Ëndrrat e mira, në mes të lajmeve të mira dhe rregullave ligjore

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    01-03-1448 H     14-08-2026 D

Shejh Salih Ibn Abdullah Ibn Humejd 

Tema   Ëndrrat e mira, në mes të lajmeve të mira dhe rregullave ligjore

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin për mirësitë e Tij, falënderimi i takon Atij për begatitë. Atij i kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi, në mirëqenie dhe në vështirësi. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Zoti i tokës dhe i qiellit. Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, vula e profetëve. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij të pastër dhe shokët e tij fisnik,  mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi, dhe ndoqën shembullin e tyre, nga ata që ishin të udhëzuar dhe i pasuan ata.

Në vijim

O ju njerëz! Këshilloj ju dhe veten time që ta kemi frikë Zotin. Kini frikë Zotin, Zoti ju mëshiroftë, dijeni se ai që ka shpresë të madhe e shton dhe kërkesën e tij, ai që ka frikë më shumë ikja, largimi i tij është më i madh, dhe ai që ka mendim të mirë për Zotin aq më të mira janë veprimet e tij. Arma më e fuqishme është arma e arsyes dhe jo arma e gjuhës. Forca qëndron në heshtje  e jo në të folur. Njeriu nuk mund t’i bëjë të gjithë njerëzit të lumtur, por mund të përmbahet që të mos u shkaktojë dëm.

Njeriu me pozitën më të keqe tek Zoti në Ditën e Gjykimit është ai nga i cili njerëzit largohen për t’u mbrojtur nga e keqja e tij. Ju do të largoheni nga kjo botë, ndërsa gjurma juaj do të mbetet. “Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.”(Fussilet 46)

O muslimanë!

Shpirtrat njerëzorë priren të dëshirojnë të dinë atë që është e fshehtë dhe e padukshme, ndërsa zemrat dëshirojnë të zbulojnë të panjohurën e së ardhmes. Për këtë arsye, disa njerëz janë lidhur me astrologët, fallxhorët, magjistarët, parashikuesit dhe horoskopet e fatit, andaj humbën rrugën duke i çuar dhe të tjerët në humbje, përveç atyre që Allahu i ka mëshiruar.

Në hadith thuhet: “Kush shkon tek fallxhori ose parashikues i fatit dhe e beson atë që thotë, ka mohuar atë që i është shpallur Muhamedit.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi dhe Bejhekiu. Imam Tahaviu, Zoti e mëshiroftë, thotë: “Kush kërkon të dijë atë që i është ndaluar të dijëdhe nuk kënaqet, mjaftohet, me pranimin e saj, ambicia e tij e verbon, pengon nga teuhidi, Njësimi i pastër dhe dija e qartë.”

O besimtarë! Përballë kësaj qëndron ëndrra e vërtetë dhe e mirë, e cila është një pjesë nga dyzet e gjashtë pjesë të profetësisë, siç është vërtetuar në hadithet e sakta nga i sinqerti dhe i besuari, profeti ynë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Njerëzit më të sinqertë në të folur gjatë zgjimit janë dhe më të sinqertët në ëndrrat e tyre.

I dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u thoshte shokëve të tij: “A ka parë ndonjëri prej jush ndonjë ëndërr?” Ka thënë: Pastaj ai u tregonte atyre atë çfarë Zoti dëshironte tu tregojë. Imam Neveviu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë se pyetja e të dërguarit të Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ndaj sahabeve kishte për qëllim t’u mësonte atyre interpretimin e ëndrrave dhe vlerën e tyre, si dhe faktin se ato mund të përmbajnë, me lejen e Zotit, njoftime për diçka nga e fshehta. Ndërsa Ibn Haxheri, Zoti e mëshiroftë, ka thënë se në këtë hadith gjendet rëndësia e ëndrrës, duke pyetur për të, si dhe vlera e interpretimit të saj.

Ibn El Kajimi, Zoti e mëshiroftë, thotë: “Ëndrra është shembull i paraqitur, përmes të cilit ai që e shikon merr si udhëzim shembullin që i është paraqitur dhe e lidh atë me diçka të ngjashme. Për këtë arsye interpretimi i saj quhet ‘ta’bir’, komentim.”

