Feja ndërveprim social: Përmirësimi i individit dhe i shoqërisë

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     21-11-1447 H    08-05-2026 D

Shejh Muhamed Sarandah

Tema  Feja ndërveprim social: Përmirësimi i individit dhe i shoqërisë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili do marr në përgjegjësi çdo shpirt për atë që ka bërë: “… kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.”(El-Bekare 281) Lavdërimet janë për Zotin, Vëzhguesi i çdo gjymtyre dhe asaj që ajo ka bërë: “Atëherë çdokush do të marrë vesh çfarë kishte përgatitur (për këtë Ditë).”(Et-Tekuir 14)

Lavdërimet janë për Zotin, Llogaritësi, që është në dijeni për mendimet e robërve të Tij kur ato nxiten: “ Atij nuk mund t’i fshihet asnjë grimë…”(Sebe’ 3)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai që u përgjigjet të pikëlluarve, ndihmon ata që janë në vështirësi dhe mbron të shtypurit. O Zot, Ti je më i denjë për t’u kujtuar, më i denjë për t’u adhuruar, më bujari nga ata që u kërkohet, më i dhembshuri nga ata që zotërojnë, më bujari i atyre që u kërkohet dhe më bujari i atyre që japin. Ti je Mbreti, pa shok, i Vetmi, i pabarabarti. Krijesat janë të gjitha të Tuat dhe  njerëzit janë robërit  Tu, Ti je më i Mëshirshmi, më Mëshirbërësi. Ty të lutemi ta mbrosh xhaminë tonë të Aksasë dhe ta vendosësh atë nën kujdesin dhe mbrojtjen Tënde, o Zot i Botëve.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. I dërguari i zgjedhur, i veçuar, profeti i dalluar. Model për ata që ndjekin rrugën, udhëheqësi i adhuruesve dhe shtylla e familjes së tij, profetike, të pastër.

“O Zot, bekoje profetin e zgjedhur  sa kohë që zogjtë këndojnë në shkurret e kodrave.                    O Zot, bekoje profetin dhe familjen e tij sa kohë që haxhinjtë mblidhen në drejtim  të Jethribit, Medines.

O Zot, bekoje atë që e solle në vendin më të afërt, sa hapësira midis dy harqeve ose dhe më afër.”

“Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte qytetet padrejtësisht, nëse banorët e tyre do të ishin të ndershëm.” (Hud 117)

Reformimi i umetit dhe përmirësimi i shoqërisë është detyrë e besimtarëve. Cilësia më e madhe e një besimtari është të përpiqet për pajtimin midis njerëzve në mosmarrëveshjet e tyre. Ai është roli i profetëve, misioni i dijetarëve dhe qëllimi i reformatorëve të nderuar. “Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj atë që mundem.”(Hud 88) “Prandaj, frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”(El-Enfal 1)

O njerëz të besimit! O njerëz të lidhur me këtë vend! Umeti Islam po e vëzhgon palëkundshmërinë tuaj, prandaj kini frikë Zotin dhe rregulloni marrëdhëniet midis jush,sepse ju jeni njerëz të përpjekjeve, durimit, dhembshurisë dhe bujarisë.

Skenat që kanë ndodhur sot në popullin tonë janë aq të tmerrshme sa të bëjnë të rrëqethet lëkura dhe të djersitet balli. Nuk është e pranueshme që ligji i xhunglës, me grabitjet dhe plaçkitjet e tij sistematike, të na imponohet. “ Ato qytete Ne i shkatërruam kur banorët e tyre bënë të këqija dhe, për shkatërrimin e tyre, Ne kishim caktuar një afat.”(El-Kehf 59)

