Mirësitë e shikimit dhe kontrolli i tij

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar     17-02-1448 H     31-07-2026 D

Shejh Jaser Ed-Dosari

Tema     Mirësitë e shikimit dhe kontrolli i tij

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili krijoi dhe formësoi gjithçka, krijoi qiejt dhe tokën. Asgjë nuk i fshihet Dijes së Tij, qoftë e dukshme apo e fshehtë. Ai, me të vërtetë, i di sekretet edhe më të fshehta.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, Atij i takojnë emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri i njerëzimit. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qoftë mbi atë, familjen e tij, shokët e tij dhe ata që ecin në udhëzimin e tyre dhe u mjafon.

Në vijim

O ju njerëz! Porosis ju dhe veten time me frikë, devotshmëri ndaj Allahut. Ajo është rruga e shpëtimit dhe e sigurisë, rruga e suksesit dhe e nderimit. “Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (El-Ahzab 71)

O ju muslimanë! Nga dhuntitë më të mëdha me të cilat Zoti e ka begatuar njeriun, e Ai i ka dhënë atij dhurata dhe favore të bollshme, mirësi aq e madhe, sa nuk mund të përshkruhet plotësisht, dhe asnjë masë elaborimi nuk mund ta përfshijë plotësisht madhësinë e së drejtës së saj. Me të njeriu dallon të shëndoshin nga i sëmuri, të bukurën nga e shëmtuara, përmesa saj shmang rrezikun dhe mbron veten nga dëmi. Vërtetë ajo është mirësia e shikimit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy?” (El-Beled 8)  Për këtë arsye është i madh shpërblimi për atë që sprovohet me humbjen e shikimit dhe  tregohet i duruar duke  shpresuar në shpërblimin e Allahut. Nga Enes Ibn Maliku, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “ Vërtetë Zoti ka thënë: Kur ta sprovoj robin Tim me dy të dashurat e tij (dy sytë) dhe ai bën durim, Unë do t’ia zëvendësoj ato me Xhenetin, ka për qëllim dy sytë.”  Hadithin e transmeton Buhariu.

Shikimi është begati që obligon lavdërim dhe falënderim ndaj Allahut dhe sinqeritet në pranimin e mirësisë së Tij.  Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.” (En-Nahl 78)

Prej formave të falënderimit të Zotit për mirësinë  e shikimit është që njeriu ta përdorë atë vetëm në atë që e kënaqën Zotin dhe në atë që sjellën dobi për fenë dhe jetën e tij. Ai duhet ta ruajë shikimin nga harami, e ndaluara, dhe nga gjynahet, sepse shikimi është një nga portat më të rrezikshme dhe me ndikim të gjerë drejt zemrës. Syri është përcjellësi i mesazhit dhe lajmëtari i zemrës. Kur syri shikon, zemra lidhet me atë që ka parë. Nëse zemra lidhet, dëshirat do të trazohen, mendimet do të ndjekin njëra-tjetrën, shqetësimet do të shumohen dhe obsesionet, vesveset do të vijnë njëra pas tjetrës.

LEXO  Nga morali i muslimanëve ndihma ndaj të shtypurve

O ju njerëz! Nga se  kjo ishte gjendja, Sheriati, legjislacioni Islam, erdhi për të mbyllur rrugët që çojnë në haram, ai nuk u mjaftua vetëm me ndalimin e të keqes, por se ndaloi mjetet,  bllokoi rrugët dhe  ndërpreu shkaqet e saj. Urdhri Hyjnor erdhi i qartë që të ulet shikimi nga ajo që Allahu ka ndaluar. Madje urdhri ka ardhur në fillim për ruajtjen e shikimit para ruajtjes së nderit, për shkak të lidhjes së fortë mes tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Vërtet, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)….” (En-Nur 30–31)

Shikimi i ndaluar është një shigjetë helmuese nga shigjetat e shejtanit dhe kurthet e tij të ndotura. Ai godet zemrat, i shkatërron, ua shuan dritën dhe i verbon ato. Nëse  kjo shigjetë depërton në zemër, njeriu bëhet rob i epshit dhe i dëshirave, derisa nuk e njeh më të mirën dhe nuk e urren të keqen.

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni, se syri e zbukuron atë që nuk mund të arrihet dhe që nuk mund të perceptohet. Ai sy e shikon atë ndryshe nga natyra e saj e vërtetë dhe në një formë tjetër nga e veta. Prandaj njeriu i mençur duhet të ruhet nga lëshimi i shikimit. Vërtetë të durosh duke ulur shikimin është shumë më lehtë sesa të durosh dhimbjen  që vjen më pas. Veçanërisht në këtë kohë kur mjetet e joshjes janë shtuar dhe format e devijimit janë shumëfishuar. Sa që ato janë bërë një tregti fitimprurëse dhe mall popullor, që përhapen përmes telefonave, ekraneve, rrjeteve sociale dhe kanaleve të ndryshme, duke hyrë në shtëpitë dhe mendjet e njerëzve pa leje dhe pa marrë parasysh dallimet e zakoneve, kulturave dhe feve.

Sa shumë kemi nevojë, në këtë kohë, të kujtojmë rëndësinë e uljes së shikimit, sepse ajo është një nga shfaqjet më të mëdha të devotshmërisë në këtë epokë.