Shejh Sa’diu, Zoti e mëshiroftë, thotë: “Shkenca, dituria e komentimit të ëndrrave është prej dijeve të Sheriatit dhe hyn në çështjet e fetvasë.” Kjo mbështetet në fjalën e Zotit të Lartësuar në historinë e Jusufit, paqja e Zotit qoftë mbi të, ku thotë: “Dhe kështu, Zoti yt të ka zgjedhur ty dhe të mëson shpjegimin e ëndrrave dhe e plotëson dhuntinë e Vet ndaj teje dhe familjes së Jakubit…” (Jusuf 6)

LEXO  Dituria më e nderuar është njohja me Emrat dhe Cilësitë e Zotit

O ju muslimanë! Nga këtu, dituria e komentimit të ëndrrave është dije fetare që ka rregullat e saj të Sheriatit. Tekstet fetare dëshmojnë për vlefshmërinë e saj, ndaj nuk lejohet që dikush të marrë përsipër komentimin  e ëndrrave pa dije. Ëndrra është çështje që kërkon përgjegjësi të ngjashme me fetvanë dhe nuk duhet të flitet për të pa dije. “O paria ime, më shpjegoni ëndrrën time…” (Jusuf 43)

Imam Maliku, Zoti e mëshiroftë, është pyetur: “A mund ta komentojë ëndrrën çdokush?” Ai është përgjigjur: “A mund të luhet me profetësinë?!”

O muslimanë! Ëndrrat janë tre llojesh:

E para: Ëndrra e vërtetë, e sinqertë, e ajo është nga Zoti. Ajo është një pjesë nga dyzet e gjashtë pjesë të profetësisë. Është ëndërr e vërtetë dhe përgëzim i sinqertë. Buhariu, Zoti e mëshiroftë, transmeton nga hadithet e Ebu Seid El Hudriu, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush shikon një ëndërr që e pëlqen, ajo është prej Zotit, prandaj le ta falënderojë Atë për të…” hadithi vazhdon.

Ëndrra e mirë e gëzon besimtarin dhe e kënaq atë, por nuk e mashtron, nuk e bën mendjemadh. Ajo mund të jetë nxitje për të mirë dhe burim qetësie kur përputhet me të vërtetën dhe Sheriatin.

Ëndrra e mirë mund të merret si shenjë për t’u gëzuar dhe si ngushëllim, por nuk përdoret si bazë për çështje fetare, apo për të marrë vendime që bien ndesh me Sheriatin.

Ibn Abdulberri, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Ëndrrat e vërteta duhen besuar, ato përmbajnë nga urtësia dhe mirësia e  Zotit që rrit besimin e besimtarit.”  “Allahu e përmbushi me të vërtetë vegimin e të Dërguarit të Tij…”(El-Fet’h 27)

Ëndrra e vërtetë është prej përgëzimeve të mbetura. Ajo mund të përgëzojë për të mirë ose të paralajmërojë për të keqe.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Pas meje nuk ka mbetur nga profetësia veçse përgëzimet.” Sahabet pyetën: “Cilat janë përgëzimet?” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Ëndrra e mirë.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të.

Kush dëshiron që ëndrrat e tij të jenë të vërteta, le të kujdeset për sinqeritetin, për ushqimin hallall, për zbatimin e urdhrave të Zotit, për largimin nga ndalesat e Tij dhe për shtimin e përmendjes së Zotit.

O vëllezër! Kur muslimani shikon në ëndërr diçka që e pëlqen, le ta falënderojë Zotin dhe të gëzohet për të. Le t’ia tregojë atë vetëm atij që e do dhe atyre që i beson prej njerëzve të dijes, mirësisë dhe këshillës. Dijetari e komenton ëndrrën në mënyrën më të mirë që mundet, këshilluesi e udhëzon drejt asaj që i sjell dobi dhe e ndihmon, ndërsa njeriu i dashur, nëse e di, flet, e nëse nuk e di, hesht.

Për këtë arsye Jakubi i ka thënë Jusufit, paqja e Zotit qoftë mbi ata të dy: “ai i tha: “O biri im! Mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve  të tu, që të mos kurdisin ndonjë gjë kundër teje…”(Jusuf 5)  Dijetarët kanë thënë: “Ky ajet është bazë për parimin se ëndrra nuk duhet t’i tregohet askujt tjetër përveç një personi të dashur, këshilluesi të  sinqertë, ose dikujt që di ta komentojë, shpjegojë atë.” Në hadith thuhet: “Kur ndonjëri prej jush shikon një ëndërr, të mos ia tregojë atë askujt përveç një dijetari ose një këshilluesi.” Në një transmetim të Ebu Razinit El Ukejliut,  Zoti qoftë i kënaqur me të, thuhet: “Mos t’ia tregojë atë askujt përveç një dijetari, një këshilluesi ose një njeriu të mençur.” Në një transmetim tjetër thuhet: “Le t’ia tregojë vetëm një të dashuri ose një njeriu me mendim të shëndoshë.”