Roli i luajtur nga reformatorët është bërë një barrë e rëndë për ta, nuk kalon asnjë ditë apo edhe një orë pa thirrje për ndihmë nga fëmijët dhe gratë, duke u bërë thirrje atyre që janë reformatorë, njerëz të mirë dhe të ndershëm, Zoti i shpërbleftë. Mosmarrëveshjet dhe të drejtat që mezi përmenden janë bërë bazë për sulme, krime dhe plaçkitje të parave dhe pronës në mes të ditës, të cilat refuzohen, kundërshtohen nga Sheriati, legjislacioni Islam, ligjet dhe zakonet fisnike. Prandaj, kini frikë Zotin dhe përmirësoni marrëdhëniet në mes jush! “Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte qytetet padrejtësisht, nëse banorët e tyre do të ishin të ndershëm.” (Hud 117)

Thirrjet e bëra nga shoqëria për të konsoliduar paqen civile meritojnë përkrahjen dhe mbështetjen tonë, me qëllim që të çaktivizohet krimi dhe agresioni ndaj të tjerëve dhe të kufizohet përhapja e korrupsionit, shthurjes dhe vrasjeve.

LEXO  Islami feja e vëllazërisë

Mungesa e Sulltanit, udhëheqësit të drejtë,  është një dhimbje nga e cila vuan shoqëria, përjetojnë, dhimbje shpirtrat dhe shkatërrohen pronat e paratë nga mungesa e tij. “Në të vërtetë, Zoti frenon nëpërmjet udhëheqësit të drejtë atë që nuk e frenon nëpërmjet Kuranit.” Vërtetë, mungesa e udhëheqësit i ka lejuar individët e korruptuar të kenë përparësi interesat e tyre dhe të shesin gjëra të ndaluara të cilat prishin  mendjen dhe moralin. Për më tepër, lakmia që ka prekur një segment tjetër të shoqërisë shpërfill nevojat thelbësore të individëve.

Kjo rritje e tepruar e kostove të strehimit e ka bërë beqarinë, mos martesën, një fenomen të përhapur në shoqëri. Një efekt i dëmshëm ky për  strukturën shoqërore dhe që zgjeron rrugët e tundimit për brezin e ri. Vërtetë, Zoti shkatërroi popullin e Lutit për shkak të shthurjes morale që ishte përhapur në shoqërinë e tyre.

Zoti e mëshiroftë Halifin Omer Ibn Abdul Aziz, ai që mori parasysh nevojat njerëzore ndaj të cilave njerëzit janë të prirë natyrshëm dhe ndau fonde për martesën e të rinjve, jo për t’i ngarkuar ata me kostot e strehimit! Por se, barra që u ka rënë atyre që janë gati të martohen për shkak të ekzagjerimit të kërkesave dhe respektimit të zakoneve dhe traditave, të cilat mund të kapërcehen, për të arritur qëllimin e martesës, që është ndërtimi i një familjeje fisnike dhe të lumtur, ka nevojë për vëmendje.

“Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte qytetet padrejtësisht, nëse banorët e tyre do të ishin të ndershëm.” (Hud 117) Banorët e tij ishin të drejtë në mes tyre, por korrupsioni financiar që kryente populli i Shuajbit duke mashtruar në pesha dhe masa obligoi rënien, shkatërrimin e tyre!

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nëse njerëzit shikojnë një shtypës, të padrejtë, dhe nuk e frenojnë, Zoti ka të ngjarë t’i ndëshkojë të gjithë.” Zoti i Plotëfuqishëm paralajmëron robërit e Tij herë pas here: “ …me qëllim që të ktheheshin (në rrugë të drejtë).”(El-A’raf 168) Përhapja e korrupsionit, drogës, prishjes morale dhe transaksionet me fajde që po e mbytin rininë tonë, të gjithë do të mbahemi përgjegjës për to. “ Secili prej jush është bari dhe secili prej jush është përgjegjës për tufën e tij.”

