-tjetrit, në mënyrë që muslimani të jetë rob i Zotit, e përfshirë kjo në fjalët e Zotit të Lartësuar ku thotë: “ Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!”(En-Nisa’69) Dijetarët kanë thënë: “Njeriu i drejtë është ai që përmbush të drejtat e Zotit dhe të drejtat e robërve, kështu që Ai do pranojë lutjen e adhuruesve në teshehud, uljen në namaz: ‘Paqja e Zotit qoftë mbi ne dhe mbi robërit e drejtë të Tij’.”

Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt dhe më të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë.”(En-Nisa’ 36) Dijetarët kanë thënë: “Ky quhet ajeti i të drejtave.” Zoti i Lartësuar ka thënë: “ I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin…” (El-Ahzab 6) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Banorëve të Medinës dhe beduinëve që janë rreth saj, nuk u lejohet të mos ndjekin të Dërguarin e Allahut, as të kursejnë jetën e tyre para jetës së tij.”(Et-Teube 120) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ …dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”(El-Enfal 1) Pastaj vjen mesazhi i Islamit për të vendosur siguri, paqe dhe mëshirë në tokë, kjo fe u kujdes së pari për sigurinë e muslimanit dhe vendosi themelet e besimit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.”(El-En’am 82) Kush arrin besimin e plotë, të përsosur, dhe Zoti e mbrojti nga padrejtësia,  që përfshin të gjitha format e politeizmit, Zoti e mbrojti nga padrejtësia ndaj vetes përmes gjynahet dhe nga padrejtësia ndaj të tjerëve, ai do të ketë siguri të plotë në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret, premtim nga Zoti i Plotfuqishëm që nuk do të thyhet. Kush dështon në besimin e tij dhe bën padrejtësi ndaj të tjerëve ose vetes, siguria dhe lumturia e tij në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret, në atë masë sa paksohet monoteizmi i tij dhe drejtësia e tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ “ Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari)…”(El-En’am 82) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira ka çdo mirësi dhe vendbanim të mrekullueshëm!”(Er-Ra’d 28-29) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl 97)

LEXO  Thirrje për të mbështetur të shtypurit

Nëse Zoti i Plotfuqishëm i dhuron vendit siguri dhe qetësi, atëherë feja bëhet e dukshme, e fortë dhe e respektuar, plotësohen lutjet, namazet e xhumasë dhe namazet me xhemate, lulëzojnë bizneset dhe tregtia, përfitimet dhe begatia janë të bollshme. Njerëzit ndihen të sigurt në jetën, nderin dhe pronën e tyre, lulëzon ndërtimi, rrugët janë të sigurta, lidhen qytetet, vendet shkëmbejnë çdo gjë që u nevojitej njerëzve, mjetet e jetesës u bënë lehtësisht të disponueshme, mbizotëron begatia, shtohet, rritet pasuria, njerëzit ndiheshin në paqe, të gjithë plotësojnë nevojat e tyre dhe shtohet bagëtia. Siguria bashkon në vend  gjithë të mirat.

Ndërsa prishja e sigurisë, i lutemi Zotit për mirëqenie, bashkon të gjitha të këqijat. Siguria është pjesë e përsosmërisë së Islamit. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Zoti me siguri do ta përfundojë këtë çështje, përhapi Islamin, derisa kalorësi të udhëtojë nga Sana’a në Hadrameut duke mos pasur frikë asgjë tjetër përveç Zotit dhe ujkut për delet, bagëtinë e tij.” Hadithi është transmetuar nga Buhariu nga hadithet e Habab Ibn El Arat, Zoti qoftë i kënaqur me të.

Kjo u përmbush, arrit, shpejt në ditët e para të Islamit, gjatë jetës së të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ai i ka thënë Adij Ibn Hatimit, Zoti qoftë i kënaqur me të,: “Nëse jeton mjaftueshëm gjatë, do të shohësh një grua që udhëton nga Hira për të kryer Tavafin rreth Qabes, duke mos pasur frikë nga askush tjetër përveç Zotit.” Adij ka thënë: “Dhe pashë një grua që udhëtonte nga Hira për të kryer Tavafin rreth Qabes, duke mos pasur frikë nga askush tjetër përveç Zotit.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu. Kjo ishte nga pjesa e sigurisë së përhapur që gëzonte njerëzimi.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur shikonte hënën e re thoshte: “O Allah, bëje atë një hënë të re për ne me siguri, besim, mbrojtje dhe Islam. Një hënë të re mirësie dhe udhëzimi. Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.” Hadithi është transmetuar nga Tirmidhiu nga hadithet e Talha Ibn Ubeidullah, Zoti qoftë i kënaqur me të.