O besimtarë! Lloji i dytë i ëndrrave është ai që vjen nga shejtani. Në dy Sahihët transmetohet nga Ebu Katade, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “Ëndrra e mirë është nga Zoti ndërsa ëndrra e keqe është nga shejtani.”

Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmeton nga dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se ai ka thënë: “Ëndrrat janë tri llojesh: Ëndërr e vërtetë, ëndërr që vjen nga ajo me të cilën njeriu e preokupon veten dhe  ëndërr që vjen për ta trishtuar njeriun nga shejtani.” Hadithin e transmeton Tirmidhiu dhe e ka cilësuar hadithin të mirë dhe të saktë.

LEXO  Qëndrueshmëria në fe

Prandaj, kur një musliman shikon në ëndërr diçka që nuk e pëlqen, le të kërkojë mbrojtje tek Zoti nga shejtani tri herë dhe nga e keqja e asaj që ka parë, le të pështyjë lehtë në anën e majtë tri herë, të ngrihet dhe të falë namaz, të ndryshojë anën në të cilën ishte shtrirë dhe të kthehet në anën tjetër dhe të mos ia tregojë askujt atë ëndërr.

Buhariu, Zoti e mëshiroftë,  transmeton nga Ebu Seid El Hudriu, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush shikon një ëndërr që e pëlqen, ajo është nga Zoti, prandaj le ta falënderojë Zotin për të. Por, nëse shikon diçka tjetër që nuk e pëlqen, ajo është nga shejtani prandaj le të kërkojë mbrojtje tek Zoti nga e keqja e saj dhe të mos ia tregojë askujt, sepse ajo nuk do ta dëmtojë.” Ëndrra e pakëndshme dhe frikësuese nuk duhet të komentohet dhe as të tregohet.

O ju vëllezër! Lloji i tretë është “hadith en-nefs”, ajo që njeriu e përjeton si pasojë e mendimeve dhe preokupimeve të veta. Kjo është përmendur në hadithin e më parshëm të Ebu Hurejres, ku i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Dhe prej tyre është ëndrra me të cilën njeriu e preokupon veten.”

Njeriu mund të jetë zgjuar dhe të jetë i preokupuar me disa çështje të tij, me problemet në treg, në punë, në studime, në familje ose me çështje të tjera të jetës. Kur shkon të flejë, mund të shohë në ëndërr gjëra që lidhen me këto çështje. Kjo është ajo që dijetarët e quajnë ëndrra të përziera ose ëndrra të çrregullta.

Në vijim

Zoti ju ruajt! Interpretimi dhe shpjegimi i ëndrrave është një çështje që bazohet në përpjekje dhe gjykim, që bartën, ose  mund të jetë i saktë ose i gabuar. Nuk duhet të pretendohet me siguri absolute se interpretimi i një interpretuesi është patjetër i drejtë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  i tha Ebu Bekrit, Zoti qoftë i kënaqur me të, kur ai interpretoi një ëndërr: “Ke qëlluar në disa pjesë të saj dhe ke gabuar në disa të tjera.”

Nga cilësitë dhe edukata e atij që interpreton është që duhet të jetë i ndershëm, i besueshëm, i sinqertë, të ketë njohuri të shëndosha, reputacion të mirë, qasje të shëndoshë dhe metodë të lavdërueshme.  Nuk duhet që të pyeten për ëndrrat njerëz të paditur, njerëz me pak dije apo njerëz të dobët në fe.

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “Allahu e përmbushi me të vërtetë vegimin e të Dërguarit të Tij, i cili kishte thënë: “Me siguri, ju do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, dashtë Allahu, të sigurt, kokërruar dhe flokëshkurtuar, pa kurrfarë frike”. Ai e dinte atë që nuk e dinit ju dhe, veç kësaj, ju dhuroi një fitore të afërt.” (El-Fet’h  27)

Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzim nga Libri i Tij, Kurani i Madhërishëm, dhe nga suneti i të dërguarit të Tij, Muhamedit, paqja dhe mëshira Zotit qoftë mbi të.

Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, lavdërimet janë për Allahun, Zotëruesin e mirësive të mëdha dhe të mirave të shumta. Zotin e Madhëruar e lavdërojmë e Ai është Dhuruesi dhe Bujari i Madh. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Zoti i qiejve, Zoti i tokës dhe Zoti i Arshit madhështorë.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij,  i mëshirshëm dhe i dhembshur me besimtarët. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, të cilët ishin në të vërtetën dhe në udhën e drejtë, mbi tabi’inët e tyre dhe ata që i pasojnë me mirësi, lutje dhe përshëndetje të shumta dhe të vazhdueshme.