Vërtetë, rastet e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve që mbushin gjykatat janë një përgjegjësi shoqërore, që nuk kufizohet vetëm te bashkëshortët. Por se mjerisht, shkaqet e mosmarrëveshjeve, urrejtjes dhe konfliktit nxiten edhe nga familja! Ata që rrethojnë familjen nuk përpiqen t’i pajtojnë bashkëshortët, përkundrazi, secili ka synimin dhe keqdashjen e vet në zemrën e tij. Reformatorët janë prekur nga disa vështirësi dhe lodhje për shkak të shumës së këtyre mosmarrëveshjeve. Vërtetë, situata e gjykatësve të ligjshëm ka arritur në një pikë të vështirë kur arsyet e mosmarrëveshjes dhe konfliktit bëhen të qarta, nga fyerjet e ndërsjella, babëzia në moral dhe shpenzime, dhe mungesa e vlerësimit dhe respektit për këtë besëlidhje solemne që Zoti e ka lartësuar.

Në të vërtetë, qëllimi i atyre që përhapin shthurje në tokë është të prishin umetin, popullin. Mbjellja e përçarjes midis individëve është praktikë e tyre e vazhdueshme dhe krijimi i konflikteve midis popujve është objektivi i tyre. Ata nxisin konflikte midis popujve dhe mbjellin përçarje në mënyrë që umeti të mbetet i fragmentuar, i ndarë. Ata kanë përdorur paratë, median dhe kurikulën arsimore për të nxitur konfliktin midis individëve dhe brenda popullit, në mënyrë që ai të dobësohet dhe të humbasë forcën e tij, dhe përfundon duke mbetur prapa, siç është realiteti ynë sot. “…sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia.”(El-Enfal 46)

Populli është përçarë mes veti, i ndarë në mendime, i ndarë në besnikëri, në orientime, opinione dhe qëllime. Umeti është grindur dhe disa prej nesh kanë dhunuar njëri-tjetrin, madje kanë tradhtuar njëri-tjetrin, dhe thirrjet për ndihmë jehojnë në zemrën e popullit: A ka kush të ndihmojë?! Ndërsa Aksa shikon gjendjen e muslimanëve: “Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte qytetet padrejtësisht, nëse banorët e tyre do të ishin të ndershëm.” (Hud 117) “ Me të vërtetë, përçarja midis njerëzve, mosmarrëveshjet, janë si brisku, shkatërruese, nuk them se rruan qimet, por rruan, prishën, fenë.”

LEXO  Pastrimi i vetes, shpirtit

Këtu qëndron misioni i të sinqertëve, i atyre që përpiqen për reformë duke kërkuar kënaqësinë e Zotit, atyre që nxitojnë të bëjnë vepra të mira. “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.”(En-Nisa’114)

Pajtimi në mes njerëzve është një akt adhurimi, po, vërtetë, është një akt adhurimi. Mos e bind veten se je i zënë me akte vullnetare nga namazet dhe agjërimi, dhe të lësh pas dore detyrat e tua reformiste, përmirësuese.  Pajtimi në mes të njerëzve është një akt adhurimi nga i cili shejtani përpiqet të të mbajë larg, duke të zbukuruar forma të tjera adhurimi për ty,  sikurse shejtani të të tundon të përfshihesh në shpifje kundër njerëzve, në mënyrë që të të mbajë larg pajtimit! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ A dëshironi t’ju tregoj për diçka më të mirë se shkalla e agjërimit, namazit dhe bamirësisë?” Kanë thënë: “Pa tjetër që po o i dërguari i Allahut!” Ai ka thënë: “ Pajtimi, përmirësimi i marrëdhënieve në mes njëri-tjetrit.”

O burra të përmirësimit! O njerëz të guximit! O njerëz të arenës! Me trimërinë tuaj po përparoni, duke filluar reformën, duke vendosur sigurinë, parandaluar gjakderdhjen dhe shuar fitnet, përçarjet. Tek ju është mirësia, tek ju është shpresa, u japim dorën, ju mbështesim me të vërtetën dhe për hir të së vërtetës. “Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.”(En-Nisa’114)

Sa për ata që pretendojnë se janë reformatorë, ndërkohë që po e shthurin dhe e shkatërrojnë popullin, Zoti do t’i marri përgjegjës dhe do t’i demaskojë publikisht, sepse hipokritët e shtrembërojnë të vërtetën, por Zoti i mbikëqyr ata.