Ritualet e Islamit nuk kryhen përveçse në një atmosferë sigurie, namazi kryhet në siguri të plotë. Zoti i Plotfuqishëm në lidhje me këtë ka thënë: “Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij. Nëse keni frikë, faluni duke qenë në këmbë ose hipur (mbi kalë)! Kur të jeni të sigurtë, atëherë t’i kryeni faljet për Allahun, ashtu si ju ka mësuar Ai atë që nuk e keni ditur!”(El-Bekare 238-239)

LEXO  Në mes të gëzimit të mirënjohjes dhe gëzimit të arrogancës

Zekati nuk mblidhet përveç në kohë sigurie. Zoti i Plotfuqishëm në lidhje me Haxhin ka thënë: “Kur të jeni të sigurt (nga armiqtë), ai që prej jush kryen umren deri në haxh, le të therë kurban, sipas mundësisë.” (El-Bekare 196) Zoti i Lartësuari në lidhje me sigurinë e atyre që hyjnë në Shtëpinë e Tij të Shenjtë, në Qabe, ka thënë: “ Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (si): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim) dhe (fakti që) kush hyn në të është i sigurt.” (Al ‘Imran 96-97) Ibrahimi, miku i Zotit, paqja e Zotit qoftë mbi të,  iu lut Krijuesit të tij që t’i bënte këto vende të shenjta të sigurta, të mbrojtura dhe me fruta të bollshme. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ (Kujtoje) kur Ibrahimi tha: “O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve!”(Ibrahim 35) Zoti i Plotfuqishëm u dhuroi haxhinjve mirësinë e Tij duke u dhënë atyre siguri, Zoti i Lartësuar ka thënë: “ Allahu e përmbushi me të vërtetë vegimin e të Dërguarit të Tij, i cili kishte thënë: “Me siguri, ju do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, dashtë Allahu, të sigurt, kokërruar dhe flokëshkurtuar, pa kurrfarë frike.”( El-Fet’h 27) Në lidhje me këtë temë ka shumë tekste Kuranore.

Xheneti është i këndshëm vetëm me siguri, Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Atyre do t’u thuhet: “Hyni atje me paqe dhe siguri!”(El-Hixhr 46)

Siguria kërkon mirënjohje të vazhdueshme ndaj Zotit, në mënyrë që Ai të mund të japë edhe më shumë mirësi. Gjithashtu, ajo kërkon kujdes ndaj gjynaheve dhe shkeljeve të cilat bëhen shkak për zbritjen e ndëshkim hyjnor. Mirësitë nëse shoqërohen me mirënjohje, mbeten, e kur shoqërohen me mosmirënjohje, ato zhduken. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ (Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë.”(Ibrahim 7)

Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë, na bëftë dobi me përkujtimet dhe urtësitë e tij, na bëftë dobi me udhëzimin e zotërisë së të dërguarve dhe fjalët e tij të drejta.                                                                                                                                                                Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për muslimanët, me të vërtetë, Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve, Mbrojtësin e të devotshmëve. Zotin tim e lavdëroj dhe e falënderoj për mirësitë e Tij, për ato që ne i dimë dhe për atë që nuk i dimë,  me lavdërimin e falënderuesve.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i besuari. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin e Tënd,  Muhamedin, familjarët dhe të gjithë  shokët e tij.

Në vijim

Kini frikë Zotin e Plotfuqishëm duke e falënderuar dhe duke e kujtuar vazhdimisht Atë. Zoti ynë, i Lartësuari, është Ai që meriton t’i bindemi dhe të mos e kundërshtojmë, të mos i bindemi, të kujtohet dhe të mos harrohet, të falënderohet dhe të mos mohohet.