LEXO  Dr.Suud Esh’shurejm - Vlera e Mekës

Në vijim

O ju muslimanë! Ëndrra nuk është burim për marrjen e fesë, as për përcaktimin e dispozitave fetare, as për të shpallur diçka të lejuar apo të ndaluar. Me anë të ëndrrave nuk vendosen dispozita fetare. Zoti i Plotëfuqishëm e ka përsosur fenë dhe shpallja ka përfunduar. Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  nuk u nda nga kjo botë për të shkuar te Zoti i tij derisa e përcolli shpalljen në mënyrë të qartë dhe të plotë.

Dijetari i madh, Imam Neveviu, Zoti e mëshiroftë, thotë: “Nëse është nata e tridhjetë e Shabanit dhe njerëzit nuk e shohin hënën e re, pastaj një njeri e shikon të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në ëndërr dhe ai i thotë: ‘Sonte është nata e parë e Ramazanit’, atëherë agjërimi nuk bëhet i vlefshëm mbi bazën e kësaj ëndrre, as për atë që e ka parë ëndrrën dhe as për të tjerët.”

Prandaj, frikësojuni Allahut, Zoti ju mëshiroftë, dhe dijeni se gënjeshtra në lidhje me ëndrrat është prej gjynaheve të mëdha, sepse është gënjeshtër ndaj Zotit.

Imam Ahmedi në Musnedin e tij, Buhariu në Sahihun e tij dhe të tjerë kanë transmetuar nga Abdullah Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nga gënjeshtrat më të mëdha është që njeriu t’u tregojë syve të tij diçka që nuk e kanë parë.”

Në Sahihun e Buhariut, Zoti e mëshiroftë, transmetohet nga hadithet e Abdullah Ibn Abasit, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush pretendon se ka parë në ëndërr të cilën nuk e ka parë, do të ngarkohet që të lidhë dy kokrra elbi së bashku dhe nuk do të jetë në gjendje ta bëjë.” Në një transmetim tjetër thuhet: “Të lidhë dy fije floku së bashku.”

Imam Taberiu, Zoti e mëshiroftë, thotë: “Ky kërcënim është kaq i rëndë, ndonëse gënjeshtra kur njeriu është zgjuar mund të jetë edhe më e dëmshme, sepse gënjeshtra në ëndërr është gënjeshtër ndaj Zotit, duke pretenduar se Ai i ka treguar atij diçka që në të vërtetë nuk ia ka treguar. Gënjeshtra ndaj Zotit është më e rëndë se gënjeshtra ndaj krijesave.”

Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën e dhuruar, mirësinë e dhënë, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit, për këtë ju ka urdhëruar Zoti juaj, Zoti i Plotëfuqishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin,  familjen e tij, bashkëshortet  dhe pasardhësit e tij.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inë, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit,  dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët  e çështjeve tona,  bëj udhëheqjen tonë në duart e atyre që të frikësohen, janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë  kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.

O Zot, mbështet me të vërtetë, me udhëzim dhe me sukses udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, jepi atij sukses në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur,  udhëzoje atë në drejtësi dhe devotshmëri. Jepi atij këshilltarë të drejtë, forco me të fenë Tënde dhe lartëso përmes tij fjalën Tënde. Bëje atë burim fitoreje për Islamin dhe muslimanët, dhe bashko me të fjalën e muslimanëve në të vërtetën dhe në udhëzim, o Zoti i botëve. O Zot, jepi sukses atij dhe princit të tij të kurorës në të vërtetën dhe udhëzimin, dhe në gjithçka që sjell dobi popullit dhe vendit.

O Zot, ruaj dhe jepu fitore ushtarëve dhe njerëzve të sigurisë tonë të stacionuar në kufijtë dhe frontet tona. O Zot, mbështeti ata me mbështetjen Tënde dhe jepu atyre fitore me fitoren Tënde. O Zot, drejto goditjet dhe mendimet e tyre dhe jepu atyre fitore mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar.

O Zot,  të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, jepu atyre fitoren me fitoren Tënde dhe mbështeti ata me mbështetjen Tënde. O Zot, mëshiro dobësinë e tyre, shëro krisjet e tyre dhe kthe rrethin e së keqes kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, o i Plotfuqishëm, O i Lartësuar.

O Zot, ruaj xhaminë Aksa,  bëje atë të fortë dhe krenare deri në Ditën e Gjykimit, me Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, na mbro nga e keqja e të ligjve, nga komplotet e të korruptuarve dhe nga të këqijat e atyre që këpusin rrugët natën dhe ditën.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)

“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1648625247264149/885574797697495

Post Author: endrit