“Nëse shikon të poshtëruar birin e fisnikëve dhe reputacioni i tij në mesin e njerëzve i ka rënë. Shikon që tradhtarëve u jepej status i lartë dhe poema të pafundme që lavdërojnë ata.                    Dije se epoka ka arritur fundin e saj dhe kushtet e saj kanë ndryshuar në mënyrë drastike.” Faraoni, nëse Zoti nuk do ta kishte zbuluar atë dhe Kurani nuk do të na kishte informuar për të, hipokritët do kishin shkruar se ai u mbyt ndërsa ndiqte grupin që kundërshtonin ligjin. “Zoti yt kurrë nuk do t’i shkatërronte qytetet padrejtësisht, nëse banorët e tyre do të ishin të ndershëm.” (Hud 117)

O njerëz të përmirësimit! O njerëz të veprave të mira!  Fjalët e të dërguarit më fisnik, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, janë të mjaftueshme për ju: “ Ata që bëjnë vepra të mira në këtë botë, janë njerëz të të mirave në botën Tjetër,  Ahiret.” Ata janë njerëzit e mirësive në Ahiret. “. A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç së mirës?!”(Er-Rahman 60)

O besimtarë! O ju të lidhur me këtë vend! Nëse nuk je i madh në qëndrimet e tua dhe nuk je nga njerëzit e veprave të mira dhe të përmirësimit, atëherë mos e duartrokit gënjeshtrën dhe mos u bëj nga tradhtarët. Njerëzit e së keqes në këtë botë janë njerëz të së keqes në botën Tjetër, Ahiret.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, shokut të tij besnik, Ebu Ejub El Ensariut, i ka thënë: “ A të tregoj për një bamirësi vprën e të cilës e pëlqen Zoti? Pajto në mes njerëzve, sepse ajo është bamirësi të cilën e do Zoti me vepruesin e saj.” Apo siç ai ka thënë.

LEXO  Të marrim mësim nga kalimi i kohës

Luteni Allahun duke qenë të bindur në përgjigje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin e botëve. Ai është Zoti i Madhërishëm, nuk lodhet kurrë duke ju lutur dhe duke i kërkuar. Ai është Zoti i Madhërishëm, kur i kërkohet jep dhe përgjigjet, e kur nuk i kërkohet Ai zemërohet. Ai jep nga pasuria e kësaj bote atyre që i do dhe atyre që nuk i do, por besim Ai u a jep vetëm atyre që i do dhe dëshiron. Kush mbështetet tek të tjerët përveç Tij, poshtërohet dhe turpërohet, e kush kërkon forcë tek Ai është fitimtar dhe triumfues.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Atij i përket sundimi dhe tek Ai është kthimi. Ai është Mbreti që sundon si të dëshirojë. Ai u mbulua nga krijesat me anë të dritës së Tij dhe u fsheh prej tyre me intensitetin e shfaqjes të Tij. I suksesshëm është ai që i përmbahet sjelljes së duhur. Ai i ka bërë disa nga robërit e Tij udhërrëfyes drejt së vërtetës me lejen e Tij dhe i ka bërë disa prej tyre të denjë për vepra të mira me anë të mirësisë së Tij. Dëshmoj se vula e të dërguarve, zotëria i bijve të Ademit, Muhamedi është i dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të,  ai që udhëzoi njerëzit në rrugë të drejtë dhe tha fjalët më elokuente.