LEXO  Shfrytëzimi i dhjetë ditëve të fundit dhe kërkimi i natës së Kadrit

O muslimanë! Ndërsa jeni gati të përjetoni ditë me vlera të mëdha dhe orë të bekuara, mbushini ato me vepra të mira dhe bëni për veten tuaj sa më shumë adhurime që të mundeni para se koha juaj të mbarojë. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Por bëni diçka (të mirë) për veten tuaj (duke përmendur emrin e Allahut para kontaktit). Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do të takoheni me Atë. Jepu lajm të mirë besimtarëve (se do fitojnë Xhenetin).”(El-Bekare 223) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.”(El-Muzzemmil 20)

O bijtë e Ademit! Për sa kohë që jeni të shëndetshëm dhe të aftë të kryeni vepra të mira, punoni për Ahiretin. Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me ata të dy, tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Dy bekime, mirësi shumë njerëz i nënvlerësojnë, i marrin si të mirëqena: shëndetin dhe kohën e lirë.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, gjithashtu ka thënë:  “Kushdo prej jush që zgjohet i sigurt në shtëpinë e tij, i shëndetshëm në trupin e tij dhe me ushqim të mjaftueshëm për ditën, është sikur i është dhënë e gjithë bota.” Hadithin e ka  transmetuar Tirmidhiu nga hadithet e Ubejdullah Ibn Mihsan El-Ensariu.

Adhurues të Zotit! “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab 56) 

O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar, lutje dhe përshëndetje të shumta.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me udhëheqësit e parë të drejtë,  Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun,  me të gjithë sahabët dhe ata që i ndjekin në mirësi deri në Ditën e Kijametit, dhe me ne së bashku me ta, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe jobesimtarët dhe politeistët. O Zot, ndihmo  fenë Tënde, librin Tënd, Kuranin,  dhe sunetin e të dërguarit Tënd, në çdo kohë dhe në çdo vend, o Zot i Botëve, o Zotërues i Madhështisë dhe i Nderit.

O Zot, merr nën kujdesin Tënd çështjet e çdo muslimani dhe  muslimaneje, o Zot i botëve. O Zot, fali të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve, shumëfisho veprat e tyre të mira, fshij gjynahet e tyre dhe ndriço varret e tyre. O Zot, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, lehtëso vuajtjet e të pikëlluarve nga mesi i muslimanëve, mundëso shlyerjen e borxheve e atyre që janë në borxhe. O Zot, plotëso nevojat tona, nevojat e pasardhësve tanë dhe plotëso nevojat e muslimanëve, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, bashko zemrat e muslimanëve, o Zot i botëve. O Zot, na mbro ne dhe pasardhësit tanë nga shejtani, aleatët e tij dhe grupi i tij, dhe mbro muslimanët, o Zot i botëve.

O Zot, ruaj këtë vend, fortesën e Islamit dhe shembulli për muslimanët. O Zot, ruaj këtë tokë të bekuar me kufijtë e saj, ushtarët e saj, lavdinë e saj, bujarinë e saj, unitetin e saj, sigurinë e saj dhe besimin e saj. O Zot, ruaje atë nga sulmet e agresorëve, e keqja e të ligjve dhe nga të padrejtët. O Zot,ruaj këtë vend, mbretërinë e Arabisë Saudite, nga komplotet dhe të këqijat e intrigantëve, dhe ruaj vendet muslimane nga e keqja e jobesimtarëve.

O Zot, ruaj kujdestarin e dy xhamive të shenjta, mbretin Selman Ibn Abdulaziz, dhe princin e tij të kurorës, princin Mohamed Ibn Selman.

O Zot, ruaj Palestinën nga shtypja e agresorëve pushtues. Jepu muslimanëve të Palestinës lehtësim dhe rrugëdalje, mbroji ata nga të këqinjtë e tyre dhe largo brengën e tyre, o Zot i botëve. O Zot, furnizoji ata me furnizim, veshmbathje, ushqim dhe ilaçe, dhe mos i lërë në dorën e veteve të tyre e të bëhen të pafuqishëm, dhe as në dorën e të tjerëve  e të humbin.

Adhurues të Zotit! Përkujtoni shpesh Zotin, falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’jua shtojë ato. “ …vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1556250233168318/1303268544467310

Post Author: endrit