O ju besimtarë! Ulja e shikimit pastron zemrën, ndihmon njeriun të përqendrohet në adhurim, e mbron nga shpërqendrimi në dëshirat e kësaj bote dhe e ruan atë nga sprovat dhe devijimet. Me të, uljen e shikimit, robi fiton qetësi trupore, lumturi shpirtërore, ëmbëlsinë e besimit dhe kënaqësinë e adhurimit. Përmes uljes së shikimit, atij i hapen dyert e dijes dhe të urtësisë, bashkon përmes saj forcën e njohjes dhe argumentin, aftësinë dhe fuqinë. Ulja e shikimit, i lë atij trashëgim mençuri dhe udhëzim, inteligjencë dhe njohje, qëndrueshmëri, guxim dhe dritë në zemër.

LEXO  Ripërtëritja e shpresës në kohë të vështira

Sa më shumë që robi e ulën shikimin nga harami, aq më e madhe është pjesa e tij nga kjo dritë.

Nga frytet e uljes së shikimit është përqendrimi i njeriut në të medituar në interes të fesë dhe jetës së tij.  Lënia e shikimit të lirë shpërqendron dhe ngatërron mendjen e njeriut, lodhën gjymtyrët e tij, ngarkon shpatullat dhe bën që punët e tij të shkatërrohen.

Njeriu i mençur shikon ndikimet dhe pasojat dhe e di se kënaqësia e një shikimi të ndaluar zgjat vetëm pak çaste, ndërsa keqardhja e tij mund të zgjasë me vite. Ai e di se ajo që gjendet tek Zoti  është më e mirë dhe më e qëndrueshme. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Mos e hidh shikimin në të mirat kalimtare, që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre, si stoli të jetës së kësaj bote, për t’i vënë ata në provë! Shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe më e qëndrueshëm.” (Taha: 131)

Adhurues të Zotit! Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzimin e Librit të Tij dhe me sunetin e të dërguarit të Tij, Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

Zotit i kërkoj falje për vete, për  ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin.  Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e Zotit, të dërguarin tonë, Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe ata që pasojnë rrugën e tij.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Nga gjërat që e ndihmojnë njeriun të ulë shikimin janë: Devotshmëria ndaj Zotit të Madhëruar, frika nga dënimi i Tij, lutja e shpeshtë drejtuar Atij dhe përpjekja e vazhdueshme për ta luftuar vetveten. “Kush përpiqet të ruajë dëlirësinë, pastërtinë, Zoti  do ta bëjë atë të dëlirë.” Kush heq dorë nga diçka për hatrin e Zotit, Ai do t’ia zëvendësojë atij me diçka më të mirë.

Njëri nga dijetarët e hershëm, nga selefët, është pyetur: “Me çfarë ndihmohet njeriu për të ulur shikimin?” Ai është përgjigjur: “Duke ditur se shikimi i Zotit mbi ty është para shikimit tënd ndaj atij që po shikon.”

LEXO  Besnikëria dhe pastërtia e të lidhurve, vigjilentëve

Gjithashtu, nga gjërat që ndihmojnë në uljen e shikimit është largimi i njeriut nga vendet e dyshimta, sprovat dhe shoqëritë e këqija, sepse zemrat janë të dobëta dhe sprovat i rrëmbejnë ato shpejt.

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se ulja e shikimit nuk është privim, por se ai është nder, nuk është shtypje e dëshirave, por është mbrojtje dhe devotshmëri.

Adhurues të Zotit! Kini frikë Allahun dhe ulini shikimet tuaja nga ajo që Zoti juaj e ka ndaluar. Ruajeni veten në vetmi dhe në publik, sepse do të jeni përgjegjës për veprat tuaja. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (El-Isra’ 36)

Adhurues të Zotit! Dërgoni lutje dhe përshëndetje për atë që u dërgua me urtësi dhe udhëzim, më i miri i njerëzimit dhe më i nderuari që ka ecur mbi tokë, sikurse Zoti juaj i Madhërishëm dhe i Lartësuar ju ka urdhëruar dhe  ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin besnik, familjen e tij të mirë dhe të pastër, bashkëshortet e tij,  nënat e besimtarëve. O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me katër kalifët e drejtë, me të gjithë sahabët, me tabi’inët dhe me të gjithë ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit dhe me ne së bashku me ata, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, ndihmo fenë Tënde, Librin Tënd, sunetin e të dërguarit Tënd Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe robërit e Tu besimtarë. Bëje të vazhdueshme begatinë e sigurisë dhe paqes në vendin tonë, mbretërinë e Arabisë Saudite, si dhe në të gjitha vendet e muslimanëve.

O Zot, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe udhëzim udhëheqësin tonë, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, dhe princin e kurorës. Udhëzoji ata dhe mbështetësit e tyre në çdo gjë që Ti e do dhe je i kënaqur, në çdo gjë që sjell të mira dhe krenari për vendin dhe popullin, si dhe fitore e forcim për Islamin dhe muslimanët.

O Zot, ndihmo njerëzit e sigurisë dhe mbrojtjes tonë  dhe ushtarët tanë në kufijtë tanë, ji për ata mbështetje, ndihmë, mbikqyrje dhe mbrojtje.

O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve  atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve. O Zot, mëshiro të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve.

O Zot, ndihmo muslimanët e shtypur në Palestinë dhe në çdo vend. Jepu atyre rrugë dalje nga çdo brengë, lehtësim nga çdo vështirësi dhe shëndet nga çdo sprovë.

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

Na fal, sepse vërtet[ Ti je Falësi i Madh, Mëshirplotë.

“… dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1634596278667046/2246877782813091

Post Author: endrit