Në fe ka rituale dhe akte adhurimi për të cilat do të mbaheni përgjegjës, por nuk do të korrni frytet e tyre, as nuk do të arrini qëllimet e tyre, përveç nëse sjellja juaj në marrëdhëniet me të tjerët është e shëndoshë, sepse feja është marrëdhënie ndër njerëzore.  Adhurimi juaj nuk do të jetë i vlefshëm nëse jeni të padrejtë, neglizhent, të dëmshëm, gënjeni ose fyeni! Adhurimi juaj nuk do të jetë i vlefshëm nëse thyeni zemrat e muslimanëve!

Përqafimi juaj formal i fesë nuk është i mjaftueshëm. Vendosja e një Kurani në makinë dhe në zyrën tuaj nuk është e mjaftueshme. Feja është integriteti juaj, sjellja juaj, mëshira dhe sinqeriteti juaj,  përkushtimi dhe drejtësia juaj. Feja është edukimi i fëmijëve tuaj dhe mirësia ndaj prindërve tuaj. Feja është butësia dhe dhembshuria juaj, trajtimi juaj i mirë ndaj bashkëshortit ose bashkëshortes tuaj dhe ulja e shikimit tuaj. Feja është puna dhe përpjekja juaj, ajo që keni në zemrën tuaj dhe trajtimi juaj i mirë ndaj të tjerëve.

Në Ditën e Gjykimit do të ketë pyetje kritike që kanë nevojë për përgjigje bindëse. Sprovat në këtë botë janë një prelud për zbulimin e së vërtetës. Armiqësia zbulon natyrën e vërtetë të shpirtrave, udhëtimi zbulon shokët, pozicionet zbulojnë njerëzit dhe varfëria zbulon besnikërinë.

“Nëse pasuria ime zvogëlohet, nuk do të kem asnjë mik që të më shoqërojë, por nëse pasuria ime shtohet, të gjithë njerëzit do të më shoqërojnë.

Sa armiq më kanë shoqëruar për shkak të shtimit të pasurisë time dhe sa miq më janë kthyer kundër për shkak të humbjes së pasurisë time!

O ti që përhap dijen midis injorantëve,  si ai që ndez qiri në sallë të të verbërve.

O kërkues i së mirës nga armiqtë e tu, prej bujarisë tënde, është si të kërkosh mjaltë nga dhëmbët e një gjarpri.”

Sa të vërteta janë fjalët e atij që ka thënë: “ Koha më ka edukuar, dëshpërimi më ka pasuruar, ushqimi më ka kënaqur dhe durimi më ka ushqyer.”

O Zot, na bëj nga ata që janë të përulur para madhështisë Tënde dhe i ngrite, që u kthyen tek Ti me pendim dhe i pranove, që u afruan tek Ti dhe i udhëzove, që iu nënshtruan madhështisë Tënde dhe i deshe, që të lutën sinqerisht dhe ju përgjigje, që kërkuan prej Teje dhe u dhurove. O Zot, na bëj nga ata të cilëve ua mbulove gjynahet me mëshirën Tënde dhe i përfshive në mëshirën Tënde.

O Zot, vendose xhaminë Aksa nën kujdesin dhe mbrojtjen Tënde, mbushe atë me Islam dhe muslimanë.

O Zot, na lehtëso nga vështirësitë, pikëllimi dhe çmimet e larta. O Zot, liro robërit, të burgosurit dhe të ndaluarit.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me sahabët dhe halifët e udhëzuar drejtë, ji i kënaqur, o Zot, me familjen e pastër të pejgamberit.

O Zot, jepu për ne shpërblimet më të mira dijetarëve, mësuesve dhe prindërve tanë.

O Zot, jepu shëndet dhe siguri haxhinjëve  të shtëpisë së shenjtë të Zotit, Qabes. O Zot, merri ata nën kujdesin dhe mbrojtjen Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, Ti  që ke bërë salavatet ndaj të dërguarit tonë nga adhurimet,  të lutemi të afrohemi pranë Teje me të gjitha salavatet që janë dërguar për të nga dita që është krijuar deri në pafundësinë e përsosmërisë.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Safat 180-182)

Dhe fto për namaz.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1558327672960574/1879393949393571

Post Author: endrit